Home » Lajme, Vendore » Ministria: Kjo është e vërteta për autostradën Prishtinë-Gjilan

Ministria: Kjo është e vërteta për autostradën Prishtinë-Gjilan

Zëvendësministri Kadriu, tha se kjo autoudhë po bëhet në interes të qytetarëve dhe jo të individëve të caktuar. Ai sqaroi se me këtë projekt po kursehet nga buxheti shuma prej 12 milionë eurosh.

Në një konferencë për media të mbajtur sot, Ministria e Infrastrukturës është përpjekur të sqarojë edhe një herë procesin e ndërtimit të autoudhës Prishtinë-Gjilan.

Në këtë konferencë foli zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, i shoqëruar edhe nga Sekretari i Përgjithshëm, Nebih Shatri, Shefi i Kabinetit, Argjend Zejnaj dhe Këshilltari i Ministrit për Infrastrukturë, Fatos Mani, thuhet në një komunikatë të ministrisë së përmendur.

Zëvendësministri Kadriu, tha se kjo autoudhë po bëhet në interes të qytetarëve dhe jo të individëve të caktuar. Kadriu sqaroi se me këtë projekt po kursehet nga buxheti shuma prej 12 milionë eurosh.

 

“Ne jemi këtu për t’i sqaruar këto dy çështje politike dhe çështje profesionale të ndërtimit të kësaj autostrade. Në aspektin politik, ne si Ministri e Infrastrukturës, në krye me Pal Lekajn, nga momenti i parë kemi dashur që çdo kush që ka interesa të veta personale dhe biseda nëpër kafene, të mos ndikojnë në ndërtimin e rrugëve në Republikën e Kosovës”, ka thënë Kadriu.

“Obligimet dhe ndërtimin e kësaj autostrade realisht ne i kemi gjetur gjysëm të kryera, sepse vetëm projekti ka qenë i përfunduar. Nuk ka qenë elaborati i shpronësimit i kompletuar, kurse ne i kemi marrë masat, sepse realisht autostrada e Gjilanit ka qenë e nevojshme, ka qenë kërkesë e qytetarëve, ka qenë kërkesë e të gjitha atyre bizneseve që edhe Gjilani e Anamorava ta kenë autostradën e vet.

Ne, këtë proces e kemi shtyer përpara së bashku me ministrin Pal Lekaj, sepse ju e dini që edhe gjatë kohës së fushatës për zgjedhje parlamentare, ne kemi patur zëra se po ndërtohet, s’po ndërtohet, po ndalet, s’po ndalet, mirëpo fuqishëm me Pal Lekajn dhe Qeverinë Haradinaj, kemi bërë përpjekje maksimale që kjo punë të niset.

Tash, po niset dhe çka është më e mira, po fillon me një kosto më të ulët. Ne e kemi shpëtuar buxhetin e Republikës së Kosovës nga një tender, të cilin e kemi gjetur në tenderim nga ish qeverisja dhe tash po del se ne po e kursejmë Buxhetin e Kosovës për 12 milionë euro.

Ne jemi duke i bërë përgatitjet e fundit që gjatë muajit mars të fillojnë punimet, andaj nuk do të merremi me fjalë, të cilat qarkullojnë në qytet, ose se a ka dikush marrëveshje me ish ministrin e kaluar që të shkoi autorruga në këtë drejtim, ose në atë drejtim.

Mirëpo, ne sot para jush do ta prezantojmë projektin, pra, trasenë nga kufiri te Dheu i Bardhë, i cili vazhdon në Bresalcë dhe lidhet me autostradën “Arben Xhaferi – R6”, te udhëkryqi i “Albi Mallit”. Ministri Pal Lekaj  dhe kryeministri Haradinaj, nuk e kanë prekur projektin, por Pal Lekaj dhe kryeminstri Haradinaj, e kanë shtyer këtë projekt përpara. Arsyeja tjetër, pse ekspertët e kanë shqyrtuar variantin e dytë, është, sepse në R6, pra  në Banullë, në dhjetë vjetëshin e ardhshëm është paraparë të ndërtohet  rruga prej 31 kilometrash, që lidhet me Duhël.

Kostoja ndërmjet variantit të parë dhe variantit të dytë, është 62 milionë euro më e lirë dhe shpronësime kemi më pak. Të gjitha këto, e bëjnë që varianti i dytë, varianti i cili është i tenderuar, është më i mirë dhe  më i lirë dhe që më e shpejtë i lidhë tri autostradat. Këta zëra të cilët janë ngritur këto ditë, janë zëra dashakeq, të cilët nuk ia duan të mirën Anamoravës, nuk ia duan të mirën as zhvillimit të Republikës së Kosovës.

Ne duhet që sa më parë të fillojmë me punime në këtë autostradë. Ministri Pal Lekaj dhe kryeministri Haradinaj, janë zotuar që politika t’i mbanë larg duart nga rrugët të cilat do të punohen në vitet e ardhshme“, citohet zëvendësministri Rexhep Kadriu në një komunikatë të dërghuar nga Ministria e Infrastrukturës.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch