Home » Lajme » Murat Gecaj: “Proverba, shprehje e thënie”, nga Xhavit Mëzezi

Murat Gecaj: “Proverba, shprehje e thënie”, nga Xhavit Mëzezi

VEPËR MJAFT E DOBISHME, PËR SHKOLLËN E PRINDËRIT DHE ÇDO LEXUES

(“Proverba, shprehje e thënie”, nga Xhavit Mëzezi)

Nga: Prof. Murat Gecaj

Publicist e studiues-Tiranë

Këto ditë doli nga shtypi e është në qarkullim vepra e arsimtarit dhe studiuesit Xhavit Mëzezi, “Proverba, shprehje e thënie”. Përgatitur nën drejtimin dhe me redaktimin e Prof. Dr. Pavli Hazhillazi. Është një libër voluminoz, me rreth 520 faqe dhe brenda tij ngërthen afër  8.000 njësi të tilla. Për përgatitjen e këtij botimi, autorit iu desh një periudhë kërkimi, studimi e shkrimi afër 10-vjeçare. Për mbledhjen e shoshitjen e materialit faktik, ai shkoi në disa rrethe të Shqipërisë dhe u njoh nga afër me të dhënat e duhura, në disa krahina të Italisë. Gjithashtu, shfletoi 125  botime të kësaj fushe ose të përafërt me të, në gjuhën shqipe e më gjuhë të tjera, si italisht, anglisht e gjermanisht.

 

Ishte kënaqësi për mua që këtë vepër, bashkëstudenti Xh.Mëzezi, ma dha që në dorëshkrim dhe unë shkrova e u botua aty recensioni im modest. Gjithashtu, për këtë vepër dhanë mendimet e tyre  Prof.Dr. Aadriatik Kallulli e i ndjeri, shkrimtari Gjergj Zheji. Ashtu siç e kam nënvizuar në shkrimin tim, kjo vepër është një “enciklopedi e vogël, me përmbajtje të madhe”. Pra, është një botim me mjaft vlera njohëse e formuese, si për mësuesit e pedagogët, nxënësit e studentët dhe prindërit e moshave të ndryshme. Ai u shërben sidomos studentëve të degëve të mësuesisë, për gjuhën e letërsinë shqipe, por dhe për gjuhët e huaja.

Po kështu, libri në fjalë është një mjet pune në tavolinën e studiuesve, redaktorëve të shtypit të shkruar dhe atij elektronik, u shërben krijuesve të fushave të ndryshme të diturisë etj. Se, fare mirë, një student jo vetëm njihet me pasurinë e madhe të proverbave, shprehjeve, thënieve e mendimeve të çmuara, por dhe ia vlen që aty të bazohet për të hartuar temë kursi ose diplome, për të shkruar e publikuar artikuj ose studime, në gazeta a revista të ndryshme. Ndërsa një poet ose shkrimtar gjen aty frymëzimin a “brumin” për të shkruar një poezi e poemë, një tregim dhe, pse jo, një roman ose një skenar, drame a filmi dokumentar e artistik.

Duke i hapur faqet e kësaj vepre, të autorit tiranas Xh.Mëzezi, gjen  aty mendimin e gjenisë popullore dhe të krijuesve të ndryshëm, që nga Veriu e deri në Jug të Shqipërisë, por edhe nga të gjitha trojet tona amtare, si nga Kosova, Maqedonia, Kosova Lindore (Lugina e Preshevës) e Mali i Zi, por edhe nga Çamëria, arbereshët e Italisë dhe diaspora shqiptare. Shpesh herë, ato janë dhënë në faqet e kësaj vepre në gjuhën e huaj, duke u  bërë dhe evidentuar krahasimet, ngjashmëritë dhe ballafaqimet e nevojshme. Kështu, në mendje të lindë menjëherë mendimi se dituria njerëzore nuk ka kufinj të përcaktuar, se ajo qarkullon lirshëm nga një popull te tjetri, nga një vend në tjetrin.

 

Xhaviti shërbeu vite të tëra në arsim dhe në administratën e saj, në Tiranë, por gjithnjë  e ka pasur merak të gjurmonte, të mblidhte e sistemonte dhe pastaj të botonte nga pasuria gjuhësore dhe e folklorike e popullit tonë. Vërtet dërgoi e publikoi diçka në botimet e Institutit të Folklorit, më pas Instituti i Kulturës Popullore. Por ai nuk u nxitua, pra e vijoi punën parapërgatitore të botimit me pasion e durim, për vite të tëra. Kështu, i mbushi fletoret me proverba, fjalë të urta e mendime të çmuara nga goja e popullit. Por shfletoi dhe mjaft botime të ndryshme, prej të cilave zgjodhi ose t’harri  shpehjet më të bukura e më të qëlluara.

 

Në kato vitet e fundit atij iu dha mundësia të jetonte në Itali, te djali emigrant dhe përsëri  në mendje i rrihte si çekan synimi për ta pasuruar arkivin e tij me proverba  e fjalë të urta nga popuj të tjerë, si Italia, Franca, Anglia e Gjermania. Ato i mblodhi në original, nga librat e goja e folësve të atyre gjuhëve dhe për lexuesit shqiptarë  i përktheu në gjuhën tonë amtare.

 

Të gjitha ato, që përmenda më lart e të tjera, i shërbyen Xhavitit që të ulej e ta sistemonte  përfundimisht materialin e mbledhur, me kritere  të rrepta shkencore. Pastaj i  daktilografoi në makinë shkrimi dhe më tej i  hodhi në kompjuter. Kështu, doli një material i gjërë faktik për proverbat ose fjalët e urta dhe thëniet e mençura.

 

Për vlerat e veçanta të këtij punimi, mjaft serioz e të dobishëm për të gjithë lexuesit shqiptarë, ka shkruar vetë edhe Xhavit Mëzezi në hyrjen e librit të tij. Pra, nuk e quaj të nevojshme që të ndalem hollësisht  për ato. Por dëshiroj të nënvizoj, posaçërisht,  se materiali i publikuar është me  interes të veçantë dhe mjaft i dobishme për të gjithë ne, sepse lidhet me arsimin e shkollën, me dituritë, shkencën e kulturën, pra me tërë jetën tonë. Proverbat, shprehjet e bukura e thëniet e mençura etj. janë qëmtuar me kujdes dhe prandaj na rrënjosen në mendje, kur i  lexojmë.

 

Mund të shkruaja më shumë dhe  të shprehesha më gjatë për vlerat e shumanshme të  këtij punimi enciklopedik, mendoj tepër i veçantë në botimet tek ne. Se, për shembull, ia vlen të theksojmë  se në faqet e e tij është shprehur bukur dhe në mënyrë të përmbledhur filozofia e jetës, por dhe optimizmi i saj. Ai na mëson e na këshillon se si të sillemi, të mendojmë, të flasim e të veprojmë, në  familje, në punë dhe në shoqëri e kudo ndodhemi.

 

Na mbyllje, e uroj këtë autor këmbëngulës dhe serioz në kërkimet e studimet e tij; e përgëzoj bashkëstudentin, kolegun e mikun tim të mirë, Xhavit Mëzezi, për publikimin e kësaj vepre të arrirë. Ai më tregoi se para pak ditësh kishte organizuar një përurim modest,  me jo shumë veta, pra me familjarë, ish-studentë e kolegë të tij. Por, ndoshta, ai do të bëhet më i njohur përmes publikimeve në shtypin e shkruar dhe atë elektronik, me qëllim që lexuesi i interesuar t’i marrë e shijojë nga afër vlerat e tij të shumanshme.

 

Gjithashtu, këtu gjej rastin të zbuloj edhe një “sekret” ose mendim, që ai ma shprehu në mirëbesim e me pak mëdyshje. Pra, dëshiron të grumbullojë të dhënat e nevojshme, me ndihmën e pakursyer edhe të kolegëve tjerë, që me rastin e 50-vjetorit të diplomimit tonë (qershor 2012), të publikojmë një libër, ku të shprehet dashuria dhe nderimi i merituar për bashkëstudentët e fillimeve të Universitetit të Tiranës, në Fakultetin Histori-Filologji të tij. Se të gjithë iu përkushtuam plotësisht arsimit, kulturës, shkencës, letersisë e botimeve etj. dhe nuk kursyem as nuk kursejmë energjitë mendore e fizike, për të mirën e Shqipërisë së dashur.

 

Tiranë, 3 nëntor 2011

 

Make sure cpm math homework you also take a look at our best-oflists from 2012 and 2013

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch