Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, do të qëndrojë sot për një vizitë zyrtare në Bujanoc dhe Preshevë, ku do të ketë disa takime dhe vizita në shkolla, për të parë mundësitë e bashkëpunimit për arsimin në gjuhën shqipe në këto komuna.
Siç njoftoi MAShT, Bajrami fillimisht do të pritet në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Bujanoc, ku do të ketë një takim me kryetarin e Këshillit, Jonuz Musliu, e pas kësaj do të vizitojë edhe Komunën e Bujanocit si dhe shkollën e mesme “Sezai Surroi” në këtë komunë.
Më pas, Bajrami do të vizitojë Komunën e Preshevës dhe pastaj edhe shkollën fillore “9 Maji” në Leran të kësaj komune.
Një takim, ministri Bajrami do ta ketë edhe me dy deputetët shqiptarë në Parlamentin e Serbisë, Riza Halimi dhe Shaip Kamberi.