Home » Kulturë, Lajme » “MONUMENT LETRAR” PËR ADEM BERISHËN-GJURGJEVIKU

“MONUMENT LETRAR” PËR ADEM BERISHËN-GJURGJEVIKU

Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

 

 

 

 

 

 

 

M.Gecaj

Më 21 qershor 2012, u takova përsëri në Tiranë me mikun e kolegun e respektuar Xheladin Mjeku.  Ne jemi takuar edhe në raste të tjera, në kryeqytetin tonë. Dhe temë e zakonshme e bisedave tona kanë qenë e janë botimet e ndryshme. Por lidhjet tona i kemi të pashkëputura edhe përmes Internetit. Kështu, në prani dhe të kolegëve botues Viron Kona e Bashkim Saliasi, përsëri bisedat tona u sollën rreth kësaj teme të përhershme. Ndër të tjera, ne kujtuam me nderim të veçantë edhe poetin e shkrimtarin e paharruar  Adem Berisha-Gjurgjeviku, i cili u nda përgjithnjë nga jeta, pak kohë më parë.

 

 

 

 

 

Adem Berisha

Kur e mësova këtë lajm të hidhur përmes Internetit, menjëherë komunikova me  Xheladinin dhe bëra një ngushëllim për familjen e kolegët. Me atë rast, por edhe më qartazi sot, Xheladini më shpjegoi se atë ditë Ademi po udhëtonte, nga Malisheva, për në Prishtinë.  Me vete kishte marrë edhe një çantë të mbushur me libra. Se për të, ashtu si për çdo autor tjetër, ato ishin një pasuri e paçmuar. Pra, dëshironte që ta ndante kënaqësinë e tij me kolegët, duke përuruar një libër të ri. Siç më tregon tani Xheladini, ky i kishte  bërë hyrjen, duke e vlerësuar lart krijimtarinë e tij.

Por..ah, erdhi një çast tragjik e vdekjeprurës për krijuesin atdhetar Adem Berisha-Gjurgjeviku! Nuk e di nëse ai pati kohë të mëndojë  për shumëçka. Por vetimthi, sigurisht, ka sjellë ndërmend familjen, kolegët dhe njerëzit e tij të dashur. Por ai e ka shtërguar fort edhe çantën e librave, si të kishte aty një thesar. Se me të në dorë e ndiente kurdoherë veten më të pasur shpirtërisht dhe e dinte se pjesë të  kësaj pasurie do t’ua dhuronte me dashamnirësi kolegëve të tij. Nuk di hollësira, se edhe po t’i dija e t’i përmendja këtu, rikujtimi i tyre e rëndon gjendjen shpirtërore të familjarëve. Por është e saktë, se ai e humbi jetën tragjikisht, në një aksident.

Unë e Ademi nuk ishim parë as takuar ndonjëherë. Por në larëgësi na lidhte bota e madhe e letrave, e shkrimeve. Kisha lexuar vjersha të tij të frymëzuara: kushtuar traditave atdhetare, figurave të shquara për liri e pavarësi, për Kosovën dhe Shqipërinë e tjerë. Kujtoj këtu edhe poezitë e tij: “Kush ngre dorë në ty, Shqipëri!” dhe “Gjurgjeviku, si kala”. Prandaj e përjetova me  dhimbje humbjen e tij të parakohshme e tragjike, pra të pa shkaktuar nga ndonjë sëmundje.

Ndërsa ndieva një kënaqësi të natyrshme, kur miku im Xheladin më tregoi se një grup miqësh të tij po përgatisin një botim të posaçëm. Ai do të përmbajë poezi, skica e mendime të shprehura për jetën e krijimtarinë  e Adem Berishës-Gjurgjeviku. Për shembull, Shaban Cakolli shkroi e publikoi poezinë me titullin, “Je bërë dritë, udhëton me ne”. Sigurisht, aty do të jetë edhe vjersha e emigrantes kosovare në Gjermani, Shadije Hotnjani, me titullin domethënës, “Mbete peng i një malli”. Rreth kësaj poezie janë bërë disa shënime nga lexuesit, duke shprehur nderim e respekt  të veçantë për Adem Berishën, për të cilin autorja shprehet se, nga humbja e tij, “shpirti është mbështjellë në zi”.

Më kanë mbetur në mendje edhe disa fjalë, që i ka shprehur publikisht i biri, Agroni: “Ditët po kalojnë pa ty, ndërsa dhimbja sa vjen e shtohet. Hieja jote, i dashur baba, vazhdon të qendrojë nëpër shtëpi. Ende, çdo e hapur e derës, më bën ta ngre kokën lart e të shpresoj se do të shoh, ashtu të buzëqeshur. Çdo mbrëmje, pres deri vonë i zgjuar, që të na urosh si përherë natë të mirë. Por jo, si duhet  ditët e lumtura me ty, tani kanë ikur dhe ato kanë mbetur vetëm në kujtime të ëmbla, të cilat kurrë nuk do t’i harrojmë. Prehu në paqe dhe në qetësi, o i dashur Baba!”

Pasardhësit e çdo njeriu, që ndahet nga jeta, gjejnë rrugë e mënyra të ndryshme për të ruajtur kujtimin e tij. Kështu, me raste, organizohen përkujtimore, bëhen lutje fetare, shkruhet në gazeta ose flitet në mjetet e komunikimit masiv. Por edhe i ngrihet varr, sipas mundësive monetare e bile, ndokush,  i  punon bust, në allçi e deri në bronx. Ndërsa unë mendoj se vlerësimi më i lartë dhe përkujtimorja më e veçantë për një figurë të shquar atdhetare e krijuese, siç është Adem Berisha-Gjurgjeviku, do të jetë botimi i një vepre letrare. Se në të do të përmblidhen ndjenja e mendime të sa e sa të afërmve, miqëve, kolegëve e dashamirësve të tij. Një libër i tillë do të jetë “monument letrar”, i cili do t’u qëndrojë  fort shumëvjeçarëve. Ai do të përcjellë, nga një brez në tjetrin, kujtimin dhe vlerësimin e merituar për jetën dhe veprimtarinë e tij, në shërbim të Atdheut e shoqërisë. Prandaj gjej rastin t’i  përshëndes nismëtarët dhe realizuesit e  këtij botimi. Ndërsa familjarëve të tij ju uroj nga zemra, që të jetojnë sa më gjatë, me gëzime e lumturi të pandërprerë dhe ta kujtojnë përherë njeriun e tyre shumë të dashur, Adem Berishën-Gjurgjeviku!

I paharruar qoftë kujtimi i tij!

Tiranë, 26 qershor 2012

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch