Home » Lajme, Ndërkombëtare » NATO i del krah Ukrainës

NATO i del krah Ukrainës

Samiti ne Angli 2014Shtetet perëndimore e kanë mbështetur Kievin me fjalë dhe me sanksione ekonomike kundër Moskës, por kanë bërë të qartë se nuk do të luftojnë për ta mbrojtur Ukrainën.

Presidenti i Ukrainës ka dëgjuar fjalë mbështetjeje nga udhëheqësit perëndimorë në një samit të NATO-s, të enjten, por një ofertë paqësore e Kremlinit ka dështuar që të ndërpresë luftimet në lindje, ku avancimet dramatike të rebelëve pro-rusë e kanë ndryshuar ekuilibrin e pushtetit në dëm të Kievit. Perëndimi beson se avancimi i rebelëve që nga java e kaluar është rezultat i një agresioni nga trupat e armatosura ruse, të dërguara matanë kufirit, dhe po mundohet të gjejë një zgjidhje për konfrontimin më të madh me Moskën që nga rënia e Murit të Berlinit.

Shtetet perëndimore e kanë mbështetur Kievin me fjalë dhe me sanksione ekonomike kundër Moskës, por gjithashtu kanë bërë të qartë se nuk do të luftojnë për të mbrojtur Ukrainën, ku rebelët janë ngritur në dy provinca pasi që Moska ka aneksuar gadishullin e Krimesë në mars.
Presidenti Petro Poroshenko është ftuar për t’u takuar me presidentin amerikan, Barack Obama, me Angela Merkelin e Gjermanisë, me François Hollanden e Francës dhe me udhëheqësit e tjerë perëndimorë në një samit të NATO-s në Uells, të organizuar nga David Cameron i Britanisë.

“Në lindje, Rusia e ka shqyer librin e rregullave me aneksimin e saj ilegal dhe të vetëshpallur të Krimesë, ndërsa trupat e saj në tokën ukrainase po kërcënojnë dhe po dëmtojë një shtet sovran”, kanë shkruar Obama dhe Cameron në një editorial të përbashkët. Hollande ka sjellë befasinë më të madhe para samitit: duke shtyrë dërgimin e një anije luftarake helikoptermbajtëse për Rusinë, një masë të cilës ai i kishte rezistuar që shumë kohë. Moska e ka akuzuar atë për gjunjëzim para trysnisë politike nga Shtetet e Bashkuara. “Reputacioni i Francës si partnere e besueshme që i kryen obligimet e saj kontraktuale është djegur në furrën e ambicieve politike amerikane”, ka shkruar në Facebook zëvendëszëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova.

Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë vlerësojnë se avancimi i rebelëve nuk do të mund të kishte ndodhur pa një agresion të hapur ushtarak nga radhët e armatosura të forcave ruse. Moska mohon se ka çuar trupa matanë kufirit, përkundër asaj që vendet perëndimore thonë se është dëshmi më se e qartë e pranisë së tyre. Udhëheqësit e NATO-s pritet të marrin hapa të rinj në samitin e tyre për të mbrojtur anëtarët e aleancës afër Ukrainës, përfshirë themelimin e një force të reagimit të shpejtë. Por, aleanca ka bërë të qartë se nuk do të luftojë për ta mbrojtur Ukrainën, që nuk është anëtare e saj. Perëndimorët janë mbështetur kryesisht në sanksione për ta ndëshkuar Moskën.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch