Home » Lajme » Në Ballkan, myslimanët po e festojnë Kurban Bajramin

Në Ballkan, myslimanët po e festojnë Kurban Bajramin

Me thirrjet e klerikëve fetarë për paqe e solidaritet, namazi i Kurban Bajramit është falur nëpër të gjitha xhamitë ballkanike, ndërsa Prishtina, Shkupi e Tirana kanë mbledhur numrin më të madh të besimtarëve islamë.

falja-e-bajramit-ne-shesheBesimtarët e fesë islame në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri po festojnë sot Kurban Bajramin apo siç njihet ndër shqiptar Bajramin e Vogël, njërin nga dy festat më të mëdha të myslimanëve. Me thirrjet e klerikëve fetarë për paqe e solidaritet, namazi i Kurban Bajramit është falur nëpër të gjitha xhamitë ballkanike, ndërsa Prishtina, Shkupi e Tirana kanë mbledhur numrin më të madh të besimtarëve islamë.

Ceremonia kryesore në Kosovë është mbajtur ë Xhaminë e Madhe, ku si rëndomtë një numër i madh i qytetarëve janë falur jashtë xhamisë. Namazin e Bajramit e ka falur Burhan Hashani, ndërsa Hytben e ka kënduar kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri Bajgora.

Kësaj radhe në Kosovë ka munguar kryetari i Bashkësisë Islame, Naim Tërrnava i cili gjendet në haxh bashkë me 800 haxhilerë kosovarë. Për nderë të kësaj feste myslimanët therin kurban, një simbol i nisur nga profeti Ibrahim, që ka mbetur si obligim më pas për të gjithë besimtarët që kanë mundësi ekonomike.

Edhe në Shqipëri, pavarësisht reshjeve të shiut, mijëra besimtarë myslimanë u mblodhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të falur namazin e Kurban Bajramit, festa e dytë më e madhe kjo në fenë islame.

Pasi i uroi të gjithë shqiptarët dhe myslimanët anembanë botës, gjatë ligjëratës së tij, kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj, theksoi se kjo ditë dhe festimet që lidhen me të shënojnë flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit ndaj Zotit dhe në emër të dashurisë për njeriun.

Ndërkohë, myftiu i Tiranës Ylli Gurra dhe teologu Elvis Naçi theksuan se besimi në Zot nuk duhet të mbetet i kufizuar vetëm në ditë festash fetare. Sipas tyre, vendi ynë dhe e gjithë bota ka nevojë për mirësinë e njerëzve, gjë e cila vjen vetëm nëpërmjet fesë.

Në këtë ditë të shënuar për fenë islame, mijëra besimtarë shqiptarë i janë bashkuar milionave të tjerë nga e gjithë bota në Mekë për të kryer Haxhin, një nga 5 shtyllat e fesë islame.

Edhe në Maqedoni, besimtarët myslimanë kanë falur Kurban Bajramin, ku mëngjesin e sotëm janë mbledhur para xhamive. Me recitimin e Kur’anit dhe këndimit të ilahijeve, manifestimi qendror nën organizimin e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë u mbajt në xhaminë Mustafa Pasha në Shkup.

Një numër i madh i besimtarëve ishte i pranishëm në xhaminë ku u mbajt ceremonia qendrore e faljes së Kurban Bajramit, namazit të së cilit i priu kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Sulejman Rexhepi, ndërsa i pranishëm në faljen e namazit ishte edhe ambasadori turk në Maqedoni, Ömür Şölendil.

Në hytben e Bajramit të cilën në emër të kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, e lexoi nxënësi i medresesë “Isa Beu” në Shkup, Orhan Zendeli dominuan mesazhet për paqe, solidaritet dhe dashuri mes njerëzve.

“Besimtar të dashur, kur të ktheheni nga xhamitë në shtëpitë e juaja merruni në përqafim, tejkaloni të gjitha inatet dhe hasmëritë. Zgjateni dorën e vëllait për vëllanë dhe dorën e ndihmës duke begatuar sofrën e të varfërit dhe të mbisundojë sot vetëm dashuria e sinqertë për njëri-tjetrin sepse vetëm kështu do të përmbushim porositë e krijuesit suprem”, ishte porosia e kreut të BFI-së, Sulejman Rexhepi.

Edhe në xhamitë e tjera të Maqedonisë në prani të madhe të besimtarëve muslimanë u fal Kurban Bajrami, ndërsa gjatë ditës ata të cilët kanë blerë kurban, do të bëjnë therjen e tij.

Ndryshe në Kosovë, si rëndomtë liderët institucionalë dhe ata politik vizitojnë Bashkësinë Islame të Kosovës, për të uruar klerin mysliman dhe popullin e Kosovës për festën e Bajramit.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka vizituar sot Bashkësinë Islame të Kosovës, me rastin e Festës së Kurban Bajramit.

“…Unë jam i lumtur që çdo Bajram po e kremtojmë në një gjendje më të mirë edhe shpirtërore edhe ekonomike dhe dëshiroj që të punojmë bashkërisht në mënyrë që njerëzit të ndihen mirë, dhe që bashkërisht t’i qojmë këto procese përpara”, tha kryeministri Mustafa, duke iu uruar të gjithë myslimanëve Festën e Kurban Bajramit.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, me rastin e festës së Kurban Bajramit, vizitoi Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK).

Kryeparlamentari Veseli u prit nga drejtuesit e BIK-ut, të cilët i uroi për festën e Bajramit dhe nëpërmjet tyre, të gjithë besimtarët myslimanë në Kosovë.

“Të gjithë besimtarëve myslimanë të vendit tonë, urime festa e Kurban Bajramit. Mesazhi sublim i kësaj feste të shenjtë, përfaqëson vlerat për të cilat gjithmonë kemi nevojë, humanizmin, solidaritetin dhe paqen mes njerëzve”, theksoi me këtë rast kryeparlamentarit Veseli.

Edhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri ka qëndruar në Bashkësinë Islame për urime me rastin e festës së Kurban Bajramit.

“Urime të gjithë besimtarëve, Kjo ditë është e rëndësishme me përgjegjësi karshi të mirës për të gjithë. Kjo ditë reflekton për ne dhe për shoqërinë për paqe dhe prosperitet. Është e domosdoshme ta kuptojmë rendësin e bashkëjetesës së barabartë ku ndihmohet çdo njëri”, tha ai.

Këtë festë të veçantë e ka cilësuar edhe vikari gjeneral i Kosovës, Don Lush Gjergji. Ai ka qëndruar për një vizitë urimi në Bashkësinë Islame.

“Me kënaqësi jam këtu, në emër të kishës katolike me popullin shqiptar, në emër të gjithë besimtarëve po ua urojmë Kurban Bajramin. Quhet i vogël, por ka një domethënie të madhe sepse dashuria për zotin është e madhe. Ne kemi pasur edhe gjatë historisë shumë vuajtje por tash duhet të themi se feja është dashuri. Pa këtë është vetëm shkatërrim. Festat tona të përbashkëta t’i përforcojnë vëllazërinë tanë andaj urime të përzemërta!”, tha ai. /Albinfo.ch/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch