Home » Histori » NJË FOTOGRAFI E RRALLË E ATDHETARIT JASHAR EREBARA…

NJË FOTOGRAFI E RRALLË E ATDHETARIT JASHAR EREBARA…

(…dhe mesazhe të ndërsjellta, me Nehat Jahiun)

Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

Jashar Erebara

Jashar Erebara (1873-1953)

1.

Para disa ditësh, me kolegun e mikun krijues, arsimtarin Nehat Jahiu, nga fshati shqiptar Orizare, rrëzë bjeshkëve të bukura te Karadakut, në Maqedoni, u lidhëm bashkë pëmes Internetit. Ndër të tjera, ai më shkroi këto radhë:  “Tani posa më erdhi një ftesë, nga mr. Sevdail Demiri, se nesër, në Kumanovë, organizohet një tribunë shkencore me temë: Klubi Shqiptar i Kumanoves (1909) dhe Jashar Erebara. Ligjeruese kryesorë- albanologe nga Parisi, Avelyn Noygues…”. Ndërsa unë iu përgjigja me dashamirësi: “Shume mirë, ju uroj suksese dhe ta kaloni sa më bukurë!…I bëni të fala edhe Sevdailit, nga unë…”.

Po, Nehati nuk u ndal me kaq dhe më pyeti: “A keni ndonje matrial rreth këtij Klubi dhe Jashar Erabarës?” Ndërkaq, mendja më “fluturoi” e hyri nëpër albumet e mia, me fofografi. E dija se diku, nëpër ato, kisha të ruajtur, që shumë vite më parë, edhe një fotografi të rrallë të Jashar Erebarës. “Po, vallë, ku do të jetë ajo”-mendova përsëri me vete. Kështu, me dëshirën e mirë që të isha edhe unë, sadopak, pjesë e asaj veprimtarie, por tashmë “me korrespondencë”, i kërkova leje Nehatit të “gjurmoja” nëpër albumet e mia. Mirëpo, sa keq, aty për aty nuk arrita ta gjeja atë fotografi dhe koha nuk priste për ndonjë ditë të mëvonshme!? Megjithatë, mikut tim Nehat i shkrova:

 “Më vjen shume keq, se me gjithë hulumtimet në disa albume të mijat për foton e rrallë, që mendoja se kisha, për Jashar Erebaren, atë nuk e gjeta?! Por dihet se, kur punët bëhen pak me nxitim, arritjet janë të vështira ose të pamundura?!…Megjithatë, me këtë rast, i përgëzoj, si organizatorët dhe folësit e atij tubimi dhe gjithë pjesëmarrësit e tij! Me veprimtari të tilla, të bukura e domethënëse, ne bëjmë të mundur që ta kujtojmë dhe mos ta harrojmë të kaluarën tonë të ndritur, luftën dhe përpjekjet e parreshtura për liri e pavaresi kombëtare, për traditat e arsimin në gjuhën amtare dhe kulturën tonë të lashtë. Në këtë mënyrë, arrijmë që t’ua bëjmë të ditura dhe t’ua përçojme ato, breznive të sotme dhe atyre, që do të vijnë nesër…Me nderime e respekt të veçantë: Nga Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues, sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës se Arsimtarëve të Shqipërisë,Tiranë, 18 shtator 2013”.

Sigurisht, veprimtaria për të cilën fola më lart, është zhvilluar me sukses. Por unë nuk arrita ta realizoja ose plotesoja  në kohën e përshtatshme dëshirën e shprehur, pra ta dërgoja fotografinë e përmendur, në tubimin përkujtimor  kushtuar “Klubit Shqiptar të Kumanovës” (1909) dhe Jashar Erebarës. Por, është e kuptueshme se, nuk më linte meraku i asaj fotografie, se doja që ta gjeja. Kështu, pothajse rastësisht, në një zarfë të posaçme e gjeta dje atë fotografi të atdhetarit të njohur Jashar Erebara. Atë e kisha të ruajtur që në vitet ’80-të, të shekullit 20-të, kur punoja redaktor në gazetën “Mësuesi”, botim i Ministrisë së Arsimit e Shkencës. Sigurisht, e njoftova menjëherë mikun tim, Nehatin për këtë lajm të ri dhe ia nisa fotografinë, përmes e-mailit Ashtu siç mund të shihet edhe nga publikimi i saj, bashkë me këto radhë të mijat, aty shënohet se ajo është bërë në Bukuresh, në vitin 1899.

2.

Megjithëse nuk jam marrë posaçërisht me studimin e jetës dhe veprimtarisë atdhetare, publicistike, areimore etj. të Jashar Erebarës, emrin e tij e kam të njohur që shumë vite më parë, kur nisa të mbledh të dhëna për jetën e veprimatrinë e arsimtarëve tanë, në trojet shqiptare jashtë Shqipërisë. Prandaj, me këtë rast të publikimit të kësaj fotografie, po i rendis këtu pak të dhëna, nga jeta dhe veprimtaria e tij e shquar.

Ai lindi në Dibër, në vitin 1873. Mësimet shkollore i nisi në Shkup dhe i vijoi në Bukuresht. Është i dëgjuar për veprimtarinë e tij të shquar atdhetare, arsimore e kulturore, me botimet publicistike etj. Kështu, përmendim këtu, se ishte kryeredaktor i gazetave mjaft të njohura për kohën, “Albanija” dhe “Shkupi” etj. Ishte pjesëmarrës aktiv në Kongresin e Manastirit, ku u vendos alfabeti i gjuhës shqipe.

Nën drejtimin e mësuesit  atdhetar Jashar Erebara, në janar të vitit 1909, u krijua “Klubi shqiptar i Kumanovës”. Ndër veprimtaritë e përmendura të tij ishte edhe hartimi i një abetareje shqipe. Ajo u njoh, në historikun e krijimit të abetareve dhe funksionimit të  shkollave shqipe, me emrin “Abetarja e Kumanovës”. Përmes saj, jo vetëm nxënësit shqiptarë, por dhe prindërit e të rritur të tjerë, arritën ta mësonin shkrim-leximin në gjuhën amtare.

Në Kuvendin për shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, në nëntor 1912, dha një ndihmesë të çmuar dhe më pas punoi që të bëhej sa më i njohur ky akt historik, si në Europë e më gjerë. Bashkëpunoi me disa personalitete të shquara të atyre viteve, si me Bajram Currin e Hasan Prishtinën, të cilët, në vitin 1918,  krijuan “Komitetin Kombëtar për Mbrojtjen e Kosovës”. Me B.Currin e vazhdoi këtë punë të frytshme në Vjenë, ndërmjet emigracionit të njohur shqiptar, me detyrën e kryetarit të degës së atij Komiteti.

Jashar Erebara ishte edhe pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjes, duke qenë deputet i Dibrës. Më pas e ka drejtuar Bashkinë e Tiranës, po për një kohë jo të gjatë.

Në vitet e jetës së tij 80-vjeçare, intelektual me interesa të gjëra, ai bëri punë të vlefshme.edhe si arkivist e përhapës i dokumeteve të nevojshme për kohën.

Atdhetari ynë i shquar, Jashar Erebara i mbylli sytë përgjithnjë në Tiranë, më 24 qershor 1953. La pas vetes një emër të nderuar dhe të respektuar për brezat e shqiptarëve. Në kujtim dhe vlerësim të jetës dhe veprës së tij të çmuar, sidomos në fushën e publicistikës, Shoqata e Gazetarëve, me qendër në Shkup, ka dhënë për personat më të aftë në profesion, çmimin me emrin “Jashar Erebara”. Sigurisht, pjesë e veçantë e nderimit të tij të merituar, ishte edhe veprimtaria e zhvilluar në Kumanovë, për të cilën folëm pak, në hyrje të këtij shkrimi.

Tiranë, 29 shtator 2013

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch