Home » Opinione » Morali i partive politike në sprovë!

Morali i partive politike në sprovë!

Nehat Hyseni12Shkruan: Nehat Hyseni

Aktgjykimi i fundit i Kushtetueses ka shokuar shoqërinë kosovare, jo vetëm nga fakti i shkeljes së parimeve themelore të demokracisë bashkëkohore me ndërhyrjen flagrante në demokracinë parlamentare dhe shkeljen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës me (keq) interpretimet e saja në favor të PDK-së, duke humbur besimin dhe rolin asnjanës të saj, që paraqet kushtin  bazë “conditio sine qua non”  të rolit të “arbitrit” politik tek ne, por edhe për humbjen e shpresave  se jemi në rrugën e duhur për ndërtimin shoqërisë demokratike, të ëndërruar me shekuj.
Arsyetimet abuzive të saj janë zhgënjyese për Kosovën dhe për imazhin e saj në botë. Shkelja me “të dy këmbët” mbi Kushtetutën e Kosovës, me argumente  jokushtetuese, joligjore e jodemokratike, paraqet abuzim jo vetëm ndaj Kushtetutës, por edhe ndaj ardhmërisë së Kosovës!

Abuzimet me pushtetin dhe pasurimi marramendës i politikanëve

Andaj, edhe deklarimi i pasurisë nga zyrtarët shtetërorë dhe nga bartësit e funksioneve publike tek ne si një obligim ligjor, që aplikohet në të gjitha vendet me demokraci të zhvilluar në botë, me qëllim kontrollimi të abuzimeve me pushtetin dhe pasurimin e paligjshëm  të bartësve të funksioneve publike.
Por, dihet mirëfilli se tek ne ky obligim i deklarimit të pasurisë është  në shumicën e rasteve, vetëm një akt formal të cilin ata marrin mundimin ta bëjnë me plotësimin e formularit përkatës, dhe këtu përfundon gjithçka!
Kurse  në vendet me demokraci të zhvilluar  ndodhë pikërisht e kundërta, dmth. prej aty fillon kontrollimi i pasurimit të paligjshëm të politikanëve, meqë bëhen hetime mbi vërtetësinë dhe (mos) përfshirjen apo (mos) deklarimin real të pasurisë dhe pronave të tyre.
Kështu, na del se politikanët e deridjeshëm që ishin raste sociale dhe si thonë, nuk kishin “krypë në lakra”, tani janë bërë milionerë. Kuptohet, nga abuzimi me pushtetin dhe të parasë e pasurisë publike, duke gjetur forma dhe mënyra të ndryshme joligjore për tu pasuruar.
Tani pasuritë e tyre janë marramendëse dhe na del se profesioni më i levërdishëm ekonomikisht tek ne është politika, nga e cila fitohen miliona e miliona euro dhe askush nuk përgjigjet.

Kjo ndodhë pikërisht nga arsyeja se tek ne nuk kontrollohen dhe as nuk mbikëqyren sa dhe si duhet  shpenzimet e parasë publike dhe (keq) menaxhimi i pasurisë publike, e as vërtetësia e deklarimit të pasurisë publike në formularët e Agjencisë Antikorrupsion, por mjafton që të plotësohet ana formale e obligimit ligjor të deklarimit të pasurisë dhe askush nuk merret me ato deklarime dhe nuk i vërteton të dhënat e deklaruara.
Kurse, në mungesë të funksionimit të kontrollit shtetërorë në këtë lëmi, na paraqiten anomali dhe defekte serioze dhe abuzime marramendëse.
Piramida e pushtetit, duke filluar nga kreu shtetëror, dmth. nga Presidenca, Qeveria dhe Parlamenti, pastaj tek organizatat e agjensitë shtetërore e publike, sa e dijmë ne, asnjëherë nuk janë hetuar në historinë e Republikës së Kosovës.
Kurse, prej aty fillon korrupsioni, meqë ata janë tek burimi apo “kroi” prej nga rrjedhë dhe kontrollohet paraja publike me anë të tenderëve dhe formave të tjera, e deri instancat më të ulëta të pushtetit.
Sepse, brenda natës u formuan ndërmarrje private, të afërta me qeveritarët, të cilat kanë arritur pasuri marramendëse, të cilat funksionojnë para syve tanë dhe  edhepse të gjithë i dijnë pronarët e tyre, megjithatë askush nuk bëzanë dhe nuk ua prishë “tymin”!
Ky është realiteti ynë i hidhur, që ia ka zënë frymën Kosovës dhe e ka kompromituar skajshmërisht shtetndërtimin dhe demokracinë e brishtë të saj, duke e radhitur atë në  vendet me korrupsion më të lartë në rajon dhe në botë.
Ky dëmtim i rëndë i shtetndërtimit  Kosovës ia ka dëmtuar imazhin  në botën demokratike, madje, siç deklaroi Zëvendëssekretarja e SHBA, zonja Victoria Nulland , gjatë vizitës së paradokohëshme rajonit dhe Kosovës, se “korrupsioni i lartë në qarqet e politikanëve të pandershëm rrezikon pavarësinë dhe ardhmërinë demokratike të disa shteteve në Ballkan”.

Natyrisht, zonja Nulland e kishte fjalën në rend të parë për Kosovën, e cila ka mbetur i vetmi shtet i getoizuar sot në Europë! Po e përsërisë, Kosova është shteti i vetëm sot në Europë, në të cilin qytetarët e saj janë të getoizuar dhe mbahen sikur në “karantin”, të izoluar nga vendet tjera, sikur të mbretëronte këtu ndonjë sëmundje ngjitëse dhe vdekjeprurëse që do t’i rrezikonte nga infektimi të tjerët.
Prandaj, qytetarëve të Kosovës nuk u lejohet udhëtimi pa vizat (poshtëruese) në Europë! Ky turp është duke ndodhur vetëm në Kosovë dhe askund tjetër në Europë!

Ndërkaq, politikanëve tanë dhe udhëheqësve të këtij shteti, që janë bërë milionerë nga hiçi, u është goja plotë me patriotizëm dhe fjalë megalomane, tipike për pushtetet koloniale, skllavëruese e skajshmërisht të papërgjegjëshme. Sepse, ekziston një rregull i pashkruar se, “sa më e madhe është papërgjegjësia e politikanëve ndaj popullit, aq më   të mëdha e megalomane janë deklaratat dhe premtimet e tyre”.  Kurse, mosekzistenca e një kontrolli të mirëfilltë (mbi) shtetërorë, që i është caktuar si kompetencë Kushtetueses tek ne, duke mos e radhitur si pjesë të asnjë pushteti, dmth. as të pushtetit gjyqësor, por mbi të gjitha pushtetet, si “arbitër” midis tyre. Por, siç u pa puna, për këtë nevoitet një pjekuri politike dhe moral shtetëformues, i cili është më se i domosdoshëm.

Por, mjerisht na mungon një moral i tillë edhe në institucionet më të larta shtetërore, udhëheqësit e të cilave aktualisht janë persona të cilët e kanë keqkuptuar  misonin dhe përgjegjësitë e tyre dhe në vend të mbrojtjes së interesit publik dhe ardhmërisë së Kosovës, ata zgjedhin mbrojtjen e interesave grupore e partiaker të tyre.

Pa VV janë të pamundëshme ndryshimet radikale!

Prandaj kjo na flet se ka ardhur koha për një ndryshim radikal të qeverisjes në të gjitha instancat shoqërore. Në rethanat aktuale, si duket një gjë e tillë po duket se është e pamundur pa kyçjen e pakusht të Lëvizjes Vetëvendosje Koalicionit LDK-AAK-Nisma.

Për këtë ekzistojnë së paku dy arsye madhore: e para se pa VV nuk mund të arrihet të formohet qeveria me shumicë shqiptare, e pavarur nga vota e minoriteteve, sç ishte rasti me Qeverinë Thaçi dhe dobësitë e saja flagrante me lëshimin e pafund ndaj serbëve. Pra, pa kyçjen e VV nuk mund të formohet aktualisht qeveri komkbëtare, dhe e dyta, se me kyçjen e VV do krijoheshin kushtet reale për ndryshimin e pretenduar domethënës dhe radikal të pushetit . Tek e fundit, ky është pikësynim i shoqërisë kosovare.

Vallë, a mund të ketë arsye më të mëdha për Lëvizjen VV për kyçje në koalicionin qeverisës? Ky është një testim për këtë subjekt politik se a synon interesat e veta grupore, si shumica e partive aktuale, e veçanërisht PDK-ja, apo synon interesat e Kosovës, të cilat do t’i vejnë mbi interesat partiake, grupore e personale të tyre?

Moskyçja e VV në qeverisje, gjithënjë e më tepër po kuptohet  si trimërim i PDK-së për obstruksione të mëtejme. Lajmi i fundit është se deputetja Brovina nuk do ta thërrasë mbledhjen e paralajmëruar për javën e parërë të shtatorit para se “partitë të merren vesh”.

Kjo do të thotë se ata e kushtëzojnë caktimin e mbledhjes me zgjedhjen ne kryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së. Kurse, nga ana tjetër janë “trimëruar” edhe përfaqësuesit e minoriteteve, e sidomos të serbëve, të cilët deklaruan se “Lista serbe do të ket rol kyç në qeverinë e ardhëshme” dhe se pa ata nuk do të mund të formohet qeveria e re.

Natyrisht se PDK-ja dhe minoritetet nuk do të deklaronin një gjë të tillë p[oqese do të kyçej edhe Lëvizja VV, pa dilema dhe luhatjet e deritanishme. Prandaj, sa duket, morali politik I të gjitha partive poltike shqiptare kësaj radhe është në sprovë, si asnjëherë më parë në historinë e pasluftës të Republikës së Kosovës.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch