Home » Lajme, Opinione » Në politikë nuk ka asgjë të dhimbshme

Në politikë nuk ka asgjë të dhimbshme

Është papjekuri politike e Lutfi Hazirit të thotë se koalicioni PDK-LDK është koalicion i zorit, ngaqë nëse është i tillë atëherë si do të mund të realizohen projektet qeveritare dhe ato të institucioneve të tjera që u janë premtuar qytetarëve të Kosovës

XHAVIT ÇITAKU

Shkruan: XHAVIT ÇITAKU

Nga analiza, komente, opinione  e artikuj të ndryshëm po lexojmë e po dëgjojmë akoma konstatime e përfundime të atilla që, bie fjala, koalicioni ndërmjet PDK dhe LDK-së është i panatyrshëm, apo thënë më mirë se qenka bërë një koalicion i zorit. Ndoshta kanë arsye të dalin me konstatime të tilla, por mua ma merr mendja se kjo nuk përkon me realitetin, përkatësisht me marrëveshjen që është arritur në mes të këtyre dy subjekteve më të mëdha politike të vendit. Në rend të parë, kemi të bëjmë me dy parti që lidhën” martesë” për të tretën herë dhe ky fakt flet shumë se asgjë e panatyrshme nuk ka ndërmjet tyre, aq më parë se tri herë radhazi për një kohë të gjatë u njohën mirë deri në detaje për të mirat dhe të këqijat që i ka edhe njëra palë edhe pala tjetër. Po të kishte diçka të panatyrshme nuk besoj që do të kishte ardhur momenti për t’u bashkuar për të tretën herë dhe atë për ta udhëhequr së bashku Kosovën për një periudhë katërvjeçare. Gjithçka që do të ishte e panatyrshme do të ndikonte shumë keq dhe nuk do të funksiononte as qeveria e as parlamenti i Kosovës, ndaj edhe të gjitha ato dallime që i kishin, sidomos, në programet e tyre, kanë marrë një “ dizajnim” të përshtatshëm nga të dy palët dhe me të synohet të realizohen shumë projekte e punë të tjera me rëndësi për vendin dhe për banorët e tij.

Dhimbjes së LDK-së iu dha terapia e duhur

Ai që e kupton mirë politikën, e di fare mirë se në këtë sferë,sidomos, në planin e brendshëm nuk ka vend për të ashtuquajturën se ishte e dhimbshme lidhja e një koalicioni të caktuar paszgjedhor.  Këtë fjalë si shpesh po e përdorë Lutfi Haziri, nënkryetar i Kryesisë së LDK-së dhe kryetar aktual i komunës së Gjilanit. Së këndejmi, me duhet t’ia përkujtoj këtij politikani se askush me dhunë nuk i ka shtyrë që të lidhin marrëveshje me PDK-në dhe nga ajo që shihet, bile ky subjekt të cilin ai e përfaqëson nuk pësoi kurrfarë dhimbjeje, përkundrazi atë  dhimbje të madhe që e pati deri në momentet e fundit me këtë koalicion iu është shëruar. Në të vërtetë, dhimbje e tmerr LDK-ja pati nga humbja që pësoj në zgjedhjet e fundit dhe nga kjo sëmundje u shkaktua dhimbje e madhe që nuk ia gjente vetit vendin disi me u “ rehatua “e posaçërisht  ta shpëtojë liderin e LDK, por edhe njerëzit e afërmit të tij nga përgjegjësia që e priste para anëtarësisë. Në LVAN nuk kishte as rastin minimal që Isa Mustafa të zgjedhet Kryeminister, se këtë nuk ia mundësonte në asnjë mënyrë, lideri i AAK-së dhe me të drejt ngaqë vetë Isa Mustafa ia kishte “ dorëzuar” këtë post,, ndaj pa bërë as një as dy u hidh në “ krahet” e Thaçit që disi për “ mrekulli” arriti të ulët në karrigën e të parit të qeverisë. Me një fjalë, dhimbje në politikë nuk ka dhe atë nuk të shkakton askush, pos që vetvetes i shkakton stres për shkak të pengesave që mbyllin rrugët e realizimit të synimeve për të arritur në pushtet në mungesë të votave nga qytetarët. Ndërkaq, votat LDK-ja nuk i pati për të qeverisur me vendin dhe u drejtua aty ku gjenë më së shumti strehim, “ vëllazërim” e përputhje të ideve dhe platformës programore për periudhën katërvjeçare të qeverisjes. Asgjë të keqe nga ky koalicion nuk ka, por nuk duhet të thuhen pallavra që nuk i ha më qytetari se kjo marrëveshje na qenka e dhimbshme, e gabuar, e panatyrshme, e zorit. Sa e sa herë është thënë se në politikë asnjëherë nuk bënë të thuhet se  “ kurrë”, me këtë apo me atë subjekt nuk do të lidhi koalicion, ngaqë vet gara për të hyrë në lojën e marrjes së pushtetit gjithnjë sjell befasi që pa marrë parasysh deklaratat e mëparshme vjen deri të bashkimi i forcave të përbashkëta për të krijuar institucionet e reja të shtetit. Thënë konkretisht, në politik ka kompromise për çështje të caktuara dhe marrëveshje për mënyrën e qeverisjes së vendit dhe ndarjes së pushtetit ndërmjet subjekteve politike që lidhin koalicion. Së këndejmi, Lutfi Haziri, sidomos, në këtë ambient të papërshtatshëm të zhvillimeve të politike në vend nuk duhet të flas pallavra të këtilla, sepse nëse vërtetë është koalicion i zorit, siç thekson ai, atëherë ky politikan pothuajse e mbanë përgjegjësinë e plotë, ngaqë është nënkryetar i LDK-së që pa bekimin e tij zor se kishte me u krye kjo punë.

Fatkeqësisht liderët tanë nuk kanë fjalor tamam politik

Ofendimet, shpifjet, trysnia mbi mjetet e informimit për të mbajtur vetëm anën e një subjekti politik, sikur janë bërë rutinë e veprimit të shumicës së liderëve tanë. Një sulm i paparë ishte bërë edhe në drejtim të PDK-së veçanërisht kundër ish- liderit të saj Hashim Thaçi. Aq shkuan larg liderët e bashkuar në koalicionin pasgjedhor i ashtuquajtur V+LAN-it sa publikisht kishin deklaruar se as kafe nuk do të pijnë me përfaqësuesit e këtij subjekti politik e lëre më të bëjnë farë marrëveshje për qeverisje të përbashkët. Posaçërisht kategorik me këtë vendosshmeri  ishte udhëheqësi i LDK, Isa Mustafa, dhe njerëzit e afërm të tij, mirëpo po ky lider ishte ai që sa qel e mbyll sytë kishte ndërruar mendje dhe kishte takuar Thaçin natën, me të cilin tash krah për krah po qeverisin vendin. Edhe me këtë rast po ia përkujtojmë Lutfi Hazirit se ai së bashku me rrethin e tij të ngusht punoi natën e ditën për t’u lidh koalicioni aktual qeverisës. Ndaj edhe mund të konstatohet se parti e natës është vetë LDK, lidershipi i së cilës posa terrohej turr e vrap e në selinë e PDK-së, duke e lutur aman shpëtona nga kjo “ fatkeqësi “ që po ndodh në subjektin e partisë së Hazirit. Ndaj,  shtrohet domosdoshmëri që liderët tanë të përdorin një fjalor adekuat me demokracitë e zhvilluara, ngaqë më pas lidhja e çfarëdo koalicioni nuk do të sulmohej e kritikohej sikur që ishte bërë në adresë të subjekteve më të mëdha politike të vendit.

Lutfi Haziri thotë edhe se koalicioni është i gabuar

Ndodh që një qift edhe pse të dashuruar pasi të jenë martuar të ndahen me konstatimin se ishte gabim që nga fillimi, mirëpo, nëse ata sërish bashkohen më nuk bëhet fjalë për ndonjë gabim se ishin bashkuar, por për një nguti që kishin bërë për shkak të ndonjë mospajtimi për ndonjë çështje fare të vogël. Edhe PDK e LDK ishin të “ dashuruar” shumë vite më par dhe asnjëherë nuk kishin gabuar që ishin në një koalicion qeverisës, por në pyetje është xhelozia politike, përkatësisht se secili syresh dëshiron të mbetët i pari dhe në qendër të vëmendjes në skenën politike të vendit, ndaj edhe sulmet dhe kritikat e pavenda e të ashpra në fushatën para e zgjedhore e ka këtë përgjigje. Pra, Lutfi Haziri e ka vetë gabim kur thotë se ky koalicion është i gabuar, por për hirë të asaj që të mos shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme u desh të sakrifikohet edhe me lidhjen e kësaj marrëveshjeje. Ky arsyetim i Hazirit nuk ka mbështetje në fjalorin e mirëfilltë politik sepse nëse ky koalicion është i gabuar atëherë i gabuar do të jetë edhe gjithë procesi  qeverisës, për të cilën gjë nuk presin qytetarët e vendit. Njeriu njëherë gabon e jo tri herë z. Haziri. Zgjidhni fjalët. Ndoshta edhe po flisni në iluzion sepse  konstatimin tim se ky koalicion është bërë me pëlqimin e plotë të të dyja palëve po e vërtetojnë deklaratat e liderit tuaj të thëna se PDK e LDK po qeverisin pa kurrfarë problemesh dhe se për gjithçka vendimet merren në pajtueshmëri të plotë Sharjet dhe marrja me njerin- tjetrin e subjekteve politike qytetarit nuk i intereson. Qytetarit i intereson mirëqenia dhe perspektiva e ndritshme e tij.

LDK të njëjtën valle po e luan edhe me AAK-në

Jemi dëshmitarë se pati një përplasje të fuqishme ndërmjet LDK-së dhe AAK-së, të cilat akuzojnë njëra tjetrën për hajni, korrupsion, kapje të shtetit e çka jo tjetër. Në këtë lojë jashtëzakonisht naive politike që po luajnë këto dy subjekte politike, megjithatë, ashiqare po shihet se grindavec si gjithnjë po identifikohet LDK-ja, së cilës shumë po i vjen rëndë nga akuzat që adresohen në adresë të saj e sidomos  liderit Isa Mustafa. Megjithatë, jam i bindur se po të kërkohej në këto momente,p.sh., farë koalicioni të gjitha këto LDK-ja do t’i harronte dhe do të pranonte lidhjen e “ kurorës” me AAK-në ashtu siç bëri me PDK-në, sepse nga ajo që deri me tash është parë nga kjo parti shumë pak moral politik ka mbetur në të. Inshalla vijnë ditë më të mira e shpëtohet ky subjekt politik nga disa njerëz që interes kryesor kanë lakminë personale dhe realizimin e apetiteve të tjera individuale që po e dëmtojnë jashtëzakonisht shumë LDK-në.

Përçarja e opozitës për pushtet

Sa “ ëmbël “ tingëllonte në opinion së më në fund edhe opozita di të bashkohet dhe të luftojë “ të keqen” se ajo po pretendonte se po e bënë. Se sa kishte përkrahje qytetare edhe kjo u pa. Mirëpo, tash po shihet ashiqare se ndërmjet këtyre partive ka mosmarrëveshje apo më mirë më thënë përçarje. Sherri ka filluar se ende pa u dukur askund në horizont se do të këtë zgjedhje liderët opozitar veç kishin kalkuluar me postet që do të duhej t’i  takonin një subjekti të caktuar. Mirëpo, në asnjë mënyrë nuk kanë mundur të pajtohen dhe tash po  ka shtyerje bërrylash dhe kritika ndërmjet tyre sidomos në mes të VV-së dhe AAK-së. NISMA në këtë rast është në mes dhe ende në opinion nuk kanë dalë se sa po kërkojnë hise në pushtet. Sille kah të sillesh përçarja erdhi vetëm për shkak të apetiteve për pushtet, të karrierës politike e jo të ndonjë alternative që do të ndryshonte gjendjen në të mirë të prosperitetit të vendit dhe të një të ardhme më të mirë për gjeneratat e ardhshme.

Kosovës i duhet një frymë e re, një gjeneratë e re, intelektual të nivelit të lartë, pse jo edhe akademik që dinë, donë e mund ta ndryshojnë këtë gjendje të rëndë në Kosovën e pasluftës. Mos të prekën këta liderë nëse ua themi troç se ata janë të shpenzuar dhe që 16 vjet nuk argumentuan me asgjë se u punua dhe do të punohet me vrullshëm e me projekte të arritshme në një stad më të zhvilluar në të gjitha fushat e posaçërisht në atë ekonomik. Besoj e shpresoj se njerëzit e mençur që në Kosovë ka shumë do të bashkohen në një front të përbashkët dhe do të hapërojnë drejt shtigjeve të reja, drejt një perspektive më të ndritshme për të gjithë qytetarët e vendit tonë.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch