Home » Opinione » “Mos pritni nga Kosova!”

“Mos pritni nga Kosova!”

Shkruan: Nehat Hyseni

Refreni më i shpeshtë i përgjigjes për zgjidhjen e çështjes së shqiptarve të Luginës së Preshevës,  nga intelektualët dhe politikanët e Kosovës është: “mos pritni nga Kosova, shikoni atje vet çka mund të bëni, se për Kosovë ju han ujku…”

Mjerisht, këtë “përgjigje” e dëgjon gjithandej, qoftë nga “intelektualët” në Kosovë, të cilët me ndjenjën e peshës dhe rëndësisë së “gjenialitetit” të këshillës miqësore,  të cilën e fillojnë me një ndjenjë konfidencialiteti dhe miqësie “të thellë”, duke u siguruar me shikimin reth e rotull se nuk i dëgjon askush për ta thënë këtë “të vërtetë të madhe”!?


Natyrisht, të gjithë, pothuajse pa  përjashtim pretendojnë se “i dijnë gjërat” mirë nga “përvoja” e tyre dhe nga niveli “ i pakontestueshëm” intelektual që ata kanë.
Menjëherë pasi “sigurohen” se e kemi kuptuar këtë “të vërtetë të madhe”, ata fillojnë me një entuziazëm të befasishëm t’i kritikojnë shqiptarët e Luginës se janë “ të paditur”, pasivë dhe nuk i përcjellin rethanat aktuale të veprimeve të serbëve në veri të Kosovës, të cilët, sipas këtyre “gjenive” që e njohin politikën mirë, na qenkan të vetëdijshëm dhe aktivë, meqë vendosin barrikada, i kallin doganat, i rrënojnë gjykatat, e pengojnë lëvizjen e lirë të KFOR-it dhe qytetarëve, etj.
Pra, këta “intelektualo-politikanë” frustrohen dhe mllefosen se si shqiptarët e trashë, torollakë, të paditur dhe siç i quajti kryeministri i Kosovës z. Hashim Thaçi “pa ndjenja kombëtare” nuk dijnë si të veprojnë atje, duke mos mësuar fare nga veprimet e serbëve të Kosovës?!
Të kuptohemi, të gjithë këtë duf dhe mllef ata e shfryjnë mbi shqiptarët e Luginës, jo nga urrejtja, por nga “zemra e plastë”, sepse atyre u “djegë” dhe i dhemb gjendja e mjerë dhe e pashpresë e tyre! Madje, na bindin se, meqë ndjehet kjo mungesë kaq e madhe e dijes dhe informacionit e ndjenjave patriotike, ata me dashamirësi atërore qortojnë se pse nuk vijnë të konsultohen, si të pamend dhe torollakë që janë, me “intelektualët” dhe njohësit e mirë të politikës këtu në Prishtinë?
Madje, ata tregohen “zemërgjërë”, duke deklaruar se nuk është e thënë se duhet patjetër të konsultohen e këshillohen me ate personalisht. Jo, jo! Ata e lëjnë “derën çelë” për të biseduar edhe me të tjerë intelektualë. Vetëm e vetëm që t’u japin “ders” (mësim) atyre për t’ua “çelur sytë” dhe për t’ua kthjelluar mendjen atyre shqiptarve “trutharë”, duke e ulur paksa zërin dhe duke u arsyetuar se këtë e thojnë “nga zemra e plastë” dhe nga dashuria e madhe për atë pjesë të gjeografisë shqiptare, edhepse shumica e tyre as që kanë marrë mundimin me (pa)arsye për ta vizituar Luginën, apo të marrin pjesë në organizimin dhe mbajtjen e protestave dhe tubimeve të ndryshme për senzobilizimin e çështje së tyre.
Unë nuk mund ta kuptoj kurrësesi as deklarimin e pskrupulltë të Adem Demaçit në Institutin Albanologjik më 21.XI. 2013 në Simpoziumin Shkencorë për Luginën e Preshevës, ku ai pa i lëvizur qerpiku tha: “shikoni ju atje çka mund të bëni vet atje dhe mos pritni nga Qeveria e Kosovës, sepse këta veprojnë si u thonë ndërkombëtarët. Prandaj veproni vet atje në Serbi kundër pushtetit serb…!”

Pra, sipas z. Demaçi na del se më lehtë na qenka të luftohet ushtria dhe policia e pushteti serb nga ata pak shqiptarë duarthatë atje, pa mbrojtje të KFOR-it dhe as policisë ndërkombëtare dhe kombëtare!
Mjerisht, këtë logjikë e hasë tek shumica intelektuale dhe politike e Kosovës, si dhe tek një pjesë e shqiptarve të shpërngulur nga Lugina e Preshevës. Dhe sa më larg që janë nga realiteti politik atje, aq më “të dijshëm” dhe gjenialë janë, duke qenë të gatshëm në çdo kohë për të shitur mend dhe për të dhënë “nasihat”.

Madje duke u nervozuar dhe konstatuar me dëshprim se nuk po shfrytëzohet “gjenialiteti” i tyre intelektual e politik, të cilët, sipas tyre, na qenka  “thesar” i pashfrytëzuar!
Pra, kryesisht ky lloj i të menduarit mbretëron aktualisht tek shumica e intelektualëve të  Kosovës lidhur me situatën e shqiptarve në Luginë.
Kuptohet se kjo gjendje e këtillë e pashpresë e kësaj pjese të qenies sonë kombëtare ndihet e dëshpruar dhe e pashpresë nga kjo qasje e nga ky realitet i çoroditur i marrëzisë she shizofrenisë gjithëkombëtare që i ka goditur në rend të parë “intelektualët” dhe politikanët shqiptarë.

Ata nuk mund t’a kuptojnë faktin e nivelit të paditurisë se serbët e Kosovës mbrohen dhe financohen nga Serbia, se mbi 70 mijë paga mujore u jepen atyre nga buxheti shtetërorë i Serbisë, se janë të mbrojtur nga KFOR-i dhe policia sekrete dhe nga paramilitarët serb, sa që as shteti i Kosovës atje nuk ka qasje, madje as kryeministri nuk guxon të shkelë në atë territor; se barrikadat serbe kanë fuqi politike, të cilën askush s’mundi ta lëvizë nga vendi, etj.
Vallë, a është e mundur që të mos i dijmë të gjitha këto të vërteta të dhimbëshme dhe fakte dhe të kërkojmë që shqiptarët e Luginës “t’ia bëjnë vet çaren vetes”, kurse “inrelektualo-politikanët” patriotë të trashin e shtojnë pasuritë e veta, duke u shetitur me xhipa të modeleve të fundit, nga më të shtrejtit dhe duke u rrënuar e katandisur mirëqenia dhe gjendja edhe ashtu e  mjerueshme e shqiptarve kudo që janë.

Tragjedia jonë e këtij fillimshkeulli XXI qëndron pikërisht në pamundësinë e të kuptuarit të shqiptarve midis vetit. Derisa Kosova “mendon” se shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të jenë të fuqishëm dhe t’i tregojnë muskujt si serbët, duke vendosur barrikada, djegur gjyqet e doganat, etj. Shqiptarët e Luginës së Preshevës shikojnë të shtangur, duke mos mundur të kuptojnë se si është e mundur që kosovarët të mos e dijnë se serbët e Kosovës mbështeten nga Serbia, kurse ata të shkretë  janë lënë në mëshirë të pushtetit antishqiptarë të Serbisë,  të pambrojtur dhe të pambështetur nga shteti I tyre amë Kosova, ashtu si vepron Serbia me bashkëkombësit e vet në Kosovë.

Ky lëmsh i “pazgjidhshëm” ua ka mjegulluar fare kokat shqiptarve të kësaj pjese të Ballkanit. Se kush ka të drejtë, këtë as dreqi s’mundet ta dijë. Dhe derisa një ditë të kuptohet dhe kthjellohet kjo mjegullnajë në kokat tona të shkreta shqiptare, druajmë se nuk do të mbeten më shqiptarë në  trojet stërgjyshore të kësaj pjese të Shqiptarisë.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch