Home » Kulturë, Lajme » NDERIM E KUJTIM, PËR MËSUESIT DHE PEGAGOGËT TANË…

NDERIM E KUJTIM, PËR MËSUESIT DHE PEGAGOGËT TANË…

Murat Gecaj-2Nga: MURAT GECAJ

 

1.

Sot është data 7 Mars 2014…Sapo u zgjova, më mori në telefon mbesa Dorelë. Ajo ishte e gëzuar, por dhe e emocionuar. Më tregoi se kishte përgatitur një buqetë të bukur me lule të freskëta dhe do t’ia dhuronte mësueses së saj, Almës, me rastin e Festës sonë të përbashkët. Por dhe do të merrte pjesë në koncertin, që do të organizohej, me këtë rast, në shkollën e tyre 9-vjeçare.

Ndërsa po fliste Dorela, mendja më “fluturoi” në shumë vite të shkuara. Ishte periudha e pasçlirimit, kur nisa mësimet e klasës së parë. Lokali i shkollës sonë ishte hapur në ish-xhaminë e fshatit Bujan dhe një vit më vonë shkuam në një ndërtesë të posaçme. Mësuesi ynë ishte djaloshi nga Kukësi, Rifat Domi. Nuk do të flas gjatë, por vetëm shënoj këtu se gjithnjë e kam ruajtur nderimin dhe respektin e veçantë për të. Bile, pak vite më parë, mora vesh se biri i tij, Muhameti, ishte drejtor në një shkollë të kryeqaytetit Tiranë dhe kjo vazhdimësi më kënaqi. Më pas, në një veprimtari për Ditën e Mësuesit, u takova me atë dhe i fola me respekt të veçantë për të jatin, i cili ka kohë që është ndarë nga jeta.

Në vitet vazhduese, në fshatin tonë Bujan dhe në qendrën e rrethit të Tropojës, Kolgecaj (tani qyteti “Bajram Curri”), ku ishte çelur shkolla 7-vjeçare, patëm disa mësues, të ardhur nga Shkodra, Kruja dhe deri nga Elbasani, misionarë të dritës e diturisë.  Ndër ta, më kujtohen mirë: Liri Turku e Sopot Shehetila, Ali Sahatçia e Selaudin Terihati, por dhe  Ndoc Çurçia, Mark  Temali, Burhan Hoti e të tjerë…Nuk e kishin mbaruar arsimin e lartë, por kishin në gji pasionin e përkushtimin, për të na mësuar dhe edukuar sa më mirë.

2.

Në shtator të vitit 1957,  pas instituteve të larta arsimore, në Tiranë i çeli dyert Universiteti i Tiranës. Në auditorët e tij u ulën qindra djem e vajza, të cilët i kishin pasur prindërit analfabetë, ndër të cilët isha edhe unë. Në leksione e seminare, në degën e gjuhës e letërsisë shqipe, patëm shumë pedagogë e profesorë të njohur. Emrat e tyre na shoqëruan tërë jetën, në punët dhe profesionet tona. Duke kërkuar ndjesë për të gjithë ata, po veçoj këtu vetëm emrat e disave prej tyre. Ne ishim mjaft të nderuar, që na dhanë dituri e kulturë, figura të shquara të arsimit, kulturës dhe shkencës kombëtare shqiptare, si Akademikët e profesorët: Eqrem Çabej, Aleks Buda, Androkli Kostallari, Shaban Demiraj, Dhimitër Shuteriqi, Mahir Domi, Zihni Sako, Myzafer Xhaxhiu, Bujar Hoxha, Selman Riza, Zija Xholi, Mark Gurakuqi, Jorgji Gjinari e të tjerë. Atyre ua kushtova librin tim modest, “Filologë që nuk harrohen” (Tiranë, 2002). Ndërsa për njërin nga ata, për prof. Bedri Dedjen, vite më vonë përgatita një libër të veçantë, me shkrime e kujtime të disa autorëve (“Bedri Dedja, në kujtesën tonë”, Tiranë, 2010).

3.

Vitet rrjedhin, si ujët e kulluar të Valbonës kaltëroshe. Po kështu, nderimi e kujtimi ynë për mësuesit e pedagogët tanë, mbetet po gjithnjë i freskët. Me sytë e mendjes e të zemrës edhe kur ne u tubuam e festuam, së bashku, 50-vjetorin e mbarimit të studimeve të larta (Tiranë, 2002), përsëri ata i kishim pranë, gjithnjë të paharruar. Kemi besim e shpresë, se këto ndjesi të bukura do t’i kenë e do t’i përçojnë edhe brezat tanë pasardhës. Se mësuesit e pedagogët e përkushtuar, nuk kursejnë asgjë nga vetja e tyre, shkrijnë endergjitë mendore, shpirtërore  e fizike, që nxënësit e studentët e tyre të bëhen më të aftë e më zotë, se ata, për jetën. Kështu, Atdheu ynë i përbashkët dhe të gjitha trojet tona amtare do të ecin në udhën e begatisë e përparimit të sigurtë dhe të pandalshëm, në Bashkësinë Europiane e më gjerë.

…E përfytyroj tani mbesën Dorelë, me buqetën e luleve në dorë, që vrapon drejt mësueses së saj dhe e përqafon atë, me dashuri e respekt. E, qindra e mijëra fëmijë tanë kanë vepruar sot, ashtu si ajo, në Festën e Arsimit Kombëtar Shqiptar.

Tiranë, 7 Mars 2014

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch