Home » Kulturë » Nje liber per emigracionin, nga Bahtir Latifi- Boras, Suedi

Nje liber per emigracionin, nga Bahtir Latifi- Boras, Suedi

PLAGËT E HAPURA TË MËRGIMIT, ME MALLIN E PASHUAR

PËR VENDLINDJEN…

(Libri i Bahtir Latifit, “As i gjallë, as i vdekur”, botuar në Suedi)

Nga: Prof. Murat Gecaj

Publicist e studiues-Tiranë

”…e, unë dua të qesh e të qaj/ në aromën e tokës,/ së lashtë,/ të kristaltë,/ të shenjtë,/ në Prishtinën time!…”(Nga:Qibrije Hoxha)

 

1.

Në pranverën e vitit të kaluar, 2011, miku e kolegu im, shkrimtari e publicisti Viron Kona më njoftoi se në Tiranë do të bënin një vizitë miqtë tanë, emigrantë në Boras të Suedisë dhe anëtarë të Shoqatës “Migjeni” aty, Sokol Demaku e Bahtir Latifi. Pa u zgjatur, tregoj se ata erdhën këtu e bashkë qendruam disa ditë. Gjatë asaj njohjeje, Bahtiri më kërkoi që të redaktoja një libër të tij, me përmbledhje shkrimesh. Sigurisht, këtë  dëshirë  të  tij e pranova me kënaqësi dhe, sapo u kthye ai në vendbanimin e tij, ma nisi dorëshkimin me anën e Internetit. Ç’është e vërteta, e vonova pak leximin, pasi kisha edhe ndonjë punë tjetër për të bërë. Megjithatë, arrita ta përfundoj redaktimin dhe ia nisa mikut tim të ri. Në mesazhin e rastit, më 11 dhjetor 2011,  i shkrova atij këto radhë:

“I dashur Bahtir, Përshëndetje! I dhashë ca forca punës dhe arrita ta përfundoj redaktimin e librit tënd… Sigurisht, ti do t’i hedhësh një sy të kujdesshëm, pasi je i ri dhe zbulon ndonje mangësi në tekst, sidomos në shkronja. Nëqoftëse ke ndonjë mendim për materialat e shtuara nga unë, më shkruaj.  A të pëlqen “Hyrja”? Mund të bëj ndonjë ndryshim në të ose shtesë, po deshe ti. Mos harro, në fund, duhet vendosur dhe “Përmbajtja”.Urime për librin dhe përqafime nga larg e të fala Sokolit e kolegëve tjerë aty: Murati”.

Vallë, çfarë mendon autori i librit, emigranti Bahtir Latifi?

Në vijim, nuk vonoi dhe nga Bahtiri mora këtë mesazh falënderimi: I nderuari  Murat, përshëndetje! Nuk kam fjalë ta shprehi kënaqesinë time: së pari, që të njoha; së dyti, që ma bëtë këtë të mirë për redaktimin e librit dhe, së treti, që ma plotësove dëshirën time, që  të jeshë pjesë e librit tim. Kjo më bën më të gjallë, më të fortë dhe shumçka më mirë, që pata fatin të ju njoh dhe tani të jemi bashkë nga shpirti dhe zemra, por jo edhe fizikisht. Megjithatë, unë të falënderoj,  i nderuar, i dashur, i respektuari Murat Gecaj, nga unë, Bahtir Latifi! Qofsh faqebardhë e me nder gjithmonë, siç ishe deri më tani! Zoti jua shpërbleftë, Zoti ju bekoftë me familje, gjithë jetën! Lexova ato, që më shkruani dhe çkado, që ka nevojë, do ta bëj me Sokolin. E gjitha më pëlqeu shumë, pa masë e jam i nderuar dhe i gëzuar nga Ju. Të fala të përzemërta, nga unë dhe Sokoli. Përqafime, njashtu, nga ne, nga Boråsi i Suedisë. Përshëndetje, u pafshim për të mira dhe faleminderit për urimin!”

Nuk kaluan vetëm disa ditë dhe përsëri mora nesazh të gëzuar nga Bahtiri, i cili më njoftonte se libri i tij, me titullin “As i gjallë, as i vdekur”,  doli nga shtypi. Kështu edhe në një shkrim të Sokol Demakut,  në Faqen e Internetit “Dituria”, lexuam këto radhë:  “Këto ditë, në Borås të  Suedisë, e pa dritën e botimit  libri i dytë i radhës nga shkrimtari, gazetari dhe poeti Bahtir Latifi me titullin “As i gjallë, as i vdekur” . Kjo është meritë e redaksisë së revistës “Dituria”, e cila del një herë ne muaj në qytetin skandinav, Borås të Suedisë dhe është një dritare e hapur për mërgimtarët shqiptarë në Skandinavi”.

2.

Për të krijuar sadopak një mendim për përmbajtjen e këtij libri, këtu poshtë po e jap të plotë shënimin tim, vendosur në hyrje të tij, bashkë me kopertinën, që ma dërgoi Bahtiri me e-mail. Ja, cila është hyrja:

“Disa ditë më parë, pra në nëntor 2011, u takova dhe bisedova me Anila Novruzajn, emigrante shqiptare në qytetin Asti të Italisë Veriore. Ajo kishte mbrojtur me sukses diplomën e dytë, në degën e psikologjisë, pranë Universitetit të Torinos. Tema ishte për emigracionin dhe u vlerësua me maksimumin e pikëve të mundshme. Asaj i bëra edhe këtë pyetje: “Lutem, më thuaj me  dy-tre fjalë, se në çfarë përfundimi arrite, me gjithë temën tënde…Pra, si e vlerëson ti emigracionin, pasi ka mendime të ndryshme për këtë temë?” Pa u zgjatur, ajo tha shkurt: “Është një fatkeqësi njerëzore!” Pra, ajo nuk kishte mëdyshje në përcaktimin e tij.

Ky mendim i përmbledhur m’u kujtua edhe gjatë shfletimit të origjinalit të librit, të kolegut e mikut tim, Bahtir Latifi, “As i gjallë, as i vdekur!” Sigurisht, ndoshta, ndokush mund të ketë edhe “vërejtje”, se përse autori e ka venë këtë titull, pra është shprehur kaq ashpër. Por, po ta njohësh nga afër këtë plagë të rëndë e të pashëruar shoqërore, që e përjetojnë edhe shqiptarët, në vende e shtete të ndryshme të botës, do të bindesh se fjalë të tilla i kanë dalë atij nga thellësia e shpirtit. Gjithashtu, këtë mendim e përforcojnë jo vetëm dëshmitë për vështirësitë e sakrificat, që detyrohen të përballojnë emigrantët dhe që i pohojnë me gojën e tyre, në faqet e këtij libri.

Ky libër mendoj se ka vlera të shumanshme, pra jo vetëm për të njohur jetën dhe veprimtarinë krijuese të disa kolegëve të Bahtir Latifit, emigrantë në shtete të ndryshme të Europës. Së pari, vetë ai na “rrëfehet” me fjalë të dhimbshme e të sinqerta, se si e përjeton emigracionin në Suedi, megjithëse aty ka gjetur ndihmë, përkrahje dhe ngrohtësi nga vendësit. Por, siç është e kuptueshme, sidomos për ne shqiptarët, këto nuk janë të mjaftueshme për të qenë i qetë shpirtërisht, për të patur lumturi, vetjake e familjare.

Nëpër faqet e librit lexuesi njihet edhe me bashkautorë të tjerë të tij, si me Sadulla Zendelin ose, siç e njohin në vendet skandinave, me Dajën; por edhe me Sokol Demakun e Qibrije Hoxhën, aq të palodhur për çështjen kombëtare shqiptare. E, kështu me radhë, na flasin me çiltërsi edhe  Neki Babmusta, “Mësues i merituar” dhe emigrant me banim në Londër; Arqile Gjata, emigrant në Greqi dhe Baki Ymeri, në Rumani e të tjerët…Ata janë me mosha e profesione të ndryshme, por i bashkon  ndjenja e lartë e atdhedashurisë dhe e mallit të pashuar për vendlindjen, për Shqipërinë e Kosovë dhe troje të tjera amtare.

Në mesin e emigrantëve shqiptarë, që kanë hedhur mendimet e tyre në këtë libër, renditet me dinjitet edhe albanologu dhe mik i shquar i shqiptarëve, Prof. Ullmar Qvick. Ndjenjat e pastra e të bukura për vendin tonë dhe njerezit e tij, ai sikur i ka “zbuluar” edhe në një letër, që i ka dërguar shkrimtarit e publicistit Viron Kona, në Tiranë. Ndërsa ky i fundit, sikur ka “tubuar” mendimet dhe mirënjohjen e gjithë shqiptarëve, pra dhe të emigrantavë në Suedi, të cilët e njohin ose jo atë, kur i ka shkruar:

“Kur bashkëbisedoj me ju, Profesor, ndihem i çliruar. Ju nderoj e respektoj, sepse Ju jeni i tillë, që njerëzit duhet t`u duan dhe t`u respektojnë, sepse keni fakt punën tuaj dhe veprën tuaj. Nuk do t`i bëjmë dot të gjitha, sa duam gjatë jetës, por të bëjmë më të mirën, që mundemi dhe, kjo, nuk është pak. Më vjen mirë ta them, i nderuar Profesor, se ju e keni bërë dhe vazhdoni ta bëni më të mirën, që, për ne shqiptarët, është mjaft mbresëlënëse”.

Ndjen dhimbje në shpirt, sidomos, kur lexon vargjet e përmallshme e të përlotëshme, ku autorët i drejtohen vendlindjes, tokës, truallit dhe varreve të të parëve, por dhe zogjëve shtegtarë, që ta çojnë atje zërin e tyre, i cili u del thellë nga gjokset.  Kështu, po t’i hedhësh një sy këtij  libri, aty lexojmë faqe pas faqeje e nga secili, “Poezi nga mërgimi”, vërejmë se, ndoshta, ato nuk kanë vlera “të larta” artistike. Por ka rëndësi për t’u shënuar që të gjitha  janë shkruar me zemër, me gjuhë të thjeshtë, të rrjedhëshme dhe që u dalin autorëve nga thellësia e shpirtit. Mund të përmendja këtu mjaft vargje, por po i citoj vetëm pak të Qibrije Hoxhës:

”Mëngjeset tua,/ më të bukura se çdo margaritar,/ pastërti shpirti /  bekojnë/ e, unë dua të qesh e të qaj/ në aromën e tokës,/ të lashtë,/ të kristaltë,/ të shenjtë,/ në Prishtinën time!…”

Nuk dua ta lodhi më tej lexuesin me këtë ”hyrje” të shkurtër timen, pasi ai vetë do t’i zbulojë vlerat dhe bukuritë e këtij libri, për të cilin e urojmë nga zemra autorin, Bahtir Latifi,  mik e koleg i përbashkët i yni! Tiranë, dhjetor 2011”.

Tiranë, 9  janar 2012


One Response

  1. Tasyachhieey thotë:

    o vlla hallall te koft une jom prej koevoss ama qisi talent kurr skom pa hallall te qoft edhe dj suat teper producent i fort hallall man.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch