Home » Lajme » Miratohet Ligji për Amnisti

Miratohet Ligji për Amnisti

Prishtinë, 11 korrik  –    Deputetët e Kuvendit të Republikës Kosovës sot, me leximin dytë të Ligjit për amnisti dhe pas refuzimit të amandamenteve të propozuara nga deputetja Alma Lama, miratoi Ligjin për Amnisti. Për këtë Ligj votuan 90 deputetë, kundër ishin 17, ndërsa njëri abstenoi.

13:10  – Pas një debati, herë-herë edhe me tone të ashpra, sidomos nga deputetët opozitarë të Vetëvendosjes e të Lëvizjes për Bashkim, në krah të të cilëve ishte edhe deputeti i PDK-së Hydajet Hyseni, ligjvënësit votuan sot më 91 vota Projektiligjin e amnistisë, në lexim të parë.

Mbledhja pas këtij votimi u ndërpre, për të vazhduar në orën 15, kur ky projektligj, për të cilin pati kundërshtime nga një pjesë e opozitës dhe të shoqërisë civile, do të shqyrtohet në lexim të dytë, pra përfundimtar, dhe të votohet për të.

Në mbledhje në momentin e votimit ishin të pranishëm 109 deputetë, ndërsa kundër u deklaruan 17  dhe 1 abstenoi. 

 11:31 – Pas konsumimit të pikave të pikave rutinore të rendit të ditës, Kuvendi i Kosovës ka nisur shqyrtimin e Projektligjit të amnistisë, i cili një javë më parë nuk mori shumicën e nevojshme të votave të deputetëve dhe iu kthye Qeverisë.

Kjo e fundit pasi hoqi nenin tre të këtij Projektligji, e riprocedoi në Kuvend. Me ndryshimet përkatëse atë e përkrahu Komisioni për legjislacion dhe sot sponsoruesi, ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi rikujtoi se u qëndron vlerësimeve nga mbledhja e kaluar me gjithë refuzimin që iu bë këtij projektligji, dhe shtoi  se janë marrë parasysh kërkesat e ligjvënësve për të hequr nenin tre të tij. Po ashtu edhe kryetari i Komisionit të legjislacionit, Arben Gashi ishte i shkurt.

Tha se janë marrë parasysh kërkesat e ligjvënësve dhe se Komisioni kërkon miratimin e tij. Ndërkohë edhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare mbështetën këtë projektligj  me ndryshimet e miratuar dhe që gjatë kësaj mbledhje të kalojë edhe shqyrtimin e dytë, që do të thotë të miratohet përfundimisht. Vetëm deputetët e Vetëvendosjes e cilësuan këtë Projektligj të dëmshëm për Kosovë, për shtetësinë e saj, meqë “fal kriminelët”.

Debati po vazhdon, ndërkohë që në fillim të tij të pranishëm në mbledhje ishin mbi 81 deputetë, ose mbi dy të tretat e përbërjes, një kusht i domosdoshëm për t’i dhënë fuqi ekzekutuese këtij projektligji.

Mbetet të pritet nëse gjatë kësaj seance për të do të votojnë mbi 80 deputetë.
Gjatë ditëve të shkuar shoqëria civile ka organizuar mbledhjen e nënshkrimeve kundër miratimit të këtij projektligji me përmbajtjen e tashme, kurse për sot ka thirrur në protestë të përgjithshme popullore para Kuvendit, ku po debatohet për të.

 08:31 – Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të kenë sot para vetes sërish projektligjin për amnistinë, por në një formë që thuhet të jetë më ndryshe nga drafti i parë.

Në leximin e parë, ky projektligj nuk arriti që të kaloj, pasi nuk mblodhi dy të tretat e votave të nevojshme, që kërkohen për ndryshime të tilla.

Për të kundërshtuar miratimin e këtij projekt-ligji, mbi 6,000 qytetarë janë nënshkruar në një peticion të shoqërisë civile i cili pritet të dërgohet në kuvend.

Në kohën kur në parlament do të debatohet për projekt-ligjin e amnistisë, jashtë ndërtesës është paralajmëruar një protestë e cila është thirrur për në orën 11.

Tash e gjashtë ditë, përballë kuvendit proteston një grup i qytetarëve dhe aktivistë të Vetëvendosjes, në shenjë kundërshtimit të projekt-ligjit për amnistinë.

Seanca e sotme në Kuvend është caktuar për orën 10.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch