Home » Kulturë » Në 100-vjetorin e lindjes: AKADEMIKU MAHIR DOMI, PERSONALITET I SHQUAR I ARSIMIT DHE I SHKENCËS SONË KOMBËTARE

Në 100-vjetorin e lindjes: AKADEMIKU MAHIR DOMI, PERSONALITET I SHQUAR I ARSIMIT DHE I SHKENCËS SONË KOMBËTARE

 

Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

 

Prof.Dr.M.Domi

Prof.Dr.M.Domi (1915-2000)

1.

Mbaj mend se, më 5 tetor 2001, me rastin e njëvjetorit të ndarjes përgjithnjë nga jeta të prof. Mahir Domit-Akademik e “Mësues i Popullit”, personalitet i shquar i arsimit dhe shkencës shqiptare, në një nga sallat e Akademisë së Shkencave u organizua një konferencë përkujtimore. Merrnin pjesë  akademikë, pedagogë e studiues, punonjës të institucionave të larta të arsmit e shkencës dhe pjesëtarë të familjes. Gjithashtu, ishin të pranishëm titullarët kryesorë të Akademisë së Shkencave dhe të rektoratit të Universitetit të Tiranës etj.

Përveç fjalës së hapjes, në atë veprimatari përkujtimore u lexuan disa referate. Ato dëshmonin punën  e gjatë dhe mjaft frytdhënëse, pedagogjike e shkencore të tij, në shërbim edukimit të brezave të tërë studentësh, mësimdhënës e studiues të ardhshëm. Ndërsa në sallë kishte rënë heshtja e dëgjonim çfarë thuhej për këtë njeri të mirë dhe të paharruar, në mendje përpiqesha  të sillja kujtime nga njohja e takimet me të.

Për herë të parë, prof. Mahir Domin e pashë dhe e takova në auditorët e Fakultetit Histori-Filologji, të Universitetit të Tiranës. Ndër pedagogët tanë më të mirë dhe të dashur, ai dallohej për urtësi, korrektësi e nivel të lartë njohurish, të cilat përpiqej të na i transmetonte me një gjuhë të qartë e të kulluar, me fraza sa më të sakta. Lënda e tij, sintaksa e gjuhës shqipe ishte jo aq e lehtë. Por  ne nuk “trembeshim” prej saj, sepse ai na e bënte të kuptueshme dhe të përvetësueshme.  Pastaj, gjatë jetës, ne u takuam dhe u përshëndetëm përzemërsisht në veprimtari të ndryshme shkencore, kombëtare e ndërkombëtare, ku ai lexonte tema me interes të gjërë  dhe me thellësi mendimi e argumnente të pakundërshtueshme shkencore.

Nuk dua ta lodhi lexuesin me këto radhë të mijat, por e ndiej për detyrë të tregoj këtu, nga largësia e këtyre viteve,  se me këtë pedagog timin kam pasur dhe ruajtur përherë kontakte frytdhënëse në rrugën time të arsimimit dhe formimit arsimor e shkencor. Kështu, ishte gjithnjë i gatshëm të dëgjonte, të jepte mendime dhe këshilla të vlefshme. Mbaj mend se në këtë mënyrë veproi edhe kur e përgatita punimin tim të diplomës, me temë nga dialektologjia, por dhe për temën, që lexova në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, më 1972. Më pas, kur vendosa që temën time të diplomës ta ripunoja për botim, në serinë “Dialektologjia shqiptare”, ajo u paraqit për shqyrtim në sektorin e gramatikës dhe dialektologjisë të Institutit të Gjuhësisë e Letërsisë, ku prof. Domi ishte përgjegjës. Mora pjesë në mbledhje dhe aty ai foli disa minuta. Shënimet e tij “të imta”, me vlerësimin e punimit tim dhe me mendime për ndonjë ripunim, i ruaj si një gjë të rrallë. Në shkrimin e tij të asaj dite, në tri faqe me dorë, vihet re mirë përkushtimi për t’i ndihmuar studiuesit e rinj dhe jo për ta bërë leximin e punimit “shkel e shko”, pra sa për ta kaluar radhën. Prandaj, si unë, të gjithë ata i janë atij mirënjohës, përgjithnjë.

Me prof. Mahir Domin kam mbajtur lidhje të rregullta edhe gjatë viteve të punës sime në shtyp dhe i kam ndjekur punimet, që ai ka paraqitur në veprimtari të ndryshme shkencore, kombëtare e ndërkombëtare. Por, veçanërisht, i shpeshtova takimet me të, pasi ai doli në pension. Meqenëse e kishte pasion punën  arsimore e pedagogjike, dëshironte që ta kishte  rregullisht dhe gazetën tonë “Mësuesi”. Prandaj, herë pas here, shkoja për vizitë në shtëpinë e tij dhe ia çoja numrat e kësaj gazete. Pothuajse, gjithnjë këto vizita i kam bërë bashkë me të ndjerin prof.dr. Xheladin Gosturani, dialektolog nga vendlindja ime, Malësi e Gjaovës (Tropoja). Vinim re se, menjëherë, prof. Mahiri çelej në fytyrë dhe gjallërohej në bisedë. Nuk më kujtohet imtësisht, se për çfarë kemi folur më shumë, në disa takime tonat. Por temë e bisedave tona ishin: kujtimet për vendlindjen, jeta në Institutin e Gjuhësisë e Letërsisë, studimet në fushën e shqipes, zhvillimi i arsimit e kulturës etj. Mbaj mend se, gjatë një vizite, si “fshehurazi”, kam bërë incizimin e bisedës sonë në diktofon. Kryesorja në të, ka mbetur zëri i tij i shtruar, i butë e i ëmbël. Është ky, një kujtim i dashur për mua.

Në derën e shtëpisë së prof. Domit trokisnin çdo ditë: të njohur nga Elbasani, ish-studentë, kolegë e bashkëpunëtorë dhe të njohur të tjerë të shumtë. Tek ai gjenin mirësi e fjalë zemre. Fatkeqësisht, vuajtjet e jetës, mosha e thyer dhe sëmundja e lanë disa kohë në shtrat. Por, si përherë, çdo vështirësi e përballoi më  qendresë të pashoqe, deri sa i mbylli sytë përgjithnjë, më 19 shtator 2000. E përcollën me respekt e nderim të thellë, për në banesën e fundit, sa e sa familjarë, ish-studentë e shokë të tij të krahinës, shkollës dhe punës. Ai u nda  nga të gjithë ne, duke lënë pas emrin e njeriut të mirë.

Prof. Xh.Gosturani, prof. M.Domi e M.Gecaj

 

Nga e majta: Prof. Xh.Gosturani, prof. M.Domi e M.Gecaj

2.

Mahir Domi lindi në qytetin e Elbasanit, si sot 100 vjet më parë, pra më 12 mars 1915. Pasi kreu aty shkollën plotore, studimet e mesme i përfundoi shkëlqyeshëm, në Liceun e Korçës. Po kështu, i vazhdoi dhe i mbaroi studimet e larta dhe u diplomua për filologji, në Francë (Grenobël).

E nisi punën në arsim, drejtor i shkollës Normale të Elbasanit, aty ku kishte kaluar vitet e fëminisë. Iu përkushtua me zell përgatitjes dhe aftësimit të kuadrove të arsimit, për të cilët vendi ynë kishte aq nevojë. E kundërshtoi pushtimin fashist të vendit dhe mori pjesë aktive në Këshillin Antifashist të Elbasanit. Pas çlirimit, duke çmuar aftësitë e tij pedagogjike e shkencore, e caktuan për të dhënë leksionet e gjuhës shqipe, në Institutin e Lartë Pedagogjik të Tiranës. U ndodh kështu në një mjedis pedagogësh, krijuesish e shkencëtarësh të afirmuar, duke marrë e dhënë përvojë. Po kështu, u tregua i palodhur me ndihmesën e tij të vyer, në hartimin e planeve e programeve mësimore, si dhe për tekstet e gjuhës shqipe, në nivelin parauniversitar e universitar. Tekstet e sintaksës, që ai hartoi, u dalluan për nivelin e tyre metodik e shkencor, pra duke iu përshtatur moshës e nivelit të shkollimit. Më 1954, bashkëpunoi në hartimin dhe botimin, me kritere të rrebta shkencore,  të fjalorit të parë shpjegues të gjuhës shqipe.

Me krijimin e Universitetit të Tiranës, në shtator 1957, prof. M.Domin e emëruan aty pedagog të gjuhës shqipe dhe përgjegjës të asaj katedre. Zhvilloi lëndë të ndryshme, si kurset e gramatikës historike, albanologjisë e sintaksës. Hartoi disa krerë të veprës “Gramatika e gjuhës shqipe”, në dy vëllime dhe me afër 1.200 faqe. Në vitet 1953 e 1954, e çoi më tej punën e nisur nga A.Xhuvani, K.Cipo dhe E.Çabej, duke e rishikuar veprën “Ortografia e gjuhës shqipe”.

Që i ri, M.Domi shkroi në gazeta e revista të kohës, shfletoi në biblioteka dhe u pajis me dije të shumta e horizont të gjerë, kulturor e shkencor. Sidomos, kur e nisi punën në arsimin e lartë, iu përkushtua studimeve dhe botimeve të ndryshme, si për historikun dhe të sotmen e gjuhës sonë. Ai u rendit shpejt prkrah  studiuesve tanë të shquar të gjuhës shqipe, si: Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Selman Riza, Androkli Kostallari, Spiro Floqi, Shaban Demiraj etj. Veçanërisht, ra në sy zelli i tij për t’i ndihmuar dhe për t’u qendruar pranë pedagogëve e studiuesve më të rinj.

3.

Nuk pati fushë të gjuhësisë, ku nuk u ndie fjala dhe aftësia shkencore e Akademikut Mahir Domi. Mori pjesë e lexoi punimet e tij të thella: në fushat e sintaksës, historisë së gjuhës shqipe, gjuhës letrare dhe kulturës së gjuhës; në dialektologji, leksikologji e leksikografi, në terminologji etj. Dha ndihmesë të veçantë në përgatitjen dhe zhvillimin e disa konferencave shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Në  Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe  ishte nënkryetar i komisionit organizues dhe aty mbajti kumtesën: “Parimi fonetik në drejtshkrimin e shqipes”. E çmuar ishte puna e tij për hartimin dhe botimin e mjaft fjalorëve leksikorë dhe terminolgjikë të shqipes, të revistës “Studime filologjike” etj. Ndihmoi në hartimin përfundimtar të librit “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”(1973) dhe “Fjalori drejtshkrimor” (1976).

Duke qenë përgjegjës sektori për gramatikën e dialektologjinë, në Institutin e Gjuhësisë e Letërsisë, ishte ndër nismëtarët për krijimin e kartotekës së gjuhës shqipe dhe të dialektologjisë, për hartimin e serisë “Dialektologjia shqiptare” dhe të “Atlasit të Dialektologjisë së Shqipes”. U muar, posaçërisht, me trajtimin e problemeve të letërsisë shqipe dhe të folklorit, sidomos atij arbëresh etj. Duke u interesuar për traditat e lashta të popullit tonë, i studioi qendrat e lashta të qytetërimit shqiptar. Kështu, mund të përmendim edhe punimin e tij, “Lëvizja kulturore e Voskopojës, në shek. XVIII”.

Prof. Mahir Domi është lexuar e vlerësuar lart, jo vetëm nga kolegët e tij, si në Kosovë, Maqedoni e Mal i Zi, por edhe  në ngulimet shqiptare e në diasporë dhe nga mjaft albanologë të njohur, në vende të ndryshme të botës. Studimet e tij u dalluan për analiza e sinteza të thelluara dhe u shërbyen studiuesve të rinj, për t’u aftësuar më tej në fushat e ndryshme të shkencës gjuhësore shqiptare. Ndër veprat kryesore të prof. M.Domit njihet “Morfologjia historike e gjuhës shqipe” (tekst mësimor universitar).

Sa ç’është prodhimi shkencor, që la pas, vepër e përjetshme  e tij janë  edhe  studiuesit e pedagogët e rinj, që i përgatiti dhe i aftësoi me përkushtim të lartë, në udhët e gjëra të dijes e shkencës. Ai ndihmoi shumë për kualifikimin pasuniversitar të kuadrove të reja, udhëhoqi mjaft tema diplomash e disertacionesh, autorët e të cilave ruajnë kujtimet më të mira dhe mirënjohje të thellë, për  udhëheqësin e tyre.

…Dijet dhe aftësitë e tij, prof. Mahir Domi-Akademik dhe “Mësues i Popullit”, i shkriu pa kursim, në ndihmë të breznive të reja. Prandaj aii do të kujtohet përherë me nderim të veçantë dhe do të mbetet shembull i rrallë, për t’u ndjekur e mësuar prej tij, nga të gjithë pasardhësit, në fushat e arsimit, shkencës dhe kulturës kombëtare shqiptare.

Tiranë, 15 mars 2015

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress