Home » Lajme » Megjithë tensionimin Kuvendi ratifikoi marrëveshjen Kosovë-Serbi

Megjithë tensionimin Kuvendi ratifikoi marrëveshjen Kosovë-Serbi

Kuvendi i Kosovës  me 84 për, tre kundër dhe një abstenim miratoi marrëveshjen Kosovë-Serbi.

 

 

 

 

 

Si u zhvillua seanca e sotit:


Vetëvendosje pengon me forcë votimin për ratifikimin e Marrëveshjes (VIDEO)
Prishtinë, 27 qershor – 13:30 – (E plotësuar)  
Në momentin kur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi theksoi se në sallë gjenden 101 deputetë dhe se janë krijuar kushte për votimin e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për normalizimin e Marrëveshjes Kosovë-Serbi, lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti me Liburn Aliun, deputetin tjetër të kësaj lëvizje, kapën me forcë mikrofonin e kryekuvendarit, me kërcënimin se nuk do të ketë votim.

Me gjithë thirrjet e kryesuesit të Kuvendit që ata të lejonin zhvillimin normal të punës së Kuvendit, ata nuk hoqën dorë. Pas këtij skandali, Krasniqi dha një pushim prej 10 minutash dhe në këto momente ai ende nuk ka rifiluar.

Më herët Krasniqi kritikoi veprimin e deputetëve të Vetëvendosjes, duke  thënë se me këso veprimesh Vetëvendosje edhe po të ishte në pushtet nuk do të sillte demokracinë. Ai shprehu rezervat se me këtë Marrëveshje do të normalizohen marrëdhëniet me Serbinë, por edhe këtë e konsideron si një rrugë demokratike.

Mbledhja pati ndërprerje, për shkak të pengesave që protestuesit e Vetëvendosjes u bënë deputetëve të hynin në Kuvend. Përfaqësuesit e grupeve parlamentare, pasi dëgjuan fjalën e kryeministrit Hashim Thaçi, me përjashtim të atij të Vetëvendosjes, mbështetën Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes. Deputetët e Vetëvendosjes e cilësuan këtë Marrëveshje të padenjë, të dëmshme për Kosovën e të dobishme për Serbinë, që cenon sovranitetin e vendit e forcon atë të Serbisë.

Po e japim në vazhdim fjalën plotë të kryeministrit Thaçi. 
Si rrjedhojë e punës sonë serioze në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, dhe si rezultat i përmbushjes së standardeve evropiane, Kosova tashmë ka marrë dritën jeshile për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit për Kosovën, ku Kosova trajtohet si shtet, si të gjitha shtetet tjera.

Edhe pse pesë vende të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën, sot të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian e mbështesin të ardhmen konkrete evropiane të Republikës së Kosovës – theksoi kryeministri Thaçi në adresimin e tij në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës

Duke iu drejtuar deputetëve, kryeministri tha se po paraqiste për miratim Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së parë ndërkombëtare që rregullon normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, parafuar më 19 prill 2013 nga kryeministri i Republikës së Kosovës dhe kryeministri i Republikës së Serbisë.

Arritja e Marrëveshjes ndërlidhet me qëllimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që të respektohet në tërësi obligimi kushtetues për zbatimin e pikës pesë të Rezolutës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë të aprovuar nga një shumicë e madhe demokratike e Kuvendit të Kosovës në tetor 2012.

Kanë kaluar 14 vjet që kur qytetarët e Kosovës jetojnë në liri  dhe mbi 5 vite nga koha kur në mënyrë të koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare, shpallëm Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.

Jemi dëshmitarë se të gjitha dilemat dhe kundërshtimet rreth ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë u rrezuan kur Gjykata Ndërkombëtare të Drejtësisë dha verdiktin me të cilin  theksohet dhe argumentohet se shpallja e Pavarësisë së Kosovës, ishte në pajtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare.

Pavarësia e shtetit tonë dhe lira për qytetarët e Kosovës janë të sigurta përgjithmonë.
Rrjedha e ngjarjeve në rajon gjatë viteve të fundit ka provuar se Pavarësia e Republikës Kosovës dhe njohja ndërkombëtare e saj, ka dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë për sigurimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajonin Ballkanit, Evropës Juglindore dhe më gjerë.

Dje Kosova u njoh zyrtarisht nga Egjipti duke shënuar njohjen formale të 100 për Kosovën.
Ky moment dëshmon se Kosova pandalshëm është duke zënë vendin e saj të merituar në mesin e kombeve të lira të botës.

Kemi qenë dhe jemi të vetëdijshëm se arritja e synimit për paqe dhe siguri në Ballkan do të jetë e pasigurt pa njohjen e shtetit të Kosovës nga ana e të gjitha vendeve fqinje përfshirë edhe Serbinë.
Krijimi i marrëdhënieve të mira mes shteteve fqinje në rajonin tonë është parakusht për stabilitet, sundim të ligjit, zhvillimin ekonomik dhe zhvillimin e përgjithshëm dhe integrim në Bashkim Evropian dhe NATO.

Procesi i fillimit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë e ka bazën kryesore tek bindja e të gjithë akterëve ndërkombëtarë se rruga e pavarësisë është e pakthyeshme ndërsa procesi i normalizimit të raporteve mes dy shteteve të pavarura është i pashmangshëm.
Një bindje e tillë pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare u reflektua edhe nga strukturat e tjera të OKB-së.

Në veçanti, shprehje e kësaj bindje ishte Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e datës 9 shtator 2010 e cila fton si Kosovën e ashtu edhe Serbinë, që si dy shtete të pavarura, të fillojnë punën për normalizimin e marrëdhënieve të ndërsjella përmes një dialogu teknik.

Rezoluta ndër të tjera prezantoj edhe synimet e dialogut për vendosjen e paqes, sigurisë dhe stabilitet në rajon, si dhe nevojën që përmes këtij dialogu të bëhet promovimi i mëtejmë i bashkëpunimit, arritja e progresit në procesin e integrimeve Evropiane dhe përmirësimin e  jetës së njerëzve.

Synimet e Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme si dhe të proceseve që kanë pasuar pastaj, janë plotësisht në pajtim me synimet e qytetarëve të Republikës së Kosovës, dhe në pajtim të plotë me Kushtetutën  e Republikës së Kosovës.

Pasi shfaqi bindjen se edhe qytetarët e Kosovës e kanë ditur që nga fillimi se procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të jetë fare i lehtë dhe se  të gjithë kemi qenë të vetëdijshëm se do të jetë procesi i vështirë, i komplikuar dhe që do të marrë shumë kohë, sqaroi se fazën fillestare për normalizim e filluam me dialogun teknik për zgjidhjen e një sërë çështjesh.

Rezultatet që dha dialogu teknik kanë rrezuar parashikimet e shumë skeptikëve dhe kundërshtarëve më të mëdhenj të këtij dialogu, shtoi kryeminstri.
Dialogu teknik rezultoi me një numër të marrëveshjeve të arritura të cilat në masë të madhe kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës pa dallime etnike, fetare apo politike, siç edhe e përcakton Kushtetuta jonë.

Si rezultat i marrëveshjeve në nivelin teknik:

*Kosova përfaqësohet në forumet rajonale dhe më gjerë,
*kemi vendosur kufijtë shtetërorë në të gjitha pikat kufitare ndërsa kalimi kufitar është lehtësuar për të gjithë qytetarët që frekuentojnë pikat tona kufitare,
*është mundësuar që Kosova të vendosë kontroll në të gjitha pikat kufitare dhe kemi aplikuar sistemin e Menaxhimit të Integruar të Kufirit

*policët tanë dhe doganieret e Republikës së Kosovës u është bërë e mundur dhënia e kontributit të tyre në plotësimin e parakushteve për integrime euro-atlantike e po ashtu edhe vendosjen e rendit dhe ligjit në disa pika problematike kufitare,
*jemi duke realizuar kthimin e regjistrave civil për qytetarët e Republikës së Kosovës, kemi njohjen e diplomave të institucioneve të arsimit të lartë të Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë, dhe çështje tjera.

Përveç përfitimeve direkt nga ana e qytetarëve tanë, dialogu teknik provoi se Serbia filloi të njohë realitetin e krijuar ne Kosovë  me shpalljen e shtetit të Kosovës dhe njohjen e saj nga me shumë se gjysma e shteteve të botës.

Si rezultat i dialogut, u forcua dhe u avancua edhe më tutje, subjektiviteti ndërkombëtar i shtetësisë së Kosovës dhe avancimi i shtetit.

Tashmë kemi arritjen e numrit treshifror (100) në njohjet e Shtetit të Kosovës,  kemi anëtarësimin ne institucione ndërkombëtare dhe rajonale të cilat në gjirin e tyre pranojnë vetëm shtetet si: Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), kemi anëtarësimin në Këshillin për Bashkëpunim Rajonal, kemi vendimin për pranim në Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës.

Njohje të reja dhe anëtarësime në organizata rajonale dhe ndërkombëtare pritet të bëhen në vazhdimësi.

Mbi të gjitha, si rrjedhojë e punës sonë serioze në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, dhe si rezultat i përmbushjes së standardeve evropiane, Kosova tashmë ka marrë dritën jeshile për Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit për Kosovën, ku Kosova trajtohet si shtet, si të gjitha shtetet tjera.

Edhe pse pesë vende të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën, sot të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian e mbështesin të ardhmen konkrete evropiane të Republikës së Kosovës.

Shtrirja e sundimit të ligjit dhe zbatimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës në tërë territorin e Kosovës ka qenë dhe është prioriteti  dhe interesi kryesor i Qeverisë së Republikës së Kosovës  dhe të gjitha institucioneve tona.

Ngritja e dialogut në nivel politik mes Kryeministrave të të dy vendeve të pavarura dhe të barabarta ka rezultuar me hapa konkretë në drejtim të arritjes së këtij qëllimi ndërsa rezultatet janë të dukshme.

Pas njëmbëdhjetë raundeve të dialogut politik, më 19 prill 2013, u arrit marrëveshja e parë historike ndër-shtetërore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Baroneshës Ashton  dhe mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve
Marrëveshja të cilën sipas rregullave për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare po e paraqesim sot për ratifikim para jush, përmban 15 pika të cilat rregullojnë aspektet thelbësore për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Marrëveshja hapë rrugën për vendosjen e stabilitetit në veri të Kosovës përmes transformimit rrënjësor të gjendjes aktuale të sigurisë, si dhe të kushteve politike dhe ekonomike.

Marrëveshja hap perspektivën e Kosovës për të përmbyllur procesin  e njohjeve ndërkombëtare dhe anëtarësimin e Kosovës në të gjithë mekanizmat ndërkombëtare, duke përfshirë edhe OKB-në.

Marrëveshja siguron, dhe Plani i Implementimit vendos, detajet se deri në mes të muajit korrik 2013, Serbia do t’i mbyll të gjitha strukturat e saja të sigurisë në Kosovë, dhe përfundoj ofrimin e përkrahjes financiare.

Tashmë e dimë se Qeveria e Serbisë ka marrë vendim për ndalimin e financimit të atyre strukturave ilegale të sigurisë dhe tashmë janë mbyllur disa stacione policore të MUP-it të cilat në mënyrë të paligjshme kanë operuar në veri të vendit.
Marrëveshja siguron që Policia e Kosovës do të jetë i vetmi autoritet legal dhe legjitim policor në veri të Kosovës.

Një komandat rajonal i policisë është emëruar  nga Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës, e gjitha kjo sipas marrëveshjes.
Me këtë pikë, përfundimisht sundimi i ligjit do të forcohet në veri të Kosovës, si dhe autoritetet për zbatim të ligjit do të bashkëpunojnë në mënyrë edhe më efektive.

Marrëveshja konfirmon sistemin unitar ligjor të Republikës së Kosovës si të vetmin autoritet ligjor në vend, tha kryeministri Thaçi në fjalën e tij.
Integrimi me kohë i autoriteteve gjyqësore brenda sistemit ligjor dhe të drejtësisë së Kosovës është esencial, dhe ne konsiderojmë se ky kompozim i sistemit gjyqësor do të rrisë besimin e komuniteteve në gjykatat e Kosovës, përmirësojë marrëdhëniet ndër-etnike, dhe mbi të gjitha do të vendos sundimin e ligjit në veri të vendit që ka munguar në 14 vitet e fundit.

Si rezultat i kësaj marrëveshje, ne për herë të parë pas 14 viteve, do të jemi në gjendje të organizojmë zgjedhjet komunale në veri të Kosovës në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën mënyrë siç do të bëhet në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Unë përfitoj nga rasti që të falënderoj të gjithë liderët politikë të partive politike të Kosovës të cilët janë treguar shumë racional dhe i kanë dhënë mbështetje të plotë marrëveshjes që zgjedhjet lokale të mbahen më 3 nëntor.

Siç e dimë, disponimi i të gjithëve neve ka qenë që zgjedhjet lokale të mbaheshin më herët.
Mirëpo, të gjithë ne e kemi vënë në rend të parë interesin shtetëror përpara atij partiak.
Të gjithë jemi pajtuar që interesi i shtetit, interesi i shoqërisë kosovare është normalizimi i gjendjes në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, integrimi i gjithë qytetarëve në shoqërinë kosovare, dhe mbi të gjitha organizimi i zgjedhjeve në të gjithë vendin në të njëjtën ditë, me pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve dhe të të gjitha komuniteteve.

Zgjedhjet do të mbahen në përputhje me ligjet e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare ndërsa institucionet përgjegjëse të Kosovës do t’i organizojnë ato.
Në të njëjtën kohë, ne si institucione të vendit i kemi bërë ftesë, gjithmonë duke u nisur nga përmbajtja e marrëveshjes së 19 prillit, OSBE-së për lehtësimin e organizimit dhe menaxhimit të zgjedhjeve në veri.

Një aspekt tjetër i marrëveshjes është formimi i një Asociacioni, i cili do të funksionojë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, dhe Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale.

Asociacioni do të jetë pjesë integrale e institucioneve të Kosovës dhe si e tillë do të bashkëpunojë ngushtë me qeverinë qendrore gjatë ushtrimit të aktivitetit të saj. Ekipi përgatitor për themelimin e asociacionit tashmë ka filluar punën.

Me marrëveshje gjithashtu kemi pajtim të ndërsjellë se asnjëra palë nuk do të bllokoj, e as inkurajoj të tjerët të bllokojnë, përparimin e njëri-tjetrit në rrugën e tyre drejtë integrimit në Bashkim Evropian.

Ky sigurim i ndërsjellët është një aspekt tjetër që dëshmon se rruga e integrimit Evropian për të dy vendet do të jetë e sigurt dhe e shpejtë bazuar në kushtet dhe merita individuale.
Prandaj, ju garantoj se gjithçka është e aranzhuar në atë mënyrë që të respektohet në plotëni Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës.

Ne jemi të vetëdijshëm se duhet të bëhet edhe më tepër. Por jemi dëshmitar marrëveshja ka filluar të implementohet edhe në terren dhe të jap rezultatet e veta.

Në fund falënderoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për mbështetjen e tyre, për besimin e tyre, falënderoj liderët politikë kosovarë, që secili prej tyre ka vënë interesat e shtetit dhe të qytetarëve mbi disponimet e agjendave tona partiake apo elektorale.
Mendoj se Marrëveshja, i ka hapur një rrugë të sigurt evropiane Kosovës dhe rajonit në përgjithësi.

Ndërsa, tani Kosova edhe konkretisht është futur në binarë të integrimeve evropiane dhe ky proces është i pandalshëm.
Për të gjitha këto arsye dhe shumë tjera që unë nuk i kam përmendur në këtë adresim timin, unë ju ftoj të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që ju edhe një herë të votoni për ratifikimin e kësaj marrëveshje që është Marrëveshja e Parë ndërshtetërore dhe ndërkombëtare për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Edhe njëherë, si kryeministër i Republikës së Kosovës, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të nderuar deputetë, të të gjitha partive politike që jeni, ju falënderoj për mbështetjen tuaj, për besimin tuaj, për sugjerimet tuaja, natyrisht ndonjëherë edhe për kritikat tuaja.

Por, të gjithë kemi pasur një qëllim dhe një vizion, normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore të Kosovës me fqinjët, në kuadër të saj, edhe normalizimin e marrëdhënieve me shtetin e Serbisë, dhe përshpejtimin e agjendës evropiane për Republikën e Kosovës.
Prandaj edhe njëherë, ju ftoj që ta votoni për ratifikim këtë marrëveshje, që është marrëveshja e parë ndërshtetërore.

Rifillon mbledhja e Kuvendit për ratifikimin e Marrëveshjes me Serbinë
Prishtinë, 27 qershor  – 11:35 – (E plotësuar)
 – Derisa jashtë Kuvendit Vetëvendosje po proteston, deputetët janë rimbledhur, pas një pauze 30 minutash, për të ratifikuar Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë.

Në këto momente kryeministri Hashim Thaçi, i cili përfaqësoi Kosovën në bisedimet e zhvilluara në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA, po paraqet arsyetimin pse deputetët duhet ta ratifikojnë Marrëveshjen. 

Kuvendi ndërpret seancën për 30 minuta
Prishtinë, 27 qershor – 10:58 – (E plotësuar) – 
Kryekuvendari Jakup Krasniqi është detyruar ta ndërpresë seancën e Kuvendit për tridhjetë minuta pasi nuk kishte numër të mjaftueshëm të deputetëve në sallë, për të marrë çfarëdo vendimi.

Paraprakisht këtë e kishte kërkuar shefi i Grupit Parlamentar të PDKS-së, Adem Grabovci, i cili i quajti jonormale kushtet në të cilat zhvillohe seanca.

Siç tha ai janë penguar të vijnë edhe miq – përfaqësues të ambasadave të akredituara në Prishtinë, të cilët dëshironin të ishin dëshmitare të aktit të ratifikimit të Marrëveshjes së parë midis Kosovës e Serbisë, që synon normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe të rajonit.
Derisa po raportojmë seanca ende nuk ka vazhduar.

Kuvendi sot ratifikon Marrëveshjen  
Prishtinë, 27 qershor –  08:23 – Në mbledhjen e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës pritet të ratifikohet Marrëveshja e parë ndërkombëtare e parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe të Planit të zbatimit të saj.

Paraprakisht ka pasur qëndrime të ndryshme nëse marrëveshja duhet quajtur ndërkombëtare dhe nëse duhet miratuar edhe Plani i zbatimit të saj, por ka dominuar mendimi që për këto çështjet mund të vendosë mbledhja plenare e Kuvendit.

Të gjitha subjektet e politike pritet të votojnë pro ratfikimit të marrëveshjes, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, e cila do të kundërshtojë si brenda ashtu edhe jashtë Kuvendit.

Në vazhdim të seancës deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë Projektligjin për tregun dhe produktet e naftës në Kosovë. Do ta shqyrtojnë edhe, Raportin e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe Raportin e Punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2012.

Deputetët ndërkaq, si rëndom në seanca të rregullta, do të ngrenë deklarime jashtë rendit të ditës, si dhe do të shtrojnë pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës.

Kështu bëri të ditur KTV

One Response

  1. Alban thotë:

    Vetevendosje asht Krenaria e kombit Shqiptar.
    Kjo Levizje Patriotike Shqiptare,lere qe e ka ndalu punen ne kuvend,por edhe jashte kemi bere Demonstrata.
    E Une kam qene njeri prej atyre Demonstruesve ne te cilen,policia speciale e Kosoves,ka nderhy dhunshem,ndaj aktivisteve te Vetevendosjes,dhe qytetareve,duke i shtrir zvarr per toke,njejt sikur regjimi i Sllobodan Millosheviqit.
    VETEVENDOSJE ASHT PER BASHKIM KOMBETAR,O VLLEZER E MOTRA NGA KOSOVA LINDORE,HIQJUNI,PDK,LDK,AAK,AKR,LDD,SE KETO VEQ RREJN,KETO E PRANUN MARREVESHJEN ME SERBIN,QE KOSOVA PRAPE ME U RIKTHY NEN SERBI.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch