Home » Kulturë, Lajme » NJË POETE E RE, “NË RRUGËN PA KTHIM”…

NJË POETE E RE, “NË RRUGËN PA KTHIM”…

Nga: Prof.Murat Gecaj

Manushaqe Toromani

Manushaqe Toromani

1.

Nuk është hera e parë, që poetja Manushaqe Toromani ndodhet ndërmjet krijuesve të shumtë të kryeqytetit, por dhe jashtë tij. Me një njoftim të thjeshtë në faqet e Internetit, por dhe gojarisht ose me celuluar, ditët e fundit ajo lajmëroi kolegë e miq, poetë e shkrimtarë, që të merrnin pjesë në gëzimin e ri dhe të natyrshëm të saj, pra në përurimin e librit të tretë poetik, “Ëndërr e mençur”. Në një mjedis të këndshëm, pra në lokalin “Tradita”, në rrugën “Don Bosko”, ata erdhën në pragun e festive të fundvitit, që të njihen me këtë botim të saj dhe, me një gotë verë e meze përpara, bashkërisht ta uronin e ta përgëzonin atë.

Nuk ishte një takim me “presidium” e referate të parapërgatitura, po një bashkëbisedim miqësor me autoren dhe i shoqëruar me shkëmim mendimesh për këtë libër të ri.  Në fjalën e tij, Sadik Bejko u ndal në meritat kryesore të kësaj përmbledhjeje poetike. Ndërsa tubimin e organizuar e quajti “festë e krijuesve”, ku bëhen vlerësime dashamirëse dhe shkëmbehen mendime rreth krijimtarisë e botimeve të autorëve të ndryshëm. Nga hyrja e librit në fjalë, që ai ka shkruar, po shkëpusim këto radhë përmbyllëse:

“…për poezinë refleksive me mesazhe për filozofinë e jetës, për vizatimet bardhezi të gjendjeve shpirtërore dhe të peisazheve të natës, të shiut, të rrugëve nën tingujt  e kitarës, për thjeshtësinë dhe elegancën e fjalës të vargut dhe të strukturave poetike, për dramacitetin e ngritur dhe përthyerjen me humor të zymtësisë dhe për të tjera cilësi, që lexuesi do t’I zbulojë në lexim, mendoj  që ky libër shënon një sukeses, një hop  në poezinë e autores”.

Në vazhdimësi, duke qenë në një linjë të përaafërt me këto, që u thanë më sipër, për librin e ri të M.Toromanit shprehën mendimet e tyre: Pandeli Koçi, Faik Xhani, Mark Simoni, Namik Selmani, Dodona Qose e Azem Baliaj,Xhelal Luca e Lola Shehi. Ndonjëri nga ata, shoqëruar me kitarë nga Gazmend Sulo, recitoi edhe vargje të zgjdhura nga ky libër. Me pak fjalë dhe mjaft emocione, autorja I falëndroi folësit dhe gjithë pjesëmarrësit në këtë veprimtari të bukur e mbresëlënëse. Duke marrë pjesë në koktejin, që ajo kishte shtruar, ata bënë fotografi të përbashkëta, por dhe vallëzuar nën ritmin e muzikës popullore.

Manushaqe Toromani - libri

Ballina e parë  e librit të ri…

2.

Poetja Manushaqe Toromani e ka nisur udhën e krijimtarisë vite më parë. Por vetëm kur është bindur, se ka arritur njëfarë pjekurie artistike në këtë fushë, poezitë i tuboi në vëllimin e parë, “Eja, të pres!”(Tiranë, 2010). Pas një pushimi trevjeçar, kur kishte vijuar të krijonte poezi të tjera, tashmë më “pjekura”, ato i publikoi në vëllimin e dytë, me titullin domethënës, “Ishte kohë për dashuri”. Në ballinën e dytë janë bërë edhe këto vlerësime, për këtë libër:

”Folësi lirik, në poezinë e Manushaqe Toromanit është zëri i intelektuales, që nuk pajtohet me realitetin e dhimshëm të një vendi në tranzicion dhe fshikullon me guxim qytetar dukuritë sociale, që e bëjnë shoqëërinë tonë të lëngojë nën peshën e presionit të tyre”(nga Viktor Gjikolaj).  Ndërsa Ilmi Dervishi ka shkruar:”Poezia e Manushaqe Toromanit vjen, sa befasuese, aq dhe meditive, me shijen e mirë të leximit, siç vjen pranvera me lulen manushaqe”. Më tej, Thoma Naka është shprehur për atë vëllim poetik:’Në poezinë e Manushaqe Toromanit gjen njeriun e ditës, me gëzimet dhe shqetësimet e vetë kohës, në të cilën jetojmë”.

Vëllimi i tretë  me poezi i kësaj autoreje, “Ëndërr e mërguar”(Tiranë, 2015), i cili u përurua këto ditë,  është venë në qarkullim nga Shtëpia Botuese “Ada”-Tiranë. U përgatit për botim nga Roland Lushi, me redaktor Sadik Bejkon.

Libri në fjalë hapet me poezinë “Pa adresë” dhe më tej krijimet poetike tubohen në këto pjesë: “Qyteti i lagur”, “Karpe diem”, “Vendlindja” dhe “Buza qeshë, syri qan”.

Meqenëse na duket shprehëse, me përmbajtjen e saj, po shkëpusim vargjet e poezisë ”Rrugë pa kthim”, e cila është përmbyllëse e këtij libri:

Jam nisur për udhë,

Mbrapa më s’ kthehem

dhe pse e di, ajo do t’më lodhë.

E  gjatë pa fund,

ss kryet nuk ia di,

kur të cfilitem,

do ulem të rri.

Prapë do ngrihem,

do të marr fuqi,

deri sa fundin t’ia shoh me sy.
Jam nisur për udhë,

s’më ndalë dot njeri,

cilindo, (s’e pengoj),

me mua të vijë…

E, kështu, me fjalë dashamirëse e miratuese mund të flisnim për ato poezi të kësa autoreje, që kemi patur rastin t’i lexojmë edhe në dy librat e mëparshëm, por dhe nëpër rrjetet e ndryshme sociale ose në faqet e shtypit tonë.

Shprehim besimin e bindjen që Manushaqe Toromani do ta vazhdojë më tej udhën e krijimtarisë poetike, duke na dhënë botime të tjera, si në numër, por kryesorja, në cilësi sa më të lartë artistike.

(Shënim: Fotoja e kësaj autoreje është bërë nga M.Gecaj)

Tiranë, dhjetor 2015

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch