Home » Opinione » Në Romë, Bon, Beograd… për aktin e pavarësisë

Në Romë, Bon, Beograd… për aktin e pavarësisë

Oliverta Lila/Gazeta Shqip

Ndërkohë që sot festohet 99-vjetori i shpalljes së pavarësisë e jemi në prag të 100-vjetorit, Shqipëria ende nuk e ka dokumentin origjinal të lindjes së shtetit. Nevila Nika, drejtoresha e Arkivit Qendror të Shtetit, thotë se kanë filluar prej kohësh kërkimet intensive. Roma, Boni, Beogradi janë disa nga vendet ku i kanë orientuar të dhënat e marra, por ende asgjë konkrete. Duke shpresuar që ky dokument origjinal të ekzistojë, Nika thotë se do të bëjnë të gjitha përpjekjet që ta gjejnë për 100-vjetor.

 

Sot shënohen 99-vjet nga themelimi i shtetit të pavarur shqiptar. Në prag të 100-vjetorit, ne ende nuk e kemi aktin origjinal të pavarësisë. Çfarë po bëhet në këtë drejtim për gjurmimin e tij?

 

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, dhe konkretisht Arkivi Qendror Shtetëror ka vite që interesohet për pasurimin e arkivit. Nuk kemi pasur fatin të sigurojmë çdo dokument të rëndësishëm që është pjesë e historisë sonë në më shumë se 60 vjet të ekzistencës së këtij institucioni. Për sa i takon aktit të shpalljes së pavarësisë, certifikatës së lindjes së shtetit shqiptar, ne kemi qenë të parët që në një ekspozitë të vitit 1993 e ekspozuam të plotë, me të gjithë firmëtarët që e kishin nënshkruar. Që më përpara, punonjësit e arkivit e dinin se akti që ishte publikuar gjatë viteve të diktaturës ishte i modifikuar, por nuk di të them nëse ishin në dijeni për këtë edhe institucionet e tjera që janë marrë me shkrimet e teksteve. Ne kemi kohë që po merremi me kërkimin e gjurmimin e aktit origjinal të pavarësisë dhe ku mund të ketë përfunduar sot. Ka hamendësime të ndryshme, por jemi duke kërkuar në Romë, në Bon, në Beograd e në të tjera vende. Jemi vendosur në kontakt me arkivat e vendeve të tjera, diku po çojmë bashkëpunëtorët tanë e në të tjera dashamirës që duan të merren me këtë çështje. Ky do të jetë një vit sulmi, duke qenë se jemi në prag të 100 viteve të shtetit shqiptar, me të mirat e të këqijat që kemi kaluar. Do të na vinte jashtëzakonisht keq nëse do të konstatonim se akti origjinal nuk ekziston më, por edhe në këtë rast, shpresojmë të mësojmë fatin e këtij dokumenti, i cili të jetë i dokumentuar e jo më me hamendësime e thashethemnaja.

Çfarë roli ka personazhi i Lef Nosit në kërkimet që ju po bëni, duke u nisur nga fakti që deri më sot thuhet se ka qenë ruajtësi i aktit origjinal? 

 

Të gjitha kërkimet na çojnë tek Lef Nosi dhe besojmë se ai ka qenë ruajtësi i aktit, nisur edhe nga personaliteti i tij. Ka qenë një njeri që ka pasur interesa shumë të mëdha dhe ne e konsiderojmë si një nga baballarët e arkivit shqiptar, duke qenë edhe afër qeverisë së Ismail Qemalit e po ashtu një koleksionist i jashtëzakonshëm i filatelisë dhe dokumenteve. Ka qenë Lef Nosi ai që ka paguar me paratë e veta njerëz për të kopjuar koleksionin e regjistrave të Gjykatës së Elbasanit që nga shekulli XVII. Sot nuk ruhen më origjinalet, por kemi vetëm kopjet e bëra nga ky personalitetet. Po ashtu, ka botuar dokumente me rëndësi historike për vendin në revistën e tij, kështu që gjykojmë që e ka pasur ai. Kur ai arrestohet në pranverë të ‘45-s, është gjetur një procesverbal i një ushtaraku të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili është urdhëruar të tërheqë nga Banka Kombëtare e Shqipërisë dy kaseta sigurie që ruheshin nën emrin e Lef Nosit. Është bërë një procesverbal, i thjeshtë dhe me nxitim, i cili thotë që një kasetë ka koleksionin e pullave, ndërsa tjetra ka pasur dokumente të pavarësisë. Nuk shënohet se sa dokumente dhe cilat janë ruajtur aty, por ky fakt na bën të mendojmë se aty mund të ketë qenë edhe akti i pavarësisë.

A janë bërë kërkime se ku mund të ndodhen këto materiale? 

 

Nga gjetja e këtij procesverbali disa vjet më parë, kemi hetuar dhe kemi shfletuar të gjitha dokumentet e kremtimit të 25-vjetorit të pavarësisë në vitin 1937 dhe kemi vënë re se komisioni, i cili përbëhej nga figurat më të ndritura të asaj kohe, nuk e ka ngritur asnjëherë problemin e mungesës së aktit origjinal. Nëse në dokumentet ku janë zbardhur mbledhjet e tyre diskutohet për pagesën që duhet t’i bëhet një familjeje apo një individi për dorëzimin e një objekti të caktuar, nuk ka diskutime për aktin e pavarësisë. Në prospektin e ekspozitës, i pari dokument që përmendet për ekspozim është akti i pavarësisë, gjë që do të thotë se origjinali ka ekzistuar. Pikërisht në vitin ’37, Lef Nosi bënte një botim popullor që është shitur 1 grosh, me një kompozim të bërë nga vet ai, duke vendosur edhe senatin e asaj kohe. Kopje të këtij botimi kemi ne, ka Biblioteka Kombëtare, por edhe familje që e kanë ruajtur për shumë vite.

Ekziston mundësia që akti origjinal të jetë asgjësuar gjatë viteve të diktaturës? 

Do të tingëllonte e çuditshme, sepse në atë kohë kishte zgjidhje shumë më komode. Të gjithë e dimë modifikimin e dokumenteve të cilat botoheshin, por origjinalet janë ruajtur gjithnjë, dhe kjo është e jashtëzakonshme. Ka shumë të huaj që na pyesin se si ka mundësi që janë ruajtur, dhe ne dalim në idenë që origjinali është ruajtur sepse u duhej të bënin modifikime të herëpashershme. Kjo i ka shpëtuar si fotot, ashtu edhe dokumentet. Nuk ka pasur arsye për ta asgjësuar. Na mban një fije shprese që deri në minutën e fundit të 28 nëntorit 2012 të kemi mundësi të themi që akti origjinal u gjet. Do ta gjurmojmë kudo që të jetë, po rishikojmë edhe njëherë në materialet e arkivit tonë për ndonjë njoftim të mundshëm. Shpresojmë që t’ia dalim, sepse është një tekst me dy rreshta, por një moment historik që asnjëherë nuk do të harrohet.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch