Home » Lajme, Rajonale » Në Shkup zbulohet shtatorja e Hasan Prishtinës

Në Shkup zbulohet shtatorja e Hasan Prishtinës

Me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe flamurit shqiptar, Shtatorja e veprimtarit të madh kombëtar Hasan Prishtina, u zbulua edhe në Shkup në sheshin “Skenderbej”. Në këtë eveniment morën pjesë shumë funksionarë të lartë nga vendi, Kosova dhe Shqipëria. Vendosja e Hasan Prishtinës pikërishtë më 14 tetor përkon me 100 vjetorin e Kuvendit të Shkupit, ku është miratuar kërkesa për pavarësinë e Shqipërisë.

 

 

Me një ceremoni solemne, këngë dhe valle popullore në Sheshin “Skenderbeu” në Shkup u zbulua përmendorja e Hasan Prishtinës. Familjarë të heroit, funksionarë të lartë, ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës, profesorë dhe qytetarë të shumtë morën pjesë në përurimin e shtatores së heroit kombëtar. Me këtë rast familjari i Hasan Prishtinës, Mehmet Prishtina i cili është edhe donatori i përmendores, shprehu kënaqësinë e përjetësimit në bronz të Hasan Prishtinës në Shkup, pikërisht në qytetin ku ai ka zhvilluar veprimtarinë më të madhe kombëtare dhe ka dhënë kontribut të madh për çlirimin e tij.

Ndërkaq Kryetari i Komunës së Çairit Izet Mexhiti, tha se Shkupi nuk do të ishte ky pa Hasan Prishtinën. Ai shprehu kënaqësinë që patrioti kombëtar u rikthye në qytetin e tij shpirtëror.

 

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti nga ana tjetër e cilësoi si moment historik vendosjen e përmendores së Hasan Prishtinës në Shkup, duke e cilësuar lartë figurën e Hasan Prishtinës. “Atëbotë Shkupi ishte qyteti më i madh i banuar me shqiptarë, tani pas 100 viteve sigurisht se eshtrat e tij do të flenë të qetë me ardhjen e tij të sërishme në Shkup”, tha Ragmi Mustafa, kryetar i Komunës së Preshevës i cili në fjalimin e tij organizatorët kishin paraparë ti përfaqësoj gjithë shqiptarët jashtë trojeve.

 

Përmendorja e Hasan Prishtinës e derdhur në bronz dhe me një lartësi prej 3 metrash, është vepër e skulptorit Artan Peqini. I gjithë projekti kap vlerën prej 72 mijë euro, ndërsa është donacion i Mehmet Prishtinës, familjar i heroit shqiptar. Një vit më parë shtatorja e Hasan Prishtinës u ngrit edhe në Prishtinë ndërsa në nëntor do të vendoset edhe në Tiranë. Vendosja e Hasan Prishtinës pikërisht më 14 tetor përkon me 100 vjetorin e Kuvendit të Shkupit, ku është miratuar kërkesa për pavarësinë e Shqipërisë.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch