Home » Kulturë » Mjeda në 75 vjetorin e vdekjes

Mjeda në 75 vjetorin e vdekjes

Ndre Mjeda (1866 – 1937), shkrimtar,
gjuhëtar, teolog, deputet shqiptar, më 1 gusht mbushi 75 vjet që fizikisht nuk është
midis nesh, por kujtohet nëpërmjet veprës që ka lënë.

Ndre Mjeda që vetë
nënshkruante Mjedja, poet i shquar dhe veprimtar patriot, lindi në Shkodër nga
Jakë Zefi (Kryeziu) e Luçije (Dominika) Thaçi, me origjinë nga Mirdita nga i
ati, e nga Malsitë e Pukës nga e ëma.

Poezia e Mjedës
shënoi kalimin nga letërsia e Rilindjes romantike, me problematikë kryesisht
atdhetare, te letërsia e Pavarësisë, ku mbizotëroi problematika shoqërore dhe
realizmi. Ndre Mjeda lindi më 20 nëntor 1866 në Shkodër në një familje të
varfër. I ati ishte një barì, i zbritur nga fshati. Ai vdiq herët dhe e la
Mjedën të vogël. E ëma mbeti e vè, për të mbajtur dy fëmijët u detyrua të lante
rroba te familjet e pasura të qytetit. Aftësitë e rralla që shquanin Mjedën që
në fëmijëri, tërhoqën vëmendjen e jezuitëve, të cilët jo rrallë zgjidhnin
kuadro nga shtresat e varfra dhe i futnin në seminare. Ata e futën në seminarin
e tyre italian të Shkodrës. Meqenëse edhe këtu Mjeda i ri u shqua për zotësi, e
dërguan të ndiqte studimet e larta në Spanjë, Poloni, Kroaci dhe Itali. Kësaj
rrethane poeti i detyron njohjen e gjuhëve të ndryshme të huaja dhe kulturën e
gjerë klasike, që do t’i vlejë shumë gjatë veprimtarisë së tij të mëvonshme
letrare. Në formimin e personalitetit të mjedës ndikuan dy faktorë: nga njëra anë
shkolla fetare, që përcaktoi deri diku botëkuptimin e tij, nga ana tjetër
idealet kombëtare me të cilat ra në kontakt herët e që, si bir i popullit të
thjeshtë i ndiente thellë. Këto ideale qenë për të riun flaka që e ushqeu
talentin e tij poetik. Më 1887 Mjeda 21 vjeçar botoi “Vaji i
bylbylit”, një elegji që është njëkohësisht edhe një këngë shprese. Në
këtë poemth rinor, plot fluturime romantike, jepet dhembja për fatin e kombit
të robëruar dhe optimizmi për të ardhmen e tij. Ndërkaq Mjeda e ndiente veten
të ndrydhur nga rregullat e shoqërisë jezuite. Në edukimin e tij patën ndikim
shkrimtari jezuit Anton
Xanoni (1863-1915) dhe poeti françeskan Leonardo de Martino (1830-1923). Në
fillim ndenji tre muaj në pranverë 1880 në fshatin Cossé-le-Vivien afër Lavalit
në perëndim të Francës, kurse më pas ndoqi një kolegj në manastirin Kartuzian
të Porta Coeli-t në veri të Valencias në Spanjë, ku studioi për letërsi. Më
1883 e gjejmë në Kroaci, ku studion retorikë, latinisht dhe italisht në një
institut jezuit në Kraljevica (ital. Porto Re) në bregdetin dalmat. Nga 1884
deri në fillim të vitit 1887 u stërvit në një kolegj që drejtohej atje nga
Universiteti Gregorian i Romës, kurse më 1887 u transferua në një kolegj
Gregorian tjetër në Kieri (Chieri), në juglindje të Torinos, ku ndenji deri në
fund të atij viti. Në fillim dha mësim në një shkollë të lartë fetare në
Kroaci. Në këto vite Ndre Mjeda filloi të shkruajë poezi shqip, ndër to edhe
vjershën melankolike mjaft të lexuar Vaji i bylbylit, botuar më 1887 në
broshurën Scahiri Elierz (Poeti i nderuar), ku shpreh mallin për vendin e tij.
Po e kësaj periudhe është vjersha “Vorri i Skanderbegut”. Tema e shqiptarit në
mërgim, që e merr malli për atdheun nën zgjedhën turke, ishte më se e zakontë
në letërsinë e Rilindjes, sidomos në dhjetëvjeçarin pas dështimit të Lidhjes së
Prizrenit. Edhe shumë vjersha të tjera nga penda e tij u kushtohen temave të
tilla kombëtare. Por në poezinë e Mjedës ndihet ndikimi jo vetëm i kulturës
rilindëse të kohës, por edhe i mësuesit të tij Leonardo De Martino, poetit
katolik shkodran, përmbledhja poetike e të cilit e përpunuar bukur me 442 faqe
e në dy gjuhë L’Arpa di un italo-albanese (Harpa e një italo-shqiptari) kishte
dalë në Venedik më 1881. Po aq ndihet në vargun e Mjedës edhe ndikimi i poetëve
bashkëkohës të Italisë: atdhetarit Xhozue Karduçi (Giosuè Carducci, 1835-1907),
medituesit Xhovani Paskoli (Giovanni Pascoli, 1855-1912), të ndjeshmit Gabriele
D’Anuncio (Gabriele D’Annunzio, 1863-1938) si dhe i letërsisë latine të
lashtësisë klasike. Nga 1887 deri më 1891 Mjeda dha muzikë në kolegjin Marko
Xhirolamo Vida (Marco Girolamo Vida) në Kremona buzë lumit Po, qytet i
kompozitorit Klaudio Monteverdi (1568-1645) dhe i Antonio Stradivarit
(1644-1737). Atje dhe në Soresina, ai vazhdoi të shkruajë poezi e njëkohësisht
iu përkushtua përkthimit të letërsisë fetare. Më 1888 Propaganda Fide në Romë
botoi librin e tij Jeta e sceitit sc’ Gnon Berchmans (Jeta e Shën Gjon
Berhmansit), për një shenjtor jezuit nga Brabanti (1599-1621), kurse më 1892
T’perghjamit e Zojs Bekume (Përngjasim i Zojës së Bekueme), përkthyer nga
spanishtja. Më pas ai do të botonte një përkthim nga Katekizmi i madh në tre
vëllime, Historia e shejtë, dhe një jetëshkrim të Shën Alojsius nga Gonzaga
(1568-1591). Nga viti 1891 Mjeda studioi për disa vjet në fakultetin teologjik
të kolegjit Gregorian të Krakovit në Poloninë katolike. Atje u njoh me veprat
filologjike të albanologëve Gustav Majer (Gustav Meyer, 1850-1900) dhe Holger
Pedersen (1867-1953). Vjersha e Mjedës “Gjûha shqype”, e shkruar në dhjetor
1892, iu përkushtua gjuhëtarit austriak Majer, vepra monumentale e të cilit
Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache (Fjalor etimologjik i
gjuhës shqipe) kishte qenë botuar një vit më parë në Strasburg. Veprat e
Majerit dhe Pedersenit zgjuan te Mjeda interesimin për historinë dhe zhvillimin
e gjuhës shqipe, që do të vazhdonte edhe në vitet e mëvonëshme dhe do të
kthehej në një ndihmesë për vetë problemin e alfabetit, nëpërmjet punës së tij
me tekstet shkollore dhe studimet për autorët e vjetër katolikë Pjetër Budi
(1566-1622) dhe Pjetër Bogdani (rr. 1630-1689). Më 1893 poetin e gjejmë në
Goricia buzë kufirit italo-slloven, kurse pas një viti përsëri në Kraljevica,
ku dha mësim filozofi e teologji e ku shërbeu si bibliotekar në kolegjin
Gregorian. U emërua profesor i logjikës e më pas i metafizikës. Thuhet se më
1898, në gjirin e jezuitëve të Kraljevicës shpërtheu një konflikt, me sa duket për
lidhjet e tyre me Austro-Hungarinë dhe me Vatikanin. Hollësitë e skandalit nuk
njihen me saktësi, por dihet se Ndre Mjeda u përfshi njëfarësoj në këtë
konflikt dhe menjëherë u përjashtua apo dha dorëheqjen atë vit nga Urdhri
Jezuit. Më 1899, me ndihmën e të vëllait Lazër Mjeda, peshkop i Sapës që më
1896 e më pas kryepeshkop i Prizrenit e kryepeshkop i Shkodrës, e sidomos me
ndihmën e Prenk Doçit (1846-1917), abati me influencë i Mirditës dhe vetë poet
i lëvizjes kombëtare, Ndre Mjeda u emërua mësues në Vig, në krahinën malore të
Mirditës. Gjithashtu mori pjesë në fillim në veprimtarinë e shoqërisë letrare
Bashkimi, që ishte themeluar atë vit në Shkodër me mbështetjen austro-hungareze
nga Preng Doçi, Ndoc Nikaj dhe Gjergj Fishta. Më 1901 bashkë me të vëllanë
themeloi shoqërinë Agimi, e cila krijoi një alfabet (alfabet ky i nji komisioni
t’Ministrisë s’punëve të jashtme t’Austro-Hungarisë, me bazë alfabetin kroat)
dhe botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti. Për
veprimtari patriotike autoritetet osmane e arrestuan. Me këtë alfabet Ndre
Mjeda dhe Anton Xanoni botuan një numër këndimesh për shkollat shqipe, ndër to
Këndimet për shkollat e para të Shqypnisë, i cili përmbante një numër tekstesh
në prozë të shkruara nga Mjeda. Në fillim të shtatorit 1902, Mjeda u ftua në
Hamburg për të marrë pjesë në Kongresin e 13-të Ndërkombëtar të Orientalistëve,
ku lexoi një kumtesë me titull De pronunciatione palatalium in diversis
albanicae linguae dialectis (Mbi shqiptimin e palataleve në dialektet e
ndryshme të gjuhës shqipe). Interesimi i zjarrtë i Mjedës për çështjen e
alfabetit të shqipes bëri që ai, pavarësisht nga problemet me autoritetet
osmane, të marrë pjesë në Kongresin e Manastirit më 1908, ku alfabeti i tij
Agimi humbi para atij Bashkimi të Gjergj Fishtës. Më 1908 në Kongresin e
Manastirit bashkë me At Fishtën, Luigj Gurakuqin, Hilë Mosin dhe Mati Logorecin
si përfaqsues i Shkodrës dhe variantit të karaktereve latine, u zgjodh anëtar i
Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes, ndërsa më 1916-1917
ishte anëtar i Komisia Letrare Shqipe. Në periudhën e hovit të lëvizjes
demokratike (1920-1924) Ndre Mjeda mori pjesë në jetën politike të kohës dhe u
zgjodh deputet. Pas dështimit të Revolucionit Demokratiko-borgjez u tërhoq nga jeta
politike dhe punoi si prift i thjeshtë në Kukël. Nga viti 1930 qe mësues i
gjuhës dhe letërsisë shqiptare në kolegjin jezuit në Shkodër, ku edhe vdiq më 1
gusht 1937. Duke e
ndier veten tashmë më të lirë, ai iu kushtua me një zjarr të dyfishuar çështjes
kombëtare dhe zhvilloi një veprimtari të gjerë atdhetare e kulturore. Themeloi
shoqërinë kulturore “Agimi”. Mori pjesë në një kongres gjuhësor
lidhur me çështjë të shqipes në Hamburg. Ai shkroi për mirditorët një
memorandum, drejtuar përfaqësuesëve të fuqive të mëdha në Shkodër, ku
ankoheshin kundër qeverisë osmane. Poeti ngriti zërin me rastin e mbylljes së
shkollës së mesme shqipe në Korçë nëpërmjet një vjershe që është një kushtrim i
hapur etj. Kjo veprimtari nuk mund të mos i binte në sy qeverisë osmane, e cila
më 1902 e arrestoi poetin dhe gati sa nuk e internoi në Anadoll (ky rast i
dhimbshëm i jetës së Mjedës gjeti pasqyrimin poetik në poemthin “I
tretuni”).

Edhe pas kësaj,
poeti nuk pushoi së punuari për çështjen shqiptare, qoftë në fushën letrare,
qoftë në fushën gjuhësore. Në këta vjet, nën ndikimin e hovit të madh të
lëvizjes atdhetare si edhe të kontaktit të përditshëm me jetën e fshatarëve,
lindën krijimet e tij më të mira.

Si shumë rilindës
të tjerë, Mjeda shpresonte se çlirimi kombëtar do të sillte përmirësimin e
gjendjes së masave. Një mendim i tillë përshkon poemën e fuqishme
“Liria” e shkruar në vitet 1910-1911, pra në prag të shpalljes së
pavarësisë. Ngjarjet pas 1912-ës për Mjedën qenë një zhgënjim i hidhur.

Në të vërtetë, që
këtej e tutje, ai do t’i kushtohet kryesisht veprimtarisë gjuhësore. Më 1917
Mjeda mblodhi dhe botoi në vëllimin “Juvenilja” krijimet poetike, të
shkruara gjatë Rilindjes që për shumë shkaqe s’kishin mundur të shihnin dritë
më parë. Ai hyri kështu në letërsinë tonë si poet i shquar. Në vitet 1920-1924
Mjeda u zgjodh deputet i opozitës, i krahut demokratik. Pas ardhjes së Zogut në
fuqi, Mjeda u largua nga jeta politike. Ai vazhdoi të ishte famulltar i thjeshtë
në fshatin e vogël Kukël, gjersa në vitet e fundit të jetës së tij kleri e mori
si mësues të shqipes në gjimnazin e vet të Shkodrës. Mjeda iu vu atëherë me
tërë energjitë e veta edukimit të rinisë me dashuri të veçantë për gjuhën dhe
për kulturën shqiptare.

Pak muaj para
vdekjes, (1 gusht 1937), botoi, si testament poetik të rrallë për bukuri e
forcë, poemthin “Liria”.

Grishja e poetit që fshatarët
të ngriheshin për t’u çliruar nga zgjedha e rëndë shoqërore, ndërthuret me
besimin se lufta e vegjëlisë do të sjellë lirinë. Në këtë vepër gjeti pasqyrim
demokratizmi i Ndre Mjedës, që përbën bashkë me patriotizmin, anën më të fortë
të botëkuptimit dhe të krijimtarisë së tij. Vjersha “Mustafa Pasha në
Babunë” fshikullon pavendosmërinë dhe qëndrimin e lëkundshëm të parisë
feudale në luftë kundër zgjedhës së huaj. Në poemën e njohur Andrra e jetës
nëpërmjet pamjeve poetike prekëse, autori zbuloi tragjedinë e malësorëve të
varfër, që rronin në zgrip të jetës, mjerimin dhe padijen e madhe, ku ata ishin
kredhur. Botën shpirtërore të personazheve të poemës, ndjenjat dhe mendimet e
tyre, poeti i dha me mjete të kursyera dhe mjeshtëri.

Fazës së dytë të krijimtarisë
së Ndre Mjeda e cila nisi pas Luftës I Botërore, i përkasin poemat në
tingëllima (sonete) “Scodra” dhe “Lissus”, ku, përmes
historisë së lashtë të dy qyteteve evokohet e kaluara e hershme e popullit
tonë, sidomos fryma luftarake dhe liridashëse e stërgjyshërve të tij, ilirëve.
Duke vijuar në këtë kohë traditën e poezisë së Rilindjes Kombëtare, Ndre Mjeda
shprehu kështu mospajtimin e tij me regjimin reaksionar që sundonte vendin.

Në prodhimin poetik të Ndre
Mjedës, zënë vend dhe vjershat për fëmijë edhe disa shqipërime të goditura nga
Gëtja, T. Grosi, etj. Romantik në thelb, Ndre Mjeda bëri një hap përpara drejt
realizmit, ai kishte kërkesa të larta dhe tregoi mjeshtëri të rrallë poetike.

Ndre Mjeda dha ndihmesën e tij
edhe në fushën e gjuhësisë. Puna e tij u zhvillua në, gramatikë, leksikologji,
filologji. Krijoi alfabetin që u zbatua prej shoqërisë Agimi me kriterin
shkencor për çdo tingull një shkronjë, duke përdorur shenjat diakritike. Dha
ndihmesë të shënuar në lëvrimin e gjuhës letrare. Në historinë e gramatologjisë
shqiptare janë për t’u përmendur Vërejtje mbi artikuj e premna pronës të gjuhës
shqipe (1934), Mbi shqiptimin e qellzoreve ndër dialektet e ndryshme të gjuhës
shqipe (1902). Ndre Mjeda është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me
studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë sonë të vjetër. Transkriptoi
pjesërisht veprën e P. Bogdanit (1930) dhe të P. Budit (1932), shkroi për
dialektin shqiptar të Istries (1932) dhe për Perikopenë e ungjillit të shek.
XIV-XV (1933).

Ndre Mjeda është njëri nga
poetët më të mëdhenj të letërsisë shqipe. Me një frymëzim të parë romantik e
djaloshar ai ka krijuar poemën e mallit e të dhembjes personale (Vaji i
bylbylit). Me njohjen e jetës autentike të botës shqiptare ai ka krijuar poemën
e botës shqiptare (Andrra e jetës). Me kërkime në njohjen e rrënjëve kulturore
e historike ai ka krijuar tufat e tingëllimeve (Lissus, Scodra). Me rebelimin e
tij personal e rebelimin nacional ai ka krijuar poemën e revoltit dhe himnin e
lirisë (Lirija).

Mjeda mbetet mjeshtër i
pashembullt i formës e i gjuhës poetike në shqip dhe mjeshtri më i madh i
tingëllimit në shqip deri më sot.

Vepra e Ndre Mjedës u botua e
plotë në tri vëllime në Prishtinë në vitin 1982 nën përkujdesjen e Sabri
Hamitit dhe nje studim mjaft i vlefshëm me shtatë vëllime nga Mentor Quku.

Shkrimin po e mbyll me dy
poezi nga Mjeda:

 

Liria

 

O shqipe, o zogjt’ e maleve,
kallzoni:

A shndrit rreze lirie n’ato
maja;

mbi bjesh’ t’thepisuna e
n’ograja,

ku del gurra e gjëmon
përmallshëm kroni?

A keni ndie ndikund, kah
fluturoni

ndër shkrepa, me ushtue kangën
e saj?

A keni ndie nji kangë të
patravajë?*)

O shqipe, o zogjt’ e maleve,
kallzoni!

“Lirim, lirim!” —
bërtet gjithkah malsia.

A ka lirim ky dhé që na shkel
kamba,

a veç t’mjerin e mblon
anemban’ robnia?

Flutro shqipe, flutro kah
çelet lama,

sielliu maleve përreth që ka
Shqipnia,

e vështroje ku i del lirimit
ama.

 

Por nuk u shuejt edhe, jo,
shqiptaria:

Lodhun prej hekrash që mizori
e njiti,

lodhun prej terri ku robnimi e
qiti,

shpreson me e zgjue fluturim
mënia.**)

E kqyre: Ndër male po përhapet
shkëndija

e lirimit t’Atdheut; fshehtas
shëtiti

kasoll’ për kasoll’ rreth
buneve***) e soditi

frymë të re tue zbrazun për
gjithkah, hija

e Skanderbegut. Që ndër djepa
rritin

nanat e Hotit djelmënin’
ushtore

e idhnim n’armikun nëpër gji
iu qitin.

E nalt, ndër maja, bukuri
mbretnore.

 

………………..

Gjuha shqipe

Përmbi za që lshon bylbyli,

gjuha shqipe m’shungullon*;)

përmbi er’ që jep zymbyli,

pa da zemren ma ngushllon.

Ndër komb’ tjera, ndër dhena
tjera,

ku e shkoj jetën tash sa mot,

veç për ty m’rreh zemra e mjera

e prej mallit derdhi lot.

Nji kto gjuhë që jam tue ndie,

jan’ të bukra me themel

por prap’ kjo, si diell pa
hije,

për mue t’tanave iu del.

…………………………..

Ku n’breg t’Cemit rritet trimi

me zbardh, Shqipe, zanin tand,

e ku Drinit a burimi

që shpërndahet kand e kand.

Geg’ e tosk’, malsi, jallia**)

jan’ nji komb, m’u da, s’duron;

fund e maj’ nji a Shqipnia

e nji gjuh’ t’gjith’ na
bashkon.

Qoftë mallkue kush qet
ngatrrime

ndër kto vllazën shoq me shoq,

kush e dan me flak’ e shkrime

çka natyra vet’ përpoq.***)

Por me gjuhë kaq t’moçme e
mjera

si nj’bij’ kjo që pa prind
mbet:

për t’huej t’mbajshin dhenat
tjera,

s’t’kishte kush për motër
t’vet.

E njat tok’ që je tue gzue,

e ke zan’ tash sa mij’ vjet,

shqiptaria, që mbet mblue

sot nën dhe, edhe shqip flet.

Pergatiti Kozeta Zavalani

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch