Home » Kulturë, Lajme » Ndërroi jetë regjisorja Arzana Kraja

Ndërroi jetë regjisorja Arzana Kraja

Mëngjesin e së mërkurës në Prishtinë ka ndërruar jetë regjisorja Arzana Kraja.

Qendra Kinematografike e Kosovës ka thënë përmes një postimi në rrjetin social Facebook se angazhimi i regjisores Kraja në fushën kinematografisë ishte i jashtëzakonshëm.

“Jemi të shokuar nga lajmi për vdekjen e regjisores Arzana Kraja! Angazhimi i saj në fushën e kinematografisë ishte i jashtëzakonshëm. Ngushëllime familjes, miqve dhe të gjithë bashkëpunëtorëve”, është thënë mes tjerash në njoftim.

Policia e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë vdekjen e një personi të gjinisë femërore me inicialet A.K, dhe se ka dalë në vendin e ngjarjes pas informatave për një trup të pajetë.

Zyrtarët policorë po ashtu kanë thënë se ky rast po konsiderohet si “vdekje e dyshimtë”, derisa të publikohet raporti i obduksionit.

Kraja njihet për filmat “Shkurta” dhe “Fusha e mëllenjave”.

Arzana Kraja është vajza e Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja.

Komuniteti artistik në Kosovë dhe miq të saj janë shprehur të mërzitur dhe kanë shprehur ngushëllime për regjisoren e ndjerë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Arzana ka kontribuuar shumë në kinematografinë e Kosovës.

“Vdekja e regjisores Arzana Kraja është lajm i trishtë për të gjithë ne. Ajo i dha shumë kinematografisë sonë me talentin e saj dhe ishte shumë e re për t’u ndarë nga jeta. Ngushëllime familjes Kraja, miqve të Arzanës dhe gjithë komunitetit artistik dhe kulturor në vendin tonë”, është shprehur presidenti në një postim në Facebook.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch