Home » Opinione » NGA TOMSONI, URIMI I PARË, PO SA ME SHUMË MALL!

NGA TOMSONI, URIMI I PARË, PO SA ME SHUMË MALL!

Nga: Murat Gecaj

Nga e majta: Agr.T.Nishani e M.Gecaj (Tiranë, maj 2010)

1.

Janë më se të zakonshëm urimet, përshëndetjet dhe telefonatat,  me raste festash, kombëtare, tradicionale ose familjare. Mendoj se kjo është një praktikë shumë e mirë, se i lidhë e i bashkon më shumë njerëzit, familjarët, miqtë, kolegët e të njohurit. Në këtë mënyrë, ne dëshmojnë e shfaqim edhe ndjenja të ndryshme, ndër to, mbresa, pështypje, mirënjohje e tjerë.

Ja, “siparin” e urimeve dhe të përshëndetjeve në adresën time, këtë fundviti, e hapi pikërisht dje, kolegu e miku i dashur dhe i paharruar, agr. Tomson Nishani. Për disa lexues, ai është i panjohur, po për mjaft të tjerë u sjell në kujtesë agronomin e pasionuar të Parkut të Madh të Tiranës, në vitet ’70-të e ’80-të, në shekullin e kaluar. Emrin e tij e gjejmë edhe në shumë gazeta e botime te kohës, ku ai ka shkruar për bimët e drurët, me shumë dashuri e profesionalizëm. Nër të tjera, më kujtohen edhe shkrimet e tij të bukur, që kemi botuar në ato vite, në faqet e gazetës “Mësuesi”. Po kështu, që atëherë, ai  publikoi edhe disa libra interesantë, me atë tematikë. Të dhënat shkencore dhe këshillat e tij të vyera kanë mbetur të pashlyera në mendjet e mësuesve të asaj periudhe.

Por ja, që koha eci e ai u largua, nga Tirana e Shqipëria,që më 1998, për një jetë më të mirë dhe vazhdon të jetojë familjarisht në qytetin e bukur Firence, të Italisë. Kur i është paraqitur mundësia, ai ka ardhur në Tiranë, ku është çmallur me të afërm, kolegë, miq e dashamirë të shumtë. Ndokush, mund të sjellë në kujtesë se, për një nga takimet e mia me të, në maj 2010, kam publikuar një shkrim, në shtyp dhe në Internet.

Disa libra, me autor agr. Tomson Nishanin

2.

Ndërsa tani po ju tregoj për një befasi të këndshme, por dhe për një emocion të përjetuar,  që lidhet pikërisht me ditën e djeshme. Kur po shkruaja në kompjuter një reportazh të shkurtër, nga ato që pashë nëpër kryeqytetin Tiranë, trokiti pak me forcë dera e jashtme e banesës sonë. Sakaq, atë e hapi bashkëshortja, që u përball me një punonjëse të postës qendrore. “Keni një letër rekomande, nga shtetit!”-jashtë shpejtoi të thotë ajo. Ndërsa gruaja, që e pa adrenën e derguesit, më foli që andej: “Letra qenka nga kolegu e miku Tomson Nishani…”. Të jem i sinqertë me lexuesin, e mora me mend se do të kishte dërguar ndonjë kartolinë urimi, për Vitin e Ri 2013, ashtu  siç vepron  zakonisht ai. Dhe, vërtet, ashtu ishte. E hapa zarfin me kujdes dhe pashë që brenda kishte një kartolinë, me pamje nga qyteti i Firences. Asaj i kishte bashkëngjitur një letër, me makinë shkrimi.

I kërkoj ndjesë agr. Tomsonit, që po e bëj publike  përmbajtjen e letrës së tij, ku  ka shprehur edhe disa fjalë “të tepërta”, në adresën time. Pra, ja çfarë shkruan ai:

“Firence, 6 dhjetor 2012. U nderuari dhe tepër i respektuari, Murat Gecaj! Gjithmonë të kam ndërmend, sepse je dhe mbetesh në kujtesën time, një njeri i përkryer, i mirë, qëkur jemi njohur bashkë, në ish-redaksinë e gazetës “Mësuesi” të asaj kohe, në Ministrinë e Arsimit e Kulturës. Takimi ynë në Tiranë, afër dy vjet më parë, vepra-roman jetëshkrimor i juaji, që ma dhuruat, janë dëshmi, që mua nuk më largohesh nga vetëvetja ime…Është një rast, ndërrim vitesh, kur ulem të të dërgoj, pesonalisht dhe familjarisht, urimet më të mira, ato që ju dëshironi për vetën tuaj… Suksese në krijimtarinë tënde të përkryer, jehonë le të bëhet ndihmesa juaj për të mirën e atij vendi, për të cilin kam aq mall, sa nuk ka kufi! Por edhe për Tropojën e dashur, vendlindjen tënde, kam aq shumë mall, sepse im vëlla, Flamuri më tregonte për virtytet e shquara, që kanë vendësit e saj… ”Lamtumirë, Shqipëri”, pasi nuk do të kem mundësi ta përballoj udhëtimin më, për tek ti dhe tek njerëzit e mi, pasi jam mbi 80-vjeçar dhe mosha, do a nuk do, nuk të lë që të udhëtosh më, për fat të  keq! Përqafime nga larg: Tomsoni”

3.

Siç merret me mend, sidomos me këto radhët e fundit,  agr.Tomson Nishani më përmalloi dhe më emocionoi shumë. Megjithëse nuk jam poet, këtu tani po i thuri pak vargje, malli e dashurie për mikun e kolegun tim, të dashur dhe të paharruar, i cili ndodhet atje larg, në mërgim:

Tomson, ti ma çove urimin e parë,

I cili më mbushi me emocione e mall,

Se  me shumë mbresa mbushur ishte

E plot dashuri  në të ai kishte.

Sikur të kisha krahët e pëllumbit,

Do të hiqja disa orë prej gjumit,

Atje, në qytetin  Firence do të vija

E pas derës tende do të thërrisja,

Ashtu si të isha në timen Malësi,

Ku vëllai yt, dr.Flamuri, solli aq mirësi.

Pastaj do të çmalleshim e do të rrinim,

Si  në Parkun e Tiranës, kur shëtisnim.

O vite të rinisë, që ju kurrë nuk na vini,

Mos na  trazoni shpirtin, në pleqëri, tani!

I dashuri im e miku i paharruar Tomson,

Zemra ime nga kryeqyteti ynë sot  uron:

Gëzuar  ju ngamot, familjarisht, Vitin e Ri,

Kur  të presim të na vish prapë, në Shqipëri!

Tiranë, 15 dhjetor 2012

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch