Home » Kulturë » Në përvjetorin e lindjes: NDERIM PËR NJË PERSONALITET TË MADH TË LETRAVE SHQIPE

Në përvjetorin e lindjes: NDERIM PËR NJË PERSONALITET TË MADH TË LETRAVE SHQIPE

(Nëpër faqet e librit me përmbledhje  shkrimesh, “BEDRI DEDJA,

në kujtesën tonë”, përgatitur nga Prof. Murat Gecaj, Tiranë, 2010).

Nga: SEJDO  HARKA

arsimtar e publicist-Tiranë

1.

 

Karakteri shumëplanësh dhe tejet njerëzor i Prof. Bedri Dedjes-Akademik, ka lënë mbresa të pashlyeshme, jo vetëm tek ata, që punuan më të dhe e njohën nga afër, por edhe te të gjithë ata, që u mrekulluan nga leximi i mbi 200 librave të tij, të llojeve e profileve nga më të ndryshmet.

 

Pikërisht ky “lumë” mbresash dhe kujtimesh është bërë objekt i librit “Bedri Dedja, në kujtesën tonë”, përgatitur nga publicisti e studiuesi tashmë i mirënjohur, Prof. Murat Gecaj. Mjeshtër i librave jetëshkrimorë e me kujtime, ai ka ditur  të grumbullojë, sistemojë e seleksionojë një material shumë të gjerë, i cili ka ardhur nga të katër anët e e Shqipërisë, trojet amtare dhe vendet e botës, ku jetojnë bashkatdhetarët tanë.  Synimi, i arritur, ishte që të na jepte sa më të gjallë, veprën dhe figurën e këtij personaliteti  të rrallë të arsimit, letërsisë, kulturës dhe shkencës shqiptare. Tërë ky libër është një testament dhe nderim, që  kolegë e miq të shumtë dhe vetë autori i përmbledhjes i bëjnë kësaj fugure të mirënjohur e të rrallë të Kombit Shqiptar.

 

Në këtë libër, që u publikua në 80-vjetorin e lindjes së Prof. Bedri Dedjes (Tiranë, 20 nëntor 2010) kanë zënë vend kujtimet dhe mbresat e shokëve e miqëve, familjarëve e të afërmve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve, studiuesve e shkencëtarëve, shkrimtarëve e poetëve, kritikëve të artit e letërsisë, profesorëve dhe akademikëve. Ata jo vetëm e kanë gdhendur për bukuri figurën e tij, siç e meriton, por edhe i kanë zbuluar e evidentuar vlerat e veçanta të veprave të shumta dhe të vyera, që ai la pas.

 

2.

 

Duke e njohur mirë e nga afër Prof. Bedri Dedjen, autori i kësaj përmbledhjeje , ka bërë të mundur të shpalosë para lexuesve figurën e dashur të një njeriu, sa njerëzore, aq dhe shumëplanëshe.  Sapo fllon ta shfletosh këtë libër, me vlera të veçanta për brezat e shqiparëve, të shfaqet para syshë njeriu, që  e skaliti emrin e tij me majën e mprehtë të penës, që i kaloi e i ngjiti me vendosmëri “ravat”(rrugë dhishë, në male) e jetës,  që e ushqeu shpresën e lirisë me dashurinë e tij, që e vrau urrejtjen dhe fikën me guximin e tij, që e shkroi gjuhën shqipe me gjakun e trurit të tij.  Ai vjen në historinë e kulturës sonë kombëtare si një prurje e rrallë, që sjell me vete plot dëshmi, që e zbukurojnë shpirtin dhe  kthjellojnë  mendje, ndërtojnë ura lidhjeje e lartësojnë zemra, ringjallin shpresën e mirësinë dhe vrasin frikën e ligësinë.

Nëpërmjet kujtimeve e mbresave  të këtij libri, që Prof. M.Gecaj i ka mbledhur me aq kujdes nga autorët, si bleta nektarin dhe me hyrjen e shkruar prej tij,  figura e Prof. Bedriut “rilind” edhe një herë, siç shprehet saktë ai, para syve e vështrimit të gjithë njerëzve, që e kanë njohur në gjallje ose kanë punuar e jetuar me të, para brezave të sotëm dhe atyre që do të vijnë.  Se ai shfqet një kolos, që përcjell në breza shqiptarësh kulturën e gjerë të rilindësve tanë.  Te personaliteti tij  janë gërshetuar bukur figura e njeriut të mrekullueshëm, me atë të dijetarit  e shkrimtarit të papërsëritshëm.

Këto të vertëta i kanë pohuar në shkrimet e tyre edhe të gjithë autorët e kësaj përmbledhjeje, siç janë: I ndjeri shkrimtari Agim Deva, nga Kosova; Prof. Alfred Uçi e Prof. Hamit Beqja-Akademikë; Prof.Dr. Klara Kodra , studiuesi e publicisti Gëzim Tushi etj. Ndërsa shkrimtari dhe publicisti i njohur Bardhyl Xhama, midis të tjerave, thekson në kujtimet e tij, se  Prof. B.Dedja ka qenë dhe do të mbetet  një dijetar shumëplanësh, figurë shumë e dashur, e nderuar dhe e respektuar(fq.88).

 

Bedri Dedja ka lenë pas shumë vepra shkencore dhe letrare e të fushave të ndryshme, të mendimit e të psikologjisë, të pedagogjisë e letërsisë dhe ka bërë të flasin shqip mjaft kryevepra të letërsisë botërore për fëmijët. Por, njëkohësisht, ai ishte edhe një veprimtar i shquar shoqëror. Kështu, ndër të tjera, ai i bënte shpesh thirrje shtetit monist për t’u kujdesur më shumë për fëmijët jetimë, sepse i quante “qerpikët e shoqërisë”.

 

Autorë të ndryshëm të këtij libri nënvizojnë se, me studimet e tij shumëplanëshe, B.Dedja u ka dhënë emër mjaft problemeve të pedagogjisë dhe psikologjisë bashkëkohore.  Me përkushtimin dhe aftësinë e dijetarit të mirëfilltë, ai u dha përgjigje shumë enigmave, që kërkonin përgjigje nga psikologët e kohës, si: Çfarë fuqie ka imagjinata e njeriut? Ç’është kimia e ndjenjave? Pse shohim objekte, që nuk ekzisatojnë?  Si flasin qelizat nervore? etj.

 

Prof. Bedri Dedja ishte edhe një publicist me merita të veçanta. Ai ishte i pari, që themeloi dhe drejtoi për disa vjet radhazi gazetën “Mësuesi”, botim arsimor e kulturor i Ministrisë së Arsimit e Kulturës dhe revistën “Pionieri”. Jo vetëm u bë model i publicistit të përkryer, por edhe përpunoi shumë koncepte e nocione teorike të publicistikës. Një nga librat e tij, që e bëri atë mjaft të njohur, është ai me titullin “Pedagogjia në fokus”. Për këtë arsye, studiuesi e publicist, Prof. Hamit Boriçi shkruan në kujtimet e tij , se B.Dedja ishte një nga “dallëndyshet” e gazetarisë shqiptare. Edhe pse jetoi e punoi në tri kohë të ndyshme, ai mbeti deri në fund i njëti njeri, me një personalitet të rrallë: sa i ditur, aq dhe i dashur me njerëzit, sa i përmbajtur aq dhe i guximshëm.

 

Ai ishte dhe mbetet në kujtesën e njerëzve një qytetar i nderuar, në shpirtin e të cilit shkëlqenin bukur sinqeriteti dhe drejtësia, vullneti dhe gjakftoftësia. Po në këtë libër, shkrimtari e publiciusti Skënder Hasko shkuan: “Në kujtesën time, Prof. Bedri Dedja ka mbetur ashtu siç ishte: i ditur, i përkushtuar dhe shkrimtar i talentuar, që ka lënë pasa vepra me vleera të rralla” (fq.272). Dhe vërtet ai ishte mjeshtër i rrallë, veçanërisht i letërsisë për fëmijë. Që në moishën 15-vjeçare, ka shkruar kallzime e skica, përralla e fabula, nëpërmjet të cilave shfaqi  dhuntitë e para krijuese. Ai shpejt u bë një ndër themeluesit e letërsisë moderne për fëmijë, pse ishte pedagog dhe e njohu nga afër psikologjinë e tyre.

 

Disa nga librat për fëmijë, që e bënë shumë të njohur Prof. Bedri Dedjen, janë: “Shkolla e pyllit”, “Kalamajt e pallatit tim”, “Republika e 1.100 çudirave”, “Alarmet e qytetit Sdikushi”, “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit” etj., etj., të cilat janë përkthyer në shumë gjuhë të botës. Por vepra e tij kryesore po vlerësohet “Presidenti i Planetit të Kuq”, e cila u publikua pas ndarjes së tij nga jeta dhe është quajtur “testameti shpirtëror” i këtij autori. Meritë kryesore  e këtij shkrimtari është shkrirja e tradicionales, me modernen dhe fantazisë, me elementin shkencor. Mesazhi i fuqishëm, që përcjell ky libër te fëmijët, është: T’i shpëtojmë qytetarët e sotëm të botës nga rreziqet, që i kërcënojnë! Është kjo arsyeja që nga kritika letrare B.Dedja është krahasuar me një nga shkrimtarët më të mëdhenj të botës, siç ishte Xhoni Rodari.

 

Prof. B.Dedja nuk jeton fizikisht, por është përditë i pranishëm për brezat e fëmijëve tanë, në çdo klasë e auditor, në faqet e librave dhe teksteve shkollorë dhe në bisedat e vazhdueshme për krijimtarinë e tij shumë të çmuar, për mësimin dhe edukimin e fëmijëve. “Po,-shkruan Shpresa Vreto, në kujtimet e saj: Ai është  aty, mes fletëve të librave tuaj, si një personazh i gjallë, me zërin e tij të ngrohtë e autoritar. Mëngjesin e 13 prillit të vitit 2004, kur Pandora, gruaja e tij e dashur shkoi t’i jepte qumësht, Bedriu nuk i hapi më sytë. Ai shkoi të flerë përjetë, por la zgjuar veprat e tij të pavdekshme” (fq.285). Ndaj shkrimari e publicist dhe miku i tij i ngushtë Viron Kona, shkroi: “Me Bedri Dedjen ndodhi si me ata yje, që ndonëse ndodhen miliona kilometra larg nesh, edhe kur shuhen, ata vazhdojnë të dërgojnë dritën e tyre. Ai mbetet përherë një yll i pashuar, i kulturës dhe letërsisë shqipe për fëmijë” (fq.303).

 

Veprat e këtij shkrimtari të papërsëritshëm lexohen me kërshëri nga fëmijët sepse nxit imagjinatën dhe kureshtjen, e vë lexuesin e vogël përballë të papriturës dhe interesantes, detyrës dhe përegjegjësisë për të kërkuar zgjidhje. Nëpërmjet mesazheve të ngrohta,  ai nxit te lexuesi i vogël  vetëveprimin dhe nisiativën, guximin dhe vullnetin, dashurinë për të bukurën dhe përbuzjen ndaj të shëmtuarës. Prandaj ka të drejtë V.Kona, në hyrjen, që i ka bërë këtij libri, i cili është përgatitur me dashuri e profesionalizëm nga Prof. M.Gecaj,  kur shkruan se Prof. Bedri Dedja do të ndriçojë e rrezatojë dituri e mençuri vazhdimisht, nëpër vite shekuj, sepse ai i përket kulturës sonë kombëtare.

 

3.

 

Bedri Dedja lindi në Korçë, më 20 nëntor 1930. Mësimet e para i mori në Shkodër e Durrës. Në vitin 1948, u dërgua për studime të larta në Moskë, ku në vitin 1953 u diplomua në dy degë njëkohësisht: pedagogji-psikologji dhe letërsi për fëmijët. Pasi u kthye në Atdhe, për 40 vjet radhazi punoi pedagog për këto lëndë në shkollat tona të larta. Me punën  e tij plot pasion e përkushtim, u bë shembëlltyrë e figurave të ndritura  të Kombit tonë, sidomos në fushat e arsimit, letërsisë dhe shkencës. Ai ishte kryetar i Shoqatës Mbarëkombëtare të Prikologëve dhe anëtar i Asamblesë së Ligës Botërore të Shkencave Psikologjike. Qendra Ndërkombëtare e Biografive, në Kembrixh, e ka vlerësuar me tre tituj të lartë: “Shkrimtar dhe Autor Botëror”, “Një nga  2.000 shkrimtarët më të shquar të Shekullit XX”, në Botë dhe  “Njeriu i vitit 1999-2000”. Është Laurat i “Çmimit të Republikës” dhe, me rastin e 70-vjetorit të lindjes, u nderua me titullin e lartë ”Mjeshtër i madh”. Mendja dhe dora e Prof. Bedriut ka zënë vend edhe në hartimin e “Fjalorit Encikopedik Shqiptar”, ka drejtuar hartimin e “Historisë së Arsimit dhe Mendimit Pedagogjik Shqiptar” etj. Ai kreu disa detyra me rëndësi, shtetërore e shkencore, si: zv.ministër i Arsimit e Kulturës, sekretar i Përgjithshëm i Akademisë së Shkencave, drejtor i Institutit të Studimeve Pedagogjike, kryeredaktor i gazetës arsimore-kulturore “Mësuesi” etj. Pra, nuk ka fushë të dijes, ku të mos kenë qenë të pranishme dhe mendimet e talenti i tij i spikatur. Ai u rrit bashkë me to dhe mbeti përjetësisht, mishi e gjaku i tyre.

 

Në këtë përvjetor të lindjes së Prof. Bedri Dedjes-Akadenik e “Mjeshtër i Madh”, ne përulemi me respekt para jetës së tij të përkushtuar për Atdheun e veprës së tij të madhe, gjurmëlënëse e të paharruar ndër breza.

 

Tiranë, 20 nëntor 2011

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch