Home » Kulturë, Lajme » Mësuesit i kushtojnë shumë pak rëndësi mendimit kritik, kjo na penalizon në olimpiada

Mësuesit i kushtojnë shumë pak rëndësi mendimit kritik, kjo na penalizon në olimpiada

Publikuar më 21.05.2018 nga Jola Alimemaj

Nga Lindita Bushgjokaj

Maturanti Lorenc Bushi, tregon pasionin për matematikën dhe metodat që ka ndjekur për të arritur stadin e njohurive që kërkohen në olimpiada, rëndësinë e të menduarit kritik për zgjidhjen e ushtrimeve, ndërsa ka shumë nxënës të aftë në matematike, që nuk i shfrytëzojnë dot njohuritë, për shkak të mësuesve me të cilët punojnë.

Ka pasion matematikën, por nuk do ndikohet nga oferta e ministres për të ndjekur mësuesinë, sepse maturantët e kanë bërë me kohë zgjidhjen e tyre. Në olimpiada e karakterizon qetësia, duke e ndihmuar që të shfaqë potencialin e tij maksimal.

 

Lorenc Bushi, maturant në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”, në një intervistë për gazetën “Shekulli” tregon pasionin për matematikën, si dhe metodat që e kanë ndihmuar të fitojë disa olimpiada brenda dhe jashtë Shqipërisë. “Bazohu te procesi i mendimit, sepse më shumë rëndësi ka të mendosh për ushtrimin sesa ta zgjidhësh atë”, kjo është një këshillë nga profesori i arsimit para universitar, e cila i ka shërbyer si një praktikë suksesi për të arritur këtë stad njohurish. Ndërsa thekson, se gjatë shkëmbimit të përvojave nëpër olimpiada me bashkëmoshatarwt e vendeve evropiane, ka kuptuar që mësuesit në Shqipëri i “detyrojnë” nxënësit të mësojnë në mënyrë mekanike teoremat, duke neglizhuar logjikën për zgjidhjen e tyre.

Lorenc, si ka lindur pasioni juaj për lëndën e matematikës, mendoni se është gjenetike?

Mendoj se edhe gjenetika luan një rol, pasi babai im e ka pasur pasion matematikën dhe shkollën e lartë e ka mbaruar për inxhinieri ndërtimi. Deri në klasën e gjashtë sjellja ime drejt matematikës ka qenë ajo e një nxënësi normal, thjesht doja të merrja nota të larta, por nuk kisha ndonjë pasion shumë të madh. Pasionin për lëndën e matematikës e kuptova kur fillova kurs, që të dilja sa më mirë në shkollë. Profesori më bëri të kuptoja bukurinë e matematikës, dhe që prej asaj kohe ai pasion nuk është shuar më kurrë.

Si ju ka ndihmuar profesori i kursit që ta dashuronit lëndën e matematikës?

Gjithçka e filluam nga bazat dhe profesori më përgatiti që të isha nxënësi absolut i notës 10-të në shkollë. Pasi arritëm këtë nivel unë kisha nevojë për njohuri të tjera, punuam duke përdorur materiale nga interneti dhe libra të vjetër që profesori i kishte të ruajtura që nga koha e diktaturës, pasi ai është i madh në moshë. Punonim me libra rus, të cilët njihen për nivelin e tyre të vështirë dhe gradualisht, niveli në matematikë e kaloi nivelin e shkollës dhe po i afrohesha nivelit të olimpiadave.

Mund të na tregoni se cili ka qenë sekreti i punës së mësuesit që ju ka ndihmuar për të arritur këtë nivel të lëndës?

Ka qenë fakti që te profesori im ishte shumë i përgatitur dhe e karakterizonte qetësia në shpjegim, nuk acarohej asnjëherë me nxënësit dhe të trajtonte si shok. Gjithmonë donte që unë të dilja sa më mirë dhe të bëja përpara, nuk kishte qëllim vetëm për të vendosur nota, por donte që unë të avancoja në fushën e matematikës. Nga gjithë mësuesit që kam njohur më pas dhe kam punuar me ta, ai ka qenë nga të paktët që i gëzonte gjitha këto cilësi.

Cilat ishin metodat që janë përdorur gjatë shpjegimit, që të kanë ndihmuar në përvetësimin e ushtrimeve?

Profesori nuk është se punonte me ushtrime specifike, por sa herë zgjidhnim një ushtrim përpiqej të mësonte metodat e duhura për të zgjidhur ushtrime të kësaj natyre. Ai shpesh më jepte rreth10-15 ushtrime në shtëpi dhe gjithmonë më thoshte; “ bazohu te procesi i mendimit, sepse më shumë rëndësi ka të mendosh për ushtrimin sesa ta zgjidhësh atë. Nga procesi i të menduarit përfiton më shumë, nuk dua që ta zgjidhesh ushtrimin për 5 minuta, por dua që të mendosh, në këtë mënyrë rritesh nga ana matematikore”. Duke menduar për ushtrime të vështira, të cilat shkonin nga 30 minuta dhe deri në ditë të tëra, më ka ndihmuar që të përmirësohem në matematikë, të njihja metoda dhe teknika të reja. Këtu bazohej edhe filozofia e profesorit.

Ju keni pasur fatin të udhëhiqeshit nga një profesor i zoti, por jo të gjithë e kanë një fat të tillë. Çfarë i penalizon shokët tuaj që ndoshta kanë pengesa në përvetësimin e kësaj lëndë?

Mendoj se 50% ka qenë fat dhe 50% puna ime, i jap një rëndësi të madhe fatit, pasi ka shumë nxënës të cilët kanë një potencial shumë të madh në matematikë, por nuk mundën ta shfrytëzojnë për shkak të mësuesve me të cilët punojnë. Mendoj, se në Shqipëri niveli i mësuesve sidomos i matematikës është nën mesataren. Kam parë që tregojnë dyshime në ushtrime dhe nuk janë shumë të sigurte, kjo e penalizon nxënësin sepse mësuesi mund të ngrejë lart në këtë fushë, por edhe mund të demoralizojë fare.

Gjatë viteve të gjimnazit, ju ka ndodhur ndonjëherë që të kundërshtoni mësuesin e matematikës për përfundimin e ndonjë ushtrimi?

Po, më ka ndodhur shpeshherë, që kam pasur mospërputhje mendimesh me një profesor, pasi kjo varet nga metodat dhe mënyrat e ndryshme që ndiqen për të zgjidhur një ushtrim. Zakonisht, në fund të dyja mënyrat na dërgonin në përfundimin e saktë. Pra, rruga drejt zgjedhjes së një ushtrimi është subjektive. Në olimpiada kërkohet përgatitje përtej teksteve të shkollës. Ajo ka rolin e saj, por kryesisht ndikon puna dhe pasioni për matematikën, sepse duhet të jetë vazhdimisht në kërkim të librave të rinj, për të rritur nivelin.

Si ju duken tekstet e matematikës në përgjithësi?

Kam disa ankesa për i përket teksteve të matematikës, si dhe programit shkollor të kësaj lëndë. Mendoj, se në Shqipëri i vihet shumë theks aftësive teknike, nxënësve ju kërkohet që të dinë sa më shumë teorema. I kushtohet shumë pak rëndësi mendimit kritik dhe logjikës. Kjo na ka penalizuar në olimpiadat ndërkombëtare. Sikur një kapitull i matematikës të ishte për logjikën dhe mendimin kritik, rezultatet tona do të ishin shumë më të larta, sepse në vendet e tjera, pasi kemi biseduar kur kemi qenë në olimpiada, priren drejt ushtrimeve që kërkojnë mprehtësi. Kjo gjë nuk ndodh te ne.

Pse ndodh kjo sipas jush?

Mund të themi që pjesërisht është edhe faji i mësuesve. Fatkeqësisht janë shumë të paktë mësuesit që punojnë individualisht me nxënësit për t’i përgatitur për olimpiada.

Lorenc, na fol pak për olimpiadat që keni fituar dhe cili është “çelësi i suksesit” i arritjeve të njëpasnjëshme në këtë fushë?

Eksperienca ime me olimpiadat fillon që në vitin 2015. Kam marrë pjesë në olimpiadën ballkanike për të rinj, që në moshën 15 vjeç në Serbi. Aty fitova një medalje nderi që është një nivel më poshtë se medalja e bronzit. Në vitin 2016 fitova olimpiadën mesdhetare në Romë të Italisë, aty ishte një olimpiadë në nivel ekipi dhe Shqipëria mori vendin e pestë dhe u shpërblye me medalje bronzi. Më pas, në vitin 2017 mora pjesë në olimpiadën ballkanike në Ohër të Maqedonisë dhe në olimpiadën botërore në Rio De Janiero, në të dyja u vlerësova me medalje bronzi. Unë e ruaj qetësinë në këto raste, pasi ana psikologjike ndikon shumë në përformancen tonë në një konkurs. Kjo më ka ndihmuar të shfaq potencialin tim maksimal dhe të dal sa më mirë.

Do ndiqni këshillën e ministres së Arsimit për të ndjekur degën e mësuesisë apo keni një zgjedhje me të zgjuar?

Dua të vazhdoj për shkenca kompjuterike. Nuk besoj se maturantët do ndikoheshin nga oferta e ministres, sepse kam shumë kohë që e kam bërë zgjedhjen time dhe nuk do vazhdoj për mësuesi. 

Shto koment

Duheni të Logoheni për të komentuar.

© 2018 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch