Home » Histori, Opinione » Një fundjave në Prizren

Një fundjave në Prizren

Miku im, Ylli, kishte kohë që më thoshte të shkonim për një drekë në Prizren. Do vinte edhe e shoqja e cila është pjesërisht e paralizuar. Që të dy kanë shërbyer si mjekë shumë vite në rrethin e Kukësit,

prandaj donin ta shihnin rrugën e re dhe Kosovën. Ndërkohë unë dhe ime shoqe shkojmë atje me

dëshirë sa herë na jipet rasti.

Parashikimi i motit na premtonte kohë të mirë për fundjavën. Kështu, u nisëm të shtunën në mëngjes,

me veturën e Yllit. Një pushim i shkurtër pranë Rubikut dhe për dy orë u gjendëm në qytetin e Kukësit.

Ylli na shpuri në rrugën ku ka banuar disa vite dhe e gjetëm shtëpinë pranë stadiumit. Pastaj, nëpërmjet unazës plot gjallëri e dyqane, por disi të amortizuar, dolëm sërish në autostraë për të vijuar për në kufi.

Në Prizren na priste një miku im, Ahmeti, ish koleg, që ishte interesuar për një hotel të përshtatshëm. Ai banon në Durrës por një pjesë të madhe të kohës e kalon në Prizren, ku bashkëpunon me agjensi

turistike vendase.

Nga hoteli “Bujtina e qytetit”, ku zumë vend shkuam drejt e te “sheshi shatërvanit”,  tradicionalisht shumë i pëlqyer nga vendasit dhe të huajt. Bar – restorant “Besimi” është gjithnjë plot me klientë brenda dhe jashtë pranë trotuarit. Kishte aty edhe shumë ushtarë e oficerë zviceranë të KFOR-it si dhe nëpunës shqiptarë. Një drekë e shijshme me samune e qebabë, me raki e birrë “Peja”, si i ka Prizreni! Nuk thonë kot në Kosovë: ”Fito në Prishtinë, prish në Prizren dhe vdis në Gjakovë!”

 

Pastaj, në trotuarin tjetër, një kafe e jashtëzakonshme, shoqëruar me pak akullore. Aty na u bashkua

Simoni, ish mësues, pronari i një agjensie turistike vendase, i cili ishte edhe një bashkëbisedues i

këndëshëm.

Meraku i tij ishte “pse shqiptarët nuk janë të zotë ta menaxhojnë vetë pasurinë e tyre?! Ja, p.sh., aeroportin e Prishtinës e kanë marrë turqit dhe do ta bëjnë sikur thonë nga më modernet! Po kështu PTT etj”…

Disa foto në sheshin plot gjallëri të shatërvanit ku na ra në sy edhe një pajton për turista.

Një pushim i shkurtër në dhomë. Pasi u muarëm “leje” bashkëshorteve, unë dhe Ylli iu ngjitëm kodrës për të esploruar kalanë. Sa herë kam qenë në këtë qytet, ku edhe jam rritur një vit (1945-1946) por nuk më ka rënë rasti të ngjitem deri atje. Rrugicat nëpër “lagjen Kala” janë tmerrsisht të pjerrëta, sigurisht me kalldrëm. Habitem se si ja bëjnë njerëzit këtu. Megjithatë, ne ndeshëm edhe fëmijë që luanin me top…me të cilët edhe bisedova për matematikë.. U lashë një problem për ta zgjidhur dhe do merrja përgjigjje kur të zbrisja. Na ra në sy emri i një rruge” Themistokli Gërmenji”- kjo e gëzoi mikun tim Ylli, nga Korça.

Një pjesë e shtegut pranë kalasë është ende e pashtruar. Gjithësesi pamja që duket që andej të bën ta

harrosh lodhjen. Vetëm nga lart Prizreni shfaqet me tërë madhështinë e vet, i shtrirë në një hapësirë të gjerë. Ja “Lumbardhi” dhe shëtitoret në brigjet e tij, ja rruga drejt kufirit për Shqipëri dhe rrugët për Gjakovë e Prishtinë. Ky qytet i lashtë, historik, ka qenë dikur kryeqendër jo vetëm vilajeti por edhe e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Vetëm atje mund të bindesh që ky qytet ka të paktën 200 mijë banorë. Sa shumë xhami, sa bukur

Lumbardhi e përshkon atë për të marrë mandej kthesën përgjatë rrugës për Shkup, nëpër një kanion të madh plot gjelbërim. Kalaja i rri qytetit si një kurorë, sidomos e ndriçuar natën me projektorë.

Ndonëse kish rënë erërsira atje gjen ende shumë vizitorë, shumica të rinj, midis tyre edhe çifte të

dashuruarish, por edhe ndonjë banor që ka mbledhur gështenja në pyjet përrreth dhe zbret me thes

poshtë për në shtëpinë e vet në qytet.

Duket që arkeologët ende bëjnë gërmime, për të pasuruar dijenitë për lashtësinë e kalasë të cilës tani i kanë mbetur vetëm muret rrethues me frëngji për vrojtim dhe qitje me top.

Më kujtohen tregimet për pushkatimet që serbët bënin në këtë kala, menjëherë pasi e ripushtuan

Prizrenin në fund të 1944. Banorët dëgjonin çdo natë të shtëna me breshëri të skuadrave të pushkatimit.

Po ashtu, në këtë qytet kanë kaluar qindra mijëra refugjatë kosovarë të dëbuar nga tokat e shtëpitë e

veta për të dalë në kufirin me Shqipërinë. Dëshmitarët tregojnë se serbët donin ta digjnin qytetit ndërsa largoheshin kur hynë trupat e NATO-s, por nuk ia dolën dot.

Për fat, u bënë 14 vjet që Prizreni është i lirë dhe në kala, ku dikur do ketë pasë reparte ushtarake serbe, tani mund të shkosh pa pengesë.

Mjerisht, rruga tjetër në formë shkallësh që zbret poshtë deri në sheshin e shatërvanit është ndotur me

hedhurina plastike, letra etj nga qytetarë të pandërgjegjshëm. Sigurisht, do jetë dikush që kujdeset për to, por nuk e kryen detyrën.

Duke zbritur, takuam banorë të lagjes që po ndërtonin dhe rikonstruktonin shtëpitë e veta. Shumë nga ta ishin të besimit katolik. Në atë lagje kanë banuar dikur edhe shumë familje serbe. Shtëpitë e djegura, dhjetë vjet më pare, nga grupe të pakontrolluara shqiptarësh, që u vodhën mandej nga hajnat, tashmë janë riparuar plotësisht, për më tepër sepse ato përbënin pjesën monumentale të qytetit, me shtëpi karakteristike të ngjashme me ato në Berat e Gjirokastër.. E mbaj mend, në një shtëpi të tillë ka pasë banuar edhe vetë Adem Demaçi, që qendroi disa vjet në këtë qytet pas lufte..

Pak para se të dilnim pë te shetitorja, ndalëm te një xhami e madhe dhe hymë në oborrin e saj ku po

kryenin punime restaurimi. Shkëmbyem përshëndetje me punëtorët. Gjatë luftës serbët qenë përpjekur  ta shkatërronin pjesën e përparme me kollona të saj, por tani ato qenë rregulluar dhe njëkohësisht po rivendosnin pikturat murale dhe të pjesës së sipërme.

U kthyem në hotel për t’i marrë bashkëshortet për darkë në një nga restorantet buzë lumit, por ato

parapëlqyen të rrinë në dhomë, ndërsa ne shkuam në ‘Al Hambra’, në verandën e katit të dytë të saj nga

ku sodisnim lumin dhe shetitoren. E pyeta një kamerier, nga u kish lindur ideja për ta quajtur kështu

restorantin e tyre.- Nga Al Hambra e Andaluzisë së Spanjës, ku ka lulzuar për shumë shekuj kultura

arabe, atëhere kur Evropa kalonte Mesjetën e errët.

Në sallonin e pritjes të bujtinës sonë gjetëm një çift të rinjsh nga Franca djali nga Marseja dhe vajza

nga Montpelie). Kishin ardhur si turistë në bazë të informacioneve që merrnin nga interneti. Më

parë kishin vizituar Shqipërinë dhe kishin ndërmend të shihnin disa vende të Ballkanit. Po

kështu edhe dy vajza simpatike nga Malajzia. Ato kishin qenë në Mal të Zi e mandej në Tiranë.

Në këtë bujtinë, na thanë se vinin shumë të huaj, jo vetëm sepse çmimi ishte i arsyeshëm por

edhe se të zotët e saj komunikonin lirisht dhe dinin t’i orientonin të huajt jo vetëm në Prizren.

Çfarë shihni të përbashkët ndërmjet Malajzisë dhe Ballkanit- e pyeta njërën prej tyre?- Së pari

lidhjet ende të forta familjare e mandej edhe feja- sqaroi ajo.

Më mrekulloi pamja e këtyre të rinjëve që udhëtojnë kaq larg dhe kaq lirisht- sigurisht këtë ja

mundëson kultura e fituar dhe jeta shoqërore e emancipuar, falë zhvillimit ekonomik të vendit të

tyre.

Në bujtinë kishte programe televizive dixhitale kështu mundëm të ndiqnim serialin “Kuzej-

Gunej”..Të nesërmen kaluam me veturë nëpër rrugët e qytetit për të blerë diku pak suxhuk

vendas dhe pimë një kafe të Ben-Afi- njëri nga supermarketet e para të pas luftës në Kosovë.

Rrugës, në kthim për në Morinë, ndalëm në Vërmicë ku tradicionalisht shërbejnë troftë të

kultivuar. Aty ishte investuar mjaft për ngritjen e një lokali të madh me shumë mjedise. Kanalet

dhe pellgjet ujore të pastra na kujtonin Tushemishtin..

Në Kukës ndalëm sërish, këtë rradhë në Bar Restorant “Amerika” që u bë i njohur sidomos gjatë

krizës së refugjatëve. Aty ishte shtuar një ndërtesë moderne 7 katëshe me ashensor dhe

shërbim cilësor hotelier.

 

 

Na thanë se kanë vazhdimisht klientë jo vetëm të huaj por edhe nga qytetet e tjera të vendit, që

vijnë për të parë veriun. E soditëm Kukësin që e njihnim tash sa vjet, këtë rradhë nga lartësia.

Ja “kulla e refugjatëve” në shetitoren sipër liqenit ku vijnë për peligrinazh me mijëra kosovarë

që kanë bujtur në këtë qytet për disa muaj të luftës (çdo ditë aty ka pasur mesatarisht 120 mijë

vetë, kur banorë vendas të qytetit janë më pak se 20 mijë!) Ja edhe ana e Gjalicës e cila prej

kohësh jeshilon sërish sepse nuk ndotet më nga tymrat e ish uzinës së bakrit. Ja edhe zona

industriale, varrezat e dëshmorëve, fshatrat e Hasit..

 

Vijuam rrugën për Tiranë për t’u ndalur në një bar-restorant “Boçi” të Fanit, dikur nën rrethin e

Kukësit. Ylli më thosh se këtu ka pasë ardhë për inspektim higjenik nga Kukësi më këmbë për

13 orë! Ka fjetur duke pasur si jastëk një copë dërrasë! Ka qenë varfëri e skajshme! Kurse tani

ky restorant modern, pranë lumit të freskët, në anë të autostradës, ku shijuam sërish qebapet

me “kuqalashen” e Tiranës!

 

 

Koha ishte e mirë. Mbërritëm në Tiranë pa problem, sigurisht pak të lodhur por të kënaqur.

Bardhyl Selimi, 14 tetor 2013

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch