Home » Lajme, Ndërkombëtare » Në mërgatën shqiptare në Suedi mbretëron punë e frymë atdhetarie

Në mërgatën shqiptare në Suedi mbretëron punë e frymë atdhetarie

Shani Hamitaga nga ministria e Diasporës tha se kjo Shoqatë  është një formë e veprimit revolucionar dhe duhet të jetë shembull për të tjerët.- Magnus Jacobsson, nënkryetar i Komunës së Udevallës shprehu gëzimin që ky tubim shkencor po mbahet në këtë qytet dhe që është mik i shqiptarëve.- Rrahman Paqarizi, Kryetar i Bordit të RTK-së përkujtoi se ky medium ka një projekt jashtëzakonisht të mirë për fëmijët mërgimtar, që do të ndikoj në mësimin e gjuhës amtare më lehtë e më thjesht.- RTSH ndjek me përparësi gjithë aktivitetin e mërgatës shqiptare, tha Drejtori i Departamentit të Programeve, Jaho Margjekaj

 

Nga XHAVIT ÇITAKU

 

Udevalla 1 qershor- Organizuar nga SHSHAKSH “ Papa Klementi i XI Albani” dje në Udevalla të Suedisë u mbajt Sesioni i Tretë Shkencor i titulluar “ Kontributi i mërgatës shqiptare në Suedi dhe i miqëve suedez për shqiptarët dhe çështjen e Kosovës”. Ky eveniment që në fillim u dëshmua se ishte përgatitur mjaft mirë, ndërsa Saranda Iseni, juriste dhe anëtare e Kryesisë, edhe kësaj radhe ia dha madhështinë këtij tubimi sidomos me gjuhën e pastër shqipe dhe me poezit e saj “ komike” që i kënaqi të pranishmit dhe e cila u përcoll me duartrokitje frenetike. Morën pjesë: Ralf Sten, kryetar i Komunës së Udevallës, Magnus Jacobsson, nënkryetar i kësaj komune, Shani Hamitaga, përfaqësues i Ministrisë së Diasporës, Hasan Qyqalla, kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve në mërgatë, DR. Ziadin Zela, kryetar i Komunës së Strugës, Prof. Dr. Rrahman Paqarizi, profesor universitar dhe kryetar i Bordit të RTK-së, Jaho Markxhekaj, Drejtor i Departamentit të programeve të RTSH-së Azem Bujupi, drejtor i Radio Kosovës, Besim Xhelili, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptar në Austri, Imri Trena, anëtar i Kryesisë dhe Myrvete Mehmeti, anëtare e SHSH të Norvegjisë dhe Hasime Hoti, poete nga Finlanda.

 

                       Krijuesit po dëshmohen me veprat e tyre të mëdha

 

Duke hapur këtë sesion Kryetari i SHSHAKSH ” Papa Klementi i XI Albani”

z.Hysen Ibrahimi theksoi:”Ideja e njerëzve të mëdhenj, dëshmohet me veprat e tyre të mëdha”. Këtë po e dëshmojnë krijuesit tonë kudo në Suedi me vepra e tyre të artit, kulturës, poezisë, romanit, artit pamor etj.Me përkushtimin e tyre të madh, ”Thesari Kombëtar” është duke ecur siq është më së miri. Është nderë dhe knaqësi të punosh me këta krijues. Kontributi ynë në këtë drejtim është falas dhe jemi të përkushtuar që të punojm në këtë drejtim aktivisht. Mos

 

Nga e majta rendi i parë ulur:  Clarence Holgersson,Adem Ahmeti, Ramadan Hyseni, Selami Çitaku, Osman Ahmetgjekaj, Fahredin Berisha, Ralph Steen, Lebibe Zogiani, Idriz Gashi,Florije Bajraktari, Dr.Ziadin Sela, Magnus Jacobsson, Besim Xhelili, Shani Hamitaga, Qazim Hoti, Bajram Muharremi.                 Rendi i dytë: Nderim Gurguri, Naim Murseli, Argjent Havolli, Zana Bahtiri, Agim Xhinovci, Sanije Murseli, Shaban Murseli, Rashit Gashi, Haki Ademi, Shaban Gashi, Rrahman Rrahmani, Remzi Basha, Ibrahim Abedini, Jaho Margjeka, Prof. dr. Rrahman Paçarizi, Isuf Bajraktari, Hasime Hoti, Essam El-Naggar, Mirvete (Elmaz) Mehmeti, Hasan Qyqalla (prapa Mirvetes), Myrvete Mehmeti, Mustafë Kabashi. Rendi i tretë: Arbnor Havolli, Shkurte Rexhepi, Shkurte Alija, Hamit Gurguri, Shkurtmire Alija, Anders Wessman, Emin Rrustemi, Mursel Shkupolli, Xhavit Çitaku, Prof. Fetah Bahtiri, Sadulla Zendeli-Daja, Fatmire Bunjaku, Bedri Paci, Miftar Havolli, Shfqet Tafilaj, Avdyl Uka, Bahri Zeneli, Imri Trena, Sokol Demaku, Shemsi Rukovci, Shpend Rukiqi. Rendi i katërt nga e majta: Halim Hoti, Besim Latifi,  Festa Bahtiri, Besnik Bahtiri, Adlije Imeri, Besim Jakupi, Saranda Iseni, Azem Bujupi dhe Hysen Ibrahimi.

 

të harrojmë se kjo vepër e bekuar ” Thesari Kombëtar”, nuk do ishte botuar pa ndihmën e sponsorëve tanë. I pari që e vuri themelin e finansave për këtë libër është biznismeni ynë e nderuar dhe shumë i respektuar z. Halim Hoti. Pastaj, vëllezërit Albert dhe Artan Jashari, Mr. Fadil Geci, luftëtar i orëve të para të lirisë së Kosovës dhe deputet i dy mandateve në Kuvendin e Kosovës. Mursel Shkupolli, Qazim Hoti, Shaban Murseli, Robert Hoti, Naim Latifi, Burim Muharremi, Haki Ademi. Tani kanë filluar të na ndihmon edhe Nykterhetsrörelsens Bildningsverksamhet në Skåne, Uddevalla, Halmstad dhe Borås. Kurse sponsor i këtij Sesioni është kryesisht komuna e Uddevallës. I falënderojm të gjithë pa përjashtim për ndihmën e dhënë, e cila do kurorizohet me librin ”Thesari kombëtar 3”, i cili do të dalë së botuari në qershor 2014.

”Vlera e ngritjes qytetare dhe e kulturës së një populli, vlerësohet me gradën më të lart nga dhënja e të drejtave minoritare që jetojnë bashkërisht me atë popull”.  Pikërisht, është populli mik suedez, që ka treguar kulturë të lartë, sa që ne komuniteti shqiptar në Suedi, e rëndisim në krye të listës së popujve të botës për dhënjen dhe respektimin e të drejtave të çdo minoriteti në Suedi. Zoti e bekoft këtë popull, sikurse që është duke e bekuar me të mirat që ka dhe e dallon në botë. Populli Shqiptar, është një popull që nuk i harron të mirat, por i shkruan dhe i thotë kudo. Prandaj, është njëri ndër shkaset kryesore që ne sot shkruajmë për të mirat e tyre që na  janë ofruar.

”Një vepër e shkruar nuk mjafton për”ENCIKLOPEDINË KOMBËTARE SHQIPTARE”, por i ndihmon veprat e tjera për të kompletuar këtë enciklopedi”.Pikërisht është ”Thesari Kombëtar” i mërgatës shqiptare në Suedi, i cili do zënë vend në këtë enciklopedi kombëtare shqiptare si një ndër veprat më të vlerësuara dhe çmuara nga mërgata shqiptare. Këtë po e thonë njerëzit e Akademisë së Shkencave, të Institutit të Historisë të Institutit Albanologjik, shkrimtarë, poet, publicist të njohur kombëtar të fjalës së shkruar shqipe, gjatë përurimit të këti libri nëpër të gjitha trojet etnike shqiptare. Prezentoi edhe agjendën e përurimit të librit të tretë” Thesari Kombëtar 3” në të gjitha trojet etnike shqiptare, përfundoi z. Hysen Ibrahimi

Mbi 200 vepra të shkruara nga krijuesit shqiptarë në Suedi

Më pas e mori fjalën Prof. Fetah Bahtiri, kryetar i Këshillit Organizativ, anëtar i Kryesisë dhe Kryetar i Këshillit redaktues i SHSHAKSH “ Papa Klementi i XI Albani”,i cili ndër të tjera tha: ” Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi ka në mesin e vet anëtarë të devotshëm që gjithnjë kanë vepruar dhe veprojnë duke i shërbyer atdheut. Anëtarët e saj, përpos të tjerash, e arrijnë qëllimin e paracaktuar me anë të krijimeve e vlerave artistike, veprave letrare, publicistike dhe formave të tjera të arteve. Ata e arrijnë realizimin e këtij synimi sepse të gjithë si një me koshiencë të paparë janë përcaktuar shpirtërisht që të mendojë, të punojë e të veprojë vetëm e vetëm në shërbim të kombit e atdheut.Anëtarët tanë sot i kanë të shkruara mbi 200 vepra të tilla nga gjinitë e ndryshme letrare, por kanë krijuar edhe vepra të tjera artistike që janë të përmendura në opinionin suedez.

Ne si Shoqatë kemi planifikuar që si botim të veçantë për çdo vit ta nxjerrim edhe nga një numër të librit të cilin ne e kemi pagëzuar ”Thesar Kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi”. Librat do t´i kenë nga 600 – 800 faqe dhe do të flasin vetëm me gjuhën e dokumenteve origjinale për veprimtarinë dhe angazhimet e mijëra shqiptarëve në trollin e Suedisë në shërbim të ruajtjes së gjuhës shqipe, në shërbim të atdheut e kombit.Për t´i realizuar këto synime ne e kemi bazë dëshirën e vullnetin, kurse krahët me të cilët fluturojmë i kemi në një mori anëtarësh mbështetës të cilët nuk merren me shkrime as publicistike, as artistike. Këta anëtarë janë të vendosur fortësisht dhe me këmbëngulje qëtë vendosin gurë të mëdhenj në kështjellën e popullit dhe atdheut të vet, ta shkruajnë historinë për gjeneratat që do të vijnë pas nesh. Këta veprimtarë me shpirtbardhësinë dhe bujarinë e tyre janë duke e ndihmuar Shoqatën tonë në mënyra të ndryshme materialisht. Idetë dhe përcaktimet e klasës krijuese i bëjnë realitet duke financuar botimin e Thesarit Kombëtar, duke paguar qiranë për zyrën e Shoqatës dhe duke hequr shpenzimet për format e ndryshme të veprimtarisë sonë. Nëse këtyre zemërbardhëve u themi ”Ju falemnderit shumë!”, kjo nuk mjafton. Është Zoti i madh ai që i sheh e i di të gjitha mirësitë e kësaj bote dhe bëmirësit e bujarët fisnikë i shpërblen me të mira dhe me begati të reja. Më pas ai theksoj në mënyrë të veçantë edhe bashkëpunimin që është vendosur me Ministrinë e Diasporës të Republikës së Kosovës, falë angazhimit dhe qëndrimit të Ministrit Ibrahim Makolli, për çka e falënderojmë sinqerisht. Edhe prania e tij sot këtu konfirmon konstatimin tim të mësipërm.

          Komuna e Udevallës përkrahu e ndimoj  veprimtarinë e komunitetit shqiptar

Posaçërisht vlen të përemndet se pushteti suedez e përkrah pa rezerva punën dhe veprimtarinë tonë, gjithnjë duke u mbështetur në mundësitë që ofrojnë dispozitat ligjore. Mbajtjen e këtij Sesioni në Uddevalla e ka mundësuar pikërisht kjo komunë, në të cilën ne shqiptarët jemi të pranuar mirë, të integruar në jetën dhe punën e në shoqërinë suedeze. Ne njëkohësisht jemi edhe ambasadorë të mirë të atdheut tonë të prejardhjes, por edhe të këtij qyteti në Suedi e edhe kudo që të ndodhemi e veprojmë në Evropë e më gjerë. Pasi u falenderua shumë për mundësitë që i krijoj Komuna e Udevallës për të vepruar lirshëm në një mjedis demokratik Fetah Bahtiri përkujtoj se në këtë komunë janë të vendosur mbi 200 familje shqiptare me rreth 1000 anëtarë familjesh.Është karakteristike se bashkatdhetarët tanë që janë të vendosur në këtë komunë asnjëherë nuk ngurruan ta ndihmojnë atdheun në të gjitha mënyrat dhe format e mundshme. Secilit aksion që ka pasur synim për ta ndihmuar atdheun i janë përgjegjur me dashuri, entuziazëm e vullnet. Është ndihmuar Fondi i 3%-shit i Republikës së Kosovës, Fondi ”Vendlindja thërret”, arsimi në Kosovë, aksioni për pavarësinë e Kosovës, janë grumbulluar e dërguar ndihma për minatorët, për viktimat e terrorit shtetëror serb në Drenicë, për Kosovën Lindore, për shqiptarët në Maqedoni, për shqiptarët e dëbuar  në Maqedoni e Shqipëri, për shkolla e institucione të ndryshme si dhe janë organizuar aksione të shumta për ndihma humanitare për familje skamnore e bashkatdhetarë të sëmurë (për shërimin e tyre), etj.

Aksionit të shqiptarëve në Uddevalla iu bashkangjitën edhe shumë qytetarë suedezë, joshqiptarë të tjerë me kontribute në të mira materiale dhe në para. Kështu janë grumbulluar ndihma ushqimore e higjienike të cilat disa herë me kamionë janë dërguar në Kosovë, në Maqedoni dhe në Shqipëri, në kohën kur atje ishin vendosur qindra mijëra shqiptarë kosovarë të përndjekur prej vatrave të tyre shekullore me dhunë nga Serbia. Për t`i shërbyer atdheut në të gjitha mënyrat, bashkatdhetarët tanë të vendosur në Uddevalla të Suedisë më datë 23.06.1998 formuan Këshillin e Emergjencës për Komunën e Uddevallës dhe urgjentisht u evidencuan bashkatdhetarët tanë që ishin të gatshëm të kthehen në Kosovë për të luftuar dhe t`u bashkohen radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e t`i dalin zot Atdheut. Por, ndodhi mrekullia! Në krahë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës u rreshtuan fuqitë më të forta e më të mëdha ushtarake të botës dhe Kosova u çlirua definitivisht prej thundrës serbe. Ushtarëve të lirisë nga Uddevalla nuk iu plotësua dëshira dhe nuk iu dha mundësia që në mënyrë të organizuar me njësinë e vet ushtarake t`i bashkangjiten ushtrisë së Ibrahim Rugovës dhe të Adem Jasharit.

 

                                        Integrimi në shoqërinë suedeze

 

Bashkatdhetarët e vendosur në Uddevalla janë plotësisht të integruar në shoqërinë, sistemin dhe jetën suedeze. Forma më e mirë e integrimit është realizuar nëpërmjet punësimit. Marrëdhëniet e punës dhe profesionet që ata i kanë dhe i ushtrojnë janë të llojllojshme. Shqiptarët ndodhen në të gjitha organizatat punuese të komunës së Uddevallës dhe në disa nga komunat e afërme.

Një pjesë e mirë e bashkatdhetarëve punojnë në kuadër të arsimit dhe edukimit. Ata janë mësues dhe edukatorë të zellshëm në shkollën suedeze, në institucionet parashkollore dhe në shkollën shqipe të mësimit plotësues me detyra pune që me fëmijët shqiptarë të komunikojnë në gjuhën shqipe dhe nxënësit të ndihmohen në gjuhën amtare shqipe. Kështu,në komunën e Uddevallës në mesin e 20 gjuhëve amtare të cilat mësohen sot në mënyrë të organizuar, gjuha shqipe zë një vend të merituar.

Në Uddevalla ka edhe bashkatdhetare farmeciste, ka bashkatdhetarë që punojnë në degë të ndryshme të industrisë, në tregti, ka punëtorë nëpër zyra, punëtorë në mirëmbajtjen e pastërtisë në qytet e në brigjet e detit, nëpër kuzhinat e shumta që ndodhen pranë çdo shkolle, parashkolloreje, në spitalin e qytetit, pranë shtëpive për përkujdesin ndaj të moshuarve, etj. me kualifkimin dhe arsimimin special si kuzhiniere, ka bukur shumë shoferë autopbusash, madje këtë profesion e ushtrojnë edhe disa femra shqiptare, disa bashkatdhetarë kryejnë edhe punë të besueshme me autorizime dhe përgjeshësi speciale për sigurimin e personave, objekteve, pronës e të ngjashme. Një pjesë e mirë e të rinjve nga Uddevalla u janë përkushtuar degëve të ndryshme të studimeve universitare anembanë Suedisë në degë të ndryshme siç janë mjekësia, ekonomnia, sociologjia, shkencat shoqërore, degët e arsimit, biznesit, politikës ndërkombëtare etj. Disa prej tyre edhe kanë magjistruar në degët e zgjedhura dhe tani më janë bërë ekspertë të dalluar. Edhe disa sportistë shqiptarë nga Uddevalla janë ngritur deri në nivelin e elitës sportive në Suedi. Dallohen sidomos disa futbollistë që kanë luajtur dhe luajnë në Allsvenska, në Superettan, në Divizionin I të futbollit, por ka sportistë të dalluar edhe në hendboll, në boks, mundje etj. Për të gjithë vlen një rregull i pashkruar: të gjithë janë shumë të përgjegjshëm në punë e në veprimtari, të vyer, të ndershëm, të sjellshëm, korrektë, shembullorë dhe për këtë arsye edhe janë të dashur e të respektuar.Nuk mund e lëmë pa e përmendur edhe faktin se në konkursin e bukurisë ”Mis Diaspora” për Skandinavi dy herë ky titull u ka takuar dy bukurosheve pikërisht nga Uddevalla. Përfundimisht, mund të thuhet me plot gojë se shqiptarët e Uddevallës janë shërbëtorë të shkëlqyeshëm të atdheut të prejardhjes, Kosovës, por, edhe të integruar plotësisht në shoqërinë suedeze, përfundoi Prof. Fetah Bahtiri.

                           ” Thesari kombëtar” është një vepër fisnike

Biznismen të shumtë shqiptarë që me sukses po depërtojnë në tregjet jo vetëm suedeze ,por edhe në shtete të tjera të kontinenteve të ndryshme po ndihmojnë mjaft punën dhe aktivitetin e e SHSHAKSH. Njeri ndër ta është edhe Halim Hoti, i cili me këtë rast tha: ” Duke e ditur rëndësinë e librit ”Thesari Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi” ku tani janë botuar tre numra dhe numri i katërt është përgaditur më tepër se gjysma, kemi qenë dhe jemi të vendosur që të japim kontributin tonë sa herë që e kërkon nevoja. Rezultatet e Shoqatës tonë tani janë evidente dhe të njohura për opinionin mbarëshqiptarë, si në trojet etnike shqiptare, po ashtu edhe në mërgatë. Ne si biznismen, veprimtar e po ashtu edhe krijues, jemi tejet të nderuar që kemi mundësinë për të dhënë kontributin tonë duke sponsoruar librin.

Duhet ditur se ”ThesariKombëtar”, është një vepër fisnike, që do ju shërbej gjeneratave që do të vinë e ndjeja veten të priviligjuar që pata rastin të jam sponsori i librit të parë, e pastaj në këtë drejtim mu bashkangjitën edhe veprimtarë të dalluar dhe sponsor të shkëlqyeshem.

Ne ftojmë të gjithë dashamirët e fjalës së shkruar shqipe, që të na bashkangjiten në rrugën tonë të shenjtë,për të ndihmuar botimin e librave të tjerë, në të gjitha aktivitetet, e poashtu edhe në sponsorim. Duke sponsoruar librin, ke sponsoruar për historinë kombëtare shqiptare, për të ardhmen tonë, për gjeneratat që do të vin pas nesh dhe do të kenë me çfarë të krenohen, me veprat e të parëve të tyre, që edhe ata të vazhdojnë këtë rrugë atdhetare, tha ai.

 

Jemi krenar për banorët shqiptar dhe që jemi miq me ta

 

Ralf Sten, Kreytar i Komunës së Udevallës pasi prezentoi një historik të shkurtër për këtë qytet bregdetar pasqyroj edhe jetën e përbashkët që zhvillohet  në këtë komunë nga komunitete të shumta. Në veçanti foli për komunitetin shqiptar, i cili, sipas tij, është vërtetë një shembull i mirë se si duhet të punohet e respektohen ligjet e normat shoqërore. Po të mos ishte kështu ne sot nuk do të ishim prezent dhe se nuk do të  bartnim shpenzimet e këtij Evenimenti. Ndërkaq, Magnus Jacobsson, nënkryetar, njëherit edhe historian theksoi se interesimi i tij për shqiptarët filloi gjatë vitit 1998 kur Miku i madh i shqiptarëve Anders Wessman me njoftoi për tragjetin që po ndodh në Kosovë, ku menjëherë kishte filluar aktivitetin në sensibilizimin e asaj situate alarmante dhe në organizimin e ndihmave për popullatën e atjeshme. Ai në vazhdim tha se jemi krenar që në këtë qytet janë të vendosur banorë shqiptarë dhe se është krenar që është mik i shqiptarëve. Ai kishte vizituar Kosovën dhe shprehu gëzimin e tij për ato ndryshime të mëdha pozitive që ishin arritur në shumë fusha dhe atë për një periudhë të shkurtër. Në këtë tubim ishte i pranishëm edhe Esam el Nagar, ish- nënkryetar i kësaj komune, i cili me shembuj konkret përmendi se sa është ndihmuar Kosova gjatë luftës, ku pos tjerash ishte dërgimi i dy helikoptërve me ilaqe.

Shani Hamit, nga Ministria e Diasporës, tha së Shoqata e Shkrimtarëve në Suedi me punën dhe aktivitetin e saj që po tregon, vërtetë po tregohet revolucionare dhe se kjo duhet të jetë një shembull konkret edhe për asosacionet dhe format tjera të veprimit në mërgatën shqiptare. Shi për këtë, kjo ministri ndau 3500 euro për të shtuar akoma më shumë këtë punë të dobishme kombëtare që po zhvillon ky asosacion shqiptar. Ai tha edhe fjalë miradije për moderatorën e këtij tubimi Saranda Iseni, për kapacitetin e saj intelektual që vërtetë ia shtoi madhështinë këtij sesioni. Dr. Ziadin Zela, Kryetar i Komunës së Strugës, u entuziazmua me punën që po zhvillon kjo shoqatë dhe komuniteti shqiptar në përgjithësi e sidomos shprehu lëvdata për ndihmën dhe përkrahjen që gëzojnë shqiptarët në komunës e Udevallës. Ndërkaq për librin “ Thesari Kombëtar” tha se ai do të lë gjurmë të pashlyeshme të gjeneratat e tashme dhe të ardhshme shqiptare. Prof. Dr. Rrahman Paqarizi, profesor universitar dhe Kryetar i Bordit të RTK-së, shprehu emocionet e tij për gjithë këtë aktivitet me peshë kombëtare që po zhvillohet në këtë qytet dhe në përgjithësi nga komuniteit shqiptar në Suedi si dhe u prezantua me temën “ Roli i RTV në ruajtjen, kultivimin dhe mësimin e gjuhës amtare për fëmijët shqiptar në mërgatë”. Me këtë rast ai përkujtoi të pranishmit se në RTK është hartuar një projekt i tillë dhe se vetëm pritet që të konsultohet me organet kompetente për ndryshimin e skemës programore sidomos të programit satelitor aq sa lejojnë ligjet në fuqi. Jaho Marxhekaj, Drejtor i departamentit të Programeve të Radios Shqiptare tha se ky medium ka ndjekur me përparësi gjithë aktivitetin e mërgatës shqiptare dhe prezantuar në mënyrë të denjë jetën krijuese, kulturore e sportive. Me gazetar tanë na ishim prezent këtu në Suedi, ndërsa gjatë përurimit të librit “ Thesari Kombëtar 1 dhe 2” vitin e kaluar në Tiranë”  në TV u zhvillua drejtpërsëdrejti një bisedë e gjatë më anëtarë të Shoqatës që u vlerësua me notën më të lartë nga kritika. Anders Wessman, Kryetar i Konfederatës Shqiptaro- Suedeze dhe mik i madh io shqiptarëve theksoi pos tjerash se “ ne triumfuam dhe arritëm që Serbia të mos marrë pjesë në Kampionatin botëror të futbollit”. Ai përmendi edhe shumë miq tjerë suedez që iu kishin bashkuar karvanit të ndihmës e mbështetjes për kauzën e së drejtës, për kauzën e çlirimit të Kosovës nga zgjedha serb. Ai përkujtoi se kishte organizuar 28 protesta, tetë greva të urisë dhe shumë e shumë aktivitete tjera humanitare. Imri Trena, anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Shkrimtarëve të Norvegjisë, vuri në dukje shumë aktivitete të zhvilluara në këtë vend skandinav me theks të veçantë që tash e një kohë të gjatë komuniteti i këtushëm shqiptar po ka mundësi që me programin 24 orësh në gjuhën shqipe të përcjellë të gjitha ngjarjet me rëndësi që po ndodhin në vendlindje dhe në Norvegji si dhe të dëgjojnë edhe programe tjera të larmishme. Azem Bujupi, Drejtor i Radio Kosovës, pos tjerash tha se të bashkuar të pamundurën e bëjmë të mundur ashtu siç jeni ju këtu në Suedi.

 

“Shpirti i një kombi është gjuha që flet”

 

Duke marrë fjalën z. Hasan Qyqalla, kryetar i Lidhjes së krijuesve shqiptarë në mërgatë ndër të tjera theksoi: Mirëfilli është e njohur se, gjuha identifikon grumbuj apo bashkësi popujsh a kombesh, por jo edhe kufij gjeografik, përkatësisht administrativ të tyre. Këtij grupimi i takojmë edhe ne shqiptarët të ndarë në pesë shtete e të shpërndarë gjithandej globit. Nuk jemi vetëm ne shqiptarët etnikë të ndarë në pesë shtete. Raste të tilla ka mjaft tani, varësisht prej zhvillimeve historiografi-ke. Sa për ilustrim, përmendim popullin gjerman, që është i ndarë në katër shtete: Gjermania (gjer në vitin 1989 edhe Gjermania ishte e ndarë, në atë Perëndimore dhe Lindore), pastaj Austria, Zvicra, Lishtenshtajni,…etj. Pavarësisht ndarjes administrative e territoriale, edhe sot e kësaj dite ruajnë një normativ të përbashkët të standardit gjuhësor si  komb, që pa dyshim identifikohet edhe arti, kultura, letërsia, përgjithësisht krijimtaria e tyre. Veç identifikimit etnik të një populli, gjuha është mjet komunikimi, gjersa arti është urë lidhëse mes popujve, përmes pasqyrimit të kulturave, të njohjes e bashkërendimit në fusha të caktuara.

Pa dashur të ndalem gjatë në të kaluarën e hershme, do vija në pah vazhdimësinë dhe lidhjet e kulturës dhe artit me shtetet perëndimore, kundruall migrimit të hovshëm të shqiptarëve në fundshekullin e kaluar, nga dhuna e terrori i pushtuesit serb. Ky migrim, barti me vete profile strukturash të larmishme: si arsimtarë, mjekë, krijues, artistë, gazetarë, profesorë, shkencëtarë, studiues, ekspertë në lëmi të ndryshm, etj. Këtu do shkëputem nga gjithëpërfshirja për t’iu qasur fushës së artit dhe lëvruesve të saj, veçmas në mërgatën tonë mbarëkombëtare.

Gjuha dhe arti, identifikim dhe reflektim multikultural

“Sa bukur tingëllon gjuha juaj në vendin tim“

   E fillova me këtë thënie që po aq ëmbël tingëlloi në veshin tim ku më rastisi ta dëgjoj dikund nga një takim yni në Straubing të Gjermanisë…, mbase vij nga ky mjedis ku migrova 20 vjet më parë. Mundësia e njohjes më për së afërmi me kulturën dhe sistemin rregullativ e institucional të këtij shteti, pra fjalën e kam për shtetin gjerman, na la të nënkuptojmë për hapësirën dhe mundësitë e krijimit të artit edhe në gjuhën e ëmbël shqipe, siç shkruante At Gjergj Fishta, gjersa vendorëve, pas disa paraqitjeve tona dhe organizim të përbashkët do t‘u pëlqente gjuha e kultura e tjetrit përkatsisht gjuha dhe kultura shqipe në vendin e tyre. Ky është barometri më i mirë i pasqyrimit të nivelit kulturor të shtetit gjerman dhe shteteve të tjera perëndimore. Por do ua sjell edhe një tabllo shumë interesante, pikërisht nga shteti ku jemi mbledhur sot këtu, pra nga Suedia.

„Kush dëshiron të këndojë, gjithmonë do ta gjejë këngën…“ – urti  suedeze

Se sa ëmbël tingëllon gjuha shqipe edhe në Suedi, tregon më së miri albanologu suedez Ullmar Qvick që e magjepsi kjo gjuhë e mrekullueshme hyjnore, me të dëgjuar për herë të parë.  Intervistën me albanologun dhe mikun e madh të letërsisë, kulturës dhe vet popullit shqiptar,  Z. Ullmar Qvick e dëgjova në radion „Zëri i Arbërit“ (nga studio e Radio Follo nga Osllo e Norvegjisë), me kryeredaktorin e saj Z. Imri Trena. Në pyetjen se si u njohët me shqiptarët për herë të parë, alabanologu i urtë Z. Qvick, përgjigjet: ”Isha i ri në moshë. Sapo u emërova mësues i ciklit të ulët. Ishte fillimi i vitieve të ’60-ta. Kisha një radio si „dritarja“ e vetme e asaj kohe të njihesha me Botën, mbase më interesonte shumë. …Dhe duke kërkuar më rastisi të dëgjoj një këngë (në gjuhë fare të panjohur, por…) të bukur, të freskët për veshin tim, ishte ritmike edhe pse ende misterioze! Kisha vendosur ta dëgjoj deri në fund. Më pas dëgjoj zërin e folësit: „Ju flet Radio Tirana“!!! Mos të harroj, të cek, vazhdon albanologu dhe miku i shqiptarëve Z. Qvick, se në vitet ’43 apo ’44 kisha lexuar për Shqipërinë, një artikull për pullat postare me portretin e Skenderbeut – Gjergj Kastriotit, me titull „Burri me helmetën e Cjapit“, që më zgjoi kërshërinë. Më pastaj, vazhdon stidiuesi Qvick, përcillja me shumë pasion, veç Radio Tiranës, edhe Radio Shkodrën e Radio Kukësin. Çdo ditë e më shumë më shtohej kurreshtja dhe interesimi që të vë kontaktet e para me punonjësit e Radio Tiranës…, dhe ia dola në fillim të viteve të ’60-ta, të vëjë kontaktet e para me Lumo Mamaçin, ish redaktor në Radio Tiranë. Gjersa, në vitin ’70, fillojnë vizitat e para nga vendet nordike për në Shqipëri, përmes një Agjencie turistike daneze. Kështu vendosa edhe unë ta vizitoj Shqipërinë. Sistemohem në Hotel „Durrësi“ në Durrës, ku ndodhi edhe diçka e jashëzakonshme për mua. Fillova të flisja shqip me recepcionisten (kuptohet me një shqipe jo të pastër…), kur sa çel e mbyll sytë u grumbulluan shumë njerzë duke thënë „dëgjojeni suedezin si flet shqip“!!! E ndjeva veten para asaj mase si një astronaut në atë kohë. Më pas, kërkova ta takoja edhe Lumon (Mamaçin), por vajza e tij Mira, më njoftoi se një vit më parë kishte vdekur nga një smundje e rëndë e veshkëve… Ndjeva dhe kam diçka të veçantë me shqiptarët. Mora ca libra shqip me vete se më interesonte krijimtaria letrare shqipe. Përkthimin e parë e kam bërë në vitin ’71, ku përktheva „Luli i vocërr“ nga Migjeni, sepse më preku në zemër kur e lexova… që të vazhdoja me një Antologji poetike në vitin ’79….(pjesë të shkëputura nga intervista dhënë radios „Z.A.“).

          Të dashur pjesëmarrës, a nuk mjafton ky pasqyrim që zbardh gjegjësisht intensifikon nyjet e artit që lidhin popujt mes vete!? A nuk është arti ngjyra identifikuese e kulturave etnike!? Prandaj, konkludoj se arti është vet mrekullia magjike…

Edhe gatishmëria institucionale e hapjes së shkollave, me mësim plotësues në gjuhën tonë amëtare, organizimi i javës multikulturore, ku inkorporohet edhe java e kulturës shqiptare në shtetet perëndimore, Suedi, Gjermani…, etj. tregojnë avancimin në çdo sferë të shoqërisë së moderuar. Ndaj, shfrytëzuam mundësinë, që edhe ne shqiptarët të organizohemi rreth bërthamës më fisnike, siç është arti.

 

Shoqatat e organizimet poetiko – letrare, sfidat dhe përparësitë

 

Fillimisht, nisur nga disa krijues inicohen organizmet e para, kur nga një grup entuziastësh, veprimtarësh e nismëtarësh, në krye me z. Martin Çuni, e formuam Lidhjen e Shkrimtarëve, Artistëve e Krijuesve Shqiptarë në Gjermani, në dhjetor 2006. Fill pas formimit të Lidhjes sonë si një “epidemi”, vrullshëm organizimet u përhapën edhe në shtetet tjera, sidomos krijuesit e gjinive letrare që ishin vetëm një numër simbolik.

Kjo nismë krijoi epokën e re artistike – letrare, apo Rilindjen Kombëtare Shqiptare në Mërgatë. Veç vetiniciativës së përbashkët dhe bashkëpunimit e bashkërendimit organizativ, ku kontributi i çdonjërit është për t’u vlerësuar lart, natyrisht do cituar dy parametrat ndihmës e mbështetës: Ministrinë e Disaporës të Qeverisë së Republikës të Kosovës, përkatësisht vetë Ministrin z. Ibrahim Makolli dhe teknologjinë komunikative tejet të avansuar të rrjeteve sociale, që mundësoi lidhjen dhe bashkëkomunikimin e renditjes së platformës së përbashkët. Vullnetet e forta drejt aspiratave unifikative hasën edhe në përsiatje tek individualizmat e përemrit vetor të vetës së parë njëjës. Megjithatë, pasioni i idealeve të unifikimit kreativ e intelektual apo më konkretisht, karvani i krijuesve të mërgatës shqiptare ishte bërë kult i krijuesve që jetonin të shpërndarë gjithandej globit. Takimin e parë e prenotuam më 5 gusht 2013, në Hotel „Sirius“ në Prishtinë, ku u mbajt Mbledhja e parë nismëtare, që në fund të zgjidhet edhe Këshill Organizativ, i cili do të merrej me përgatitjen e Kuvendit Themelues, në afat prej tre (3) muajsh, në Gjermani, bazuar në shtrirjen gjeografike që bën pjesë në Evropën Qendrore.

 

                                  Bashkarisht nën ombrellën e artit

 

Koncepti ynë nismëtar, përballë shtrirjes dhe afrimit gjer në finalizim të asociacionit të ri, identifikohet me kryefjalën e vetme, bashkërisht nën ombrellën e artit!  Këtu qëndron edhe specifika e mundësisë së realizimit,- bashkëpunimi mes përfaqësuesve udhëheqës të shoqatave ishte në nivelin më të lakmueshëm dhe në frymën më vëllazërore, qoftë me udhëheqësit nga Suedia, Austria, Greqia, Belgjika (Beneluksi), Zvicra, Norvegjia…, pa harruar edhe ndihmesën e angazhimin individual të krijuesve nga shtetet tjera, si: Franca, Amerika, Anglia, Zelanda e Re, Vojvodina, Kroacia (me përfaqësues aktiv), gjersa krijues nga Hungaria, Italia, Turqia, Finlanda, Kanadaja, Danimarka (në pamundësi pjesëmarrjeje, dërguan telegrame përshëndetëse – përkrahëse), gjë që, jo vetëm e parapëlqyen këtë nismë, por edhe me propozimet e këshillat e tyre e ndihmuan procesin. Ne i trajtonim krijuesit sipas kuptimësisë së thënies së Gëtes, duke elaboruar se një krijues i mirëfilltë s’ka si të jetë ndryshe, veç një shpirt artisti, derisa artistët identifikohen me çiltërsinë shpirtërore. Pra, kemi të bëjmë me një strukturë të caktuar të shoqërisë njerëzore, strukturë kreative, që karakterizohet nga çdo lloj pavarësie dhe çdo ndërhyrje nga jashtë.

Pas bisedave e konsultimeve intensive në mes anëtarëve të Këshillit Organizativ, në koordinim edhe me Ministrinë e Diasporës., e përpiluam edhe listën e mysafirëve të mundshëm ku vendosëm që Kuvendi Themelues të mbahet më 23 dhe 24 nëntor, në Koblenz të Gjermanisë, në Hotel “ Continental”, pronë e një shqiptari, në të cilin u themeluan organet udhëheqëse dhe komisionet përkatëse që tani vrullshëm po punojnë në realizimin e synimeve që i ka planifikuar ky asosacion krijues mërgimtar, tha ndër të tjera z. Hasan Qyqalla.

Xhavit Citaku - foto e Bajram Ukes

Shqiptarët e Austrisë në shërbim të vendlindjes 

 

Me kumtesën e tij u paraqitë edhe Kryetari Shoqatës së shkrimtarëve s

Shqiptarë në Austri z. Besim Xhelili, i cili në mënyrë argumentuese foli për shumë të dhëna që pak ishin të njohura për opinionin e gjerë mbarëshqiptar. Ai ndër të tjera tha: ”Austria ka qenë prej kohësh një vend tërheqës dhe një qendër gravituese për shqiptarët. Ky vend i përshtatshëm për jetesë, që shtrihet në Europën qendrore, me bukuritë e Alpeve dhe qendrat e mëdha të kulturës botërore, nga ku dolën figura të veçanta të muzikës, letërsisë, shkencës, dijes e sportit ishte edhe vendqëndrim apo vendtejkalim i shumë figurave të mëdha të kulutrës, artit, çështjes dhe shpresës së popullit shqiptar. Kështu mundemi të përmendim Aleksandër Moisiun (2 prill 1879 – 23 mars 1935), aktorin dhe talentin e rrallë, i cili mes viteve 1910 –1930 padyshim se ishte aktori më i famshëm në viset gjermanofolëse. Ai luajti personazhet e mëdha botërore të asaj kohe. Në Vjenë gjendet edhe një skulpturë e portretit të tij si dhe një rrugicë në lagjen 22 e mban emrin e tij.

Karl Gega (10 janar 1802 – 14 mars ( 1860),është shqiptari tjetër, inxhinieri i mprehtë i cili planifikoi dhe ndërtoi hekurudhën e parë malore në Austri. Si shenjë nderi Banka Nacionale e Austrisë e shtyp portretin e tij në valutën prej 20 Shilingave të vitit 1967. Gjithashtu me emrin e tij është emëruar një rrugë në lagjen 3 të Vjenës, një rrugë tjetër në qytetin Marchtrenk dhe njërrugicë në qytetin Graz. Në Stacionin Hekurudhor në Semmering gjendet një statuje përkujtimore e tij dhe në vitin 2012, në 210- vjetorin e lindjes së tij posta e Austrisë nxorri një kartë postale me portretine tij.Ndër emrat e tjerë që lidhen me Austrinë dhe Vjenën janë Ismail Qemaili, i cili me bekimin e Monarkisë së atëhershme austriake u nis të shpall pavarësinë e Shqipërisë, Eqrem Bej Vlora, bashkëveprimtar i Ismail Qemailit, Hilë Mosi, poet dhe aktivist i cili në vitin 1902, bashkë me bashkëatdhetarë të tjerë formuan shoqërinë letrare „Dija“ dhe botuan gazetën „Vllaznija“, Gjergj Pekmezi, gjuhëtar dhe publicist, i cili hapi katedrën e gjuhës shqipe pranë Universitetit të Vjenës më 1898 dhe afër 40 vite të jetës së tij ia kushtoi studimit dhe mësimit të gjuhës shqipe dhe bashkë me austriakun Maximilian Lambertz botoi librin e parë për mësimin e gjuhës shqipe për nxënësit gjermanofolës.Një figurëtjetër gjthsesi se ështëNikollë Kaçorri, pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit dhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë më 1912 si nënshkrues i dytë pas Ismail Qemailit, pastaj Gjergj Basta, një gjeneral me prejardhje shqiptarei monarkisë së Habsburgëve.Figura të tjera të ndritshme të kulturës, letërsisë dhe atdhedashurisësi Bajram Curri, Hasan Prishtina, Faik Konica, Naim Frashëri, Migjeni, Lasgush Poradeci, Aleks Buda, Skënder Luarasi, Eqrem Çabej, Krist Maloki, Kolë Rrota, Dervish Hima, Nebi Smajl Sefa, Marie Kraja, Ago Agajetj.qëndruan dhe vepruan gjithashtu në Austri. Në Vjenë prej kohësh gjenden edhe armët dhe përkrenarja e heroit kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeu dhe janë pronë e shtetit të Austrisë. Këto i ka blerëAustria nga pasardhësit e tij. Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, në festat e nëntorit të vitit 2012 Austria u pajtua që këto vegla luftarake dhe personale të Skënderbeut të ktheheshin për të parën herë në vendlindjen e tij dhe për dy muaj u ekspozuan në Tiranë, ku monitoroheshin me kamera direkt nga Vjena.

Përpos figurave dhe personaliteteve shqiptare, dijetarë e shkencëtarë austriakëe të tjerëkanë kontribuar për gjuhën dhe kulturën tonë. Norbert Jokl ishte një çifut i lindur në Hungari dhe përmendet si themelues i albanologjisë, pastaj Franz Nopcsa, Franz von Miklosich etj. Nga shkrimtarët, historianët dhe albanologët e sotëm mundemi të përmendim Dr. Kurt Gostentschnigg, Andrea Grill, Dr. Robert Pichler, Dr. Johann Günther etj.

Me shumicë shqiptarët erdhën në Austri kah fundi i viteve të 60-ta. Kryesisht për shkaqe materiale, nga kushtet e vështira ekonomike dhe me marrëveshje ndërshtetërore mes ish Jugosllavisë dhe Austrisë shumë mërgimtarë morën rrugën e u vendosin me punë në Austri. Ishin këta persona pa familje, që erdhën për të fituar e për t’u kthyer.

Fundi i viteve të 90-ta solli fluksin e tjetër të shqiptarëve në Austri, në përgjithësi të ikur për shkaqe politike, nga ndjekjet dhe torturat e sistemit antishqiptar, që si qëllim kishte shfarosjen apo dëbimin e popullsisë shqiptare nga trojet e tyre etnike. Gjatë luftës çlirimtare edhe shqiptarët e Austrisë u organizuan në protesta në qytete të ndryshme të Austrisë, iu bashkangjitën Fondit për mbledhjen e mjeteve materiale dhe disa u bashkangjitën edhe në luftë për lirinë e tokës së të parëve. Figura të rëndësishme të jetës diplomatike dhe politike austriake ngritën zërin kundër këtij akti jonjerëzor me shqiptarët në Ballkan. Vlen të përmendet z. Alfred Rohan, sekretar gjeneral në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë, ambasador në disa vende të botës dhe i dërguar special i OKB, i cili bashkë me Marti Ahtisaari ndërmjetësoi në Konfliktin e Kosovës. Në Pallatin Auersperg në Vjenë u zhvilluan bisedimet direkte shqiptaro-serbe. Me këtë rast, në këtë pallat ambasada e Kosovës tashmë e ka bërë traditë të festojë përvjetorët e manifestimit të shpalljes së Pavarësisë. Aty ftohen bashkëvendasit, miqtëvendas dhe të huaj dhe përcillet nga ana e ambasadorit një mesazh se si populli i Kosovës erdhi deri te kjo liri që tashmë e gëzon dhe gjithashtu shprehet edhe dëshira dhe vullneti i Kosovës për paqë, stabilitet dhe bashkëpunim me fqinjët në Ballkan”, theksoi z.Besim Xhelili.

Me kumtesat e tyre u paraqiten  edhe Osman Ahmetxhekaj, Xhavit Çitaku, Saranda Iseni, Rrahman Rrahmani, Ramadan Hyseni, Idriz Gashi, Bedri Paci, Shefqet Tafilaj.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch