Home » Opinione » Ndryshimet duhet filluar nga qendra

Ndryshimet duhet filluar nga qendra

XHAVIT ÇITAKUShkruan: XHAVIT ÇITAKU

Sa më la përshtypje një paraqitje e liderit të AAK-së, Ramush Haradinajt, në rrjetin social pas një mbledhje që kishte pasur me strukturat e larta të këtij subjekti politik. Në të vërtetë, më shumë ishte një artikull i bukur gazetaresk se sa ndonjë mesazh politik që do të forconte bindjen e anëtarësisë dhe të qytetarëve për diçka serioze  që do zhvillohet nga ai moment kur kishte përfunduar ai takim. Nuk ishte politik sepse më shumë ishte një shkrim hulumtues që kishte të bënte me akuzat që një kohë të gjatë kishin të bënin me haraçin, që flitej e përflitej se ose janë njerëz të afërm të këtij subjekti apo ndoshta edhe ata që e bëjnë këtë punë kriminale e thirrën në emër të saj. Dhe menjëherë shtrohet pyetja se ku ishin deri me tash këto struktura që nuk e trajtonin këtë akuzë tejet të rëndë me kohë dhe t’iu hiqet qafe kjo barrë kaq e madhe njëherë e përgjithmonë, apo u desh që kjo humbje e radhës t’ua kthjell mendjen liderit të partisë dhe të tjerëve se ndoshta aktualizimi i kësaj teme më herët do të kishte sjell suksese pozitive në mbështetjen nga elektorati.

Nuk mjafton vetëm pranimi i gabimeve

Deri me tash nuk kemi pasur rastin të dëgjojmë nga liderët tanë se gjatë punës së tyre kanë gabuar, duke e hedhur fajin për dështime diku tjetër, sidomos, në shkaqe objektive. Mirëpo, kësaj radhe Haradinaj na u bë “korrekt” dhe pranoj se deri me tash kishte gabuar. Dhe për ato gabime që kishte bërë, ai mendon se duhet bërë një reformim të dukshëm në parti, duke ftuar që këtij subjekti t’i bashkohen numër sa më i madh i intelektualëve dhe njerëzve tjerë kompetent për të bërë ndryshime në të ardhmen, por edhe duke i larguar ata që eventualisht janë të “ përzier” në akte kriminale. Këto synime për të sjell diçka të mirë në Kosovën e pasluftës gjithnjë  ishin në platformën e programit të këtij subjekti që nga formimi i saj, mirëpo asnjëherë nuk gjetën përkrahje nga qytetarët, për të cilën gjë flasin të dhënat e rezultateve pas zgjedhore ku asnjëherë nuk fitoi besimin e më shumë se dhjetë për qind të votave. A është gabimi me këtë rast i mosdijes së organizimit partiak për të bind numër më të madh të qytetarëve se ky subjekt është zgjedhja e duhur për ardhmërinë e Kosovës dhe prosperitetin e banorëve të saj, apo faji e gabimi është krejt diku tjetër . Lideri partiak pranoi se ka bërë gabime, por cilat ishin ato gabime nuk arritëm t’i mësojmë. Nuk mjafton vetëm pranimi i fajit, sepse gabimet e përsëritura tash e sa vite duhet të sjellin edhe pasoja mbi ata që aq shumë i sollën dëm partisë që kurrë nuk arriti numrin dyshifror të votës së elektoratit prej se merr pjesë në zgjedhje AAK. Në fakt,desha ta them se pasojat duhet t’i bart lidershipi, i cili është përgjegjësi kryesor i të gjitha zhvillimeve të deritashme politike, të korrat e të cilave ishin shumë larg synimeve që kishin propaganduar dhe që i kishin realizuar në të vërtetë.

Ramushi e dëshironte vetëm postin e Kryeministrit

Nga momenti kur Haradinaj arriti që të “ shijoj” pozitën e Kryeministrit për rreth tre muaj, nuk kemi patur rastin të dëgjojmë aq shumë  nga liderët tjerë të këtë më shumë vendosshmëri për t’u ulur sërish në karrigën e të parit të qeverisë se sa ky lider i AAK-së. Jo vetëm bashkëpartiaket e tij por edhe ai vetë pa u hamendur fare më kë u takua e më kë pati ndej nuk e la pa e përmend synimin e tij për t’u bërë kryeminister, ngaqë, sipas tij, vetëm ai është zgjedhja e duhur. Bile na kujtohet me një rast kur pati thënë se vetëm lë të udhëheq ai qeverinë se këtë mund ta bëj edhe pa e pasur asnjë minister nga partia e tij, Apo rasti tjetër kur u lirua nga burgu si i pafajshëm, turr e vrap, filloi të kontaktoj me Kryeministrin e atëhershëm Thaçi për t’ia lëshuar vendin, pa respektuar rregullat e përcaktuara të sistemit zgjedhor. Pikërisht ky apetit sikur u konsumua shumë lehtë nga qytetarët të cilët menduan ndryshe, përkatësisht i thanë jo dhe votën e besimin ia dhanë dikujt  tjetër që duhet të vijë në pushtet edhe për katër vjetët e ardhshëm.

Apetite të tepruara të partive të vogla

Zgjedhjet i fitoi PDK e cila në Parlament ka 26 deputet më shumë se AAK. Aty ishte besimi, aty ishte programi joshës që e bindi elektoratin se programi i saj ofron zgjidhje të duhura, por edhe që lideri i saj  e ka atë fuqinë politike, por edhe diplomatike për të vazhduar me politikat e saj të ndërtimit të vendit. Kështu vendosi verdikti i popullit dhe pikë. Ndaj kërkesa e Haradinajt edhe pas përfundimit të zgjedhjeve të bëhet Kryeminister ishte e pajustifikueshme dhe e pa bazuar në rezultatin paszgjedhor.

Në asnjë rast, në cilindo shtet, nuk mund të dëgjosh që një parti që nuk e ka fituar besimin qytetar të këtë kërkuar postin e të parit të qeverisë ashtu siç bëri lideri i AAK-së. Thënë konkretisht, është verdikti i votës së qytetarit ai që përcakton se kush dhe në çfarë mënyre do të ndërtoj institucionet e reja të shtetit. Apo thënë më mirë ai që i fiton zgjedhjet ai e bartë të drejtën për postin e Kryeministrit dhe të më shumë posteve ministrore por edhe të grupeve e komisioneve parlamentare. Edhe koalicioni ndërmjet PDK-së dhe LDK-së nuk është i bazuar  në respektimin e votës së qytetarit, por nëse kihet parasysh se shteti gjendej para “ bankrotimit” atëherë lë të mbetët në ndershmërinë  e tyre ky përfundim i këtillë i zgjidhjes  së ngrëçit politik gjashtë mujor . Së këndejmi, këto apetite të tepruara të partive të vogla, por edhe të atyre pak më të mëdha duhet të flakën njëherë e përgjithmonë dhe të respektojnë së pari votën e qytetarit e më pastaj edhe ligjin dhe sistemin zgjedhor në përgjithësi. Në këtë mënyrë do të respektohej edhe demokracia dhe besimi qytetarë.  

Liderët nuk e kanë me tapi karrierën politike

Pos në LDK që nga pas lufta erdhën në krye të saj edhe dy emra të tjerë, në subjektet tjera politike nuk kemi patur rastin të shohim e bile as të këtë ndonjë angazhim e gatishmëri për të bërë ndryshime nga  qendra, përkatësisht për ta freskuar partinë me një lider të ri. Deri sa lideri i PDK-së arriti që në tri palë zgjedhje të dalë fitues dhe të këtë një kredibilitet për të udhëhequr edhe më tej këtë parti politike, të tjerët nuk patën sukses që të realizojnë synimet e tyre dhe shi për këtë askush prej tyre nuk barti ndonjë përgjegjësi për humbjet e pësuara. Bazuar në zhvillimet e fundit politike, nuk do të shkon larg e ndryshime edhe në kreun e PDK-së do të ndodhin. Mirëpo kur është fjala e përgjegjësisë askush nga liderët tanë atë nuk e bartë mbi vete, por gjithnjë e hudhin në periferi të ngjarjeve. Këtë e tregon edhe shembulli  i  liderit të LDK-së, Mustafa, që para qytetarëve kishte premtuar se nëse nuk do t’i fitoj zgjedhjet do të jap dorëheqje, por ai këtë nuk e bëri. Ndërkaq, Haradinaj jo që nuk e ka ndërmend ta bëj një gjë të tillë, por në emër të asaj që u humbë e që vetë si lider duhet të jap përgjegjësi, kërkon reformim të partisë, duke harruar se pikërisht lidershipi i saj nuk po gëzon mbështetje tek qytetarët. Nuk dëshiroj të keqkuptohem as nga z. Haradinaj, sepse e vlerësoj lartë kontributin e tij sidomos gjatë luftës çlirimtare, e as nga ky subjekt politik në përgjithësi, por duhet të kihet parasysh një e vërtetë e madhe se çdo fillim e ka edhe fundin e saj. Me zor nuk shkon asgjë e posaçërisht politika.

Dhe krejt në fund. Liderët nuk e kanë me tapi karrierën politike. Nëse ia duan të mirën subjektit të tyre politik dhe vendit të tyre, ata duhet të jenë të gatshëm dhe pjesë përbërëse për të ndihmuar rreth freskimit me kuadro të reja, kreative e kompetente për të bërë vërtetë ndryshime  pozitive. Edhe qytetarët dëshirojnë të shohin fytyra të reja në skenën tonë politike. Ndoshta mund të ngjallin shpresa për një të ardhme më të mirë, më të shëndetshme e sidomos për gjeneratat e reja që hëpërhë ardhmërinë e tyre e shohin, fatkeqësisht, jashtë vendit të tyre të lindjes.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch