Home » Lajme, Vendore » NË GARË PËR INDEKS TË UP-SË

NË GARË PËR INDEKS TË UP-SË

(E plotësuar) – Që në orët e hershme të mëngjesit, qindra të rinj nga të gjitha vendet e Kosovës, u ishin drejtuar fakulteteve të Universitetit të Prishtinës, për t’iu nënshtruar provimit pranues, i cili është mbajtur sot pothuajse në të gjitha fakultetet. Disa nga ta, pas daljes nga testi, nuk hezitonin ta shfaqnin entuziazmin e tyre, se nga tetori do të jenë studentë të UP-së.

Vllaznim Samadraxha nga fshati Banjë e Malishevës, sapo doli nga testi në Fakultetin Juridik, ndihej i lumtur, pasi që për të, testi nuk kishte qenë aq i vështirë.

“Kam aplikuar këtu në Fakultet juridik. Para këtij kam mbaruar gjuhen angleze dhe punoj si mësimdhënës në vendlindjen time. Testi në juridik nuk ka qenë i vështirë, ka qenë i lehte dhe shpresoj me kalu”, ka thënë ai.

Edhe Shpëjtim Grajçevci, i cili kishte konkurruar në Fakultetin Filologjik, dega Gazetari, shpresonte që së shpejti do të bëhet studentë dhe një gazetar i ardhshëm i mediave tona.

“Sivjet kam konkurruar në Fakultetin Filologjik, Dega gazetari. Mendoj që testi s’ka qenë aq i vështirë kanë qenë pyetje, të cilat i kemi mësuar edhe në shkollën e mesme. Mbase ka qenë thjeshtë një përtëritje e disa pyetjeve. Por mendoj dhe besoj që do të kaloj”, ka thënë ai.

Por Kaltrina Ahmeti nga Gjakova, kishte zgjedhur Fakultetin e Shkencave Politike, për të konkurruar dhe shpresonte shumë se kjo ëndërr do t’i realizohej.

“Kam konkurruar në shkenca politike. Testi s’ka qenë edhe aq i vështirë dhe shpresoj që kemi me kalu të gjithë”, ka thënë ajo.

Optimisti ishte edhe Luan Selimi nga Fushë Kosova, i cili kishte konkurruar në Departamentin e sociologjisë, në Fakultetin filozofik.

“Kam konkurruar në Departamentin e sociologjisë. Testi ka qenë… s’di çka me të thanë, as i vështirë as i lehtë. Shpresoj që do të pranohem”, ka thënë ai.

Mirëpo jo të gjithë ishin nda të lumtur.
Dy studenteve nga Presheva në Fakultetin Shkencave Matematiko Natyrore nuk iu mundesua hyrja në testin nga lënda e Matematikës nga se, siq pohon Egzona: “paskemi gabuar në aplikim ku, në vendë te përcaktimit të drejtimit /Matematikë Arsimore/ ne kemi apliku /Matematikë e Përgjithshme/, me çka ne nuk u lejuam të hyjmë në test sepse Ministria e Arsimit nuk paska lejuar kuotë për Komunat tona në drejtimin e përgjithshëm.
Ndërsa studentja tjetër gjithashtu nga Presheva e cila e kishte kry testin, thotë: “Isha e detyruar që të aplikoj në drejtimin /matematikë arsimore/ në vendë të drejtimit /shkencat kompjuterike/ që kisha dëshirë të konkurojë ngase Ministria e Arsimit nuk paska ndarë kuotë për drejtimin që e doja por, shpresoj se pasi ta përfundoj vitin e parë akademik do t’ma mundësojnë këta të fakultetit tonë kalimin në drejtimin që pata dëshirë të studjoja”.

Mirëpo jo të gjithë ishin entuziast, pas daljes nga testi. Nuk munguan as lotët e atyre, që pretendonin që të bëheshin studentë, por të cilët nuk ishin përgatitur sa duhet, duke mos arritur kështu t’i përfundojnë përgjigjet nga testi. Disa, qëndronin me lot në sy në korridoret e fakulteteve, duke mos dashur të flasin, sepse nuk ndiheshin mirë dhe preferonin vetëm të qanin, pasi që tashmë e dinin që s’ka shpresë që në tetor të bëhen studente.

E në anën tjetër, udhëheqës të fakulteteve, u shpërehen të kënaqur me mbarëvajtjen e testit.

Milazim Krasniqi, shef i Departamentit të Gazetarisë, ka thënë se këtë vit do t’i pranojnë 100 studentë dhe se provimi në këtë fakultet ka qenë plotësisht korrekt, brenda standardeve akademike.

“Në Departamentin e Gazetarisë, sivjet, do t’i pranojmë 100 studentë. Në këtë afat kanë konkurruar rreth 300 dhe provimi po zhvillohet në rregullsi të plotë. Nuk ka asnjë lloj problemi. Komisionet me gjithë kujdestaret, janë duke e përcjellë procesin kështu që besoj se do të kemi një provim plotësisht korrekt dhe brenda standardeve akademike”, pohoi Krasniqi.

Ndërsa, Bajram Ukaj, Dekan në Fakultetin Juridik ka thënë se ky fakultet këtë vit, do të pranojë gjithsej 1 000 studentë dhe se në testin i cili është mbajtur sot, çdo gjë ka shkuar në rregull pa kurrfarë problemesh.

“Fakulteti Juridik këtë vit akademik pranon 1 000 studentë. Në qendër në Prishtinë 500 të rregullt, 250 me korrespodencë, ndërsa në Gjilan 150 të rregullt 100 me korrespodencë. Gjithsejtë 1 000 studentë”, ka thënë ai.

Provimi pranues në Fakultetin Ekonomik dhe atë të Mjekësisë do të mbahet nesër, ndërsa rezultatet për të gjitha fakultetet, pritet të shpallen me tre gusht, sipas urdhrit që ka dhënë rektorati. Në vitin akademik 2012-2013, Universiteti i Prishtinës do të pranojë 9221 studentë, prej të cilëve 8011 studentë të rregullt dhe 1210 studentë me korrespondencë. /kosovapress/

Sot provimi pranues për në UP

Që nga ora 9:00 e mëngjesit të sotëm në disa fakultete të Universitetit të Prishtinës, po mbahet provimi pranues për studentë të rinj.

Provimi pranues nuk mbahet sot, në të gjitha fakultetet, pasi që për fakultetin e Mjekësisë dhe Fakultetin Ekonomik, ai do të mbahet nesër më 31.7.2012, në orën 9:00 dhe se shpallja e rezultateve të provimit pranues, do të bëhet deri më 03.8.2012.

Në vitin akademik 2012-2013, Universiteti i Prishtinës do të pranojë 9221 studentë, prej të cilëve 8011 studentë të rregullt dhe 1210 studentë me korrespondencë.

Po ashtu, UP do të regjistrojë edhe 323 studentë të rregullt nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Presheva e Bujanoci, si dhe 294 studentë nga minoritetet.

Të drejtë pranimi në Universitetin e Prishtinës kanë të gjithë kandidatët të cilët e kanë përfunduar me sukses shkollën e mesme dhe e kanë diplomën për shkollimin e kryer. /kosovapress/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch