Home » Lajme, Ndërkombëtare » Në Goteborg të Suedisë u varros prof. Dr. Shaqir Shaqiri

Në Goteborg të Suedisë u varros prof. Dr. Shaqir Shaqiri

Nga XHAVIT ÇITAKU

Në varrezat e Kvibergut në Goteborg të Suedisë dje nga familjarët, miqtë, bashkëveprimtarët dhe një numër i konsiderueshëm të bashkatdhetarëve tanë iu dha lamtumira fundit profesorit universitar, diplomatit, publicistit, veprimtarit të palodhshëm për çështje kombëtare, të burgosurit politik dhe njërit ndër themeluesit LDK-së, prof. Dr. Shaqir Shaqirit, i cili pas një sëmundje të gjatë e të rëndë vdiq të dielën që shkoi. Vdekja e këtij  personaliteti të madh e të dinjitetshëm jehoj dhimbshëm tek komuniteti shqiptar në këtë shtet skandinav, aq më shumë kur bëhet fjalë për një njeri të ngritur në aspektin akademik dhe një burrë në kuptimin e plot të fjalës, që dha, po ashtu, një shembull të shkëlqyer se si duhet të punohet për komb e atdhe.  Në këtë akt mortor Nexhat Hoxha bashkudhëtar i aktiviteteve me të ndjerin dhe miku i madh i shqiptarëve, Anders Wesman, ngriten lartë punën dhe vepren e të ndjerit.

Prof. Dr. Shaqir Shaqiri i takon asaj plejade të njerëzve të mëdhenjë që dha shumë në edukimin e brezave të rinj në diasporë e në atdheun e shtrenjtë. Kontributi i tij më i madh ishte gjatë punës në Universitetin e Prishtinës në fushën e publicistikës duke përkthyer poezi të shumta, tregime, ese dhe pesë antologji të shkrimtarëve më të njohur botëror. Po ashtu edhe nga gjuha shqipe në atë angleze ka përkthyer antologjinë e poetëve të njohur shqiptar. Aksionit të UDB-së serbe që kishte filluar kohë të gjatë kundër intelektualëve shqiptar nuk i shpëtoj as Shaqiri, i cili në vitin 1981 u arrestua dy herë, duke e torturuar në mënyrën më barabare nga kriminelet serb. Më pas ai u akuzua për indoktrinim të rinisë shqiptare në jo vetëm në Universitet dhe u dënua me dy vjet burg dhe në këtë mënyrë edhe u përjashtuar nga procesi mësimor. Përkundër kësaj trysnie të njëpasnjëshme që i bënin sigurimi i shtetit serb, Shaqiri pas daljes nga burgu së bashku me shokët e tij të idealit punon shumë në organizimin e popullit për ta kundërshtuar makinën vrastare serbe, ndër të tjera, me anë të protestave dhe formave të tjera të mosdëgjueshmerisë kolektive ndaj aparatit pushtues serb. Ai iu kishte bashkuar edhe sindikatave të pavarura të Kosovës, punonte pandërprerë në KMLDNJ dhe ishte iniciatori i formimit të Ministrisë së Mbrojtjes.

Diplomat i nivelit të lartë

Aftësitë e tij prej një diplomati të nivelit të lartë u dëshmuan kur ai zgjedhet anëtar i Kryesisë së parë qendrore të LDKsë dhe njëherit sekretar për marrëdhënie me jashtë. I lodhur nga provokimet e përditshme dhe përcjellja këmba- këmbes nga agjentët e sigurimit serb, Shaqir Shaqiri ishte shtrënguar që ta braktisë atdheun në vitin 1993 dhe të vendoset në Goteburg të Suedisë. Pas një aktiviteti të pasur e përmbajtësor që zhvilloi me të gjitha organizimet e komunitetit shqiptar, qeveria e Kosovës në ekzil  atë e emëron shef të Zyrës Informative për Skandinavi me seli në Stokholm, detyrë këtë që ushtroi plot shtatë vit. Duke e njohur gjuhën angleze dhe duke krijuar kontakte me një mjeshtri diplomatike me shumë personalitete të larta jo vetëm të shteteve skandinave ,ai arriti sukses të jashtëzakonshëm në sensibilizimin e situatës së rëndë që mbretëronte në vitet e nëntëdhjeta në Kosovë. Po ashtu, Shaqir Shaqiri u bë edhe një zë i fuqishëm i UÇK-së, për të cilën në çdo takim që kishte, në çdo informatë që dërgonte në adresë të qeverive të shumë shteteve, thoshte se kjo forcë e re ushtarake është produkt i veprimeve çnjerëzore që po ushtron regjimi i Beogradit mbi popullatën në Kosovë dhe UÇK është e angazhuar që në rend të parë të mbroj popullin dhe të çlirohet nga pushtimi shekullor serb.

Komuniteti shqiptar në Suedi do ta kujtojnë gjatë këtë veprimtar të shquar

Prof. Dr. Shaqir Shaqiri ishte një personalitet që përqafonte e mbështeste çdo gjë të re, çdo gjë patriotike, çdo gjë që shkonte në të mirë të komunitetit shqiptar në Suedi. Ishte model e njeriut punëtor që nuk përtonte të angazhohet gjithnjë ku e kërkonte nevoja dhe ishte njëkohësisht i përkushtuar për të mirën e kombit dhe atdheut. Ishte kurioz për nga natyra dhe shumë i etur që komuniteti shqiptar të arrij rezultate të mira në punë, mësime, shkencë, kulturë, art e fusha tjera. Me fjalë tjera ai ishte burrë i mençur dhe plot forcë, që për shkak të sëmundjes në dhjetë vjetët e fundit i ka munguar jo vetëm komuniteti shqiptar jo vetëm në Suedi.

Familjes Shaqiri telegram ngushëllimi i dërgoi ambasadorja e Republikës së Kosovës në Stokholm të Suedisë, Shkendje Geci- Sherifi, e cila e vlerësoi lartë punën dhe veprën e këtij intelektuali në përmasa të gjëra.

Qoftë i përhershëm kujtimi për këtë atdhetar të paepur.   

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch