Home » Kulturë » NDAHET NGA JETA PROF. DR. SHEFIK OSMANI

NDAHET NGA JETA PROF. DR. SHEFIK OSMANI

      

 

 

 

 

 

Nga: Prof. Murat Gecaj

        Isa Halilaj, “Mësues  i merituar”

 

 

 

 

 

 

 

Prof.Dr. Shefik Osmani

Pas një sëmundjeje të gjatë, dje pasdite, i mbylli sytë përgjithnjë, në Tiranë, prof.dr. Shefik Osmani.  Sot në mëngjes, në banesës së tij në kryeqytet,  shkuan mjaft kolegë, miq e bashkëpunëtorë dhe ish-nxënës. Ata ngushlluan bashkëshorten dhe  bashkëpunëtoren e pandarë të tij, “Mësuesen e Popullit” Urti Osmani, vëllain prof.dr.  Tomor Osmani dhe familjarë të tjerë. Pastaj trupi i pajetë i prof. Sh.Osmanit u përcoll, me nderime e respekt nga gjithë të pranishëmit, për në Shkodër. Mbi arkivolin e tij u vendosën  buqeta me lule të freskëta e kurora, në mes të cilave binte në sy ajo nga Shoqata e Arsimtarëve të Shqipërisë. Ceremonia e varrimit u zhvillua sot pasdite, në prani të shumë qytetarëve dhe personaliteteve të jetës arsimore, kulturore e shkencore të vendlindjes së tij.

x x  x

Prof. Dr. Shefik Osmani është njëri ndër  pedagogët e studiuesit më të shquar të fushës së arsimi dhe të mendimit pedagogjik shqiptar, didakt e publicist  i njohur,  botues i sa e sa veprave nga praktika pedagogjike e metodike etj. Është autori i veprës tashmë të njohur e unike, “Fjalori i Pedagogjisë”, për të cilën iu dha “Çmimi i Republikës”  dhe  një ndër bashkautorët kryesorë,  në veprën madhore “Historia e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar”.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shefik e Urti Osmani

Ka lindur në qytetin e Shkodrës së traditave të lashta atdhetare, arsimore, kulturore, letrare e shkencore, në vitin 1923. Me pasionin e të riut për dije e shkencë, ai iu përkushtua tërë jetën edukimit dhe mësimit të brezit të ri. Pas mbarimit të studimeve të larta për pedagogji jashtë vendit, shërbeu me përkushtim të veçantë në disa shkolla, që përgatitën mësuesit e rinj. Gjurmët e pashlyera të tij i gjejmë sot e kësaj dite, në qytetet Shkodër, Peshkopi e Tiranë. Më pas, vite të tëra shërbeu inspektor e gazetar në Ministrinë e Arsimit e Kulturës dhe punonjës shkencor në Institutin e Studimeve Pedagogjike.

Gjatë jetës së tij, prof.Shefik Osmani shkroi e publikoi shumë vepra didaktike e shkencore nga fusha e arsimit, si dhe qindra artikuj e studime, në gazeta e revista të ndryshme. Me aftësitë e pjekurinë e tij pedagogjike e shkencore, me zellin e këmbënguljen e dallueshme të tij për kërkime dhe studime të thelluara, arriti të shkruajë e publikojë afër 40 tituj librash kërkimorë, studimorë e shkencorë.

Në mes punimeve dhe botimeve të tij, një vend shumë të merituar zenë botimet për shkollat me mësim plotësues, në shërbim të fëmijëve të Diasporës Shqiptare. Është domethënës pohimi, në një shkrim të publikuar, për ndihmesën shumë të çmuar në këtë fushë të veprimtarisë së tij: “ Kur të shkruhet historia e Diasporës Shqiptare, krahas shumë pedagogëve të shquar, që janë marrë me rëndësinë e gjuhës amtare larg Atdheut ose me mësimin e gjuhës shqipe te brezat e rinj, një vend nderi i takon, padyshim, prof.dr. Shefik Osmanit”.

Gjithashtu, prof. Sh.Osmani, që në moshë të re,  e pati pasion të veçantë  edhe filetelinë, duke mbledhur e ruajtur qindra pulla postare, të periudhave të ndryshme historike në Shqipëri etj.

Abetare për fëmijët shqiptarë në Diasporë (Nga: Prof. Sh. Osmani e U.Osmani)

Për punën e palodhur dhe të shumanshme pedagogjike dhe kërkimin shkencor, në fushën e arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar, Shefik Osmanit iu dha grada “Doktor i Shkencave” dhe titulli “Profesor” e është nderuar me dekorata e urdhëra të ndryshëm, nga Presidenti i Republikë së Shqipërisë.

Ndihmesa  shumëvjeçare e tij, pedagog, studiues e botues në fushën e arsimit kombëtar shqiptar, do të kujtohen dhe vlerësohen jo vetëm sot, por ato do t’u qëndrojnë edhe viteve pasardhës.

Me këtë rast, e ngushllojmë bashkëshorten e prof. dr. Shefik Osmanit,Urtinë; vëllain Tomorin  dhe familjarët e tjerë, për humbjen e njeriut të tyre të dashur. Jemi të bindur se ky lajm i hidhur i pikëllon edhe të gjithë kolegët, ish-nxënësit, miqtë e dashamirët dhe bashkëpunëtorët e tij të shumtë, si brenda e jashtë Shqipërisë.

I paharruar qoftë kujtimi i tij!

Tiranë, 22 korrik 2012

One Response

  1. Nexhmije thotë:

    Prof dr.Shefik Osmani- zeri i shkolles shqipe ne mergim
    Me dhimbje te thelle e trishtim mora lajmin e hidhur per ndarjen nga jeta te Prof dr Shefik Osmanit. Zonja Urti, familja e ngusht, ka humbur nje njeri te dashur, ndersa bota shkencore, pedagogjia-didaktika ne Shqiperi e me gjere, ka humbur nje nga emrat me te medhenj te kultures dhe artit, ka humbur shkencetarin qe per gjysme shekulli dhuroi vepra qe do te jetojne gjithmone! Prof Dr Shefik Osmani – zeri qe artikuloi identitetin e shqiptareve jashte atdheut do te na mungoi te gjitheve..Krijimtaria e tij dhe miqesia qe kishte krijuar per vite me mesuesit jashte atdheut ndihmoi shume qe Shkolla Shqipe te kete vendin e merituar ne Zvicer, Gjermani, Suedi kudo ne Evrope. Mesuesi yne i madh prof dr Shefiku na la shume, nje veprimtari te tere, e cila do te jete nje pasuri kombetare shkencore, arsimore e jona. Ai do te jete perhere ne kujtimet tona dhe puna e tij do te sherbej si frymezim me i mire per femijet tane, per brezat e tjere qe do te vijen, duke mbjell gjithnje dashurine mes njerezve.
    Qofte i paharrueshem kujtimi i tij!

    Nexhmije Mehmetaj, mesuese – Zvicer.

    Prishtine, 25 korrik 2012

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch