Home » Kulturë » Në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë: “NUK MUND T’I MOHOSH NJË KOMBI NDJENJAT E NATYRSHME”

Në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë: “NUK MUND T’I MOHOSH NJË KOMBI NDJENJAT E NATYRSHME”

Nga: Prof.as.Dr. Qazim Kashari

Sali Gjukë Dukagjini, “Mësues i Popullit”

 

Sali Gjukë Dukagjini është një nga veprimtarët e shquar të arsimit dhe të kulturës kombëtare, i cili mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës dhe firmosi Deklaraten e Pavarësisë. Ai ishte delegat i Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë, u zgjodh në “Pleqësinë” (prej 18 vetash) dhe më vonë Qeveria e Vlorës e emëroi drejtor arsimi për prefekturën e Beratit. Shënoj se një pjesë e delegatëve, në Kuvendin e Vlorës, ishin anëtarë ose themelues të klubeve, si dhe pjesëmarrës të kongreseve kombëtare të arsimit e kulturës shqiptare. Ky shkrim synon të japë vetëm një pjesë nga veprimtaria e Sali Gjukës, në gazetën “Bashkimi i Kombit” të Manastirit.

Ne ç’rrethana Sali Gjuka ngarkohet me drejtimin e gazetës? Ç’probleme ngriti e trajtoi? Në numrin 41, qershor 1910, hodhi dritë për pyetjen e parë: Ai shkruan se dy ditë më pare, më 15 qershor 1910, në zyrën e shtypshkronjës, ku dhe ai ishte i pranishëm, futet një polic dhe kërkon Fehim Zavalanin, drejtor i gazetës “Bashkimi i Kombit”, të shkonte me të tek urdhëtari i armëmbajtësve. Atje e burgosin. Valiu i Manastirit tregon shkakun: “Shikoje këtë tejshkrim, që më erdhi nga Shefqet Turgut Pasha, në të cilën thotë se artikulli i botuar në gazetën tuaj (20 maj 1910) ka sjellë një trazim të madh në Gjakovë”.

Ishte koha, kur në Kosovë kishte shpërthyer kryengritja kundër xhonturqëve dhe politikës djallëzore serbomadhe. Në 20 ma,j gazeta boton në faqe të parë shkrimin “Letër prej Elbasanit”, i cili ka në fund firmën “Kamani”. Në të tregohej për luftimet në Kosovë, për betejat e përgjakshme të kryengritësve shqiptarë kundër ekspeditës ushtarake të Turgut Pashës. “Kamani” tregon fakte për vrasjen e pleqëve dhe të fëmijëve. Flet për qëndrimin heroik të grave, që luftonin bashkë me burrat, se si një shqiptare e Kosovës me tre djemtë e saj luftoi me trimëri, por në fund u rrethua dhe vritet në mënyrë barbare…

Këto shkrime kishin ngjallur një urretje të madhe te populli i Kosovës. Ja, pse Turgut Pasha i dërgonte telegramin Valiut të Manastirit, për arrestimin e drejtorit të gazetës “Bashkimi i Kombit”.

Po,cili ishte “Kamani”, autori i shkrimit? Përgjigjen na e jep gazeta (Nr.42, 24 qershor 1910), ku shënohet: Të hënën, më 21 qershor, sollën këtu nga Elbasani z.Kristo Dako…Shkaku i burgimit ishte shkrimi i tij në gazetën tonë, me pseudonimin “Kamani” . Në këto rrethana, patrioti demokrat Sali Gjuka ngarkohet me drejtimin e gazetës “Bashkimi i Kombit” dhe përpiqet me guxim që ajo ta vazhdojë veprimtarinë për çështje kombëtare.

Në artikujt, që boton me firmën  e tij, Sali Gjuk Dukagjini apo Gjuk Dukagjini, trajton probleme të Kombit, të gjuhës, arsimit dhe luftës për fitoren e pavarësisë. Në shkrimin “Kthjellim” (qershor, 1910) ai dënon ashpër politikën  xhonturke ndaj shqiptarëve të Kosovës. I kundërvihet lajmëtarit të gazetës ”Tanin”, organ i komitetit xhonturk “Bashkim e Përparim”. Ndër të tjera, ai shkruan: “ Lajmëtari i fletës “Tanin”, tue kallzue ngjarjet e Gjakovës, shënon se si këtu (në Gjakovë) edhe fëmijët na  vështrojnë me sy idhnimi dhe na marrin shenjë, si në vend të hutës. Djelmoshat nuk po i rrëfejnë armët. Sipas shkrimit, në “Tanin”, djelmënia e atyrshme duhet të dënohet, të shtypet”. Ja çfarë shkruan Sali Gjuka kundër “Tanin”: Sa fjalë e naltë (ironizon ai), sa mendim i kthjellët, sa kujtim, qytetnim del te fjalët : të shtypen djelmoshat shqiptarë të Kosovës! Sot në Europë ka shumë shoqni për me i mbrojt shpendët prej rrezikut… ndërsa zotnia i “Tanin” nuk e ka për mkat, që kërkon të dëmtojë, të shtypë, të poshtnojë “zogjt e shqypes”.., por nuk mund t’ia arrijë qëllimit, sepse djelmoshat e Kosovës qëndrojnë shumë lart nga trimëria dhe zgjuarsia. Në këtë kuadër, ai vazhdon: Të hapen shkolla shqipe, të përhapet ditunia në ato vise dhe do të dalloni shpejt përparimin e kombit shqiptar.

Në faqen e dytë të gazetës “Bashkimi i Kombit”(17 qershor 1910), në shkrimin “Trazirat në Gjakovë dhe më tej në Kosovë”, shkruan : Atje derdhet gjak, pengohet hapja e shkollave shqipe, ndërtimi i udhëve të hekurta etj… Këto duhet të jenë frutat e konstitucionit dhe jo topat e barbaritë xhonturke. Më poshtë vijon: “Apo mos ka këtu ndonjë marrëveshje e dinakëri antishqiptare, që bën Petrua i Serbisë?” Sali Gjuka qëllonte mirë, si reaksionin xhonturk, ashtu dhe prapaskenat e politikës djallëzore shoviniste serbomadhe në dëm të popullit shqiptar.

Në artikullin “Drejtësia”(Nr.42, 24 qershor 1910) ai shkruan: Të ruhemi shumë prej dinakërisë… jemi në shekull “komliarë”, mos t’na dinë se s’kemi mend fare. Në kohë tiranike ishte rrezik të flitej fjala “ittihad” e sot asht ma në fat të zi fjala “bashkim”, e cila s’ka asnje fije ndryshimi me të parën, ma i madhi faj i kësaj fjale asht pse i përket gjuhës shqipe. Këtej del dinakëria xhonturke sepse dihet mirë, që gjuha shqipe është mburojë e fortë e Kombit tonë, siç e thonë, “ajo asht si bariu, që ruan dhentë”. E, pra, kjo nuk i pëlqen “xhonëve”, forcimi e perparimi i Kombit tonë. Shkrimet e tij shquhen për ndjenjën e fortë të dashurisë për Kombin Shqiptar, për Atdheun e lirë të pavarur. Shumë kuptimplotë tingëllon shprehja e tij, “Nuk mund t’i mohosh një kombi ndjenjat e natyrshme, kurrë për këtë jetë”.

Sali Gjuka shquhet edhe si gjuhëtar e tregimtar, tërheq vëmendjen për shkrimet e krahinës, ku kishte jetuar fëmijërinë e rininë e tij, bukuritë e saj, ato bjeshkët me kullotat verore plot bylmet, si dhe ujëvarat me rrjedhjet e shkumbëzuara, me bukuri të veçantë. Interesante janë shkrimet e tij për traditat e zakonet e zonës ndërmjet Pejës e Gjakovës. Në tregimin për jetën, ushqimin, gjuhën, vetitë, karakterin, besën etj. ai shënon, ndër të tjera, se ata janë trima të papërkulur, njerëz të besës dhe bujarë të njohur. Në një katund me 200 shtëpi mund të gjenden mbi 15 të moshur 120 vjeç. Gratë janë trimëresha. Shpesh ato veshin rrobat e burrit e ngjeshin në brez armët e tij dhe luftojnë me guxim të rrallë. Me djepin në shpinë shkojnë në arë, nuk lërojnë, por ndihmojnë burrat me punë të tjera. Të gjithë banorët e kanë për zakon që, kur zbresin nga bjeshkët, atë natë kanë dasmë. Qesin pushkë e thërrasin njëri-tjetrin, duke qëlluar një herë më shumë. Janë të lidhur ngushtë dhe festojnë të bashkuem. Atë natë kanë mish me oriz, grurë të zier dhe petë me ajkë. Të nesërmen kanë për drekë kos, djathë etj. Bujtarin e presin si më mirë. Janë të zgjuar, trima e qëllojnë për bukuri. Janë të etur për shkolla shqipe, për të cilat po përpiqen pa pushim.

Pra, shënon me tej Sali Gjuka, të gjithë sëbashku të punojmë, të mundohemi me shpirt e me gjallni për përparimin e forcimin e Kombit Shqiptar! Dhe vetë ai e vuri në jetë më së miri këtë gjë, deri sa i mbylli sytë përgjithnjë, në tetor 1925, në Berat, kur kishte dhënë aq shumë për Pavarësinë e Shqipërisë dhe zhvillimin e arsimit tonë kombëtar.

 

Tiranë, 21 nëntor 2012

( E dëgoi për publikim, prof. Murat Gecaj)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch