Home » Kulturë, Lajme » Në prag të Festës së 7 Marsit: VEPRIMTARI E SHOQATËS SË ARSIMTARËVE TË SHQIPËRISË

Në prag të Festës së 7 Marsit: VEPRIMTARI E SHOQATËS SË ARSIMTARËVE TË SHQIPËRISË

Nga: Ibrahim Hajdarmataj

7 Marsi Shqiperi-2

Prof. Murat Gecaj, duke e hapur mbledhjen…

Në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit, në prag të 7 Marsit-2014, u organizua festa e Arsimit Kombëtar Shqiptar. Kishin ardhur mësues, pedagogë e prindër, “Mësues të Popullit” e “Mësues të merituar” dhe mësues veteranë, drejtues të shkollave e nxënës të Tiranës, punonjës të institucioneve të kulturës e shkencës, nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj. Gjithashtu, kishte përfaqësues nga degët e Shoqatës në rrethe dhe nga shoqata të tjera joqevritare, si nga Tropoja e Kukësi etj.

Hapjen e veprimtarisë e bëri prof. Murat Gecaj, sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë. Në emër të kryesisë së  saj, i përshëndeti dhe i uroi, me rastin e Festës së 7 Marsit, të gjithë mësuesit e pedagogët, nxënësit e studentët dhe prindërit, në Shqipëri e Kosovë e në trojet tjera shqiptare, si dhe në diasporë, pra kudo që ata ndodhen. Ai informoi të pranishmit për mesazhet e shumta, që kanë dërguar, përmes Internetit, bashkatdhetarë tanë me banim në shtete të ndryshme, si në Europë dhe deri në Amerikë. Gjithashtu, përmendi emrat e tyre dhe pjesëmarrësit në veprimtari nderuan kujtimin e  disa mësuesve e pedagogëve dhe personaliteteve të arsimit e kulturës sonë, të cilët janë ndarë përgjithnje nga jeta, gjatë dy diteve të fundit.

Në vazhdim znj. Yllka Beçi, kryetare e Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë, lexoi referatin për veprimtaritë e zhvilluara dhe detyrat që dalin përpara, në 18-vjetorin e krijimit të saj. Ajo ritheksoi fjalët e arta të SamiFrashërit, “Mendja e një Kombi është arsimi, zemra e tij, morali i përgjithshëm” dhe motivin, që i ka udhëhequr brezat tanë, në udhën e arsimimit dhe zhvillimit, se “ditë e diturisë përpara do na shpjerë”. Ndër të tjera, ajo foli edhe për mjaft veprimtari të zhvilluara, si në kryeqytet dhe në rrethe, në shërbim të edukimit dhe mësimit të brëzit të ri, që ky të aftësohet sa më shumë e më mirë për jetën dhe t’u përgjigjet sfidave të reja, në rrjedhat e Bashkësisë Europiane e më gjerë. Këtij qëllimi i kanë shërbyer veprimtaritë e shumta për edukimin atdhetar, moralo-qytetar etj., duke e venë theksin në njohjen dhe përçimin tek ata të traditave dhe të virtyteve më ta mira të popullit tonë liridashës, trim, punëtor e përparimtar. Një shërbim të çmuar u kanë bërë atyre edhe librat e botuar nga mjaft anëtarë të kësaj Shoqate, zhvillimi i veprimtarive kulturore-artistike e sportive, ekskursionet me qëllim njohës, kalitës e argëtues etj. Gjithashtu, u theksua edhe meraku i kryesisë së sotme të SHASH, që udha e përshkuar deri më tani, lipset t’u shërbejë drejtuesve të rinj, në të ardhmen, që përherë ajo të mbetet zëri dhe mbështetësja në çështjet më kryesore të mësuesve e pedagogëve, nxënësve e studentëve e prindërve, në procesin mësimor-edukativ, në shkolla e jashtë tyre.

7 Marsi Shqiperi-1

Pamje nga salla, ku u zhvillua veprimtaria…

Në fjalën e saj, ajo përmendi edhe disa shqetësime aktuale në fushën e arsimit shqiptar, ndër të cilat veçoi kujdesin e vazhdueshëm, që duhet treguar për gjuhën letrare të njësuar, për tekstet mësimore sa më cilësorë, kujdesin më të madh për arsimin profesional, bllokimin e fiktivitetit e kurrupsionit në shkolla dhe për një vëmëndje më të madhe ndaj  shëndetit e jetës së nxënësve. Po kështu, nënvizoi interesimin e vazhdueshëm, që duhet të tregojnë organet tona shtetërore përgjegjëse,  për pensionet e mesuesve  dhe pedagogëve, për shkollat në gjuhën amtare në diasporën shqiptare etj.

Pastaj prof.dr. Hektor Veshi  lexoi kumtesën e tij me titullin “Zemra e bardhë, përballë gjakmarrjes”. Siç dihet, një plagë ende e hapur e shqërisë shqiptare është dukuria e hakmarrjes dhe gjakmarrjes. Si rrjedhojë e mendimeve prapanike e konservatore, që janë mbartur nga e kaluara, kjo plagë e rëndë po sjell në vazhdimësi jo vetëm humbje jetë njerëzish, por dhe fatkeqësi për mjaft familje shqiptare. Një shfaqje e shëmëtuar e saj është edhe ngujimi i qindra njerëzve e familjeve, për vite të tëra. Ndër to, viktima janë bërë edhe qindra fëmijë, shumica prej tyre nxënës të  shkollave 9-vjeçare, sidomos në rrethet malore. Prandaj, ka lindur dhe është ende aktual shqetësimi i institucioneve arsimore dhe i prindërve se si t’u vihet atyre sa më mirë në ndihmë, që të mos rriten të traumatizuar dhe të mbeten pë mësuar as shkrim e lexim. Sigurisht, kryesorja është që të parandalohet gjakmarrja, e cila u shkakton aq fatekeqësi shumë familjeve shqiptare dhe, së pari, të vegjëlve, nxënës e deri studentë. Prandaj, apeli i kësaj Shoqate bashkohet me zërin e tërë shoqërisë sonë, që t’u pritet udha veprimve të tilla çnjerëzore. Ndërsa, kur pasojat po i vuajnë ende shumë fëmijë e nxënës, kërkohet të jemi të bashkuar, në front, për t’i zbutur dhe per t’i përballuar sa më mirë pasojat. Kryesore, në të gjithë këtë punë e mision atdhetar e qytetar, por dhe shtetëror, është që të mos kthehet ose mbetet asnjë fëmijë në analfabet. Kuptohet se këtu roli i shkollës dhe i mësuesve të saj është i pazëvendësueshëm, në shërimin sa më shpejt të kësaj plage të vjetër, e cila nuk duhet të jetë bashkudhëtare me ne, në shekullin e 21-të.

Pjesë e pandarë e kësaj veprimtarie ishin përshëndetjet nga pjesëmarrësit.Kështu, mësuesi veteran Dhimitër Xhoga foli për përvojen e funksionimit të shkollave shqipe me mësim plotësues, si në Greqi, por dhe në Kanada, ku ai ka qenë emigrant. Ndërsa veterani i arsimit dhe studiuesi Nuredin Luishaj recitoi një poezi të tij, kushtuar figurës së nderuar të mësuesit. Me kënaqësi u prit edhe recitimi i një vjershe të saj, në gjuhën shqipe, nga zj.Mona Agrigoroaiei, përkthyese e veprimtare, nga Bukureshti i Rumanisë.

Në këtë tubim u shpreh edhe shqetësimi anëtarëve të kësaj Shoqate e më gjerë, për ndërprerjen e botimit të gazetës-revistës “Mësuesi” dhe besimi se, drejtuesit aktualë të Ministrisë së Arsimit e Sporteve, do ta shohin këtë çështje me përparësi dhe do të marrin masat e nevojshme e të ngutshme, që ajo ta rifillojë botimin. Sigurisht, ashtu si në mbi 52 vitet e botimit pandërprerje të saj edhe në të ardhmen, ajo do ta japë ndihmesën e çmuar për mësuesit e pedagogët dhe, në përgjithesi, për mbarëvajtjen e procesit mësimor-edukativ, në në të gjitha shkollat e vendit tonë.

Pastaj, të gjithë së bashku, të ftuarit morën pjesë në koktejin e shtruar me këtë rast dhe falënderuan sponsorët, që e mundësuan këtë veprimtari festive, drejtorin e Muzeut Historik Kombëtar, z.Melsi Lapi e Albakredits-Shpk, me znj. Ermira Skënderi dhe kineastin z.Ilia Terpini, “Mjeshtër i Madh”.

7 Marsi Shqiperi-37 Marsi Shqiperi-47 Marsi Shqiperi-57 Marsi Shqiperi-6

 

(Fotot: Autori i shkrimit)

Tiranë, 5 mars 2014

 

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch