Home » Kulturë » Naun Kule – Mbi gjenezen e panaireve ne Shqiperi

Naun Kule – Mbi gjenezen e panaireve ne Shqiperi

P A N A I R E T – SI INSTITUCIONE KULTURORE, FETARE DHE TREGTARE

 

-Studim etnokulturor                            Shokë sot kam panair

Nga Naun Kule                      Shokë bëmëni sehir,

naunkule@gmail. com                       Sillmëni kupat e gostisë

Sillmëni shishet e rakisë…!

F. S. Noli, “Sulltani dhe kabineti”)

  “Karakteri i një populli përcaktohet edhe nga mënyra se si ai dëfrehet”  (Xh. Hobhauz, 1865)

Naun Kule

Gjeneza dhe historia e panaireve është e lashtë sa dëshira dhe kërkesa e njeriut për të parë dhe për tu rrëfyer, për tu njohur vet dhe njohur të tjerët, i bindur se kësisoj njihte vetveten. Kështu shtoheshin kërkesat për të mësuar dhe këmbyer mes njeri tjetrit gjithçka i mungonte apo i tepronte nga produktet e tij jetësore.

Në zanafillat e shoqërizimit të njeriut, shtysat e para për të grumbulluar komunitete të ndryshëm banorësh, vinin pikërisht nga ata që administronin asokohe jetën shpirtërore të popullatës. Dhe dihet, të parët e ndërmarrjeve të tilla ishin kultet fetare dhe njerëzit e tyre. Klerikët dhe istitucionet fetare nuk mund të mbijetonin pa turmat e besimtarëve mbledhur ndër kisha e manastire apo vende të shënjtëruara tek të cilët, luteshin dhe shpresonin. Duke shfrytëzuar pikërisht këto dimensione shpirtërore të besimtarëve, klerikët gjenin dhe shtonin arsyet që grumbullimet e njerëzve pranë qëndrave të kulteve të ishin sa më të shumta e më të shpeshta. Dhe, që njerëzit të kishin sa më shumë arsye dhe nxitje për tu mbledhur ndër to, lutjet dhe ceremonitë fetare mund të shoqëroheshin jo vetëm me psalje, liturgji e muzikë, por edhe me veprimtari të tjera jetësore për të cilat, njerëzit sa vinte dhe i rritnin kërkesat.

Kësisoj ato mund të ishin njëherësh besimtarë të devotshëm sa edhe blerës e shitës,  tregtarë e çertexhinj. Kështu dhe gradualisht në gatitjet për festat fetare të qyteteve kur niseshin në panaire, veç dhuratave për të shënjtin, njerëzit bënin gati edhe të hollat për të blerë ç’u mungonte ose përgatisnin mallrat që mund të tregtonin.

Kështu mendojmë se kemi ardhur deri në paraqitjen e njohur të panaireve të manastireve kur i shënjti përkujtohej në festën e përvitëshme. Ndër panaire të tillë tani nuk kemi më vetëm lutje, psallme dhe qirinj, por edhe një rrjet të gjërë e mjaft të pasur tregtimi me mallra të njohur e të panjohur, të vendit dhe të “frëngut”, të sjella deri nga vendet perëndimore për të cilat, popullsia e sidomos qytetet shqiptare të kohës, përbënin një treg të sigurtë dhe fitimprurës. Dhe doemos, organizimi i panaireve të tilla vinin nga vende dhe tregtarë që e njihnin gjëndjen ekonomike dhe atë zhvillimore të shqiptarëve.

Kështu psh, ”… në qytetin e Matit që në shekullin e 15-të bëhej panair deri dy herë në vit nga tregtarët venecianë dhe raguzianë” (S. Godo, libri “Skëndërbeu”, Tiranë, 1975, f. 8)

Por qëndrat e preferuara të panaireve qytetare për shqiptarët dhe sidomos për banorët e fushës së Adriatikut lindor, pra edhe të Myzeqesë, ishin ato që zhvilloheshin në qytetet fqinj të shteteve fqinjë, pra të Italisë dhe Greqisë. Kështu psh panairi i Janinës zgjaste dy javë dhe fillonte çdo 8 tetor në një shesh të madh jashtë qytetit.

 

“Barrakat e ngritura enkas për të, me ndarje si rrugicat e qyteteve ku në secilën tregtoheshin sende të veçanta. Kanë bërë vend edhe për tregtimin e gjedheve, lopë, dele dhe kuaj. Por janë lënë edhe shumë vatra të gjelbërta për grupet e valltarëve që do të dëfrejnë popullatën. Shumë mallra vijnë nga Triestja, Venediku dhe Malta. Ndërsa një e treta e tyre janë blerë nëpër portet e vegjël të Shqipërisë” (pra dhe nga portet grykëlumore të Myzeqesë-N. K. )

(Libri “Letra nga Shqipëria” nga Xhon K. Hobhauz, Londër, 1865, përkth. Dh. Qirjazi)

 

Kurse në panairin e Selanikut marrin pjesë

 

“…tregtarë nga gjithë shtetet e Ballkanit si edhe disa shtete kryesore të Europës… Vizitonjësit shqiptarë përfitojnë këtu jo vetëm nga pikëpamja ekonomike por më shumë sepse do shikojnë edhe rregullin që mbretëron në tërë shfaqjet e jetës kolektive dhe individuale”

(Revista “Java”, Tiranë, nr. 2, gusht 1937, f. 6)

 

Po kështu edhe në Fiera de Levante, në panairin e përvitëshëm të Barit (Itali) , ku marrin pjesë mbi 55 shtete,

 

“…sidomos për ne shqiptarët paraqet interes të jashtëzakonshëm, ndaj edhe arsyetohet pjesëmarrja e madhe e shqiptarëve atje” (Revista “Java”, Tiranë”, nr. 12, qershor, 1937. )

 

Këtu është rasti të kujtojmë se qëndra më e madhe qytetare e Myzeqesë, qyteti i Fierit, shkruhet se është emërtuar si e tillë pikërisht pas një veprimtarie të herëshme dhe të përvitëshme (shek 17-18) , të tregtarëve italianë të cilët, me mallrat e sjella përmes portit të Semanit (dhe jo vetëm-N. K. ) , organizonin panair në këtë vend ku më vonë u ngrit qyteti i Fierit. (Fiera-it, panair. Libri “Historia e Fierit”, nga Hysen Emiri)

Duke kaluar gradualisht nga qëndrat e kulteve fetare në organizime të qëndrave të mëdha qytetare, panairet, në kuptimin e vet klasik, gjithënjë e më shumë humbisnin pjesën më origjinale të gjenezës së tyre, pikërisht atë fetare, e cila, gjithënjë e më shumë plotësohej me aspekte tregtarë, për të ardhur në modele të tilla të panaireve të sotëm të cilët, janë shpërfaqje, ekspoze dhe arena të mëdha përfaqësimi biznesesh deri të disa vendeve bashkë.

Sigurisht, e tërë kjo metamorfozë shkonte paralel me kërkesat e reja dhe progresive të jetës qytetare dhe tendencave zhvillimore të saj, duke zëvëndësuar gradualisht vlerat morale të premtuara nga kleri dhe dogma, me vlerat e produkteve materiale si kërkesa të përditëshmërisë së njerëzve, për një jetë materialisht më të plot dhe më të emancipuar.

 

&&

 

PANAIRET E MYZEQESË

“… Biri i Myzeqesë kur del prej kësolles së vet dhe përpjek në ajër të lirë,

gëzon, dëfren, këndon e vallëzon dhe mandej, me një forcë shpirtnore te

rifitueme, bahet ma i gatshëm dhe ma i zellshëm me iu shtrue punës…”

Katër manastire njohim gjer më sot në Myzeqe në të cilët organizoheshin rregullisht panaire që lidhej me festimin e përvitëshëm në nderim të shënjtit të tyre.

Këta ishin manastiri i Apolonisë, i Ardenicës, i Kolkondasit dhe i Xengut. Ky i fundit ka funksionuar si i tillë deri nga çereku i parë i shekullit njëzetë. Ndoshta nga lëvizjet demografike të banorëve prej përmbytjeve të përvitëshme dhe lëvizjet e shtretërve të dy lumenjëve, Shkumbin dhe Seman (Genus dhe Aos) , funksionimi i këtij manastiri vjen e pakësohet gjer në zhbërjen përfundimtare pas vitit 1967, reformës antifetare të shtetit monist. Edhe pas rifillimit të qëndrave të kulteve fetare pas viteve 1990, manastiri i Xengut nuk u vu më në funksionet e dikurëshme, duke humbur kështu njëra nga tradicionet e kulteve në trevën e Myzeqesë.

Ndërsa manastiri i Kolkondasit, u ngrit në vitin 1814 mbi kishën e herëshme të shën Marisë në këtë fshat, me nismën dhe nxitjen ambicioze të Ali Pashë Tepelenës

(“për t’i marrë me të mirë myzeqarët…” E. Lier, 1848) , i pagëzuar me emrin e murgut Kozma-shën Kozmai, (Kozma Etoli, 1714-1779) , misionar grek, i dërguar nga Patriarkana e Stambollit në shërbim të Megaliidhesë, kundër gjuhës dhe shkollimit shqip. Në panairin e përvitëshëm në këtë manastir i cili, organizohej në kujtim të ditëvrasjes së murgut Kozma , 24 gusht, mblidheshin banorë të enorijes dhe gjithë Myzeqesë. Ardhësit më të largët gjithënjë ishin grëkërit (siç vazhdojnë edhe sot) , klerikë e nëpunës, zyrtarë me veladon dhe “studjonjës” me mjekër, të cilët, me praninë e tyre këtu, rreth varrit të Kozma Etolit (sot s’ka këtu as varr as eshtra të murgut) , i shënjtëruar nga sinodi i kishës greke në vitin 1961.

Pavarësisht synimeve grekomane dhe vorioepirote, në këtë manastir dikur zhvillohej një panair ku krahas klerikëve të lartë grekë që festonin (vrasjen…!?) e shënjtit të tyre, vinin edhe klerikë shqiptarë, sidomos të kishave dhe manastireve fqinjë. Doemos, kreu i kësaj aradhe ishte dhespoti i Beratit i cili, në nëntëdhjetë përqind të rasteve ishte grek,  (siç është edhe sot) . Pikërisht dhespoti- autoriteti më i lartë i kishave ortodokse të Myzeqesë,

organizonte dhe sponsorizonte deri në çdo gjë këtë panair në manastirin e Kolkondasit ku i luteshin zotit të prehte në parajsë shpirtin e murgut Kozma.

Pas këtyre lutjeve dhe ceremonialit liturgjik sipas nomeve të ortodoksisë, dhespoti me shpurën e lartë dhe miqtë e largët, shtrohej në darka e zijafete me mish të pjekur dhe verë të vjetër, në konakët e lartë të manastirit ndrequr e shtruar enkas për mysafir të kësaj sëre.

Ahengjet dhe sazexhinjtë e shumtë ardhur nga anë e anës bashkë me çertexhinj, tregtarë e xhambazë, të rinj e të reja që prisnin ditën a darkën të shihnin e këmbenin dy fjalë me të zgjedhurat e tyre apo të rrëfenin ç’dinin dhe ç’mund të bënin… Artizanët bënin aq rrugë për të sjellë gjer këtu ormisjet e tyre si rrogoza kashte a shporta thuprash, shalqinj të mëdhenjë sa një kokë bualli a bostanë të verdhë e të ëmbël si hoje mjalti, rrjeta peshku a kosha misri e gjahu, furka të shkruara me shtalpaz të bardha e bojë shpëndrash për gratë, nuse dhe çupa, që do tirnin nga shtëllungat e lirit, leshit a pambukut pajosjen për dhëndurrët takijebardhë dhe darovitë e shumta ndër krushqitë e reja.

Gjithë kjo natë e panairit ishte një natë e “bardhë” siç themi sot, për netët që gdhihen po ashtu, në këmbë e në këngë, në valle dhe lodra, rreth zjarreve qarkuar nga gardhe njerëzish të cilët, edhe pse mund të shiheshin së pari aty, i miqësonte hareja dhe gëzimi, motivet e përbashkëta për ta gëzuar dhe ngopur shpirtin me vlagun e moshës dhe me gjithçka që mungonte në atë djerrinë ekonomike dhe socialkulturore të kohës, duke e përjetuar sa më gjatë e sa më bukur, përtej kufijve të motmotit, kur i gjithë ky tradicion i shpërfaqur në art, në tregti dhe ceremoni fetare, do të përjetohet sërishmi më bukur dhe më hareshëm.

 

“Në manastirin e Kolkondasit (shen Kozma) , mërrijtëm pak vonë, në darkë. U gjetëm para një surprize; katër palë sazexhinj. Ahengu buçet në katër qoshet e manastirit. Populli këndon e dëfren në këtë natë të shënueme. Ka shumë të drejtë, pse myzeqarit, në përshtatëshmëri me klimën dhe natyrën e vëndit ku jeton i pastër dhe i panjollosun në gjak e në shpirt gjatë shekujve, i pëlqen shumë muzika sa e ndin në thellësitë e qenies . Me jonet e meloditë e kangëve e valleve të veta origjinale dhe pa peqatuna ka shfrye në ditë gëzimesh tue u munduem me i dhanë gjallni e shpresë jetës dhe po me ato jone ka dijtë të vajtojë robnin dy-tri fishe gjatë shekujve. Biri i Myzeqesë, kur del prej kësolles së vet dhe përpjek në ajër të lirë, gëzon, dëfren, këndon, vallëzon e mandej, me nje forcë shpirtnore të rifitueme bahet ma i gatshëm e i zellshëm me iu shtrum punës e cila, mjerisht deri më sot me mzi i siguron “bukën tonë të përditëshme”

Për nji ushqim të tillë shpirtnuer ka nevojë jo vetëm bujku, por edhe zanatjari, tregtari, nëpunësi, oficeri e deri prifti dhe hoxha…. Në mes të ahengjeve dhe të popullit, u vëndosëm në një tryezë të gjatë midis çardhakut të manastirit. Tryezën tonë e kryesonte i hirëshmi imzot A. Çamçe, Epishkop i Beratit. Ahengu, në të katër anët, ka mërri kulmin aq sa nuk iu durua dhe deputetit simpatik dhe plot gjallni shpirti z. Dr. Xoxës, pa ia marrë një kange vënçe me at za të ambël dhe harmonioz që ka. U kënaq populli, u kënaq sidomos katundari myzeqar që asht dyndë me madhnim në sheshin e manastirit. Në këtë atmosferë gëzimi e dëfrimi dhe prej joneve ekzaltuese qi lëshonte qemaneja e mjeshtrit Isuf nga Përmeti, z. Taq Bozo tregtar eksportator i njohur i vendit tonë, pothua e humbi fare prej gëzimit aq sa harroi zhukën dhe bagëtitë…

Po Sotir Bitri? Rri i heshtur pranë Hirësisë, siç e ka gjithënjë natyrë. Kur pa pritë urdhënon Isufin të marri vallen beratçe, kujtim i ambël i djalërisë së tij. Jonet e qemanes së Isufit në një anë dhe të gërnetës së Vangjelit në anë tjetër, e futun në një tas me ujë, përhapeshin në atmosferë në atë mënyrë sa zgjoi entusiazmin e Sotirit tonë. U ngrit, hop dhe, pasi qiti facoletën prej xhepit, me kambët e tij të shkurtëna, kënaqi popllin me një kërcim beratçe…” (Gazeta “Drita”, Tiranë, date 02 shtator, 1937, fq. 3)

 

Por panairi më emërmadh e i njohur gjer larg, i cili përmblidhte gjithë Myzeqenë dhe ardhës deri nga Berati, Kavaja e Vlora, ishte panairi që zhvillohej në Ardenicë. Festa e shën Marisë në këtë manastir zhvillohej në tetë shtator të çdo viti dhe përcillej si ngjarje rajonale. Për herëshmërinë e emrit të dëgjuar, funksionet e shumta si manastir dhe shkollë (deri me 200 konviktorë) , me bibliotekë të pasur dhe e njohur për librat e rrallë, për pasuritë dhe pronat e shumta të manastirit si toka e vreshta, ullishta dhe disa qindra krerë bagtish të imta, me disa mësues, murgjër dhe njerëz të ditur, ardhur këtu deri nga Akademia e njohur e Voskopojës. Shtoju gjithë këtyre pozicionin e mrekullueshëm të vendndodhjes së manastirit, në këtë ballkon të lartë dhe në kryqzime kaq të volitëshme rrugësh, për të mbledhur mijëra njerëz në manifestimin e përvitëshëm kulturor, fetar dhe tregtar . Autoritetet e larta klerikale dhe shtetërore ishin po aq të sërës së lartë sa zakonisht kulmonin me kryepeshkopin e Shqipërisë. Në historinë e këtyre panaireve të shekullit tetëmbëdhjetë, thuhet se në këtë manastir zbriste deri edhe Kurt Pashaj i Beratit i cili, në pesëdhjetë konakët e manastirit, kishte dhomat e tij ku vinte edhe për të veruar.

Si festa popullore e krahinës këto panaire shërbenin edhe

 

“… për të zbrujtur antagonizmën fetare duke bashkuar gjithë ardhësit, pavarësisht besimit fetar…

Midis dëgjonjësve të shumtë që asistonin në meshë, çquhej kryetari i komunitetit musliman i pasuar nga kryemyftiu…Sa bukur! Dikur fetë futeshin në antagonizmë mes tyre dhe shkaktonin dëme kolosale në fanatizmën e popullit. Sot, janë të vëllazëruara sikundër vet populli. . . . Ndër këto panaire shpesh herë merrnin pjesë edhe ambasadorët e Greqisë dhe të Sërbisë, të ardhur apostafat nga Tirana” (Rev. “Java”nr. 12, qershor, 1937, f. 5)

 

Duke shkruar për panairet në disa manastire të Myzeqesë dhe larg saj, kujtojmë se manifestime të tilla organizoheshin jo vetëm në qëndra kulti. Mendojmë se qëndrat e herëshme të kultit, mundësitë e grumbullimit ndër to, i kanë administruar edhe për të dëgjuar shërbesat fetare si edhe për të përhapur e besuar dogmën e tyre.

Por njohim edhe plot raste kur panaire të tillë apo të ngjashëm, organizoheshin edhe jashtë e larg qëndrave të kulteve, doemos ndër vende gjoja të shënjta e të shoqëruara nga bestytni të cilat i ushqente mentaliteti i kohës. Ndoshta në herëshmërinë e shoqërisë pagane, festat e njerëzve ishin të tilla kur ende s’ishin përvehtësuar e organizuar pranë qëndrave të kulteve. Një shëmbull i tillë është panairi i Divjakës i cili, zhvillohet në datën 28 gusht.

Po ku zhvillohet, a ka Divjaka manastir? Zoti dhe natyra i kanë falur Divjakës shumë më tepër se një manastir; detin në prag dhe pyllin e pishës buzë tij. Njerëzit i kanë bashkuar këtu përsosmërisht bukuritë e natyrës me gjithçka të mirë e të vlefshme, krijuar nga vet ai, për t’i shpërfaqur artistikisht në manifestimet e pervitëshme tradicionale.

 

“…Në bregdetin e Divjakës që në kohët e moçme bëheshin banjo deti në mesnatë nga banorët myzeqarë . Ndezin dhjetra zjarre buzë ujit, këndojnë e kërcejnë rreth tyre duke pritur mesnatën. Në këtë orë, futen në det me urime, të thirrura, të qeshura dhe këngët: Valë o valë e parë, na sill vit të mbarë/ Valë o valë e dytë, na bëjë

vet i dytë (beqarët) , Valë o valë e tretë, na bëjë vet i tretë (çiftet pa fëmijë) .

Njerëzia lahen, gëzojnë e këndojnë në ujë dhe anë zjarreve. Këto dëfrime na kujtojnë festat e Bah-ut që kishin grekërit dhe romakët e vjetër. Të nesërmen e kësaj nate të hareshme që e sosin kështu, tërë ardhësit e katundeve të Myzeqesë e gjer poshtë Beratit, vazhdojnë festimin tërë ditën me shitblerje, me këngë dhe valle…

. Panairi i Divjakës është nga më të bukurit e dheut ku pylli me pisha, një kilometër i gjërë e njëzetë hapa larg detit, ia shtojnë aq shumë hijeshinë. ”  (“Gazeta shqiptare”, Bari (Itali) , dt. 10 shtator, 1930)

 

Duke filluar nga dekadat e para të shekullit njëzetë këto panaire, pavarësisht se ku zhvilloheshin, në qytete a manastire, përveç funksioneve fetare, argëtuese dhe tregtare , nisin ta pasurojnë “axhendën dhe produktin” e tyre edhe me një komponent tjetër, atë të informacioneve zyrtare, administrative a shtetërore doemos, në pajtim me politikat qeverisëse të kohës dhe vendit. Dobia e kësaj pune ishte e madhe dhe e vlefëshme sidomos në gjëndjen e mungesës së plotë të informimit masiv elektronik dhe mediatik të atyre viteve. Edhe ato pak gazeta që shtypeshin në Tiranë a qytete të tjerë, as që mund të qarkullonin në gjithë katundet e Shqipërisë, por edhe atje ku shkonin, kuptohet ç’mund të lexonte dhe kuptonte nga gazetat e ditës popullsia jonë e asaj kohe, analfabete deri në 90%.

Në këto kushte, grumbullimet e njerëzve ndër panaire, ktheheshin shpesh në “auditorë” për oratorë dhe figura të njohur intelektualësh të kohës që flisnin para popullit për tema të ndryshme por të ndjeshme për vendin dhe hallet e kohës.

Po sjellim këtu vetëm një ligjëratë të shkurtër mbajtur nga intelektuali fierak, gazetar, politikan dhe publiçist i shquar i viteve tridhjetë të shekullit njëzetë, Dr. Zoji Xoxa, i mbajtur para ardhësve të shumtë në panairin e manastirit të Apolonisë që zhvillohej ditën e shën Marisë, më 15 gusht të vitit 1937:

 

“…Panairet kanë mundësinë t’i afrojnë pothuaj në një tryezë banorët e ndryshëm të Mbretërisë tonë, të cilët, pa të tilla raste nuk do mund të njiheshin ndoshta kurrë me shoshoqin… Është fakt i pamohueshëm se sa më shumë të bashkohemi si një trup i vetëm, i njinjishëm dhe i shëndetëshëm, aq më shumë shtohet fuqia e brëndëshme e një populli, e bashkimit dhe e qëndrimit të tij kundër çdo tentative rrënonjëse…. Bashkimi, qoftë edhe në pak ditë, sjellë mes nesh simpatira të reja që përfundojnë me dashuri të reja, sjellë atë frymë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi të domosdoshënm për shtysat e një popullate si e jona… Apolonia këtu nuk është vetëm vënd lutjesh. Ajo është kryesisht një tabllo e plotngjyrtë e historisë tonë të vjetër e cila po ringjallet.

Bashkëatdhetarët që festojne panairin sot këtu, në Pojan, po kqyrin sëafërmi edhe zbulimet e rëndësishme arkeologjike që janë bërë dhe po bëhen këtu…” (Gazeta “Drita”, Tiranë, nr . 230, datë 31 gusht, 1937, fq. 2)

 

Në një hapësirë vetëm prej disa dhjetra kilometrash të krahinës së Myzeqesë brënda vitit zhvilloheshin disa panaire të tilla cilët, për nga përmbajtja dhe prurjet shpirtërore që nxisnin, përbënin “festivalet folklorike” të kohës dhe të zonës. Është e qartë se së pari e mbi të gjitha ato janë manifestime të mëdha emancipuese në të cilat njerëzia, pavarësisht moshës, gjinisë dhe statusit social a fetar, gjenin rastin të shpërfaqeshin, të rrëfenin ç’ishin dhe ç’mund të arrinin duke i përcjellë njeri tjetrit oferta dhe vlera morale a materiale reciproke, kulturën dhe edukatën të kultivuar kësisoj dhe të përcjellë ndër breza. Nga e gjithë hapësira Berat-Durrës-Vlorë, mblidheshin besimtarë dhe tregtarë, sazexhinj e muzikëtarë zanatlinj, çertexhinj dhe këngëtarë të dëgjuar për të dëfryer njerëzinë me artin e mrekullueshëm të këngës, muzikës dhe vallëzimit.

 

“…Nën ullinj, bota dëfren !, përshkruan shtypi i kohës harenë popullore në një panair të Myzeqesë.

. -Ja, hidhen në valle edhe dy të rinj. Vajzat shikojnë herë fytyrat, herë këmbët e tyre. Gërrneta ia thotë beratçe sa njerëzisë zëmra i kërcen…!” (Rev. “Java”, Tiranë, 12 qershor, 1937, f. 5)

 

Dhe për ta mbyllur me të njëjtën hare dhe ngazëllim shpirtëror të pjesëmarrësve ndër to, mund të themi se panairet e kohës janë një dritare nga e shikojmë sot se sa e pasur dhe e shëndetëshme artistikisht ka qënë bota shpirtërore e popullit tonë, sa shumë e ka dashur dhe e ka ushqyer ai muzën dhe muzikën, melodinë e këngës dhe elegancën e valles, siç shtonte me ngjyrimet e veshjes larushinë e ylbertë, hijeshinë e burrit dhe fisnikërinë e sjelljes.

Prandaj në manifestime të tilla artistike, ku plekseshin gjithë bukuritë e shpirtit e të natyrës, të moshës dhe gjinisë, nuk mund të mos frymëzoheshin edhe krijuesit e kohës, jo vetëm për vizita dhe fjalime por edhe për krijime të bukura artistike.

Po sjell vetëm një krijim poetik të frymëzuar pikërisht në njërin nga këto panaire,  të shkruar nga krijuesi i kohës, Thanas Konomi, më vjeshtën e vitit 1937, nën titullin:

 

 

Në panair të fshatit tim

 

 

Fillon ahengu dhe vajzat zen’ e ndreqin,

të hedhurit e këmbës siç i ranë,

t’u ndjekin vallen nuseve q’e heqin

me dorë në mes dhe me shami më nj’anë.

 

 

Dhe vallja sapo vjen tuke u shtuar

E heqin vajza e nuse qafë-larta,

ca me flori në gush’ e kraharuar,

ca me çapraz e përushane t’arta.

 

 

Ca veshur me jelek e kadifera,

nur-puthura në gjum si kanerina,

shtat-gjata, gushë-bardha, sy-mëshqerra,

të gjitha një pas një si gjeraqina.

 

 

Hej, hej thërrasin pleqtë të shastisur,

Vështrojnë atë gjerdan margaritarësh,

Atë kurorë të nisur e stolisur,

Me bejka mali dhe syska katundarësh.

 

 

 

-Bjeri Musa, të lumshin ato duar,

Bjeri, këputi telat e vjolinës!

Thërrasin djemtë të kuqur, të hutuar,

Kur syri i tyre, pjek të gjeraqinës.

 

-Shif or aman sorkadhen që do Marku,

Se si ma thyen mesin e këputur!

-Bjeri më fortë Musa t’u theftë harku,

pa dreqi le ta marrë ku të jetë futur…!

 

 

Dhe qejfi sa po vjen dhe më po shtohet,

Gjëmon ahengu e fshati m’ është dehur,

Sa më në fund dhe vallja ngatërrohet,

Me djem të rinj dhe pleq mustaqe-ngrehur.

 

Vjeshtë, 1937.

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress