Home » Kulturë » Një kosovar nderohet me titullin “Fisnikëria Tiranase”

Një kosovar nderohet me titullin “Fisnikëria Tiranase”

Kosovari me titull Fisnikëria TiranaseShoqata atdhetare kulturore “Tirana”, prej kohësh, akordon një titull të veçantë “Fisnikëria Tiranase”. E kanë marrë këtë vlerësim të lartë personalite të shquara vendase në fusha të ndryshme të dijes dhe praktikës. Një nga ata është edhe shoku im i klasës, Bedri Alimehmeti, shkrimtar por edhe gazetar veteran i sportit.

Me datën 11 prill 2015 më thanë, se dikush tjetër do nderohej, në mjediset e tavernës së njohur “Tafaj” në rrugën “Mine Peza”. Kur e pyeta kryetarin  e shoqatës “Tirana”, z. Arben Tafaj, ndërsa po dilnim nga Teqja e Horasanëve, ku përkujtuam ditëlindjen e hazretes Fatime, ai më tha se bëhet fjalë për Bixh Balerinën…U habita paksa, por më pas e kuptova padijen time në fushën e sportit të futbollit.

Kosovari me titull Fisnikëria Tiranase-2

Bixh Balerina thirrej qëmoti, lojtari i “17 Nëntorit” të kryeqytetit, Luigj Bytyqi, moshatar me mua. Me rastin e 70-vjetorit , duke pasur parasysh rezultatet e shkëlqyera të Luigjit me ekipin futbollistik të Tiranës, që në vitin 1959, kur kjo skuadër fitoi kampionatin kombëtar për herë të parë pas luftës  (kishte qene kampione në vitet 30), mandej me “Partizanin” në vitin 1961 në Shqipëri dhe kampionatin e ushtrive mike më 1963 (ne Hanoi), e ne vijim, deri sa më 1969, për arsye krejt jo bindëse, politika e largoi nga futbolli, sikurse kishte vepruar edhe me të madhin Skënder Halili.

I lindur e rritur ne rrugicën  “Hajdar Hidi”, diku midis rrugës së Durrësit dhe asaj të Kavajës, rrugicë ka nxjerrë të paktën 25 futbollistë, Luigji vjen nga një familje katolike pejane që nga viti 1911 e integruar plotësisht me Tiranën.

Kosovari me titull Fisnikëria Tiranase-3

Folën për të Bedri Alimehmeti, Miço Papadhopulli, Shyqyri Rreli. Pse quhet balerinë- për këtë shpjegoi koreografi Ramazan Bogdani, që përsëriti thënien e Shyqyriut se “Bixha e përkëdhelte topin”, përshfaqte elegancë, finesë, bukuri, pastërti, kombinonte lojën në mbrojtje dhe në sulm. Ishte i pajisur edhe me shumë dhunti të tjera njerëzore..

Z. Arben Tafaj i dorëzoi titullin “Fisnikëria Tiranase” dhe i dha përgjigje pyetjes së vetë Luigjit, se përse ai po kandidon në zgjedhjet lokale për kryetar bashkie jo nga partitë tradicionale. Aty morëm vesh se një parti e re e formuar tani vonë  në kryeqytet me anëtarë tiranas e ka propozuar z. Arben Tafaj për kandidat. Për mua z. Arben do ishte një kryetar bashkie shumë i përshtatshëm!

Bardhyl Selimi

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch