Home » Lajme, Opinione » Ndikimi i Listës serbe në politikëbërjen kosovare

Ndikimi i Listës serbe në politikëbërjen kosovare


Nehat Hyseni-3
Shkruan: Nehat Hyseni

Shtetndërtimi i Republikës së Kosovës është duke u përballur me sfida të ndryshme, që kanë të bëjnë me ndërtimin e institucioneve shtetërore, si dhe me ushtrimin dhe shtrirjen sovranitetit shtetëror në tërë territorin e vet.
Gjithësesi, sfidat më të mëdha vijnë nga problemet që krijohen me refuzimin e shtetësisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovë nga serbët e Veriut dhe të një pjese të enklavave serbe të Kosovës, që janë të mbështetura dhe të finacuara nga Serbia.

Ndërkaq, ndikimi i Listës serbe në koalicionin e ardhshëm qeveritar do të varet në rend të parë prej asaj se a do të mund të krijohet shumica parlamentare pa serbët.

Koalicionit paszgjedhor LDK-AAK-Nisma numëron 47 deputetë, dhe i nevoiten edhe votat e Lëvizjes Vetëvendosje, që numëron gjithsej 16 deputetë,  për të krijuar shumicën parlamentare nga 63 deputetët shqiptarë.
Vetëm nëse arrihet marrëveshja e koalicionit midis tyre do të mund të zvogëlohej varshmëria dhe ndikimi i politikbërjes së Qeverisë kosovare nga deputetët e Listës serbe.
Por, meqë marrëveshja me Lëvizjen Vetëvendosja duket fare e largët, madje e pamundur, ashtu si edhe ndonjë marrëveshje eventuale e ndonjërës nga partitë politike shqiptare me PDK-në,  ekziston rreziku real që formimi dhe funksionimi i Qeverisë së re të varet nga votat serbe.

Pra, vetëm poqese nuk arrihet ndonjë marrëveshje kompromisi në ditët në vijim midis Koalicionit paszgjedhor dhe Lëvizjes Vetëvendosje, atëherë do fuqizohej  rëndësia dhe ndikimi i deputetëve serbë në Qeverinë e re, ashtu si edhe në Qeverinë në largim  të udhëhequr nga Hashim Thaçi.

Në atë rast do të varej funksionimi i Qeverisë nga (9) votat serbe dhe votimin e mbështetjen e tyre do ta kushtëzonin me plotësimin e kërkesave të tyre, të cilat shpeshëherë janë diametralisht të kundërta me interesat e shtetit të Republikës së Kosovës.

Koalicioni paszgjedhor LDK-AAK-Nisma, si duket, aktrualisht gjendet midis “kudhrës dhe çekanit”, dmth. midis trysnisë së ndërkombëtarëve që nga ky koalicion qeverisës të përjashtohet, apo më mirë të themi të mos përfshihet fare Lëvizja Vetvendosje, për shkak të qëndrimeve të saj të ngurta lidhur me Dialogun Kosovë-Serbi, pastaj për procesin e privatizimit të PTK-së dhe ndërmarrjeve tjera publike,për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, etj. Pra, ata mendojnë se bashkëngjitja e Vetëvendosjes me koalicioni qeverisës, vetëm sa do t’i komplikoj gjërat, prandaj preferojnë që ta lëjnë në opozitë.

Ndërkaq, opinion shqiptar i Kosovës mirëpret bashkëngjitjen e Vetëvendosjes koalicionit LDK-AAK-Nisma, që numërojnë gjithsej 47 deputetë dhe Lëvizja Vetëvendosje 16 deputetë, do ta krijonin mazhorancën shqiptare prej 63 deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Në këtë mënyrë do të zvogëlohej ndikimi i Listës serbe dhe i minoriteteve tjera, që të gjitha së bashku përbëjnë 83 deputetë, ose shumicën e mbi 2/3 të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Si janë duke shkuar deri më tani punët, arritja e marrëveshjes për bashkëngjitje të Vetëvendosjes duket akoma i largët, prandaj edhe deklaratat e politikanëve serbë nga Serbia dhe nga Kosova gjithënjë e më tepër po i shpeshtojnë deklaratat e tyre se Lista serbe do të ketë rol të rëndësishëm në formimin e Qeverisë së ardhëshme. Ata gjithësesi e mbështesin pozitën refuzuese të Vetëvendosjes, meqë pozita e tyre favorizohet  dhe i bënë ata faktor të rëndësishëm të poilitikbërjes kosovare, ashtu siç ishte rasti edhe me Qeverinë Thaçi.

Prandaj, duket situatë paradoksale që Lëvizja Vetëvendosje, duke mbajtur qëndrim  radikal, në mënyrë implicite e favorizon elementin serb në vendimmarrjen dhe në politikbërjen kosovare, në mandatin e ardhshëm katërvjeçar 2014-2018.

Ndoshta edhe kjo është arsyeja se pse koalicioni paszgjedhor nuk këmbëngulë që me çdo kusht ta kyç Vetëvendosjen në koalicionin bashkëqeverisës. Madje ngurrohet edhe nga shkaku se kyçja e Vetëvendosjes do të mund të shkaktonte kokëçarje më të madhe me qëndrimet e saja radikale, se sad dobi qeverisjes së ardhëshme të Kosovës.

Pritet që situata të qartësohet pas séances dëgjimore pranë Gjykatës Kushtetuese, të caktuar për 21 gusht 2014. Ndërkaq, pritet që vendimi definitiv i Kushtetueses të merret deri më 25 gusht 2014, meqë nga një shtatori tre gjykatësve ndërkombëtarë të kësaj Gjykate u skadon mandati dhe Kushtetuesja do të mbetej vetëm me pesë gjykatës vendorë, dmth. pa kuorum të domosdoshëm për vendimmarrje.

Ndoshta pas vendimit të Kushtetueses do ta ketë më lehtë Lëvizja Vetëvendosje të merr vendimin definitive për bashkëngjitje ose jo koalicionit LDK-AAK-Nisma.

Pra, siç e pamë, lufta midis partive poltike shqiptare për pushtet dhe pamundësia e krijimit të mazhorancës qeverisëse nga shqiptarët paraqet sfidë dhe u siguron minoriteteve e sidomos Listës serbe hapsirë veprimi dhe rëndësi më të madhe politike, meqë Qeveria e kaluar Thaçi ishte e varur nga votat serbe, kurse gjasat janë shumë të mëdha që edhe Qeveria e ardhëshme Haradinaj, poqese nuk kyçet Vetëvendosja,  të varet nga votat e deputetëve serbë.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch