Home » Histori, Opinione » Murtaja e vitit 1747(Nga ditari i Gjon Nikollë Kazazit)

Murtaja e vitit 1747(Nga ditari i Gjon Nikollë Kazazit)

”Minjtë e dikurshëm gjatë sundimit turko-otoman, që bartnin murtajën dhe shkaktonin vdekjen e popullit, apo edhe ata gjatë sundimit serbo-sllav, ende janë të gjallë dhe veprues.” Dom Lush Gjergji ”

 

 

 

 

Fahri Xharra

 

Jemi në Gjakovën e vitit 1747, ishte muaji mars, një mars i bukur, por që paralajmëronte diçka të kobshme. “Lëvizjet e shpeshtuara të ushtrisë turke që bëheshin atyre ditëve dhe netëve nga Gjakova, e drejt nga Qafa e Prushit i kishin ra në sy gjithkujt, por që të gjithë ia kishin dronë ndonjë të lige që mund të përgatitej. E sigurt ishte që Porta e Lartë, qëllimisht kishte zgjedhur hapësirën e Gjakovës, Malësisë së saj, Shkodrën e deri në det për të treguar qëllimet e saj dhe sajimin e një “tampon zoneje” të tmerrit, ngase përherë aty ishin thyer Lindja dhe Perëndimi në paraqitjen e fuqisë së tyre”… thoshte Gjon Nikollë Kazazi në fletorët e tija të asaj kohe të cilat na i zbardhi Jusuf Buxhovi me 1982.

 

“ … Druaj, vëlla, se sërish do të na bjerë mbi kokë fatkeqësia e kufirit të ndarjes së dy botërave… O zot, mos lejo që në kohë të sprovave të mëdha dhe të jashtëzakonshme ta humb durimin dhe guximin, e mbi të gjitha mos lejo ta humb drejtpeshimin…” – i thoshte vetes At Gjon Nikollë Kazazi (1702-1752) i Gjakovës, ne shënimet e tij. “Me keqardhje “të thellë – thoshte Kajmekami i Gjakovës, iu lajmëroj se në Gjakovë ka shpërthyer sëmundja e rrezikshme e murtajës. Ishte më 28 Mars 1747… Forma më e shpeshtë nga Xenopsylla cheopsis e murtajës, vjen pas një pickim i morrit të minjve. Ajo së pari i sulmon dhe i zhduk minjtë, dhe me mbytjen e tyre, e vazhdon te njeriu. Pas një inkubacioni një javor sëmundja shfaqet ashpër dhe mbjell vdekje. Kjo është murtaja Bubonike. …Dhe qyteti i Gjakovës, që nga Pashtriku, deri te mbrenda Drinit, nga Nënshkëlzeni e deri te Lumbardhi i Deçanit, shpallej karantinë.

 

Gjon Nikollë Kazazi nuk dëshironte të ngarkohej, si thoshte ai, me mëkatin e dyshimit të padëshiruar, por koha ka me tregue dhe mund të thuhet se kjo e ligë nuk ka pikur nga qielli. “Lufta nuk zgjedhë mjete. Në krahinat kryeneçe, shkruan Jusuf Buxhovi (Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit), mund të bëhet ajo edhe me anë të mikrobit të padëshirueshëm që vret mijëra herë më shumë se arma dhe nuk le gjurmë. Mendja e njeriut nuk ka fund kur janë në pyetje shkatërrimet”. Gjon Nikollë Kazazi e kishte lexuar se murtaja e para njëqind vjetëve poashtu në Gjakovë nuk i kishte dhënë rezultatet e pritura falë gjeturisë së vendasve. “… Unë, Gjon Nikollë Kazazi, i biri i Pjetrit, dëshmoj për mënxyrën që na ka ra mbi kokë dhe rrezikun të mbesim të shkëputur nga bota… Ky kërcnim lidhet me çfaqjen e murtajës për të cilën thuhet se është midis nesh, sadoqë ajo ende nuk është dëshmuar…(inkubacioni i pritur vazhdon F.Xh.)…por shumëçka që këtu lidhet me sëmundjen, lë për të dyshuar se ajo është pjellë e ligësisë së robit….”.

 

Pra, sëmundja ishte sjellë kastile që nga viset e largëta të Lindjes me të sëmurë, të shoqëruar me përcjellje po nga ata që e kanë derdhur sëmundjen. Kjo ishte pjesë e një loje të rrezikshme që bëhej me qëllime të caktuara nga zyrat që merreshin me shkatërrimin apo zhvendosjen e popujve, aty ku biente kufiri në mes të dy botërave. E ngjashme kishte ndodhur në Gjakovë (1972), kur u karantinua Gjakova me prurjen e sëmundjes së lisë (variola vera), shpërthimi i fundit në Evropë i kësaj sëmundjeje. Sipas shtypit jugosllav të kohës, sëmundjen e pat sjellë një haxhi mysliman shqiptar.

“Çudë, për besë – fliste populli, çudë e madhe. Flitet e përflitet për këtë të zezë sëmundje e kurrkund nuk hetohet”… Kurse në të njëjtën kohë Kajmekami kërcnohej: “Ata që dyshojnë në sëmundjen, janë armiq të Perandorisë dhe të gjithë ata që e hapin fjalën se nuk ka sëmundje dënohen pamëshirshëm” (?) Pritej me padurim dhe me imtësi të planifikuar të çfaqej sëmundja.

 

“Otomanët, meqenëse nuk arritën të krijojnë ‘njeriun e ri’ në këtë anë, i cili do të ishte i së ardhmes dhe si i tillë nuk do të kishte mendim të vetin, nuk do të kishte të kaluar, me një energji të pashtershme një ditë sjelljet e tij të mos shfaqeshin si pjesë e veprimit dhe e të menduarit sipas urdhrave” (J.Buxhovi, po aty). Murtaja ishte pjellë e strategjisë: “Tek e fundit, sëmundje ka pasur dhe gjithmonë do të ketë, pse t’ua vejmë veshin gjithaq kur ato vijnë nga i madhi që mendon për të gjitha?” e qetësonte Kajmekami parinë e Gjakovës, në Marsin e vitit 1747. “Por, koha e duhur eci dhe sëmundja u çfaq, sëmundja nuk erdhi nga zoti, por nga robi, sëmundja u çfaq sipas rendit të paraparë dhe e dijshin mire ata rrjedhën e saj” – vazhdon tutje Gjon Nikollë Kazazi në shënimet e tij. Pastaj Gjakova do të bëhej varri më i madhi në botë ku dhjetëra e mijëra të dënuar me vdekje të futeshin në te.

 

Qytetarët habiteshin që sëmundja paraqitej në mënyrë të përzgjedhur (selektive) nëpër mëhallë të qytetit. Kishte, vallë hile edhe aty?… Sëmundja përhapej dhe fikej, falë gjeturisë së kundërveprimit të qetë, që në të vërtetë ngërthente kundërvënien më të ashpër, jo me infrastrukturë ushtarake, por me mospërfillje të urdhrave të pushtuesit. Prurja e plakave nga Malësija që i përdornin dregëzat e nxjerra nga hunda e të sëmurit që pastaj me anë të grrithjes në lëkurën e dorës dhe fërkimit me gjakun që shfaqet i futnin të sëmurit kundërmikrobin në trup dhe kështu i bëhej ballë sëmundjes. Plakat grithëse ishin shpërndarë në katundet e Malësisë e Rekës dhe kudo i kishin grrithur të sëmurët. “Pushtuesit e dinin mire që krahas çkombëtarimit, asimilimit dhe shuarjes së popujve të padëgjueshëm të prekin edhe qendrat nervore ku rrënohej intelekti i tyre dhe shkaktohen çrregullime mendore dhe shpirtërore që barten brez pas brezi…” ( Jusuf Buxhovi, Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit.1982). “Ndodhi të së djeshmes që kanë ndodhur në të nesërmen e sotme…”.

 

Imzot Gjon Nikollë Kazazi lindi në Gjakovë, më 1 janar 1702. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa studimet teologjike i filloi në Kolegjin Ilirik të Shën Pjetrit, i vazhdoi në Kolegjin e Shën Palit në Fermo e i kreu ne Kolegjin Ilirik të Loretos, ku studioi gramatikë, retorikë e filozofi. I nisi studimet kur ishte djalë i ri, 18 vjeç; i kreu në vitin 1727, kur mori edhe titullin doktor në filozofi e teologji. Po atë vit u shugurua meshtar. 41 vjeç do të shugurohej ipeshkëv i Shkupit. Sapo u kthye, kryeipeshkvi Mikel Suma, e emëroi misionar ne Prizren. Më pas kaloi nga Prizreni ne Gjakovë, për shërbim baritor, të cilin e kreu se bashku me dom Anton Teodorin.

 

Meqë dallohej për zgjuarsi dhe aftësi te veçantë, imzot Suma e emëroi dom Gjonin vikar të përgjithshëm. Me propozimin e Imzot Vinçenc Zmajeviqit, Kazazi u emërua vizitator apostolik i kryeipeshkvisë së Sofjes dhe ipeshkvisë së Nikopolit, në Bullgari. Me 23 shtator 1743, Papa Benedikti XIV e emëroi imzot Gjon Nikollë Kazazin kryeipeshkëv i Shkupit. Palion e mori në Romë, me 16 dhjetor 1743. Gjatë qëndrimit në Romë, në vitin 1743, imzot Kazazi zbuloi ne Bibliotekën e Propagandës Fide të vetmin ekzemplar të ruajtur deri më sot të ‘Mesharit’ të dom Gjon Buzukut, botuar ne vitin 1555. Kryeipeshkvi i Shkupit vdiq me 5 gusht te vitit 1752, duke lënë gjurmë të pashlyera ne historinë tonë dhe si zbulues i parë i librit më të vjetër të shtypur, që njihet deri me sot. Sipas të gjitha gjasave varri i tij gjendet ne rrethinën e Gjakovës.

 

Fahri Xharra,

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch