Home » Lajme, Ndërkombëtare » Një gjeneral i SHBA-së anulon vizitën në Kosovë-shkak taksa ndaj Serbisë

Një gjeneral i SHBA-së anulon vizitën në Kosovë-shkak taksa ndaj Serbisë

Gjenerali amerikan i gardës kombëtare të Iowas, Timothy Orr, anuloi një vizitë që e kishte paraparë ta bëjë në Kosovë shkak të refuzimit qeverisë së Kosovës për heqjen e taksës ndaj Serbisë.

Kosova fillon të ndjejë pasojat e refuzimit të heqjes së taksës ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës. Kërkesa drejtuar qeverisë së Kosovës, për heqjen e taksës kanë ardhur nga BE dhe së fundi edhe nga SHBA-së. Gjenerali amerikan i gardës kombëtare të Iowas, Timothy Orr, anuloi një vizitë që e kishte paraparë ta bëjë në Kosovë nga data 16 deri më 18 shkurt, për shkak të refuzimit qeverisë së Kosovës për heqjen e taksës ndaj Serbisë, megjithë kërkesën e SHBA-së. Kjo u konfirmua nga ambasada e SHBA-së në Prishtinë, ku mediet lokale citojnë zëdhënësin e ambasadës Richard Mei, i cili thotë se “anulimi i vizitës ka të bëjë me taksat që ka vendosur Qeveria e Kosovës”.

“Mund të konfirmojmë se vizita e Gjeneralit Orr, është anuluar lidhur me tarifat në produktet nga Serbia dhe Bosnia e Hercegovina. Nuk kemi tjetër koment lidhur me vizitat e ardhshme apo trajnimet e planifikuara”, citohet të ketë thënë zëdhënësi Richard Mei.

Sot ndërkaq u bë publike në medie edhe një letër që dy ditë më parë komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, e kishte njoftuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, se qeveria amerikane ka marrë vendim që të anulojë vizitën e gjeneralit amerikan të Gardës Nacionale të Iowas, Timothy Orr në Kosovë, në shenjë pakënaqësie me vendimin e qeverisë së Kosovës, për tarifa ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Në letrën e komandantit të FSK-së  Rrahman Rama, thuhet se “zyrtarë amerikanë në Kosovë e kanë njoftuar atë se Washingtoni është duke shqyrtuar edhe masa të tjera, përfshirë këtu pezullimin e programeve trajnuese dhe edukative për FSK-në”. Vizita e gjeneralit amerikan Timothy Orr në Kosovë ishte paraparë të zhvillohet nga data 16 deri më 18 shkurt, për të marrë pjesë në shënimin e 11 vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Janë pikërisht SHBA-së ato që dy muaj më parë përkrahën formimin e ushtrisë së Kosovës përmes ligjit, megjithë kundërshtimin e NATO-os dhe rezervat që kishin për shndërrimin e FSK-së në ushtri, shumë shtete të BE-së.

Sidoqoftë, taksa e vendosur nga qeveria e Kosovës për produktet e Serbisë bëri që kjo e fundit ta kushtëzojë rifillimin e dialogut me Kosovën me heqjen e taksës. E kryeministri Ramush Haradinaj, deri tash nuk  ka pranuar të heqë taksën ndaj Serbisë, duke thënë se ky vendim në Prishtinë është marrë pas siç thotë, ai ”agresionit politik dhe diplomatik të Serbisë ndaj Kosovës”.

“Taksa ndaj produkteve të Serbisë hiqet kur Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës’, e përsërit shpesh Haradinaj.   

Taksa e vendosur nga qeveria Haradinaj, nga SHBA-së dhe BE-ja po cilësohet si pengesë për vazhdimin e dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që bie në kundërshtim edhe me interesat strategjike te SHBA-së.

“Shtetet e Bashkuara insistojnë se veprimet që minojnë dialogun, pengesat nga anash dhe refuzimi për të pezulluar tarifat, të gjitha këto shkojnë kundër interesave të SHBA-ve. Kosova apo cilido mik tjetër i Shteteve të Bashkuara nuk mund të ndërmarrë veprime që janë kundër interesave tona strategjike, pa u ballafaquar me pasojat për marrëdhënien tonë bilaterale”, thuhej dy javë më parë në deklaratën e ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, ku ndër të tjera kërkohej nga udhëheqësit politik kosovar lidership i guximshëm.

“Ajo çka është e nevojshme tani është një lidership i guximshëm për të promovuar qëllimet tona të përbashkëta. Kjo është ajo që na ndihmon neve për të mbajtur një marrëdhënie të fortë bilaterale”, thuhej në deklaratë.

Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tri ditë më parë pas kthimit nga një vizitë në SHBA-së, tha se “nga Washingtoni është porosia e qartë se pa pezullimin e taksës doganore nuk mund të vazhdojë dialogu Kosovë-serbi në Bruksel”.

Sidoqoftë, në Prishtinë po bëhen përpjekje për unifikim të skenës politike kosovare që të flasin me një zë lidhur me vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, në këtë fazë finale. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, zhvilloi sot një takim të përbashkët me presidentin Hashim Thaçi, Kryeministrin Ramush Haradinaj, Bashkëkryesuesin e Delegacionit Shtetëror për Dialog, Fatmir Limajn, si dhe anëtarët e Delegacionit, Enver Hoxhaj dhe Visar Ymerin. Takimi ishte me dyer të mbyllura, ndërsa, pas takimit nga zyra e kryetarit të kuvendit u tha se “Në këtë takim është diskutuar për procesin e fazës finale të Dialogut, me theks të veçantë për Platformën e Dialogut, e cila pritet të miratohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës”.

“Pjesëmarrësit në takim u pajtuan që të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës nga pozita dhe opozita, duhet të bëhen bashkë në mbështetje të Platformës së Dialogut. Uniteti i skenës politike kosovare e forcon pozicionin ndërkombëtar të Kosovës në procesin e Dialogut”, thuhet në një komunikatë për medie të kuvendit të Kosovës.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch