Home » Kulturë » Në 100-vjetorin e vdekjes: PËRUROHET LIBRI “PETRO NINI LUARASI, MENDIMTARI MARTIR I RILINDJES KOMBËTARE”

Në 100-vjetorin e vdekjes: PËRUROHET LIBRI “PETRO NINI LUARASI, MENDIMTARI MARTIR I RILINDJES KOMBËTARE”

( Përgatitur nga Prof. Alfred Uçi-Akademik )

Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

Sot paradite, në mjediset e Shtëpisë së Kulturës së Ushtarakëve në Tiranë, u organizua përurimi i librit të përgatitur nga Prof. Alfred Uçi-Akademik, kushtuar  “Mësuesi të Popullit” Petro Nini Luarasi, në 100-vjetorin e vdekjes së tij (1865-1911). Merrnin pjesë familjarë të tyre, mësues e pedagogë, nxënës të Gjimnazit “Petro Nini Luarasi” të kryeqytetit, nga institucionet arsimore, kulturore e shkencore, nga media e shkruar e ajo elektronike dhe të ftuar të tjerë.

Përfaqësueset e një një grupi nxënësish petroninas, e morën ”në dorë” drejtimin e kësaj veprimtari të bukur dhe mbresëlënëse për gjithë të pranishmit. Së pari, këta panë një film të shkurtër dokumentar, kushtuar kësaj figure të ndritur të arsimit kombëtar shqiptar, që u flijua për shkronjat në gjuhën tonë amtare. Në vazhdim, i pari e mori fjalën dhe përshëndeti zv.ministri i Arsimit e Shkencës, Halit Shamata. Ai nënvizoi përkushtimin e Petro Nini Luarasit, që shkolla shqipe të lulëzonte e të përparonte, duke mbetur kështu ai një figurë e nderuar e frymëzuese për brezat në Atdheun tonë. Emocione shkaktoi “letra” e një nxënëseje, që ia dërgonte mësuesit të madh Petro Nini Luarasi, duke e falënderuar atë për sakrificat e tij të shumta, në shërbim të shkollës kombëtare shqipe. Pastaj të pranishmit ndoqën fjalën e Bardhyl Muasait, nga aparati i Këshillit të Ministrave. Gjithashtu, të bukura ishin recitimet dhe “esetë” e lexuara nga disa nxënëse të Gjimnazit Petro N.Luarasi” të kryeqytetit.

Në vazhdim, u ndoq me interes të veçantë fjala e Prof. A.Uçit, nip i Petro N.Luarasit, i cili u ndal në disa veçori të librit të përgatitur prej tij, ku jepen të dhëna e dokumente të shumtë për jetën dhe veprimatrinë e ndritur  e të shumanshme të Petro N.Luarasit, si dhe pjesë nga veprat e tij të shkruara. Po kështu, ai përmendi nderimin e vlerësimin, që i kanë bërëatij  ndër vite figurat e shquara atdhetare, ndër të cilët ishin Fan Noli, Tajar Zavalani, Sali Butka e të tjerë. Ky i fundit, shumë vite më parë,  pati shkruar se, nëqoftëse dikur do të ngrihet një monument për martirët e gjuhës dhe shkollës shqipe, ky duhet t’i kushtohet pikërisht  Petro Nini Luarasit. Kjo edhe sepse ai shprehte e nbronte  fjalët e zemrës, që “mbi të gjitha e dua Atdheun” dhe “sikur të rrëzohemi 99 herë, përsëri duhet të ngrihemi në këmbë!”.

Në mbyllje, Prof. Uçi i falënderoi Ministrinë e Arsimit e Shkencës dhe Shtëpinë Botuese të Librit Universitar, që e mbështetën botimin e këtij libri me mjaft vlera për nxënësit e mësuesit, studentët e pedagogët dhe masën e gjërë të lexuesve. Pastaj ai i dhuroi bibliotekës së Gjimnazit “Petro N.Luarasi” disa nga librat e tij të botuar dhe me tematikë të larmishme.

Në mbyllje të këtyre pak radhëve, dëshiroj të nënvizoj se libri, që u përurua sot dhe për të cilin fola shkurt më lart, është i dobishëm e i nevojshëm të hyjë në të gjitha bibliotekat e shkollave tona, sepse aty nxënësit e studentët do të gjejnë një “tekst” të bukur, me dëshmi e dokumente të shumtë, për ta njohur një pjesë të udhës, nëpër të cilën ka kaluar shkolla kombëtare shqipe, në gjuhën tonë amtare. Prandaj, kujdesi e vëmëndja në këtë drejtim lipset të jenë, që nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, drejtoritë arsimore në rrethe dhe drejtoritë e shkollave të arsimit parauniversitar e universitar, sidomos të degëve të mësuesisë.

Tiranë, 24 nëntor 2011

One Response

  1. Petro Luarasi thotë:

    Prof. Alfred Uçi ka meritën që në 100-vjetorin e vrasjes nga kleri shovinist grek të Petro Nini Luarasit ia boton të përmbledhura në një libër jetën, veprën, studimet mbi martirin dhe kryeveprën e tij ” Mallkimi i shkronjave shqipe dhe apologjia e shqiptarit”. Vlerë të veçantë paraqesin shkrimet e “harruara” të Tajar Zavalanit, Branko Merxhanit si dhe ato të kohëve të fundit të Prof. Alfred Uçit me të dhëna të reja mbi Petro Nini Luarasin. Kjo përmbledhje e financuar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, që do të shpërndahet falas në bibliotekat e Shqipërisë dhe Kosovës, kontribuon për njohjen më mirë të jetës dhe veprimtarisë së shumanshme të Petro Nini Luarasit si pjesë thelbësore e historisë së lavdishme të ngadhnjimit të shkollave shqipe dhe kishës ortodokse të pavarur shqiptare. Shpresojmë që studjuesit dhe burokracia shtetërore të jenë më të ndjeshëm e të përgjegjshëm për studimin dhe përfshirjen e këtij martiri në tekstet shkollore, akademike dhe veprimtaritë sensibilizuese kombëtare në kuadër të kujtimit të 100-vjetorit të Pavarësisë

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch