Home » Kulturë, Lajme, Ndërkombëtare » NEZIR ZASELLA SHQUHEJ ME VIRTYTET MË TË LARTA TË PERSONALITETIT QË IA DHUROI TRADITA SHEKULLORE E POPULLIT TË VET

NEZIR ZASELLA SHQUHEJ ME VIRTYTET MË TË LARTA TË PERSONALITETIT QË IA DHUROI TRADITA SHEKULLORE E POPULLIT TË VET

Nga: Prof. dr. Mehmet Rukiqi

Zasellë e Shalës së Bajgorës, më 13 korrik 2017, gjatë përurimit të librit ”Thesar Kombëtar…” 7 e 8 për nderë të heroit kombëtar, Nezir Zasella.

I nderuar Prof. dr. Skënder Skënderi,

I nderuar Hysen Ibrahimi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, në Suedi,

I nderuari nënkryetar i komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka

I nderuar Zv.Ministër Safet Kamberi,

I nderuari Hysni Syla, zëdhënës i komunës së Mitrovicës,

Të nderuar të afërm të Prof. dr. Ejup Hamitit, që shpesh e quanin Ejup Zasella,

Të nderuar të pranishëm, zonja e zotërinjë,

 

Nezir Zasella u lind më 1885 dhe jetoi deri më 1945. Ishte një nga personalitetet më të shquara të luftës për çlirim dhe bashkim kombëtar. Ishte identiteti më i spikatur i heroizimit luftarak. Në moshën 17 vjeçare, më 1902, xhveshi rrobat e bariut dhe veshi ato të trimërisë, menjanoi shkopin e blegtorisë dhe vari në krah pushkëm me dy rrath të fishekëve, në vend të fyellit e kavallit, të mbërhyer në rrypin e pantallonave, në rrypin e tierqëve të galum, shallës dhe shokës në brez, mbërthej koburet tradicionale.

Bukuria e rrallë fizike, armët dhe veshja kombëtare, prej plisit të bardhë, mintanit e fermenës e deri te opingat me rrathë, mahnitën shikuesit e parë. Që në ditët e para, doli para Isa Boletinit si ushtari para komandantit.

E përbashkëta e të gjithë trimave shqiptarë, e luftëtarëve dhe burrave të kuvendit, në kohën e Nezir Zasellës, ishte gadishmëria e pazbehur dhe e paluhatshme, për luftë deri në fund, kundër çdo armiku, me synime grabitqare të trojeve etnike shqiptare. E përbashkëta e luftëtarëve dhe e luftëtarëve shqiptarë , sidomos prej Lidhjes së Prizrenit e këndej, ishte mbrojtja e tërësisë tokësore të Shqipërisë etnike, nga sulmet e kusaria, gënjeshtra e hajnia e pabesia e farës karpatiane sllave.

Pata fat që, para 4 dekadave, të takohem me Hamit Zasellën (babain e profesorit tonë të nderuar Skënder Skënderi). Prej tij shënova një sasi të konsideruar të lëndës folklorike, përkatësisht të historisë gojore. Shenova sado pak, për jetën dhe veprimtarinë luftarake të burrave të shquar të Shalësw së Bajgorës si: Isa Boletini, Beqir Voca, Tafil Boletini, Sherif Voca.

Më foli në veçanti për Nezir Zasellën. Më vonë, u njoftova me intelektualët bashkëmoshatarë dhe më të rinjë, si me Prof. dr. Skënder Skënderi, roli pedagogjik dhe shoqëroro politik i të cilit është historik. Më 2 korrik 1990, ishte deputet i Kuvendit të Kosovës. Së bashku me deputetët shqiptarë shpallën Kosovën Republikë. Prof. dr. Ejup Hamiti, nga ky fshat, ishte profesor i dalluar i Universitetit të Prishtinës.

Kulla e Nezir Zasellës hyri në radhën ndërtimore të fortifikuara në Shalë të Bajgorës, që i gjason një kështjelle madhështore. Po edhe Shala e Bajgorës i përngjanë (në kuptimin simbolik) kështjellave natyrore. Secili armik që Shalës së Bajgorës i bëri yrysh e ndau kokën në dysh.

Në moshë të re, konfrontohet me forcat osmane. I plagos dy ushtarë turq. Gjen strehim në familjen Boletini. Në vitin 1902, i bashkangjitet trimit të kësaj ane, Isa Boletinit. Luftimet e para i zhvilloi nga frengjitë e kullës së vet. Luftoi në stilin luftarak të Rifat Berishës, më 17 maj 1949, në Gajrak të Malishevës, të Tahir Mehës, nga Kulla e vet në Prekaz të Poshtëm, më 13 maj 1981 dhe të Adem Jasharit, më 5-7 mars 1998.

Prej vitit 1908 deri në gusht të vitit 1912, mori pjesë aktive në luftërat e drejtuara nga Isa Boletini, Idriz Seferi e Bajram Curri. Luftoi për çlirimin e Novi Pazarit (Pazarit të Ri), Mitrovicës, Llapit e Vushtrrisë, Prishtinës, Ferizajit e Shkupit. Luftoi edhe në Merdar, Albanik e te Qafa e Ibrit. Me indinjatë të thellë, i priste lajmet që vinin nga Konferenca e Londrës, më 1913, ku copëtoheshin trojet shqiptare.

Më 1913-1914, merr pjesë në fromimin e çetave kaçake. Mbajti lidhje bashkëpunimi e bashkëluftimi, këshillimi të luftës strategjike me personalitetet më të shquara të kohës, luftë për mbrojtjen e atdheut, si: Arif Lisica, Azem Galica, Bajram Zhazha, Bejtullah Shupkofci, Dibran Shosholli, Emin Boletini, Hajdar Shosholli, Hoxhë Kadria, Isa Boletini, Jetullah Jetullahu, Lah Rashani, Mehmet Konjuhi, Mehmet Hasani, Osman Melenica, Osman Zhazha, Qerim Boletini, Rifat Banjska, Riza Qabra, Shaban Buliqi, Shaqir Uka, Tafil Boletini, vëllezërit Bajçinovci, Xhemë Tërnavci, Ymer Kutllovci, etj.

Në vitin 1916, Nezir Zasella, tradhëtisht u burgos në burgun e Mitrovicës. Më 1 maj 1918, formohet Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës. Nëpërmjet të dashamirëve, arriti të njoftohet me Hoxhë Kadri Prishtinën, Luigj Gurakuqin e Bajram Currin. Bashkohet me çetat e Azem Galicës dhe të Sadik ramës. Besim të madh kishte edhe në Riza Qabrën dhe Familjen Shyti nga Oshlani komuna e Vushtrrisë. Ishte shok i ngusht me Xhemë Tërnavcin. Neziri ka qenë prijës për rajonin e Shalës, Xhemë Tërnavci në kuadër të Çetës së Azem Galicës, për rajonin e Drenicës.

Neziri mbante lidhje edhe me shokët më të ngushtë të Azem Galicës, sidomos prej vitit 1918, kur Azemi ishte komandant i Përgjithshëm i Lëvizjes Kaçake të Kosovës. Kontaktet e tij me Fazli Baranin komisar i Çetës së Azemit, Emin Latin, Shaban Manxhollin, Mursel Ahmetin, ishin të shpeshta. Neziri ishte edhe komandant i liftës në Cerajë, kundër çetnikëve, ku 7 prej tyre mbesin të vrarë.

Më 5 tetor 1920, xhandarët sulmojnë familjen e Nezir Zasellës. Përdorën artilerinë e rëndë, me topa. Ia rrënojnë Kullën. Për të shpërhyer rrethimin, i ndihmojnë: bashkëfshatari Muhamet Hasani, Muharrem Miftari dhe Dibran Shosholli i Kçiqit të Madh dhe Mehmet Konjuhi, njëri ndër trimat më të dalluar të kohës së tij.

Në luftën e Rahovës, ma xhandarët serbë, Neziri plagoset. Në luftërat vijuese, i vriten edhe dy djemë, njëri në Vitak e tjetri në Shupkovc. Më 1927, shpërngulet në Shqipëri. Vendoset në fshatin Havales, afër Fierit. Kthehet më 1941.

Nazeir Zasella shquhej me virtytet më të larta të personalitetit, që ia dhuroi tradita shekullore e popullit të vet: besën e burrërisë, çiltërinë e dinamikën e personalitetit, dinjitetin e drejtësinë, durimin dispozitar e entuziazmin, mendjemprehtësinë e mikërpritjen, modestinë e nderin, vetëdijen e lartë, trimërinë e vullnetin e pathyeshëm.

 

Për këtë kolos të spikatur të luftrave heroike, të mbrojtjes së atdheut, është shkruar fare pak. Rrezikohet nga pluhuri i harresës. Nezir Zasella, sa ishte në Shqipëri, së bashku me Tafil Boletinin, Xhemë Tërnavcin, Familjen Shyti e Bajçinovci e Halit Selacin, kanë pajtuar shumë familje, sidomos ajo e Nezirit.

Personaliteti i Nezir Zasellës sa vjen e zbulohet, si personalitet më i formuar dhe më i lartë, më i kompletuar dhe më dinjitoz. Hapin e parë në këtë drejtim, e bëri Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani” në Suedi, në krye me kryetarin e saj Hysen Ibrahimin, ndaj edhe e falënderoi përzemërisht.

Zasellë e Shalës së Bajgorës, më 13 korrik 2017

(Pason nënshkrimi i Prof. dr. Mehmet Rukiqi, Anëtar Nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, në Suedi)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2017 KosovaLindore · RSS · Designed by Kosovalindore · Powered by KosovaLindore