Home » Opinione » NË VIJIM TË NJË SHKRIMI: SË PARI, BASHKIMI SHPIRTËROR I SHQIPTARËVE!

NË VIJIM TË NJË SHKRIMI: SË PARI, BASHKIMI SHPIRTËROR I SHQIPTARËVE!

Nga: Skënder Zogaj

publicist e poet, Fushë-Kosovë

 

 

 

 

 

S.Zogaj     

 

I nderuari shok e mik, si-vëlla Murat Gecaj!

E lexova me kënaqësi  skicën , “Së pari, bashkimi shpirtëror i shqiptarëve” dhe e pëlqeva fort mendimin e urtë e të mençur, përkitazi me temën e bashkimit kombëtar.

Siç  vërejmë dendur, disa individë, grupe e qarqe “patriotësh” ,“të zjarrmshëm”, asaj po i fryjnë me afsh patetik, përmes fjalësh të mëdha. Por nuk kryejnë  asnjë veprim  konkret, për të dëshmuar se vërtet ata janë për bashkimin kombëtar dhe se ia kanë anën kësaj pune, jo vetëm për ta shprehur, por edhe për ta “krehur”, të paktën, duke dëshmuar më bindshëm, se kanë ndonjëfarë projekti konkret për ta realizuar atë. Përkundrazi, me plot gojën, për bashkim kombëtar po shfaqen individë dhe grupe që, më së paku, do të duhej të paraqiteshin, sepse nuk janë ata, që mund të flasin në emër të popullit! Bile, nuk mund të flasin as në emër të ndonjë shtrese të tij, ngase nuk e kanë asnjë meritë të veçantë, që është e domosdoshme, kur dikush i jep të drejtë vetes të dalë dhe të shprehë aspirata të përmasës kombëtare.

Prandaj, i dashur Murat, bukur e ke thënë, nuk duhen kapërcyer shkallët “me hop” ose “me vrap”, sepse “e thyen qafën” e bie në gropë!

Bashkimi shpirtëror është ajo, që na duhet sot, kur “dikush i bie thumbit e një tjetër patkonit”! Sepse kemi jetuar për shumë kohë të ndarë e të përçarë, anëve të ndryshme të botës dhe nën trysninë e njëmijëenjë faktorëve, që na e kanë rrudhur mendjen dhe shpirtin. Kështu që kemi aq shumë zbrazëti shpirtërore, sa që, nganjëherë, duke i analizuar disa faktorë, them se na duhet kohë tepër e gjatë, që të mund të funksionojmë përbashkësisht.

Nuk besoj se mund të kemi bashkim kombëtar cilësor në kushtet aktuale, kur Shqipëria dhe Kosova janë të ngërthyera nga “patriotizmi” i rrejshëm. Po them kështu sepse,  i madh është numri i të ashtuquajturve “patriotë”, të cilët janë të përfshirë në krime dhe korrupsion, drogë e prostitucion, hajni dhe mashtrime. Ata janë “patriotët” e paditurisë,  primitivizmit e kontrabandës, që bëjnë argatin e rrjetave të ndryshme mafioze. Pastaj, të yshtura prej tyre, dalin shesheve të mbështjellur me flamurin kuq e zi dhe bërtasin për bashkimin kombëtar! Është një skenë aq e trishtueshme, sa që shqiptarëve të ndershëm e të vërtetë, ua zgjojnë neverinë dhe i bëjnë të ikin dhe të fshihem, që të mos i shohin e dëgjojnë këto “sorra të larme”, duke krrokatur, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë.

Intelektrualët shqiptarë, atdhetarët e ditur, të pastër e të ditur, nuk do të duhej të bien pre e këtyre koluareve, por do të duhej të punojnë seriozisht, pa asnjë fjalë, në shembullin e veprimit të vendeve të tjera, si Gjermania, fjala vjen. Vetëm një javë para se të rrënohej “Muri i Berlinit”, gjermanët thonin se: “Muri është i paprekshëm edhe për 100 vjet!” E, në fakt, i kishin përgatitur të gjitha “veglat” e nevojshme. Kështu, sa çel e mbyll sytë, e realizuan qëllimin e tyre, pa asnjë fjalë e miting, pa u mbështjellur me flamuj dhe pa u çjerrë rrugëve! Si para, ashtu edhe pas rrënimit të Murit, gjermanët e bënë në heshtje bashkimin e tyre kombëtar…

Pra, mik i dashur, jam me ty dhe shfrytëzoj rastin që të të falënderoj shumë nga zemra, për shkrimin kuptimplotë: “Së, pari bashkimi shpirtëror i shqiptarëve”. Le të shpresojmë, të gjithë së bashku!…

Përshëndetjet më të përzemërta dhe me  shumë respekt!

Fushë-Kosovë, 20 janar 2013

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch