Home » Lajme, Ndërkombëtare » Në Whachau të Austrisë, Thaçi: Në Serbi, Kosovën duhet ta shikojnë si partnere e jo si armike

Në Whachau të Austrisë, Thaçi: Në Serbi, Kosovën duhet ta shikojnë si partnere e jo si armike

Kryeministri i Republikës së Kosovês, Hashim Thaçi po merr pjesë në Konferencën vjetore të Forumit Evropian të Whachau -ut, që sivjet ka temën aktuale ”Përtej krizës – konturat e një Evrope të Re”. Kryeministri Thaçi sot, në ditën e dytë të punimeve, mbajti një fjalë rasti për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

”Kosova dhe Serbia kanë tri sfida para vetes, që lidhen me paragjykimet e armiqësisë të së kaluarës e deri tek lodhja evropiane me zgjerimin si faktor i jashtë që brengos dy shtetet”, thotë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi.

Gjeni të plotë fjalën e kryeministrit Thaçi në këtë Forum:

Të nderuar mysafirë,
Zonja e zotërinj,

Është kënaqësi e jashtëzakonshme për mua të marrë pjesë në Forumin Evropian të Wachau – t, dhe më këtë rast dua të shpreh falënderimet e mia më të sinqerta organizatorëve të këtij forumi, duke filluar nga Zonja Barabara Schwarc, për z. Michael Spindelegger si kryesues, Guvernatorin z. Erwin Peroll dhe të gjithë të tjerët.

Mendoj se në Europë ekziston një momentum pozitiv për të tejkaluar edhe pak kriza, apo më mirë t’i quaj sfida të mbetura, me qëllim që më në fund, të gjithë së bashku të përmbyllim kornizën apo platformën e Evropës së re, e cila duhet të jetë një Evropë e bashkuar, e integruar, e zhvilluar ekonomikisht me rol vendimtar në arenën botërore.

Sot së bashku me homologun tim nga Serbia, kryeministrin Ivica Daçiq, do të ndajmë më Ju, një përvojë të jashtëzakonshme, e cila është krejt e freskët, një përvojë se si popujt që kanë qenë në konflikt për një shekull të tërë, mund t’i lënë prapa përjetimet e hidhura të konfliktit, dhe të ndërtojnë paqe, të ndërtojnë raporte normale, dhe të sigurohen që më kurrë të mos lënë mundësinë për luftëra të përgjakshme.

Sot, me kënaqësi do të ndaj me ju, përjetimin ndoshta më të vështirë të tejkalimit të krizës, atë të konfliktit një shekullor më jetëgjatë, më të thellë dhe më të përgjakshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili me sukses të madh është përmbyllur me 19 prill 2013, në Bruksel.

Më lejoni të kthehem pak mbrapa, jo në vitin 1389, siç bëjmë zakonisht ne të Ballkanit, e as në historinë e konfliktit të ish-Jugosllavisë. Kosova e shpalli pavarësinë më 2008, pas një periudhe intensive të negociatave të udhëhequr nga Përfaqësuesi i OKB, Presidenti Marti Ahtisaari.

Receta që përdori Presidenti Ahtisaari ishte i një kompromis i thellë midis dy palëve:

U propozua pavarësi e kushtëzuar, sipas së cilës Kosova do të mund të shpallte pavarësinë, por nuk do të fitonte të drejtat e plota dhe sovranitet të plotë në vendim-marrje, derisa të implementojë reforma të thella, përfshirë edhe decentralizimin, si koncept i afrimit të pushtetit qytetarëve përmes komunave.

Kjo ishte mënyra për të mbrojtur dhe afirmuar minoritetin serb dhe të tjerët nga shumica apo diskriminimi. Mbi 60 kompetenca të ndryshme iu bartën komunave, e ndërkaq u krijuan disa komuna të reja me shumicë serbe.

Ky plan, edhe pse u pranua nga shumica absolute e shteteve të Grupit të Kontaktit, në mesin e të cilave ishte edhe Rusia, nuk u pranua nga Serbia dhe nga një pjesë në veri të Kosovës, që ishte ilegalisht në kontroll të Qeverisë serbe dhe strukturave paralele, që nga fundi i luftës më 1999.

Kosova ishte e përkushtuar të ndërtojë institucione dhe të kërkojë njohje, dhe jam i lumtur t’ju njoftoj që tashmë shumica e shteteve të OKB-së e njohin Kosovën. Kosova është bërë anëtare e organizatave ndërkombëtare: e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore, dhe së fundi edhe e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Në veri, sipas hulumtimeve të vetë medieve serbe dhe shoqërisë civile, si dhe sipas të dhënave të OKB-së, krimi i organizuar dhe kontrabanda krijonte profite prej 60 milionë eurosh për strukturat ilegale, për shkak të moskontrollit të kufirit.

Në Samitin e Selanikut para një dekade u bë një premtim i madh nga BE – ja që i tërë Ballkani do të anëtarësohet në BE, pasi që të përfundojmë reformat. Mirëpo reformat e brendshme brenda shteteve nuk ishin kushti i vetëm i aspiratave për anëtarësim në BE.

Një kriter tjetër kyç ishte edhe tejkalimi i problemeve ndërshtetërore, pra fqinjësia e mirë ndërmjet shteteve aspirante për anëtarësim në BE.

Dialogu ishte fillimisht teknik dhe ne u morëm vesh me Serbinë që Kosova mos të bojkotohet në organizata rajonale, që diplomat e Kosovës të njihen, që të dhënat e dokumentet kadastrale të Kosovës të kthehen, që Serbia mos të lëshonte më tabela të automjeteve etj.

Përkundër disa marrëveshjeve të arritura, u bë e qartë se në Serbi kishte një kufizim në pranim të realitetit.

Në shumë aspekte, kapitujt kryesorë mbetën të hapur, sidomos pranimi i Serbisë se në Kosovë ka vetëm ligje të Kosovës, se nuk ka ambiguitet kushtetues se kush është zot i Kosovës në aspektin demokratik dhe në aspektin e sovranitetit.

Baronesha Ashton dhe BE-ja dhe ne dy kryeministrat e shteteve, u pajtuam që të fillojmë të takohemi, të hyjmë më thellë në obligime dhe të sjellim një normalizim të vërtetë të gjendjes.

Krijuam një situatë dhe një peisazh të ri ku të dy palët me të vërtetë fillojnë të shkruajnë një kapitull të ri të historisë, pa armiqësi dhe në kuadër të agjendës euro-atlantike.

U takuam plotë 11 herë dhe së bashku biseduam për 200 orë rresht.

Hymë në dialog të thellë, të përgjegjshëm, shpesh frustrues, shpesh me paragjykime, shpesh edhe me mospajtime të thella, por të dedikuar që mos të përfundojmë pa arritur deri te një marrëveshje fillestare kornizë, mbi parime të normalizimit, ku do të adresoheshin çështjet kryesore.

Baronesha Ashton luajti rol të për admirim me durimin, përkushtimin dhe vizionin politik të saj. Mund të them se pas bisedave të lodhshme, arritëm deri te një sukses historik.

Marrëveshja në esencë është e thjeshtë.

Serbia e akcepton Kosovën si të tillë, ia njeh ligjet, kushtetutën, nuk ia cenon sovranitetin dhe tërhiqet krejtësisht nga mbajtja dhe financimi i strukturave ilegale të sigurisë në Kosovë. Serbia, po ashtu, zotohet, sipas Marrëveshjes se nuk do ta bllokojë Kosovën në integrime europiane.

Ndërsa Kosova premton se do të garantojë fuqishëm implementimin e Marrëveshjes së Brukselit në tërë territorin, duke dhënë garanca dhe instrumente shtesë, konform kushtetutës sonë, për serbët që jetojnë në veri të Kosovës.

Kemi siguruar se serbët në veri mund t’i lidhin komunat në një asociacion që do merret me çështje të vetëqeverisjes në nivelin lokal por edhe si një mekanizëm i rëndësishëm i serbëve të Kosovës, ku do të mund të adresohen çështjet dhe brengat e tyre.

Marrëveshja pastaj reflektohet në shumë fusha.

Në energjetikë ne duhet të kemi një sistem unik të transmisionit, sipas kartave europiane. Në lëvizje të lirë ne duhet të kujdesemi që të kemi menaxhim të integruar të kufijve, ta ndalim krimin.

Në interaksione multilaterale, ne duhet të kujdesemi që Kosova të bëhet anëtare e të gjitha organizatave që hyjnë nën ombrellën e integrimeve europiane.

Është me rëndësi që u morëm vesh të hapim Zyre Ndërlidhëse në kryeqytetet e tona. Pasi që bëmë marrëveshjen historike, patëm ende takime për mënyrën se si do ta implementojë këtë marrëveshje.

Cilët janë hapat e parë që duhet të merren, cilët të dytët?
Si të sigurojmë të mos ketë vakum të sigurisë në veri?
Si të krijojmë përfaqësim demokratik dhe zgjedhje në veri me ligj të Kosovës?

Zonja dhe zotërinj,

Janë tre lloj sfida që shoh para nesh:

Sfida e parë

Është inercioni i sistemit të vjetër dhe koncepteve të vjetra në Serbi. Është e qartë se kjo marrëveshje është e arritur historike, por është po ashtu e qartë se kërkon ndryshim rrënjësor të paradigmës dhe qëndrimit ndaj Kosovës.

Në Beograd- Kosovën duhet ta shikojnë si partnere dhe jo si armike apo provincë të kohërave të vjetra post-Otomane. Edhe Kosova nuk duhet ta sheh Serbinë, si të periudhës 1913 -1999. Ka ende mjaft forca në Serbi, por edhe në Kosovë që po pengojnë dhe po ngadalësojnë një proces të pajtimit.

E pamë këtë me dështimin e një samiti në Maqedoni. Kam shpresë se këto rezistenca do të diskutohen dhe qartësohen.

Sfida e dytë

Popullata serbe në veri, sipas sondazheve është pro normalizimit dhe ka dëshirë të lëvizë përpara. Ne kemi dëshmi për këtë nga zyra jonë në veri, që shërben me mijëra qytetarë serbë, por ende ka elemente radikale që mundohen të bëjnë shantazhe.

Unë besoj fuqimisht se zgjedhjet demokratike dhe hyrja në sistem parlamentar dhe lokal do të zgjidh një pjesë të këtij problemi. Ne do të shpallim amnisti, që ata që nuk e njohën kushtetutën dhe ligjet e Kosovës të mund të ndjehen të sigurt.

Por, nga ana tjetër, duhet t’ua bëjmë të qartë kriminelëve se nuk do të gjejnë vend dhe hapësirë të lirë askund, as në Kosovë e as në Serbi.
Sfida e tretë

Lodhja europiane me zgjerim është një faktor i jashtëm që mund të sjell brenga. Shtetet e BE-së kanë qenë vendimtare për kontributin që i kanë dhënë paqes, lirisë dhe stabilitetit në Ballkan, por kohërat kanë ndryshuar dhe kohërat janë shumë më stresuese për peizazhet e brendshme politike të këtyre shteteve.

Kjo sjell më shumë obligime posaçërisht për Kosovën, si shtetin e fundit që hyri në integrime formale europiane, që të bëjë reforma dhe të zbatojë hapat konkretë që e përafrojmë shtetin tonë me BE-në. Por, në disa shtete ende jeton paragjykimi që Ballkani sjell vetëm probleme.

Kjo nuk është e vërtetë.

Kosova ka shumëçka t’i ofrojë Europës.
Zonja dhe zotërinj,

Unë jam i bindur se në muajt e fundit ishim dëshmitarë të një kthese të vërtetë. Unë si kryeministër i Kosovës në emër të qytetarëve të Kosovës e kam dëshmuar se ne jemi të gatshëm të lëvizim përpara dhe të hapim kapitullin e ri -atë të paqes dhe të bashkëpunimit reciprok.

Popujt tanë që kanë vuajtur shumë në të kaluarën e presin këtë nga ne liderët e sotëm. Ndërsa fëmijët tanë, do të na mallkojnë në rast se do të lëmë ndonjë konflikt të hapur për gjeneratën e tyre.

Normalizimi tek e fundit e sjell drejtësinë më të plotë të mundshme, të përfundimit të hartës konfliktuoze politike të Ballkanit një herë e përgjithmonë, dhe krijimit të fqinjësisë së mirë, si vende kandidate në BE.
(RTK)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch