Home » Lajme » Në 20 komuna të Kosovës është ndërruar pushteti

Në 20 komuna të Kosovës është ndërruar pushteti

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet preliminare në 24 nga 25 komunat ku është votuar në raundin e dytë të zgjedhjeve. Rezultat nuk janë shpallur në komunën e Parteshit ku persona të panjohur kanë hyrë në një qendër votimi duke i dëmtuar 3 kuti të votimit.

Rundi i dytë i zgjedhjeve lokale ka sjellë befasi më shumë se në të gjitha proceset e tjera.

Të dhënat preliminare të organit të zgjedhjeve kanë treguar se në 20 nga 25 komuna ku është votuar në balotazh është ndërruar pushteti. Në këtë ndërrim pushtetesh ka humbur garën për kryeqytetin Isa Mustafa, kreu i partisë më të madhe opozitare Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila ka dalë fitues në 9 komuna. Shpend Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosje i vetmi kandidat fitues i këtij subjekti politik ka arritur ta përmbys avantazhin që kishte Mustafa në raundin e parë duke fituar me 51.73 përqind.

Në balotazh rezultatet preliminare kanë nxjerr fituese Partinë Demokratike të Kosovës në 6 komuna, Lidhjen Demokratike të Kosovës po ashtu në 6 komuna, Iniciativa Qytetare Serbe në 4 komuna, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës në 2 komuna, Aleancën Kosova e Re poashtu në 2 komuna, Partinë Liberale Serbe në Ranillug, ndërsa në Malishevë Iniciativën qytetare për Malishevën.

Kryetarja e Komisionit Qendror të zgjedhjeve Valdete Daka nuk ka dhënë vlerësim për procesin zgjedhor të rrethit të dytë. Ajo vetëm ka njoftuar se në komunën e Parteshit procesi zgjedhor është vandalizuar nga persona deri më tani të panjohur dhe kjo ka bërë që të mos mund të shpallen rezultatet nga kjo komunë.

Harta politike e zgjedhjeve të 3 nëntorit tashmë përfshinë 10 komuna që do të qeverisen nga Partia Demokratike e Kosovës, 10 komuna nga subjektet politike serbe, në 8 nga të cilat ka fituar Lista e Serbisë. Lidhja Demokratike e Kosovës do të qeveris në 9 komuna, në 3 komuna Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe në 2 komuna Aleanca Kosova e Re, ndërsa në një komunë lëvizja Vetëvendosje. Në tri komuna të tjera do të qeveris një parti politike , një Iniciativë Qytetare dhe një kandidat i pavarur.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch