Home » Lajme, Rajonale » Ndryshimi i Historisë zbut Perandorinë Osmane

Ndryshimi i Historisë zbut Perandorinë Osmane

Dy vjet pas vizitës së Kryeministrit të Turqisë në Kosovë, Recep Tayyip Erdogan, janë ndryshuar librat e ciklit parauniversitar në raport me kohën e Perandorisë Osmane. Në versionin ri të historisë Perandoria Osmane është një pushtues por jo një sundues i egër.

Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan dhe ai kosovar Hashim Thaçi e falën së bashku një namaz xhumaje në nëntor të vitit 2010.

Shefi i qeverisë turke po e vizitonte për herë të parë Kosovën dhe kur pa objektet fetare në Prizren foli për relacionet Kosovë-Turqi.

“..këto xhami simbolizojnë vëllazërinë mes Kosovës dhe Turqisë”, tha Erdogan.

Kosova ka lidhur deri më tash 13 marrëveshje me Turqinë që kanë të bëjnë me mjedis, shkencë, ekonomi e ndihmë ushtarake nga shteti euro-aziatik.

Por, Turqia ka kërkuar bashkëpunim edhe në fushën e arsimit.

Autoritetet turke kërkojnë pastrimin e librave të historisë.

Gjashtë muaj pas vizitës së Kryeministrit Erdogan në Kosovë, më 5 prill 2011, ministri i Arsimit, Ramë Buja, krijoi komisionin pesë anëtarësh që do të merrej me këtë punë.

Nentor 2010, takimi Thaçi-Erdogan | Foto: kryeministri-ks.net

 

Por, zyrtarët turk nuk reshtën së kërkuari ndryshimet e historisë sa herë që vizitonin Kosovën.

Kjo ka ndodhur edhe gjatë vizitës në Kosovë të ministrit të Punëve të Jashtme, Ahmet Davutoglu, dhe atij të arsimit, Omer Dinçer.

“Turqisë nuk i pëlqen që kosovarët të mësojnë historinë e interpretuar nga Josip Broz Tito apo Enver Hoxha”, kishte thënë Ahmet Davutoglu, ministër i Punëve të Jashtme të Turqisë, gjatë vizitës më 26 gusht 2011.

Ndërkohë edhe Dinçer vitin e kaluar kur takoi ministrin e Arsimit Ramë Buja, kërkoi që të largohen paragrafët nga librat e historisë së Kosovës, të cilat përmbajnë fyerje për Turqinë dhe personalitetet historike të këtij vendi.

Tash, pasi që ndryshimet janë bërë, zyrtarët shtetërorë turk vlerësojnë se me këtë veprim do të fuqizojnë marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërshtetërore.

Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Songul Ozan, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se ndryshimet në librat e historisë do t’i kontribuojnë marrëdhënieve Kosovë-Turqi të cilat, sipas saj, janë të shkëlqyeshme.

Ajo kujton se ngjashëm kanë vepruar edhe shtete tjera të cilat kanë jetuar në të kaluarën një histori të përbashkët.

“Llojet e tilla të punimeve te cilat synojnë largimin e shprehjeve të pakëndshme në librat e historisë ekzistojnë jo vetëm ndërmjet Gjermanisë e Francës, por edhe shumë shteteve përfshirë edhe vendin tim, e posaçërsisht ndërmjet vendeve të cilat kanë raporte fqinjsore”, tha Ozan.

 “Redaktimi” i Historisë

Komisioni i ngritur nga ministri Buja dorëzoi para më shumë se gjashtë muajsh rekomandimet se në cilat pjesë duhet të korrigjohen librat e historisë.

Gazeta Jeta në Kosovë ka sigruruar rekomandimet që ka bërë komisioni.

Nga korrigjimet e librave të historisë nga klasa e 5-të deri në të 13-të, del se Perandoria Osmane përgjatë shekujve të pushtimit të viseve të banuara me shqiptarë,  nuk ka vrarë, ushtruar dhunë apo se ishte e ashpër.

Në vend të këtyre shprehjeve, sipas korrigjimeve, sulltanët me ushtrinë e administratën e tyre, sunduan, burgosën dhe ushtruan ndërhyrje ushtarake.

Ilustrimi: httpprishtina.emb.mfa.gov.tr

 

Këto janë vetëm disa nga ndryshimet që nga viti i ri shkollor 2013-2014, që do të vendosen në librat e historisë së klasave fillore e të mesme.

Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur gjithashtu disa prej ndryshimeve konkrete që kanë pësuar librat e historisë nga klasa e pestë deri në klasën e trembëdhjetë.

Shembujt e paraqitur në këtë rast u takojnë librave të historisë së klasës së pestë, gjashtë dhe tetë.

Në librin aktual të historisë së klasës së pestë, në faqen 62, fjalët  “dhunë” dhe “vrasje” në raport me Perandorinë Osmane – janë fshirë. Në vend të tyre janë vendosur “pushtim” dhe “burgosje”.

Në faqen 48 të librit aktual, në lidhje me marrjen e pronave dhe pasurisë së shqiptarëve, janë fshirë fjalët “…hakmarrje” dhe “…vrasje”.

Në vend të tyre është vendosur fjalia “…marrja e pronave, vendosja e taksave si dhe depërtimi i një pjese të popullatës vendase…”

Fjalia “…osmanët vranë shumë shqiptarë…”, është fshirë tërësisht kurse në faqen 69 të librit aktual, fjala  “..ashpërsi” është shndërruar në “…ndërhyrje ushtarake”.

Ndryshimet e tjera janë bërë në faqen 83 të librit të historisë së klasës së 6-të, ku fjalia “…sundimi i egër osman…”, është shndërruar në “…pushtimi osman”.

Vijë i është rënë edhe pjesëve të librit të historisë së klasës së 8-të si në faqen 68, ku fjalia “…merreshin masa të rrepta ndaj atyre që nuk ishin të fesë islame…”, tash ka tjetër kuptim.

“..Në praktikë të gjithë shtetasit në viset e tyre të pushtuara nga Perandoria Osmane, në jetën e përditshme ishin të barabartë para ligjit. Natyrisht ndonjëherë shfaqeshin keqpërdorimet e nënpunësve lokal osmanë në kuadrin e reformave të tanzimatit”.

Ndryshimeve nuk u kanë shpëtuar as librat e kulturës muzikore.

“Sa i përket muzikës, pala turke mund të ketë pasur vërejtje si për himnizim të figurës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”, ka thënë kryesuesi i komisionit.

Ai thotë se nuk i kujtohet në detaje çfarë ndryshimesh janë bërë në këtë rast.

Anëtarët e Komisionit dhe instruksionet turke  

Emri zyrtar i plotë i Komisionit është “Komisioni për Rishikimin e Prezantimit të Historisë, Gjeografisë dhe Kulturës Osmane e Turke”.

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar një raport të punës së këtij Komisioni sipas të cilit,  kryetar i tij ishte prof.dr. Shkelzen Raça (historian), me anëtarë prof.dr. Ruzhdi Pllana (gjeograf), prof.dr Hysen Matoshi (kulturë osmane dhe turke-gjuhë e letërsi), Mr.sc. Astrit Mustafa (kulturë osmane e turke-muzikë) dhe sekretar i komisionit, Mr.sc. Avni Rexha.

Avni Rexha, sekretari i komisionit | Foto: Facebook

 

Ministri Buja, kur kishte emëruar anëtarët e komisionit më 5 prill të vitit të kaluar, nuk kishte pranuar të bënte publikë emrat e tyre.

“…do ta mësoni kur ata të bëjnë raportin e plotësuar, të realizuar, se kush ishin ata që bënë këtë punë”, pati thënë Buja.

Komisioni dorëzoi në MASHT para më shumë se gjashtë muajsh një raport me rekomandimet për ndryshimin e historisë.

Por, anëtarët e komisionit nuk ishin të panjohur për Ambasadoren e Turqisë në Kosovë, Songul Ozan. Ajo i ka takuar anëtarët e komisionit gjatë punës së tyre.

Historiani Shkelzen Raça, i cili ishte edhe kryetar i komisionit, ka konfirmuar takim me ambasadoren e Turqisë në Kosovë.

“Ambasadorja turke ka qenë vetëm një herë në bisedë dhe ka zhvilluar takim të përgjithshëm në kuadër të këtyre çështjeve”, thotë profesor Shkelzen Raça.

Anëtarët e Komisionit kanë pasur vizitë edhe në Turqi.

Ata kanë qenë në Ankara, në Institutin që merret me hartimin e teksteve shkollore  dhe kurrikulave.

“Kemi marrë vërejtjet që eventualisht konsiderohen si lëshime nga ana e autorëve tanë.  I kemi biseduar të dy palët brenda dy a tre ditëve sa kemi qëndruar”, thotë profesor Raça.

Historiani Shkelzen Raça thotë se komisioni ka bërë punë të mirë, asnjanëse dhe profesionale, në përputhje me metodologjinë dhe sajimin e teksteve shkollore për shkollat fillore e të mesme.

“Mendojmë se kemi qenë mjaft konstruktivë e të matur. Synimi ka qenë të heqim aty-këtu gjuhë të urrejtjes, të një fjalori pak a shumë agresiv, ka thënë ai.

Komisioni ka mbajtur shtatë apo tetë takime, ka konfirmuar sekretari i kësaj trupe Avni Rexha . Secili prej anëtarëve të komisionit ka dhënë idetë në mënyrë individuale dhe në fund Kryetari i Komisionit bashkë me sekretarin kanë dorëzuar në MASHT raportin e rekomandimeve.

Në raportin prej tre faqesh tregohet puna e bërë nga anëtarët e komisionit.

“Kujtojmë se në tekstet shkollore duhet zënë më tepër vend aspektet afruese ndërmjet Turqisë dhe Kosovës duke theksuar edhe aspektet pozitive nga marrëdhëniet shqiptaro-turke në të kaluarën”, shkruan në një konkluzion të raportit të siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë.

Më tej thuhet se “prioritet mbi prioritetet në këto tekste ekzistuese si dhe në ato në të ardhmen, duhet të jetë gjuha e afrimit, bashkëpunimit dhe referimi i vlerave të tolerancës”.

Ramush Lekaj | Foto: MASHT

 

Rekomandimet e komisionit i ka pranuar MASHT’i.

“Pikërisht, këto do të futen në tekstet e vitit të ardhshëm”, ka thënë  Ramush Lekaj, udhëheqës i Divizionit të Plan-programeve në MASHT.

“Rishikimet do të jenë të përfshira në libra nga viti i ardhshëm”, thotë Lekaj.

Ai thotë se nuk mund të dihet se sa mund t’i kushtojë MASHT-it ribotimi i librave të rinj pasiqë nuk dihet se sa libra do të shtypën vitin e ardhshëm.

Autorët e librave nuk i pyeti askush

Asnjëri nga anëtarët e komisionit nuk është autor i ndonjërit prej librave shkollor të Historisë.

Libri aktual i historisë i klasë së 5-të dhe 8-të, për autorë ka historianët Frashër Demaj e Fehmi Rexhepi, të cilët thonë se askush nuk i ka konsultuar për të bërë “korrigjimet”.

Në deklarim të përbashkët për Gazetën Jeta në Kosovë, pasi tregojnë se nuk kanë ide se kush mund të ketë qenë në komision, thonë se nuk kanë pranuar asgjë zyrtare nga Ministria e Arsimit.

“Është obligim institucional, pavarësisht preferencave të ndryshme, qysh në nisje të kësaj pune, që pjesë e këtij komisioni të jetë edhe ndonjë nga autorët e teksteve shkollore të historisë”, thonë Demaj e Rexhepi.

Kështu nuk mendon profesori Shkelzen Raça, kryetar i komisionit.

“Nuk e kemi pasur për obligim t’i konsultojmë autorët e teksteve”, thotë ai.

Isa Bicaj, historian

 

Me këtë konstatim të profesor Raçës, nuk pajtohet historiani, profesor Isa Bicaj, i cili është edhe autor i librit aktual të historisë së klasës së shtatë.

“Më duket pak e palogjikshme që vërejtjet janë bërë pa konsultim me autorët e teksteve”, thotë Bicaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai është kundër rekomandimeve për ndryshimin e librave të historisë të cilat i ka bërë komisioni.

“Ma këput dorën, e termin -ardhje- për osmanët nuk e përdor. Ata kanë qenë pushtues”, thotë Isa Bicaj, profesori i historisë.

nga  Jeton Musliu

One Response

  1. CANADA thotë:

    O VLLAZNI TURKU JO QE KA PRE POR KA PRE KOKA NJERZVE E KTA SHTI HISTORIAN TE SHITEM ME PARA KANE MET ME NDRRU HISTORINE SKAN PRE TURQIT THOJN KANE PRE MA SHUME SE SHKIJET. PO DOJNME MLU SE SHKA KA BOE TURQIT APO OSMANLIJT SI THUNI JU..

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch