Home » Opinione » Një “bashkim” i vërtetë,aq sa edhe i nevojshëm

Një “bashkim” i vërtetë,aq sa edhe i nevojshëm

Kur flas në këtë rast për bashkim,megjithë ndonjë dëshirë legjitime të timen,nuk e kam fjalën për atë kombëtar i cili prek kufinj apo territore.

Ai ndoshta tani ose para njëqind vjetëve do të kishte qenë padyshim më i përshtatshmi,por për momentin koha e tij nuk duket akoma realisht në horizont.

Atëherë për çfarë e kam vërtetë fjalën unë?

Mendjen e kam tjetërkund në fakt,tek një bashkim moral vlerash,tek synimet dhe objektivat në mos të njëjta,së paku të përbashkëta të cilat neve shqiptarët duhet t’i vëmë në orbitën elitare të prioriteteve tona.

Njëherë që këto gjëra thelbësore,këto qëllime parësore do të jenë gjetur e vënë në majë të listës së arritjeve tona të përbashkëta kombëtare,atëherë pse jo edhe të tjera zhvillime do të mund të na presin dikur.

Jetojmë neve shqiptarët si vendas autoktonë mes disa shtetesh në Shqipëri,Kosovë,IRJ Maqedoni,Mal të Zi,Greqi,Itali apo si emigrantë në Europë perëndimore e SHBA.

Jemi një rracë,një gjak,kemi një gjuhë,një histori,por po ashtu kemi edhe mjaft dallime mes nesh,për shkaqe gjeografike,prej mentalitetesh të formuara përgjatë zgjedhave të huaja apo si pasojë e afrisë me fqinjë të ndryshëm.

Por deri në provë të kundërt,gjaku që na rrjedh në vena është i njëjti shqiptaro-arbër-ilir (pse jo dhe pellazg)!

Gjaku dhe gjuha përcaktojnë shumë në këtë botë dhe realitet të sotëm e kur afrikanët me gjuhë koloniale franceze ose angleze,ndihen më të afërt midis tyre për shkak të gjuhës së të bardhëve të cilët dikur i kanë skllavëruar e shkelur me këmbë,atëherë eventualisht çfarë na ndanka neve që gjuhën që flasim e kemi origjinale të ADN-së sonë esenciale,atë që të parët tanë kanë folur si ne qysh në humbëtirat më të largëta të historisë?

Gjuha jonë neve na bashkon më shumë se kufinjtë apo vijat administrative të cilat ende deri një njëfarë pike arrijnë të na ndajnë.

Gjuha shqipe është arma jonë më e fortë përballë çdo sfide përçarëse dhe secilit armik që mund t’i kanoset bashkëekzistencës ndërshqiptare.

Këtë nuk duhet t’a harrojmë kurrë ashtu siç nuk ka sesi të na dalë nga mendja se Kongresi i Alfabetit në Manastir,4 vite para shpalljes së pavarësisë në Vlorë,ishte ai që shtroi “asfaltin” e udhës së mëvetësimit të shtetit modern të shqiptarëve,me anë të bashkimit të tyre final nën një alfabet e një gjuhë me të tërë nëndialektet e saj të respektuar.

Pa gjuhën shqipe nuk do të kishte pasur e kishte më shqiptarë!

Kjo është formula e vërtetë e mbijetesës së një populli jo shumë të madh numerikisht e të kërcënuar shpesh nga likuidimi fizik apo etnik si ky i yni.

Gjuha na mban lidhur njërin me tjetrin,ajo është në përshëndetjet mëngjezore që shkëmbejmë kur takohemi pa na dalë akoma gjumi nga sytë,në urimet për festa e ditëlindje,në himnin e atij flamuri me shqiponjën kuq e zi që këndojmë me zemrën gufuar sa herë ndiejmë pak emocion apo krenari kombëtare.

Gjuhën e kemi edhe për lajka e për gënjeshtra,por është përherë ajo që na ngroh e shëron kur na vjen lajmi i mirë.

Gjuha shqipe është pasuria jonë më e çmuar pra,trashëgimia më e vyer në absolut të cilën na e kanë “lënë në besë” stërgjyshërit tanë për t’a folur,respektuar,pasuruar e kultivuar më tej nëpër shekuj ashtu siç ata vetë kanë bërë para nesh nën një ambient dhe shtypje e rrezik dezintegrues për shqipen shumë më te theksuar se ky ku jetojnë shqiptarët e ditëve të sotme.

Pra përpara se ne me të drejtë të kërkojmë që të rrëzojmë kufinjtë shtetërorë që na ndajnë,ajo që më parë do të nevojitej të bënim do të ishte një sulm i vërtetë në mbrojtje të gjuhës sonë e cila përjeton ditë nga më vështirat për të dhe ekzistencën e saj.

Shqipja e bukur bastardohet në përditësi,ajo përçudnohet,goditet,devijohet,shahet,tregohet me gisht si të qe ajo fajtore për nëmijë e një gjëmat që i kanë rënë përsipër popullit shqiptar.

Për pak po pres me kureshtje të dëgjoj edhe se kjo gjuhë shqiptarëve u është imponuar sepse e tyrja pale edhe nuk ka qenë,por edhe në këtë rast do jetë faji i “rilindasve të fantaksur” atyre të cilët veçse e detyruan gjindjen shqiptare të adhuronte figurën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut,që e drejtuan këtë popull nga liria dhe që e kthyen rrotën e historisë sonë nga ana e Europës ku gjithnjë kemi përkitur,pra ata do na kenë “detyruar” që të flasim e të njohim për të tonën këtë gjuhë!

Kjo e jona mund të jetë një gjuhë që nuk e kënaq këdo nga folësit e saj,ajo mund të ketë marrë në 72-shin gjatë kongresit të fundit lidhur me drejtëshkrimin e saj,trajta ca më të theksuara toske (pra sërish shqiptare siç është nënseksioni Tosk i shqiptarizmës),por prapë fakt i pakundërshtueshëm është ai që e bën këtë gjuhë “të tonën” po aq sa ne i themi vetes shqiptarë si folës të saj.

Ndryshim ndërmjet gjuhës shqipe poetike të Fishtës e Naim Frashërit nuk ka,përse vallë të ketë mes anës poshtë apo lart lumit Shkumbin atëherë?

Ishte ndoshta më i gjetur e i përshtatshëm versioni elbasanas (aty ku preken e takohen të folurat toske dhe gege në mënyrë të përkryer) në fuqi deri në 72-shin?

Nevojiten ndërhyrje,rregullime,pranime të formave dhe shprehjeve e fjalëve dialektore të secilit rajon mbarëshqiptar në gjuhën e sotme shqipe?

Përse jo,gjuha ka përherë hapësirë për prurje dhe përthithje të reja dhe gjuhëtarët jo vetëm shqiptarë nevojiten të jenë mendjehapur në përgjithësi,për më tepër në rastin e një gjuhë shumë të lashtë,me një fjalor dhe trashëgimi të pasur,por me një numër jo tepër të madh folësish si kjo e jona.

Por në të njëjtën kohë,shqipja jonë nuk mundet kurrë e në asnjë rrethanë të bëhet një mur i ri ndarës mes shqiptarëve të cilët atë e flasin përditë.

Të mos harrojmë se secila gjuhë letrare e respektueshme botërore ka një origjinë të kontestuar nga dikush.

Anglishtja e sotshme,ajo që quhet tashmë me të drejtë “lingua franca” e tërë botës,në të vërtetë rrjedh nga një përzjerje e gjuhës anglo-saksone të barbarëve gjermanikë që pushtuan Britaninë post romako-keltike…me pushtuesit e tjerë nordikë normanë gjuhësisht të asimiluar në frëngjishtfolës.

Por që nga Shakespeare e më tej,askush në Angli si fillim e në Amerikë,Kanada,Australi e gjer në Indi e Nigeri më pas,nuk e ka vënë më në dyshim legjitimitetin e kësaj forme të anglishtes.

Pra është gjetur një balancë perfekte dhe paskëtaj është vazhduar përpara me implementimin dhe pasurimin e përhapjen e gjuhës në fjalë derisa ajo është bërë gjuha më popullore dominante në gjithë planetin tonë.

Po në atë mënyrë qe zgjeruar dikur edhe latinishtja e romakëve dhe perandorisë së tyre.

Bashkë me fuqinë ushtarake romake,ligjet e tyre,rrugët,ujësjellësat,kodet civile etj,pati çarë nëpër kontinentin europian,Afrikën veriore e gjer në Azi,latinishtja.

Gjuha jonë shqipe,pasaardhëse e ilirishtes antike,është sot e kësaj dite dëshmitare e takimit dhe bashkëjetesës së gjatë krah latinishtes dhe këtë gjë e faktojnë latinizmat e shumta prezente në shqipen moderne me rrënjë pikërisht gjatë sundimit të gjatë romak në tokat ilire.

Po aq gjurmë latine në trojet tona,janë edhe ilirët e latinizuar apo romanizuar,pra vllehët e sotëm (shqiptarofonë apo grekofonë si ata të Pindit në Greqi) apo edhe rumunët e ditëve tona,Dakët e dikurshëm,fisi thrakas me lidhje të forta gjaku me ilirët.

Frëngjishtja aktuale e dimë të gjithë se rrjedh qartësisht nga një dialekt verior francez,i cili më pas iu mbivendos nëndialekteve neo-latinë të atij territori,pra oksitanishtes,gjermanishtes së Alsasës,galishtes së Bretanjës,katalanishtes së jugut pranë kufirit spanjoll,italishtes së Nicës dhe Korsikës etj.

Së fundi po ashtu dihet se italishtja letrare në realitet vjen nga vargjet e Dante Aligierit,pra nga dialekti dhe e folura e rajonit të Toskanës së para 700 vjetëve.

Kjo gjuhë u pranua më parë nga elita intelektuale e gadishullit apenin të ndarë në sa e sa minishtete të vogla feudale derisa më vonë u adoptua nga të gjithë italianët të cilët mëtonin unifikimin përfundimtar të atdheut të tyre në një shtet të vetëm.

Kështu siçilianët hoqën dorë nga ideja e një gjuhe të tyren siçiliane,napolitanët lanë mënjanë napolitanishten,lombardët dhe milanezët lombardishten e kështu me rradhë…në favor të një gjuhe të përbashkët italiane.

Sot e kësaj dite në Itali,askush një milanez nuk e ndalon të flasë në dialektin e tij,po aq një banor i Palermos përdor të folurën e tij ngushtësisht siçilianë e një barez dialektin e vështirë të Barit,ashtu siç edhe një arbëresh nga Kalabria,Pulja,Molize apo Piana degli Albanesi në Siçili është i lirë të flasë dhe të përdorë gjuhën e tij mëmë krahas italishtes.

Ndërkaq askush në asnjë vend të qytetëruar nuk i lufton dialektet,por në të njëjtën kohë kushdo njeri me mend në këto vende,e di fare mirë rëndësinë e gjuhës së përbashkët kombëtare,asaj që është në palcën apo themelin e skeletit ose ngrehinës së një kombi modern.

U bë gjuha franceze pa u krijua Franca ashtu si me italishten letrare erdhi edhe bashkimi i shtetit italian.

Po në këtë frymë u zgjodh me votim të lirë alfabeti i gjuhës sonë në Manastir mbi 100 vjet më parë e më pas jo rastësisht erdhi dita e madhe e pavarësisë numër një të shqiptarëve,e cila në 96 vjet distancë u pasua edhe nga ajo e dyta në Kosovë.

Ndryshimi ynë si shqiptarë me këto vende të qytetëruara të cilat porsa i përmenda,është se tek neve nuk është se gjuha u krijua si pasojë e ndonjë pushtimi (ai anglo-sakson e norman në Angli,ai romak në Francë apo zgjerimi romak dhe vërshimet gjermanike,arabe etj në Itali).

Gjuha shqipe,me të gjithë nëndialektet e saj,është vazhdimësia e gjuhës arbërore dhe asaj ilire,mesape,pse jo edhe trake e ndoshta frigase dhe dikur pellazge.

Pra kjo gjuhë është folur qëkur mendja e njeriut nuk e kujton dot më në këto troje nga ne shqiptarët e sotëm dhe nga paraardhësit tanë përpara nesh.

Gjuha shqipe pra është e jona dhe atë s’na e ka lënë “dhuratë” askush,atë nuk na ka detyruar kush t’a flasim që në fëmijëri,ashtu siç nuk na ka imponuar ndokush lidhjen që nëpërmjet kësaj gjuhe neve shqiptarët ndiejmë midis njëri-tjetrit.

Duhet të ndihemi dhe të jemi krenarë që përbëjmë si popull një “përjashtim të madh nga rasti” brenda kontinentit tonë ku pak njerëz kanë këtë fat dhe vazhdimësi gjuhësoro-gjeografike dhe historike siç e kemi ne.

Gjuha që flasim për ne nevojitet të jetë vlerë mbi vlerat dhe provë mbi provat për të demonstruar me fakte (ashtu siç shumë gjuhëtare e studiues shqiptarë e të huaj kanë bërë) autoktoninë tonë në trojet ku ne ngahera jetojmë.

Gjuha shqipe është aseti më i rëndësishëm tani e përgjithmonë i “shqiptarizmës” dhe kushdo që merr kazmën t’i hyjë me zell shkatërrimit të themeleve të saj përbashkuese gjithëshqiptare,në të vërtetë po dërrmon vetë qënësinë dhe të ardhmen e popullit tonë.

Shembujt e vëllezërve të ndarë qoftë edhe për pak fjalë të ndryshme i kemi para hundës dhe bëjnë aq “Muuu” sa nuk kemi sesi të mos i marrim parasysh.

Çfarë e ndan kroatishten nga serbishtja?

Ca bashkëtingëllore e zanore tek fjalë si “Mlijeko-qumësht” apo “Snijeg-borë” të cilave serbët u thonë “Mleko dhe Sneg”.

Këto dallime të parëndësishme,tejet më të padukshme se diferencat mes dialektit tirons me atë korçar apo prishtinas tek ne,sidoqoftë kanë prodhuar dy gjuhë të mirëfillta më vete sipas klasifikimeve botërore të kësaj fushe dhe opinionit të gjuhëtarëve serbë e kroatë.

Nga një gjuhë e përbashkët për kroatët,serbët.boshnjakët e malazezët,sot kemi një kroatishte,një serbishte,një boshnjakishte me trajta të veçanta nga secili prej  dy dialekteve të mësipërme (“Shta” për çfarë si serbët e jo “Shto” si kroatët dhe “Pjesma” për këngë si kroatët e jo “Pesma” siç thonë serbët)…e së fundi ka përpjekje edhe për krijimin dhe bekimin e një gjuhe malazeze!

Po kaq komike dhe të pakonsiderueshme janë edhe ndryshimet mes maqedonishtes sllave dhe bullgarishtes.

Nuk ka banor të IRJ Maqedonisë sllav për nga origjina që të mos kuptojë 98% të gjuhës bullgare dhe gati e njëjta gjë i ndodh edhe një bullgarishtfolësi me maqedonishten.

Çështje ”Sneg-borë” në maqedonisht me “Sniag” në bullgarisht apo “Ke” për të thënë “Do të” me “Shte” ekuivalentja e saj bullgare.është edhe kjo mes këtyre dy gjuhëve të ndara artificialisht nga organet pro-titiste jugosllave të Maqedonisë së 1945-ës,kur po formohej një komb,gjuhë e histori e re,me pasoja që akoma i ndjen secili fqinj i tyre…ne shqiptarët të parët.

Shembulli i fundit që do ofroj sot është Spanja,mbretëria që i ka falur botës gjuhën spanjolle apo kastiliane,të cilën falë kolonizimeve të suksesshme e flasin gati 500 milionë njerëz.

Por ndërsa në Argjentinë,Kili,Peru,Kolumbi apo Meksikë qindra miliona njerëz këtë gjuhë e kanë të mëmës edhe po të jenë me origjinë jo të bardhë hispanike,por indios vendas apo zezakë afrike,në Spanjë sipas kushtetutës spanjolle veç spanjishtes zyrtare lejohen dhe njihen si gjuhë edhe dialektet e saj si katalanishtja (bashkëzyrtare në rajonin autonom të Katalonjës) apo galicianishtja (një rrugë e mesme midis një dialekti të spanjishtes dhe portugalishtes së vjetër, bashkëzyrtare në rajonin e Galicisë).

Tani pikëpyetja që më lind mua natyrale përveç shumë të tjerave lidhur me aktualitetin shqiptar,është e tilë:-A mos vallë edhe ne shqiptarët po dëshirojmë të përfundojmë si sllavët fqinjë me disa dialekte të ngritura për arsye të ndryshme në status gjuhe më vete,apo tendojmë më tepër largqoftë nga modeli spanjoll ku dialektet bëhen gjuhë bashkëzyrtare të ndonjë rajoni?

Pra ka nga ata shqiptarë që vërtetë duan që të ketë një gjuhë shqipe dhe të themi një kosovarishte më vete ose një gjuhë toske e një gege?

Apo ndonjë sharlatan shqipfolës kërkon që t’i bëjmë dialektet gjuhë zyrtare nëpër rajone të veçanta shqiptare?

Ja për shembull Tirana ku flitet edhe dialekti që unë vetë përdor në jetën e përditshme,të ketë zyrtare “shqipen dhe tironsshen” apo Prishtina veç shqipes dhe serbishtes (se sado fiktivisht meqë askush s’denjon me të drejtë t’a flasi,aty sërish pasojë e Ahtisarit zyrtare është dhe ajo)…të ketë edhe “prishtinasishten” si bashkëgjuhë rajonale?!

-“Për Zot e për Shqipëri”-buçisnin luftëtarët e shqiptarizmës njëherë e një kohë teksa ngrinin armët kundër sllavësh,turqish e grekësh pushtues.

Zoti është një çështje më vete dhe lidhjen me të çdo shqiptar ka të drejtën t’a ketë personale,duke pasur parasysh se “Feja e shqiptarit është Shqiptaria” po aq sa ç’janë objektet tona kombëtare të kultit,kishat e xhamijat.

Por pjesa tjetër e asaj fraze,pra “për atdhe,për Shqipëri’” nënkupton sa trojet tona aq edhe gjuhën që flasim.

T’i mbrojmë këto toka ku prehen të parët tanë,por po aq të luftojmë përditë në mbështetje të gjuhës sonë,dëshmisë më të lashtë të origjinës dhe historisë sonë të lashtë.

 

Elvi Sidheri

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch