Home » Lajme, Ndërkombëtare » Nikoliq: Prishtina ka pranuar të ndryshojë ligjet dhe Kushtetutën

Nikoliq: Prishtina ka pranuar të ndryshojë ligjet dhe Kushtetutën

Bruksel, 12 mars – Tre politikanët kryesorë të Serbisë, presidenti Tomislav Nikoliq, kryeministri Ivica Daçiq dhe zëvendëskryeministri Aleksandar Vuçiq, për gati tri orë kanë biseduar të hënën mbrëma në Bruksel me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, ndërmjetësuese në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës.

Nga deklarata e baroneshës Ashton as kësaj radhe nuk mund të kuptohet shumë rreth përmbajtjes së bisedimeve, por është e qartë se ajo tashmë ka rritur presionin ndaj palëve që të arrihet një lloj marrëveshjeje për veriun e Kosovës. Në kuadër të këtyre përpjekjeve ajo tash, pasi ka kuptuar qëndrimet e Serbisë, do të vizitojë edhe Kosovën, të enjten, për të bërë përpjekje që të bindë edhe këtë palë për kompromisin rreth veriut dhe bashkësisë/asociacionit të komunave serbe.

“Takova sot presidentin Nikoliq, kryeministrin Daçiq dhe zëvendëskryeministrin Vuçiq në kontekstin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Patëm një diskutim të hapur dhe përmbajtjesor. Rishqyrtuam progresin e deritashëm në dialog. Në veçanti folëm për implementimin e marrëveshjeve tashmë të arritura dhe për nevojën që të finalizohen diskutimet për çështjet e hapura, me theks të posaçëm në veri të Kosovës, në pritje të takimit të ardhshëm në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve më 20 mars në Bruksel”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Ashton.

Në këtë deklaratë megjithatë vërehet një lloj presioni ndaj palëve që sa më parë të pranojnë kompromisin. “Në takimin e sotëm nënvizova rëndësinë e arritjes së marrëveshjeve për çështjet e hapura ndërmjet dy palëve sa më parë që të jetë e mundur. Në përputhje me konkluzionet e dhjetorit të Këshillit, unë do të raportoj në Këshill në prill për marrëveshjet e arritura dhe punën në vazhdim për t’i implementuar ato”, ka thënë Ashton.

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, ishte i vetmi i cili pas takimit doli para gazetarëve.

“Biseduam me zonjën Ashton në mënyrë shumë të hapur, të sinqertë dhe konkretisht, sepse nuk kemi shumë kohë. Mendoj se Serbia ka humbur tepër shumë kohë në bisedime të zbrazëta e ky ishte një takim nga i cili në 10 ditët e ardhshme me siguri do të dalin rezultatet, unë shpresoj që do të mund të shohim se mund të arrihet tek marrëveshja ndërmjet nesh dhe Prishtinës, dhe që kjo do të mund të ishte nxitje edhe për Bashkimin Evropian që me Serbinë t’i nisë negociatat e anëtarësimit”, tha Nikoliq.

“Ne kryesisht kemi biseduar në bazë të Rezolutës së Kuvendit të Serbisë, çfarë nga ajo rezolutë mund të zbatohet menjëherë e çka kërkon ndryshimin e ligjeve që janë miratuar në Prishtinë, tha presidenti i Serbisë.

Ai më tej tha se pret që Catherine Ashton “në bisedime me përfaqësuesit e Prishtinës do të ketë një qëndrim unik të Serbisë rreth asaj se çfarë mund të pranojë Serbia e çka nuk mund të pranojë kurrë”.

“Mendoj se kemi arritur ta bindim zonjën Ashton se Serbia është e përkushtuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, se do të bëjë shumë gjëra të cilat nuk kanë mundur as të mendoheshin para disa muajsh, por ajo që, jo vetëm ne tre, por atë që tërë Serbia e thotë me vite, se nuk mund të pranojë, Serbia kurrë nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe Metohisë.

Një gjë të tillë askush më as nuk e kërkon, madje as si aludime, pasi që është e qartë se bashkëbisedues për tema të tilla në Serbi nuk do të gjejnë. Por për tema për integrime evropiane, tema për jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Serbisë, për qytetarët e Kosovës dhe Metohisë, për sigurinë e plotë dhe sigurimin e përparimit të bashkësisë serbe në Kosovë dhe Metohi, për tema të tilla kushdo që do të bisedojë do të gjejë në ne bashkëbisedues”, tha ai.

I pyetur se a ka pasur ndonjë dokument të paraqitur në takim nga ana e BE-së, për çfarë është spekuluar në mediat serbe, Nikoliq tha se “deri më tash dokumenti i vetëm zyrtar për të cilin bisedojmë është Rezoluta e Kuvendit Popullor të Serbisë dhe letra për bisedime që del nga ajo”.

Nikoliq: Prishtina ka lëshuar pe!

Në një pyetje të gazetarëve se çfarë ka ndryshuar së fundmi, pasi që tha se pret rezultate në dhjetë ditët në vijim, Nikoliq është përgjigjur se “ pala shqiptare ka lëshuar pa,e cila thoshte në fillim se asgjë nuk mund të ndryshohet në Kushtetutën dhe ligjet e tyre, ndërsa sot është evidente se edhe ata duhet të kujdesen për qytetarët të cilët jetojnë në Kosovë dhe Metohi dhe të cilët nuk mund të jenë pengje të ambicieve vetëm të politikanëve nga Prishtina”.

“Duhet t’u sigurohet një jetë më e mirë. Unë jam i bindur se jemi shumë afër, por krejt varet nga ajo se a janë njerëzit në Prishtinë të vetëdijshëm se duhet t’iu ndihmojnë njerëzve apo vetëm karrierës së tyre politike”, tha Nikoliqi.

I pyetur se si e sheh përmirësimin e raporteve të Beogradit me Prishtinën në të ardhmen, presidenti serb tha se “këto janë raporte afatgjate dhe nuk mund të prisni menjëherë që të riparohet ajo që na ndan, të harrohet ajo që kujtojmë nga e kaluara, por është evidente se mund të bashkëpunojmë në mënyrë që të sigurojmë, sidomos bashkësisë serbe në Kosovë dhe Metohi, e cila për herë të parë do të jetë e mbrojtur tërësisht, do të ketë një marrëveshje në kuadër të Bashkimit Evropian, t’i mundësojmë që të jetojnë më mirë dhe të kuptojnë se askush nuk i ka lënë, askush nuk i ka harruar.

Të kenë rregulla të tyre se si do të jetojnë, të kenë sistemet e tyre të drejtësisë dhe në një mënyrë të jenë të lidhur me Prishtinën si, sipas nesh, pjesë të territorit të Republikës së Serbisë, për çka do të miratojmë një ligj të posaçëm kushtetues“.

As pas këtij takimi nuk është sqaruar shumë rreth pengesës kryesore për të arritur marrëveshje për komunat me shumicë serbe, e ajo është tema rreth kompetencave eventuale të tyre. “Varet se çfarë kuptoni me fuqitë ekzekutive: Ajo bashkësi nuk mund të miratojë ligje, por mund të sjellë rregulla në kuadër të ligjeve.

Fundi i fundit edhe në Evropë pothuajse të gjitha shtetet i kanë ligjet e tyre, të cilat nuk dallojnë shumë nga njëra-tjetra. Por ekzistojnë shumë bashkësi të tilla, të cilat jetojnë krejtësisht në paqe dhe të sigurta dhe ne po ashtu kërkojmë që rregullat e tilla të zbatohen edhe për bashkësinë serbe në Kosovë dhe Metohi”, tha Nikoliq, duke u përgjigjur në pyetjen se a do të ketë fuqi ekzekutive asociacioni i komunave serbe, të cilin Beogradi e quan bashkësi.

I pyetur se a mund të presim që më 20 mars të nënshkruhet marrëveshja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Nikoliqi u përgjigj: “Unë mendoj se mund të presim edhe pak bisedime me Bashkimin Evropian dhe nëse gjithçka do të jetë gati për 20 mars, do të nënshkruhet më 20, e nëse do të jetë gati për 28 do të nënshkruhet më 28. Por është e qartë se gjërat janë afruar shumë, dhe se nga një qëndrim shumë i fortë i Prishtinës është arritur deri tek ajo që me optimizëm mund të presim ditët në vijim”, tha ai.

Në anën tjetër, në BE pohojnë se koha është duke skaduar dhe, duke marrë parasysh se po afrohet edhe festa e Pashkëve, duhet sa më parë të arrihet marrëveshje për veriun, në mënyrë që të ketë sadopak gjasa për datën për nisjen e negociatave të anëtarësimit për Serbinë dhe mandatin për nisjen e përgatitjeve për negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën.

Pas takimeve që tash Ashton do t’i ketë të enjten në Prishtinë pritet që javën që vjen, më datën 20, në Bruksel të zhvillohet edhe raundi i ri i dialogut ndërmjet dy kryeministrave, Thaçi dhe Daçiq. Në BE pohojnë se “parametrat janë afruar shumë për një marrëveshje”, por ende nuk duan të japin hollësi të saj.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch