Home » Lajme, Ndërkombëtare, Sport » Në Lucern luajnë 12 kosovarë në dy kombëtaret

Në Lucern luajnë 12 kosovarë në dy kombëtaret

Ministri Memli Krasniqi, kryetari i FFK, Fadil Vokrri, dhe politikani zvicerano-shqiptar Etrit Hasler flasin për ndeshjen Zvicër- Shqipëri

Në prag të ndeshjes futbollistike që luajnë pasnesër Zvicra me Shqipërinë, albinfo.ch ka marrë opinionet e personaliteteve nga fusha e sportit dhe atyre nga politika por që puna e tyre lidhet me sportin. Ministri kosovar i sportit, Memli Krasniqi, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, dhe politikani e publicisti zvicerano-shqiptar Etrit Hassler, kanë folur lidhur me pozicionin delikat në të cilin gjenden futbollistët e kombëtares zvicerane me rrënjë shqiptare si dhe kanë dhënë mendimin e tyre për ndeshjen e pritshm

 

Ministri Krasniqi: Në të dy skuadrat, janë 12 lojtarë nga Kosova. Ne krenohemi me të gjithë ata

 


 

“Duhet të kihet parasysh se shumë futbollistë nga Kosova luajnë në kombëtare të ndryshme, por pa dyshim më së shumti janë të angazhuar në Kombëtaren e Shqipërisë dhe në atë të Zvicrës”, ka nënvizuar ministri Krasniqi.

 

“Në ndeshjen Zvicër – Shqipëri, sikur të mblidhen nga të dy anët futbollistët nga Kosova, do të krijohej një reprezentacion i tërë, meqë në total në ndeshje do të jenë 12 lojtarë të tillë. Të gjithë ata, pa dallime, na kanë bërë dhe na bëjnë që të ndjehemi krenarë për talentin dhe të arriturat e tyre dhe për përfaqësimin e denjë që na e bëjnë të gjithë neve si komb, pa marrë para sysh se ku luajnë” shprehet në vazhdim ai.

 

Veç kësaj, ministri i merr në mbrojtje futbollistët shqiptarë që luajnë për Zvicrën, të cilët shpesh po i nënshtrohen një presioni nga të dyja anët. “Unë i kam parë edhe deklaratat e disa prej futbollistvë tanë që luajnë për Zvicrën dhe sinqerisht mendoj se nuk është e drejtë që t’u bëhet presion në çfarëdo mënyre, sepse të gjithë duhet të mburren me sukseset e tyre. Ata kanë bërë një punë të jashtëzakonshme në përmirësimin dhe përfaqësimin e drejtë të imazhit të Kosovës, por edhe të kombit shqiptar në përgjithësi. Unë shpresoj se do të shohim një ndeshje të mirë, të karakterizuar me fer-plej dhe respekt të ndërsjellë, si dhe me përkrahje sportive për të gjithë talentët tanë”, ka thënë në fund Memli Krasniqi.

 

 Etrit Hasler: Kundër fanatikëve nga të dyja palët

 


 

Ndërsa Etrit Hasler, deputet kantonal në St.Gallen në prononcimin e tij kundërshton zërat që akuzojnë Shaqirin me shokë se nuk do të luajnë “me zemër” në ndeshjen kundër kombëtares shqiptare.

 

“Ideja se një perëndi e vogël futbolli, si Xherdan Shaqiri, do të luante vetëm “me gjysmë zemre” kundër Shqipërisë, është absurde. Secili sportist profesionist e di se nuk mund t`ia lejojë vetes që në fushë të japë më pak se 100 per qind nga vetja, qoftë kundër ish skuadrës së tij ose edhe kundër një vendi me të cilin ai ndjehet i lidhur”, shpreht Hasler dhe shton: “Në fakt është e kundërta, ne, njerëzit me dy atdhe, ndjehemi të lidhur dyfish me obligime – ky pra është çmimi që duhet të paguajmë për përparësinë që kemi ne, si njerëz me një atdhe shumë se të tjerët.

 

Unë mendoj se kjo do të shpërfaqet në atë që këta lojtarë nuk do të festojnë, brohorasin me tepri – nga respekti ndaj kundërshtarëve dhe ndaj tifozëve shqiptarë brenda publikut, të cilët nganjëherë janë edhe tifozë të tyre”.

 

Por, Hasler nuk e kursen as palën tjetër, tifozët shqiptarë që i quajnë tradhtarë bashkëkombësit e tyre që kanë zgjedhur të luajnë për Zvicrën.

 

“Të identifikosh këtë gjë si “tradhti” është dëshmi për një mentalitet të padenjë për shekullin 21. Fundja, e vërteta është se janë sidomos shqiptarët “zviceranë” në futboll ata që luajnë në ligat më të mira të botës dhe me këtë konsiderohen si idhuj futbolli në gjithë botën. Dhe anasjelltas është po ashtu e vërtetë që kombëtarja zvicerane, po mundet sërish të luajë e barabartë në rrafshin ndërkombëtar, vetëm nga momenti kur është vetëdijesuar që të vlerësojë kualitetet e emigrantëve të saj, qofshin këta nga Tunizia ose nga Kroacia, nga Ishujt e Kepit të Gjelbër ose nga Kosova”.

 

Etriti jep edhe prognozën e tij për ndeshjen e të martës: “Unë mendoj se ndeshja do të përfundojë 3:1 për Zvicrën. Kombëtarja e Zvicrës disponon me një potencial të hatashëm dhe, në fund të kualifikimeve do të shkojë në Kampionatin Botëror si kryesuese e grupit”.

 

Vokrri: “Përkrahim kombëtaren shqiptare, por një pjesë të zemrës e kemi në skuadrën zvicerane”

 


 

Përplot mirëkuptim për futbollistët shqiptarë të Zvicrës është edhe Fadil Vokrri, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës. “Fillimisht ata janë sportistë kulminantë dhe profesionistë që kanë të drejtë të zgjedhin ku të luajnë. Të gjithë futbollistët e Kosovës, në të dy përfaqësueset e kanë të pamundur të luajnë për shtetin e tyre. Normalisht, ne e përkrahim shtetin amë dhe kombëtaren shqiptare, por edhe një pjesë të zemrës e kemi në skuadrën zvicerane”, ka thënë ylli i dikurshëm shqiptar i futbollit. Ndërsa lidhur me ndeshjen që do të luhet pas dy ditësh në Lucern Vokrri thotë: “Për tifozërinë shqiptare është ndeshja më e mirë që mund të jetë luajtur ndonjëherë”./albinfo.ch/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch