Home » Kulturë » Ndahet nga jeta: NDERIM PËR PEDAGOGUN DHE AKADEMIKUN ZIJA XHOLI

Ndahet nga jeta: NDERIM PËR PEDAGOGUN DHE AKADEMIKUN ZIJA XHOLI

Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

1.

Në vitet e studimeve në Fakultetin e Histori-Filologjisë, të Universitetit të Tiranës, bëri emër edhe një djalosh energjik, serioz në paraqitje, me sy paksa të mjergulluar e me një zë pak të ngjirrur. Ecte me hapa të ngadaltë dhe pothuajse gjithnjë mbante në dorë një çantë me dorezë, ndoshta, të mbushur me libra a sende të tjera të nevojshme. Të paktën unë, nuk e dija se nga cila krahinë  e vendit ishte. Megjithatë, shpejt na u bë i afërt dhe i dashur. Këtë gjë, ai e arriti me fjalën e ëmbël, taktin pedagogjik, sjelljen e përgjithshme të tij. Gjitnjë na mbeti e pashlyer në kujtesë pamja e fytyrës së tij, e ëmbël  dhe buzagase.

Në shkollën e mesme kishim dëgjuar pak gjëra për shkencën e filozofisë, për materializmin dialektik e historik. Por, në brendësi të këtyre lëndëve, mundëm të hynim vetëm, kur në Fakultet zhvilluam leksionet për to. Pedagog i materializmit historik, pra i lëndës që na qartësonte udhën e zhvillimit historik të njerëzimit, ishte pikërisht Zija Xholi. Vërtet në përgjithësi leksionet e kësaj lënde, si shumë të tjerave, ishin të politizuara, por megjithatë thelbi i kësaj shkence ishte mjaft interesant për ne studentët. Prandaj leksionet i ndiqnim me dëshirë dhe diskutonim e debatonim me zjarr në leksione dhe sidomos në seminare. Sigurisht, kjo ishte “aftësi” e vetë kësaj shkence, por meritë të veçantë e të padiskutuar kishte dhe vetë pedagogu i lëndës, prof. Xholi.

Gjatë kohës së studimeve, nuk kam pasur lidhje të veçanta me të. Por ai i donte dhe i respektonte, pothuajse njëlloj, të gjithë studentët, sidomos ata që ishin më punëtorë e sistematikë. Pas mbarimit të studimeve të larta, jemi parë e takuar shpesh, pasi gjithnjë ka qenë i pranishëm në veprimtaritë kombëtare e ndërkombëtare, kushtuar studimeve në fushat e albanologjisë etj. Kjo, sepse ai ka qenë kurdoherë njeri me interesa të gjëra, pra jo i dhënë vetëm pas një lënde të caktuar. Jam takuar e kemi bërë bashkë fotografi edhe pas viteve ’90-të. Një fotografi të tillë i kam bërë atij edhe bashkë me kolegun e tij, prof. Dhimitër Shuteriqi. Si përherë, ai mbeti njeri i mirë e dashamirës, i qetë, buzagas dhe i respektuar nga të gjithë ish-studentët dhe kolegët e tij.

Me sa mbaj mend, me prof. Zijain jam takuar e kam biseduar edhe  kur isha me punë në gazetën “Bashkimi”. Ndërsa, para një viti u botua  një intervistë e tij në faqet e gazetës “Mësuesi”, ku përsëri shpalosen pjesë nga jeta dhe personaliteti i tij. Ajo i kushtohej posaçërisht veprës së Sami Frashërit, “Shqipëria, ç’ka qenë, ç’ është dhe ç’ do të bëhet ?”, me rastin e 100-vjetorit të publikimit të saj. Ndër të tjera, prof. Xholi theksonte aty, se:

“Vepra e Sami Frashërit, në mënyrën se si është shkruar, me frymëzimin që e përshkon nga fillimi e deri në fund, ishte për shqiptarët një sihariq, një paralajmërim për ditët e bukura të lirisë dhe të pavarësisë së Shqipërisë…Në diturinë ai shihte rrugën më të sigurtë, nëpërmjet së cilës Shqipëria do të arrinte lirinë dhe do të ecte e sigurtë në rrugën e përparimit e të qytetërimit ose, siç shkruante ai me fjalë më të thjeshta, “prej diturisë rrjedhin mirëqënia dhe të gjitha të mirat e kësaj bote”( Gaz. “Mësuesi”, 26 prill 2001, faqe 5).

Si përherë, prof. Zijai u tregua dashamir e i gatshëm edhe sivjet, kur i kërkova të bisedonim e të bashkëpunonim për të shkruar diçka nga jeta dhe veprimtaria e tij: pedagog, mendimtar e  studiues. Dy takime të tilla i realizuam gjatë ditëve të Kampionatit Botëror të Futbollit. Si sportdashës, ai ishte  “i zënë” me këtë veprimtari, por po bënte dhe disa riparime në shtëpinë e tij, me synimin ta rregullonte vajzën, sa më mirë me banim… Sidoqoftë, një takim të tillë e bëmë në lokalin “Piemonte”, në afërsi të Stadiumit “Selman Stërmasi”, pasi aty diku afër e ka shtëpinë. Pasi  kafen e piu si me nxitim, i shpjegova kërkesat e mia për botimin tim të pritshëm, kushtuar pedagogëve të Fakultetit Histori-Filologji. I pëlqeu ky mendim dhe u tregua i gatshëm të më jepte disa kujtime për vitet e punës së tij, pedagog i filozofisë në Institutin e Lartë Pedagogjik dhe pastaj në Universitetin e Tiranës. Pjesë nga kujtimet e tij me shkrim, po i botoj në pjesën e fundit të këtij libri, me shënime e dokumente.

Nga ky takim me prof. Zijain, ruaj një kujtim të veçantë. Më parë atij i kisha dhënë me autograf librin tim “Nëpër udhët e shkollës shqipe”(Vatra diturie e atdhetarizmi), Tiranë, 2001. Me këtë rast, ai m’u  përgjigj “flakë për flakë”, duke më dhuruar  librin e tij, me titull: “Naim Frashëri”(midis së kaluarës dhe të sotmes-studime naimjane), Tiranë 1998. Në të, ai ka shkruar këto fjalë: “Muratit, me nderim e respekt”. Librin në fjalë e lexova me dëshirë dhe përmes tij m’u ndriçua dhe një herë më mirë figura e madhe e poetit, mendimtarit e  atdhetarit tonë të shquar. Si përmbledhje e mendimeve të shprehura, mendoj se janë  edhe këto radhë të prof. Zija Xholi:

“Me veprën dhe veprimtarinë e tij, Naimi i bëri shqiptarët-shqiptarë, njerëz anëtarë të një Kombi të përbashkët, që ka personalitetin e tij të veçantë psiko-kulturor, historinë dhe të ardhmen e tij;  i mësoi shqiptarët të kuptojnë se janë moralisht të formuar dhe politikisht të përgjegjshëm për fatet e tyre dhe për atë të Kombit të vet dhe jo anëtarë të pazë e të pavullnet të fisit, të drejtuar  në mënyrë autoritare nga i pari i tyre dhe nga normat stërgjyshore të kanuneve; ai u ktheu shqiptarëve fytyrën drejt Evropës dhe u dha atyre parullat e qytetërimit bashkëkohor perëndimor”.

Ndërsa më tej, ai vazhdonte:

“Naimi në veprën e tij zbuloi sërish Shqipërinë dhe e shpalli atë idealin më të lartë për popullin shqiptar. Si asnjë mendimtar i së kaluarës, para dhe pas tij, ai ka ditur t’u tregojë shqiptarëve se ç’është Shqipëria për ta: është e shtrenjët:- si mëma për fëmijën: “Shqipëri, o mëma ime,/ të kam mëmë e më ke djalë”;- është e dashur si nusja për djalin: “O nusja bukuroshe,/ që s’ plakesh kurrë në jetë”;-është një vend i veçantë, ekskluziv në botë:-”Nata etje është tjetër natë dhe dita tjetër ditë:-përbën nderin dhe krenarinë e secilit:-”Ti, Shqipëri, më jep nder,/ më jep emrin shqiptar”.

2.

Zija Xholi lindi në Korçë, më 25 prill 1923. I etur për dituri, u regjistrua në Liceun Kombëtar të  atij qyteti, të cilin e vazhdoi në vitet 1934-1943. U pajis me një kulturë të gjerë humaniste, të bazuar në latinishten dhe greqishten e vjetër, si dhe në gjuhën e kulturën bashkëkohore franceze. Aty u ndikua nga pedagogët e tij përparimtarë dhe u bashkua me shokët e shoqet, që kishin ndjenja antifashiste. Këtë gjë ai e shprehu dhe në veprimtaritë e ndryshme, që zhvilluan studentët e pedagogët e tyre. Kujtoj këtu edhe një shkrim të tij, kushtuar profesorit të njohur të Liceut të Korçës dhe, mjaft  vite më vonë, bashkëpedagog në Fakultetin Histori-Filologji, Prof. Selman Rizën.

Pas çlirimit të vendit tonë, Zijai i ri fitoi të drejtën për të vazhduar më tej studimet. Kështu, u regjistrua e  ndoqi Fakultetin e Filozofisë, në Universitetin e njohur të Rusisë, atë “Lomonosov” në Moskë. Mbas  përfundimit të studimeve të larta, u caktua pedagog i lëndës së filozofisë, në Institutin e Lartë Pedagogjik, përkrah mjaft figurave të njohura të arsimit dhe shkencës në vendin tonë. Më tej, me krijimin e Universitetit të Tiranës, në shtator të vitit 1957, vazhdoi të jepte atje lëndën e filozofisë dhe u bë një nga autorët e parë të teksteve mësimore, për këtë lëndë interesante.

Në vitet ’60-të, duke u bazuar në përvojën, që kishte fituar në dhënien e kësaj lende, bashkë me kolegët  tjerë të filozofisë, punoi pa rreshtur për çeljen dhe funksionimin e Fakultetit të Filozofisë, i pari në vendin tonë. Aty prof. Zijai nisi të jepte edhe lëndën e historisë së filozofisë botërore, duke u afirmuar pedagog i  përgatitur dhe i dashur për studentët. Gjithashtu, ai hulumtoi, studioi e botoi në fushën e historisë së mendimit filozofik në Shqipëri. Po më tepër iu përkushtua trajtimit të periudhës së Rilindjes sonë Kombatare dhe ideologëve të saj më të shquar, si Naim Frashëri, Sami Frashëri, Jani Vreto, Pashko Vasa, Hasan Tahsini e Petro N. Luarasi, për të cilët shkroi punime të posaçme.

Ai përgatiti e botoi këta libra:

-”Naim Frashëri, Jeta dhe veprat”;

-”Sami Frashëri, Jeta dhe veprat”;

-”Mendimtarë të Rilindjes Kombëtare”;

-”Mendimtarë shqiptarë të shek.XV-XVII”(dorëshkrim, që pret botimin).

Një punë të dobishme bëri prof. Zijai  për publikimin në shqip të veprave të mendimtarit të shquar, Sami Frashëri.

Duke çmuar veprimtarinë e pasur pedagogjike dhe studimet e tij shkencore,  Zija Xholit iu dha titulli shkencor “Profesor” dhe më 1972, me krijimin e  Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, u zgjodh anëtar i saj dhe mbeti deri në fundin e jetës anëtar aktiv i saj.

Në botimin e vitit 1996, Enciklopedia amerikane me famë botërore “Vho’s Vho in the Vorld” (Kush është kush në botë), e vendosi emrin e Profesorit nga Shqipëria,  Zija Xholi-Akademik, përkrah shkencëtarëve, shkrimtarëve, artistëve e  politikanëve më të dëgjuar në botë. Sigurisht, ky ishte një vlerësim i lartë dhe domethënës jo vetëm për të si individ, por dhe për vendin tonë.

Megjithëse në moshë  të thyer, prof. Zija Xholi ishte gjithnjë mjaft energjik dhe frytdhënës në punë. Me pasion e aktivisht ndoqi veprimtaritë e ndryshme shoqërore, shkencore, kulturore e arsimore etj. Në të njëjtën kohë, i vazhdoi studimet dhe botimet e tij në fushën e historisë së mendimit filozofik shqiptar, me artikuj, kumtesa e libra të ndryshëm. Ishte prind e bashkëshort shembullor dhe u nderua e u respektua jo vetëm nga fëmijët, nipërit e mbesat, por dhe nga kolegët, ish-studentët dhe të njohurit e tij të shumtë, anë e mbanë vendit.

Me ndarjen përgjithnjë nga jeta të Profesorit e Akademikut Zija Xholi, familja dhe të afërmit  humbën njeriun e tyre të dashur, ish-kolegët e ne ish-studentët pedagogun e tonë të mirë dhe të gjithë së bashku do ta kujtojmë përherë me nderim e respekt të veçantë.

(M.Gecaj, sipas librit “Filologë që nuk harrohen”, Tiranë, 2002;

fotot: nga autori)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch