Home » Lajme » Miratohet Rezoluta për Luginën e Preshevës

Miratohet Rezoluta për Luginën e Preshevës

Me 74 për 4 kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi i Kosovës miratoi Rezolutën për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Rezoluta kërkon nga Qeveria që të hap zyra në Prishtinë dhe Gjilan, të ketë trajtim të veçantë për të shpërngulurit nga kjo trevë, të kërkohet lirimi i të burgosurve politike, të mbështetet hapja e një universiteti publik dhe realizimi i të gjitha të drejtave të shqiptarëve të kësaj pjese. Po ashtu, kërkohet edhe trysni nga bashkësia ndërkombëtare ndaj Serbisë për respektimin e të drejtave të shqiptarëve.
Pika e parë e Rezolutës kërkon nga Qeveria e Kosovës që normalizimin e raporteve me Serbinë ta shfrytëzojë edhe për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Në njërën prej 10 pikave të rezolutës, të cilën e paraqiti deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri kërkohet edhe trysnia e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë për respektimin e të drejtave të shqiptarëve në këtë pjesë.

“Kuvendi i Kosovës fton Këshillin e Evropës dhe organizatat tjera ndërkombëtare që të angazhohen për detyrimin e Republikës së Serbisë për t’i respektuar të gjitha të drejtat e shqiptarëve që dalin nga konventat ndërkombëtare”, tha Haziri.

Për dallim nga seanca e kaluar, PDK-ja dhe kryeministri Hashim Thaçi, kësaj radhe kishin hequr dorë nga propozimi që me Rezolutë të kërkohej amandamentimi i Kushtetutës me një nen, sipas të cilit, Kosova do të obligohej të interesohej dhe kujdesej për shqiptarët jashtë kufijve të saj.

E ndërkohë, në Kuvendin e Kosovës është kërkuar edhe respektimi i të drejtave të grave. Duke marrë shkas nga një fjalim i hoxhë Irfan Salihut nga Prizreni, deputetet Teuta Sahatqija, Blerta Deliu dhe Alma Lama kërkuan nga Bashkësia Islame e Kosovës që të distancohet nga deklaratat e Salihut. Sahatqija, që është edhe kryetare e Grupit të Grave Deputete, tha se portretizimi i gruas si një aparat që dekodohet nga burri vetëm për një qëllim, është poshtërues për të gjithë shqiptarët.

“Kërkojmë nga Bashkësia Islame e Kosovës të distancohet nga kjo mënyrë e predikimit të fesë, nga kjo mënyrë e keqpërdorimit të tempullit fetar”, tha ajo.

Të trija deputeteve iu kundërvu deputeti i Partisë së Drejtësisë, Gëzim Kelmendi, duke thënë se pikërisht këto deputete kanë votuar kundër përdorimit të shamisë në shkolla.

“Këto kanë përgjegjësi që kanë shkatërruar ardhmërinë e tyre, i kanë lënë jashtë shkollave, jashtë procesit mësimor, ndërsa në anën tjetër, dalin në mbrojtje të amoralitetit”, tha Kelmendi.

Ndërkaq, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, u mor me një tjetër çështje. Ajo reagoi ndaj deklaratave të fundit dhe reagimeve politike se në Kosovë po arrestohen individët dhe jo UÇK-ja.

“Nëse i analizojmë këto deklarata na del se UÇK-ja ishte një ushtri fantome dhe nëse sot komandantët konsiderohen si individë e kriminelë, nuk do të befasohem që nesër ushtarët e UÇK-së, do të quhen cuba, apo edhe xhelatë”, tha Musliu.

Ndryshe, në seancën e sotme, ligjvënësit kanë në rend dite çështje të ndryshme mes të cilave edhe Projektligjin për tregun dhe produktet e naftës dhe Projektligjin për përgjimin e telekomunikimeve.
————————————————–

Rezoluta e votuar sot ne Kuvendin e Kosoves:

R E Z O L U T Ë

PËR TË DREJTAT E SHQIPTARËVE NË PRESHEVË, BUJANOC DHE MEDVEGJË

1. Qeveria e Republikës së Kosovës të kushtëzoj marrëdhëniet me kujdesin dhe interesimin shtetëror për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë lidhur me të drejtat e tyre civile, politike dhe etnike;

2. Qeveria e Kosovës të ketë më shumë përkujdesje dhe trajtim më të mirë për qytetarët shqiptarë e Preshevës, Medvegjë dhe Bujanoc të cilët janë shpërngulur në Kosovë duke iu garantuar të drejta të plota dhe të barabarta;

3. Qeveria e Kosovës të hapë një zyre në Prishtinë dhe në Gjilan për qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me qëllim mbrojtjen dhe përmirësimin e gjendjes së tyre në Luginë dhe atyre të cilët janë shpërngulur nga atje;

4. Të krijohen lehtësi të qarkullimit, shkollimit, afirmimit kulturor, pajisjeve me dokumente përkatëse si dhe lehtësi tjera, duke përfshirë suspendimin e taksës diskriminuese;

5. Qeveria e Kosovës të kërkon nga institucionet ndërkombëtare dhe institucionet relevante që të liron të burgosurit politik duke përfshirë të ashtuquajturin grupin e Gjilanit që janë viktima të një procesi të montuar politik;

6. Qeveria e Kosovës të kërkon reciprocitet të plotë me të drejtat e serbëve pakicë në Kosovë;

7. Kuvendi mbështet nismën e themelimit të një Universiteti Publik në gjuhën shqipe dhe fton përfaqësuesit politik dhe institucional të marrin nismë ligjore;

8. Kuvendi mbështet themelimin e fondit zhvillimor për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë me inicativën e Qeverisë së Kosovës dhe në koordinim me institucionet ndërkombëtare dhe evropiane;

9. Kuvendi i Republikës së Kosovës fton Këshillin e Evropës dhe organizatat tjera ndërkombëtare që të angazhohen për detyrimin e Republikës së Serbisë për të respektuar të gjitha të drejtat që dalin nga Konventat ndërkombëtare.

10. Qeveria të themelon grupin ndërministror për implementim që përfshin edhe vizitën e mundshme të Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane dhe Ministrisë për Integrim Evropian.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch