Home » Lajme » Në vitin jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë: LE TË MBLIDHEMI TOK, PËR TA HEDHUR FARËN E BASHKIMIT TONË KOMBËTAR!

Në vitin jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë: LE TË MBLIDHEMI TOK, PËR TA HEDHUR FARËN E BASHKIMIT TONË KOMBËTAR!

Në vitin jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë:

 

 

 

 

 

 

 

 

LE TË MBLIDHEMI TOK, PËR TA HEDHUR FARËN E BASHKIMIT TONË KOMBËTAR!

Nga: Zyba Hysen Hysa

arsimtare e shkrimtare, zv.kryetare e SHBIK (x)

anëtare e Institutit të Integrimit të Kultures Shqiptare

…Pra, le të përpiqemi, me të gjitha udhët e mjetet demokratike, që politika shqiptare të kanalizohet  në hullinë e duhur, ku të hidhet fara e Bashkimit Kombëtar Shqiptar dhe t’i shërbejmë Atdheut me devotshmëri, deri sa ta korrim fitoren përfundimtare!

 

 

Shpëtimi, bashkimi dhe zhvillimi i Kombit tonë vjen nga fakti, se sa dhe si përfshihet inteligjenca në problemet, që kemi; ajo inteligjencë, që ka studiuar dhe punuar heshturazi, si Ezopi, duke u vetëngujuar, këtu, në mënyrë të veçantë. Kam parasysh  ata, që nuk e duruan diktaturën dhe ikën, përtej Atllantikut… në Amerikën e largët, por të afërt për Kombin tonë dhe në gjithë globin. Ishin ata, që e kundërshtuan diktaturën dhe përjetuan e duruan persekutime, dënime në burgje, por edhe prej atyre që janë kuar (ushqyer) prej politikës, për t’i shërbyer asaj me devotshmëri. Por ka ardhur koha që, ajo që shkoi, shkoi dhe sot jemi të gjithë të barabartë në një çështje, që na takon të gjithëve, të kuptojmë se Kombi është i të gjithëve. Pra, kurrë nuk është vonë që t’i mjekojmë plagët, qoftë dhe ato plagë, që kemi hapur vetë.

Intelektuali përherë ka vorbull në shpirt dhe i del për detyrë, ose të shpërthejë duke folur me zë të lartë, ose të “pëlcasë”, duke ngrënë me dhëmbë jetën e tij. E, në të njëjtën kohë, duke “gërryer” themelet e identitetit kombëtar. Po si mund t’i quaj intelektualë të mirfilltë ata, që kurrë nuk e vunë në shërbim të Kombit inteligjencën e tyre?! Kështu, shumë janë nga ata, që kanë shërbyer deri në forumet më të larta të diktaturës komuniste në Shqipëri, ose në trojet tjera shqiptare në Maqedoni, Kosovë, Malin e Zi… të përgatitur nga sistemi, të ushqyer me “artin” e karrierës së grabitur me të gjitha mënyrat, edhe duke shkelur mbi të tjerët, duke vjedhur, duke vrarë…, por edhe duke shitur interest kombëtare. Këta lloj “intelektualësh”, për fat të keq, sot po quhen “intelektualët më të mëdhenj” të kohës. Por harrohet se koha është “sitë sizmike”, që di të veçojë majëmiellin. Ndaj: ç’kaloi, kaloi! Tani, në vitin e 100-vjetorit të Shpalljes se Pavarësisë sonë Kombëtare, duhet t’i vemë mirë pikat mbi “i”, për ta çuar deri në fund amanetin e Ismail Qemalit, i cili tha: “Ne, po u lëmë një copë tokë bijëve dhe kufinjtë le t’i gjejnë vetë!”

Shembuj të një bashkimi të vullnetshëm të shqiptarëve janë shumë. Por doja të veçoja “Besëlidhjen Shqiptare”, që u krijua nga Kuvendi i Lezhes (2 mars 1444). Në themel të asaj Besëlidhjeje, ishte besa për një bashkim në luftë kundër osmanëve. Ta sjellim në kohë, pa parë ngjyrime politike, por edhe pa shfrytëzuar ngjyrën “kuqezi” për përfitime politike, por njësinë kombëtare. Le ta themi hapur të vërtetën për dëshirat e kahershme të shqiptarëve për indetitet dhe bashkim kombëtar dhe jo të bëjmë punë patriotike, si në “ilegalitet”. Pra, le të përpiqemi, me të gjitha udhët e mjetet demokratike, që politika shqiptare të kanalizohet në hullinë e duhur, ku të hidhet fara e Bashkimit Kombëtar Shqiptar dhe t’i shërbejmë Atdheut me devotshmëri, deri sa ta korrim fitoren përfundimtare! Të mos kemi ndrojë për të thirrur, me sa fuqi kemi dhe deri në kupën e qiellit,  për të vërtetën tonë, për të drejtën dhe të ligjshmen tonë, që tjerët e bëjnë “të paligjshme”. E vëreta ka kosto, por ka fitore; e vërteta të bën të pavdekshëm. Kështu, me këtë rast, kujtoj këtu shkrimtarin Zola (Emil Zolë, emri i vërtetë Edouard Charles Antoine, 1840-1902), përfaqësuesi më i madh i natyralizmit francez, i cili e ngriti lart zërin e protestës dhe u vu në mbrojtje të së vërtetës. Se, kushdo që ngre zërin, sigurisht që do “gjakoset”, po do fitojë përjetësinë.

Ndaj, pushtohem shpesh nga vorbulla, që më fundosin mijëra kilometra poshtë në “oqeanin” e prapësive shoqërore, që përjetojmë. Por, njëkohësisht, ato më hedhin mijëra kilometra lart. Ndërsa, për t’i shpëtuar asgjësimit tim, shpesh shkruaj, flas, thërras, bërtas dhe kërkoj zëra që të jemi tok. Se, kur janë shumë zëra, del thirrje aq e fortë, sa dridhen perandori dhe po u lëkund perandoria, sado e fortë qoftë ajo, rrëzohet dhe, kur shembet ajo, aty është mençuria të dimë të rindërtojmë atë, që kërkuam ne vendosmëri.

Nga gjoksi im, sot del thirrja atdhetare: Të mblidhen tok, zëri i inteligjencës dhe i mbarë patriotëve, të ushtojnë e të zgjojnë ndërkombëtarët. Se, të jemi të bindur, ky bashkim do arrihet një ditë. Për fat të mirë, ne kemi potencial të lartë intelektualësh, që mund ta përshpejtojnë këtë proces, i cili duhet të ketë në ballë koka, si Kadareja e Qosja. Sot ata janë të njohur, ndërsa nesër të do bëhen të pavdekshëm, nëse i dalin në ballë idealit patriotik, ardhmërisë. Se patriotizmi nuk është “folklorizëm”, por detyrë e shenjtë për çdo shtetas dhe, në mënyrë të veçantë, të njerëzve të letrave.

Intelektualët, në veçanti shkrimtarët, nuk duhet të jenë “manarë” të politikës së ditës, por ta kthejnë atë në “manare” të tyre, duke u bërë kështu prinjës të historisë, në rrugën e pandalshme të saj. Një shkrimtar i mirë është atëherë, kur gjithë kapacitetin e tij intelektual dhe praktik e vë në dobi të Kombit të vet. Se këtu është dhe prova e parë për ta marrë miratimin e një shkrimtari me vlera mbarëbotërore. Ndryshe fama, lavdia dhe karriera e tij, sado e madhe qoftë, pas vdekjes do të venitet pak nga pak, derisa do ta mbulojë pluhuri i harresës. Shkrimtarin e bën vepra të njohur, por kur vepra dhe veprimtaria vihet në shërbim të Kombit, mbetet i përjetshëm!

Një fjalë e thënë me zë të lartë, është sa qindra vepra nëpër rafte. Ndaj, o sot, o kurrë, për Bashkim Kombëtar! Na udhëhiqni, o kokat e letrave shqiptare dhe lërini mënjanë mërirat e zënkat pa bereqet. Dilni në ballë edhe ju intelektualë e ju biznesmenë të fuqishëm, me fjalën tuaj të mençur dhe me pasurinë tuaj. Udhëhiquni nga shëmbulli i shkëlqyer i rilëndësve tanë, duke vënë çdo gjë në shërbim të Kombit, me synimin për të marrë ato, që na takojnë, por sigurisht me urtësi e pa dhunë. Se, ndryshe, do të na gjykojnë brezat.

Të kthehesh te nëna, por edhe duke nxituar për t’i shërbyer Atdheut tënd të shenjtë, nuk është kurrë vonë. Se ai është si babai, që e priti djalin plangprishës, siç shkruhet në Bibël, me festë të madhe. Ndaj kurrë nuk është vonë për çdo shqiptar të tregojë vlerat dhe forcën e vet, në dobi të çështjes së madhe kombëtare shqiptare. Intelektualët, sidomos shkrimtarët, janë “teleskopë” të së ardhmes, se shohin përtej të dukshmes. Me këtë rast, unë nuk them që të shfaqen shenja të theksuara nacionaliste, por vetëm patriotike; jo për revolta, por për dritë, pra që populli ynë të shohë, ku të hedh këmbët drejt një Bashkimi Kombëtar të ligjshëm. Se nuk mund të kuptohet Bashkimi Evropian, pa bashkim të kombeve.

 

(x) SHBIK=Shoqata “Për Bashkim dhe Identititet Kombëtar”.

 

Vlorë, më 3 mars 2012

( E dërgoi për publikim, Prof. Murat Gecaj-Tiranë)

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch