Home » Lajme » Nga 21 tetori i këtij viti Qeveria e Kosovës heq taksat për shqiptarët e Luginës së Preshevës

Nga 21 tetori i këtij viti Qeveria e Kosovës heq taksat për shqiptarët e Luginës së Preshevës

Qeveria e Kosovës do t’i heq taksat doganore për të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës që hyjnë në Kosovë prej datës 21 tetor 2013. Këtë vendim e ka komunikuar Kryeministri Hashim Thaçi, pas një takimi me liderët e Luginës së Preshevës, i cili ka thënë se këtë e ka bërë për t’ua lehtësuar qarkullimin qytetarëve të Preshevës. Ai ka ripërseritur se nuk do të ketë lejim të vizitave të zyrtarëve serb me karakter elektoral, por vetëm nëse kërkesat për vizitë në Kosovë kanë karakter fetar për ta vizituar ndonjë manastir.
Gjatë këtij takimi që pati kryeministri me liderët e Luginës, ai u ka premtuar atyre mbështetje në të gjitha fushat. Ai u ka premtuar ndihmë konkrete, edhe në hapjen e Universitetit në Preshevë.

Unë kam vendosur që për t”iu lehtësuar qarkullimin qytetarëve të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës në drejtim të Kosovës të heqim plotësisht taksat për veturat, pra për lëvizjen e lirë, në mënyrë që të krijomë kushte dhe rrethana shumë më të lehta për lëvizje. Nga 21 tetori i këtij viti do të hiqen plotësisht taksat për veturat që hyjnë në Kosovë dhe dalin. Këto obligime do t`i merr Qeveria e Republikës se Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa, në anën tjetër, Jonuz Musliu kryetar i LPD-së, ka thënë se kanë marrë një mbështetje nga kryeministri i Kosovës dhe nga shteti i Kosovës se qytetarët e Luginës nuk janë vet, por natyrisht është me shtetin e Kosovës. Musliu tha se do të kenë mbështetje nga Qeveria e Kosovës dhe se është koha dhe momenti që të gjithë shqiptarët të flasin me një zë dhe të jenë unik.

Na gëzon fakti që po hiqen taksat e veturave, nga Qeveria e Kosovës, sepse, kemi qenë të bllokuar, sidomos në këto dy vitet e fundit. Lëvizja e lirë ka qenë e mangët, dhe veç rasteve urgjente që kanë mundur të lëvizin. Por, tani, nga 21 tetori, do të kenë të gjithë lëvizje të lirë në drejtim të Kosovës, por jo vetëm në këtë, por edhe në fushën e arsimit, themelimit të Universitetit në Komunën e Preshevës, edhe pse është hapur në Gjilan, por do të hapet natyrisht edhe në Bujanoc dhe bashkërisht do të kemi një mbështetje nga Kosova. Por, edhe në fushat tjera do të kemi mbështetje”, ka thënë Musliu.

Mirëpo, kreu i Qeverisë nuk ka specifikuar se kur do ta vizitojë Luginën e Preshevës si kryeministër i Kosovës, duke respektuar lirinë e lëvizjes. Ai tha se në kohët me të vështira ka qenë në Luginë dhe kanë qenë edhe ministrat e kabinetit të tij, por do të vij koha që edhe kryeministrat e Kosovës ta vizitojnë Preshevën.

Ai tha se ata respektojnë lirinë e lëvizjes dhe e praktikojnë në jetë, duke mos u nisur nga baza diskriminuese, por krijimi i bazës dhe mundësive të barabarta dhe vetëm duke respektuar standardet evropiane edhe Kosova mund të lëvizë drejt BE-së, por edhe Serbia mund të lëvizë drejt BE-së, transmeton RTK.

Para nisjes për në Prishtinë, delegacioni shqiptarë nga Lugina e Preshevës paraprakisht kishin përcaktuar një takimpërgatitor që u mbajt në zyrën e kryetarit të komunës së Bujanocit me ç’rast për interesa personale e inate nuk arritën të jenë unik para se të mbërrijnë në zyrën e kryeministrit të Kosovës.

Kryetarët e dy komunave Bujanoc e Preshevë, Nagip Arifi e Ragmi Mustafa, kryetarët e Kuvendeve Jonuz Musliu e Ramiz Latifi, si dhe zv.kryetari i komunës së Preshevës Skender Destani, u mblodhën në takim, mirëpo kësaj ftese për konsultime nuk iu përgjigj edhe pjesa tjetër e elitës politike shqiptare të Luginës.

Deputeti Riza Halimi, kryetari i Këshillit Nacional Galip Beqiri, kryetari i Unionit Demokratik Shqiptar Rahmi Zylfiu si dhe nënkryetari i Partisë për Veprim Demokratik Shaip Kamberi, vazhduan rrugën drejt Prishtinë duke mos marrë pjesë në konsultime.

Shtrohet pyetja se për çfarë interesa po luftojnë këta liderë të ndarë në dy klane, ato personale apo për një të ardhme më të mirë për shqiptarët e getoizuar të Luginës?

Një mënyrë e tillë e bashkëpunimit të politikanëve të Luginës, edhe kur është në pyetja çështja shqiptare në Luginë, nuk lë një shije të mirë, aq më pak kur kështu të përçarë këta liderë do të takojnë edhe kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq transmeton TV Presheva.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch