Home » Opinione » Ndëshkimi për PLDAAKR

Ndëshkimi për PLDAAKR

Nuk ka nevojë të jesh shkencëtar a filozof që të kuptosh se shumica e partive në Kosovë, atyre që përbëjnë establishmentin aktual, janë të bashkuara në qëllimin jofisnik, për ta vijuar abuzimin me pushtetin e me shtetin, me buxhetin e me pronën në Kosovë.

 

Për të marrë vesh se partitë në Kosovë janë bërë bashkë, e se ky bashkëpunim sa vjen e thellohet, gjatë viteve, nuk ka nevojë as për gazetari hulumtuese të thellë. Mjafton të shohësh aktivitetin publik të këtyre partive me një sy sadopak analitik. Në mandatin 2002-2006 (mandat i pushtetit lokal) u bënë disa koalicione në mes këtyre partive, për shembull, në Komunën e Shtërpcës koalicioni LDK-PDK, në atë të Deçanit koalicioni ndërmjet AAK-së dhe PDK-së, në Kastriot  koalicioni LDK-AAK dhe në Lipjan koalicioni LDK-PDK.

 

Në vitin 2007 bashkëpunimi i këtyre partive vazhdoi të thellohet. Pas këtyre zgjedhjeve lokale në gjashtë komuna u arritën koalicione. Në Komunën Klinës koalicioni ndërmjet PDK-së dhe LDD-së, në Shtërpcë koalicioni PDK-LDK, në Gjakovë koalicioni AAK-AKR, në Kastriot koalicioni LDK-AAK, në Lipjan koalicioni PDK-AKR dhe në Mitrovicë koalicioni PDK-AKR.

 

Në vitin 2009 u bënë dhjetë koalicione lokale ndërmjet këtyre partive gjithandej Kosovës. Në Komunën e Prishtinës u arrit koalicioni në mes LDK-së dhe PDK-së, në Besianë koalicioni në mes LDK-së dhe AKR-së, në Gjilan koalicioni PDK-AKR, në Klinë koalicioni në mes PDK-së dhe LDK-së, në Pejë koalicioni AAK-LDD, në Vushtrri koalicioni PDK-AKR, në Junik koalicioni AAK-PDK, në Mitrovicë koalicioni PDK-AKR, në Kastriot koalicioni LDK-AAK, dhe në Lipjan koalicioni PDK-AKR-LDD.

 

Përveç nivelit lokal, këto parti kanë qenë të bashkuara edhe në atë qendror. Gjatë viteve 2001-2004 në koalicion kanë qenë LDK, PDK dhe AAK. Në vitet 2004-2007 në bashkëqeverisje ishin LDK dhe AAK. Ndërkaq, gjatë viteve 2007-2010 në qeverisje ishin PDK dhe LDK. Që nga viti 2010, PDK bashkëqeveris me AKR-në.

 

Rezultati? Dihet tashmë, rezultati është ky që shohim, rrënimi i jetës qytetare e politike në Kosovë, varfërimi i vendit e i shoqërisë, dhe shndërrimi i gjithë optimizmit që pasoi çlirimin në një pesimizëm të zymtë. Sot qytetari i Kosovës, që deri para disa vitesh konsiderohej si më entuziasti ndër evropianë, gjithë ditën mendon të largohet prej Kosovës. Madje as pamjet e stërpërsëritura televizive, me kampet e refugjatëve në Hungari apo me jetesën poshtë urave në Francë nuk po ia ndërrojnë mendjen. Me sa duket, bashkëqeverisjet “e suksesshme” të atyre që ia japin vetes gratis epitetin “institucionalist” apo “evropian”, e kanë bindur shqiptarin se është më mirë nën dhunën e burgjeve të Hungarisë, sesa në Kosovën e shkatërruar prej oreksit të pandalshëm e kriminal të PLDAAKR-së.

 

Por vorbullën vicioze ku ky establishment po synon ta zhysë Kosovën e ndërpret diçka, që tashmë nuk mund të quhet më surprizë, apo e papritur. Kjo është Lëvizja VETËVENDOSJE!, një forcë e re, e organizuar rreth një koncepti kombëtar, dhe rreth vlerave politike e morale që e vendosin përkundër pesë partive simotra, të cilat tashmë janë në defensivë. Lëvizja, sikur edhe në zgjedhjet e vitit 2010 edhe për këto zgjedhje lokale është angazhuar e mobilizuar shumë  që t’ua kthejë qytetarëve komunën, buxhetin edhe mirëqenien. Qenia dhe veprimi i VETËVENDOSJE!-s dëshmon që në esencë partitë e pushtetit janë i njëjti subjekt me disa fraksione. Po të mos ishte Lëvizja, ato njëmend do të dukeshin gabimisht të dallueshme prej njëra-tjetrës.

 

Duket qartë se establishmentit nuk i intereson ndryshimi. Fundja cili është ai bandit që e lëshon vullnetarisht prenë? Por, disponimi i publikut është i dukshëm për ndryshimin, e jo veç për ndryshimin e emrit të qeverisësit, por për një Ndryshim thelbësor. Për këtë arsye PLDAAKR-ja ka interes që qytetarët të mos dalin të votojnë në 3 nëntor. Ata do të përpiqen përmes makinerisë së tyre të propagandës që të forcojnë apatinë qytetare, duke pretenduar se të gjithë janë njësoj. Në vizionin e hajnit s’mund të ketë veçse viktima dhe hajna. Por ky nuk është vizioni i jonë, e nuk është as vizioni i qytetarëve të Kosovës.

 

Pra, në 3 nëntor, porosia ime është që secili prej jush të votojë, madje të njoftojë dhe të tjerët se duhet votuar. Përdoreni votën si ndëshkim për PLDAAKR-në, sepse vetëm kështu do t’i hapet rruga ndryshimit.

 

 

Albin Kurti

Prishtinë, 29 tetor 2013

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch